>Prokuroria: Nuk ka bazë për heqje imuniteti të Fatmir Limajt

>

Për shkak të interesit të madh të mediave se a ka kërkuar kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj, Prokuroria e Shtetit përmes një
komunikate njoftoi sot se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet dhe nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprat e kryera para se të zgjedhën deputet apo vepra të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet. 


Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin nr. 03/L-11 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.
Organi që zbaton procedurën penale nuk është i detyruar të vërtetojë sipas detyrës zyrtare se a gëzon një person imunitet apo jo dhe nga personi që gëzon imunitet varet se a do thirret në imunitet.


Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e deputetit pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.  


Prandaj Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet.
Çështja e kërkesës për pëlqimin e Kuvendit për arrestimin apo ndalimin e deputetit, nuk është në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave të kryeprokurorit të Republikës së Kosovës, përfundon komunikata./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Prokuroria: Nuk ka bazë për heqje imuniteti të Fatmir Limajt Janë të Mbyllura

>Nën kërcënim me armë ia grabisin 4140 euro

>

Policia ka njoftuar se në fshatin Volljakë të Klinës, më 17 mars  rreth orës  6 e 30 minuta,  një person kishte njoftuar se derisa po ngiste kamionin e tij, dy të panjohur e kishin ndaluar dhe nën
kërcënimin e revoles i kanë grabitur  4140 euro dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. 

Lidhur me rastin është konfiskuar një veturë, duke u bazuar në përshkrim të viktimës. Për ketë rast janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në qendrën e ndalimit./kn

Postuar te KOSOVË. Komentet te >Nën kërcënim me armë ia grabisin 4140 euro Janë të Mbyllura

>Shiu zbulon skeletin e një njeriu

>

Eshtra të trupit të njeriut janë zbuluar pas shiut që ra ditë më parë. Eshtrat janë parë pranë xhamisë së Haxhi Veselit në Mitrovicë, përkatësisht rreth pesë metra larg murit të kësaj xhamie, ku është duke u ndërtuar një objekt tetë katesh. 

Pjesëtarë të policisë së Kosovës tash e tetë ditë janë duke siguruar vendin dhe duke pritur mjekët e mjekësisë ligjore dhe komisionin për të zhdukurit apo të pagjeturit, që të bëjnë zhvarrimin e këtyre kockave dhe identifikimin e tyre. Besohet se trupi i pajetë është varrosur gjatë luftës në oborrin e kësaj xhamie, ndërkohë që dyshohet edhe për trupa të tjerë. Halit Barani, kryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë, ka thënë se trupi i pajetë është vetëm 40 centimetra në thellësi të tokës dhe i mbështjellë me batanije të larme.  

Sipas tij, trupit të pajetë uji ia ka zbuluar vetëm eshtrat e shputave të këmbëve dhe se dihet se janë kocka, përkatësisht këmbë të njeriut. “Trupi i pajetë saktësisht dihet se është varrosur në këtë vend gjatë luftës në Kosovë 1998/99, pasi ai nuk është thellë në tokë, është pa dërrasa dhe i mbështjellë me batanije”, ka thënë Barani, duke apeluar tek të gjithë ata që dinë diçka për këtë trup, por edhe për të tjerë, të lajmërohen në zyrat e Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë. 



Në anën tjetër, Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë, tha se informatën për një trup të pajetë policia e ka marrë nga një punëtor, që ishte duke punuar në atë vend. Sipas tij, dyshohet se trupi i përket kohës së luftës.

“Janë njoftuar përgjegjësit e mjekësisë ligjore dhe hetuesit e sektorit të hetimeve për krime lufte, ndërsa përgjegjësia e policisë është të bëjë vetëm sigurimin e vendit”, ka thënë Hoti.

Postuar te KOSOVË. Komentet te >Shiu zbulon skeletin e një njeriu Janë të Mbyllura

>Jeremiq: Kosova është zemra e shpirti serb

>

Kosova është “drita e syrit tonë” dhe Jerusalemi ynë, citon agjencia e lajmeve FoNet ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, të ketë thënë në kolegjin Viton në Chicago. Ai, sipas këtij burimi, është shprehur se “secesioni nuk do të ketë sukses”, por ka shtuar se “nuk ka alternativë për zgjidhje me kompromis, pos me negociata”. 

Duke rikujtuar dhunën e marsit ndaj serbëve të Kosovës më 2004 dhe pasojat që rrodhën pas kësaj, Jeremiq ka vlerësuar se problemi i Kosovës në thelb reduktohet në luftën për identitet. 
“Për ne serbët, Kosova është ajri që e thithim. Ajo është damari i jetës së kulturës sonë dhe djepi i tempujve tanë më të çmuar”, është shprehur Jeremiq në këtë institucion më të madhin dhe më me ndikim akademik të krishterë evangjelist në SHBA. 


“Ne me Kosovën kemi një hallkë të pashkëputshme, dhe duke cituar patriarkun e ndjerë Pavle, ka thënë se ‘ajo është burim i traditës sonë shpirtërore dhe i shtetësisë, zemra dhe shpirti i popullit tonë, pjesë e pashkëputshme e qenies sonë’”, ka thënë ai. 
“Kosova është Valley Forge dhe York Towni ynë”, ka saktësuar Jeremiq, “Allamo dhe Getysburg i ynë, Pearl Harbori dhe Ivo Gymi ynë, të gjitha në një”.


Për të ëndërrojmë natën, ka shtuar Jeremiq, “ajo është drita e syve tonë dhe Jerusalemi ynë”. 
Tash tre vjet, ka rikujtuar Jeremiq, Serbia demokratike me gjithë forcën kundërshton shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, duke përdorur ekskluzivisht mjete paqësore dhe demokratike. 


“Nuk kemi ndërmarrë kundërmasa ndëshkuese. Por, kemi vendosur sa vijon: që asnjëherë, në kurrfarë rrethana të mos njohim secesionin, drejtë apo tërthorazi”, ka shtuar Jeremiq. 
Sipas vlerësimeve të tij, në thelb kjo ishte përpjekje që me forcë të ndryshoheshin kufijtë kushtetues, ndërkombëtarisht të njohur të Serbisë. 
“Asnjë vend krenar e demokratik, afrikan a evropian, aziatik ose amerikan, i vogël ose i madh, i pasur ose i varfër”, ka konstatuar Jeremiq, “nuk do të vepronte ndryshe po të ishte në vendin tonë”. 


“Unik si një, ne po dërgojmë mesazhin: secesioni nuk do të ketë sukses”, ka theksuar Jeremiq dhe nuk do të ketë sukses cilado qoftë përpjekje për imponimin e rrjedhjes së njëanshme, jolegjitime”, ka thënë Jeremiq, duke shtuar se “ne askush nuk do të na detyrojë ta pranojmë një gjë të tillë, as për këtë, as për cilindo nga gjeneratat e ardhshme”.

 
Tri vjetët e shkuara kanë treguar se nuk ka alternativë për zgjidhjen me kompromis, e cila mund të arrihet pos me negociata, ka theksuar Jeremiq, i cili konsideron se dialogu është e vetmja rrugë e paqes në Kosovë. 
Sipas fjalëve të tij, pa pajtim, “s’do të ketë të ardhme stabile dhe të sigurt për pjesën tonë të Evropës”.


“Kjo është e vetmja mënyrë që të kemi rastin për të shfrytëzuar potencialet tona”, ka theksuar Jeremiq, duke rikujtuar se “pajtimi esencial mbështetet në falje, pendim dhe modesti”. 
“Kjo nënkupton heqjen dorë nga urrejtja dhe hakmarrja, kështu që jeta mund të nisë nga fillimi”, ka sqaruar Jeremiq. 


Ai ka shtuar se “dy popujt tanë, serbë e shqiptarë, secili punëtor e krenar, aq sa edhe i përkushtuar idealeve të veta, në të kaluarën nëpër periudha tragjedish”. 
Por, nganjëherë pikërisht tragjedia krijon rastin “për fillim të ri”, ka theksuar Jeremiq, duke shtuar se veprimi në atë drejtim kërkon respektim dhe jo mohim të identitetit të tjetrit. 
“Nuk guxojmë të harrojmë të kaluarën, por po ashtu nuk guxojmë të lejojmë që ajo të na pengojë në ndërtimin e të ardhmes prosperuese. Kjo nuk është e mundur të bëhet përmes falsifikimit të historisë”, ka tërhequr vërejtjen Jeremiq. 


Nuk guxon të mohohen krimet e tmerrshme, ka thënë Jeremiq, kështu helmohen shpirtrat, kështu vetëm çimentohen qëndrimet e kundërta. 
Prandaj, Serbia, kur përmenden krimet dhe trafikimi me organe të njerëzve në Kosovë, ka kërkuar formimin e mekanizmave ad hoc që do të duhej t’i themelonte Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe të cilit do t’i përgjigjeshin. 


Ai është i vetmi organ, sipas qëndrimit të Jeremiqit, që duhet drejtojë gjithë procesin hetimor, të merret me çështjet e juridiksionit dhe që në mënyrë përkatëse të zbatojë të drejtën. 
“Është koha e fundit që të ndriçohet e vërteta e plotë e asaj që ka ndodhur në Kosovë”, ka vlerësuar Jeremiq. 


Ai u angazhua për shembjen e “murit të armiqësive” dhe në vend të tij të ndërtohet shtëpia e përbashkët, “e ndërtuar në kompromisin e drejtë, i cili njësoj merr parasysh edhe dëshirën edhe interesat, si të serbëve ashtu edhe të shqiptarëve”./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Jeremiq: Kosova është zemra e shpirti serb Janë të Mbyllura

>Serbia thotë shpenzon miliona euro në Kosovë

>

Çdo sekondë nga buxheti i Serbisë në Kosovën shkojnë 16 euro, kjo është e dhënë që e ka siguruar një organizatë joqeveritare serbe. Qendra për Politikë Praktike nga Beogradi pohon se që
nga viti 1999 nga arka e shtetit të Serbisë në Kosovë janë derdhur rreth 6 miliardë euro, ndërkohë që nuk ekziston ndonjë kontroll i shpenzimeve të këtyre parave. 


“Aq më tepër, gjithnjë e më shumë serbë në jug të Ibrit, të zhgënjyer me Beogradin, po anojnë nga institucionet e shtetit të vetëshpallur të Kosovës, gjë që ka dëshmuar edhe dalja masive në zgjedhjet e fundit”, konstaton gazeta beogradase “Danas”. Më tej ajo numëron institucionet paralele serbe që financohen nga Serbia qoftë brenda territorit të Kosovës, qoftë në Serbi. 

Ndërkaq, sipas politikanit serb të Kosovës, Momçillo Trajkoviq, në Kosovë nga buxheti i Serbisë në vit shpenzohen rreth gjysmë miliardi euro. “Kosova ka qenë dhe ka mbetur hapësirë për pastrimin e parave. Ndoshta në Kosovë shkojnë edhe më shumë se gjysmë miliardi euro, por një pjesë e madhe e tyre nuk arrin te njerëzit e zakonshëm”, thekson Trajkoviq. I pyetur nëse serbët në Kosovë kanë pasur ndonjë dobi nga fondet që ndahen për rrugë dhe palestra sportive, Trajkoviq thekson se segmentin e rrugës nga Llapnosello deri në Graçanicë “vitin e kaluar e ka bërë dhe modernizuar Hashim Thaçi, kurse Serbia atë rrugë vetëm e ka arnuar”./kn

Postuar te KOSOVË, RAJONI. Komentet te >Serbia thotë shpenzon miliona euro në Kosovë Janë të Mbyllura

>AAK bën gati padinë tjetër kundër Presidentit

>

AAK-ja është në përfundim të lëndës ndaj presidentit Behgjet Pacolli në Gjykatën Kushtetuese. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se janë duke argumentuar pretendimet edhe për shkelje të Kushtetutës nga Pacolli, kur votoi për zgjedhjen e Qeverisë. Në Presidencë thonë se nuk janë në dijeni për këtë nismë.

Gjykata e Kushtetuese e Kosovës ende pa e përfunduar “gjykimin” e nisur ditë më parë, nëse gjatë zgjedhjes së presidentit Behgjet Pacolli janë shkelur procedurat në Parlament dhe Kushtetuta, shumë shpejt mund ta pranojë edhe një lëndë të dytë pikërisht për pretendime për shkelje kushtetuese nga ana e presidentit të ri të Kosovës.

Kërkesën për interpretim nëse ka pasur shkelje, e ka bërë LDK-ja me mbështetje të deputetëve të AAK-së, ndërsa kërkesa tjetër që po përgatitet të dorëzohet është iniciuar nga AAK-a, e cila tani kërkon ndihmën e deputetëve të LDK-së.


Me gjithë dëshirën dhe përpjekjet për ta çuar Pacollin në Kushtetuese, AAK-ja ende nuk është e sigurt nëse për këtë nismë do të arrijë t’i mbledhë 30 nënshkrime të deputetëve, shkruan gazeta Express.

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >AAK bën gati padinë tjetër kundër Presidentit Janë të Mbyllura

>Fatmir Limaj edhe sot në Gjykatë

>

Ish-ministri i transportit, Fatmir Limaj, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, mësohet se të enjten, rreth orës 14:00 ose 15:00, do të paraqitet sërish para prokurorit dhe gjykatësve.

Sipas burimeve të “Zërit”, mësohet se kjo seancë do të mbahet për caktimin ose mos-caktimin e paraburgimit për ish-ministrin Limaj.

Ndërkohë të enjten gjatë ditës, policia e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kuadër të hetimeve për krime të luftës. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it me procedurë paraprake nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka lëshuar edhe disa fletë-arreste për disa persona të tjerë, ku në mesin e tyre është edhe deputeti i Kuvendi të Kosovës, Fatmir Limaj, ish-ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Vetë Limaj deklaroi se “e di që është e vështirë për ata që kanë pasur besim tek ai”, por, sipas tij, rendi ndihmohet në këtë mënyrë.

“Kam thënë edhe më herët se po t’i kisha 1 milion jetë, nuk do të ndërroja asgjë në jetën time. Krejt potencialin tim njerëzor dhe familjar e kam vënë në shërbim të çlirimit të vendit”, tha Limaj.

Këto komente ai i bëri të mërkurën në orët e mbrëmjes, teksa ishte nisur drejt Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Fatmir Limaj edhe sot në Gjykatë Janë të Mbyllura

>EULEX nuk shqipton masë ligjore ndaj Limajt

>

EULEX-i nuk i ka shqiptuar asnjë masë ligjore deputetit Fatmir Limaj, ndaj të cilit u lëshua fletëarresti nën dyshimet se ka kryer krime lufte.
Avokati i tij Tomë Gashi, bëri të ditur se të enjten pasdite Limaj mund të paraqitet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinës.
Në anën tjetër, EULEX-i, përmes një deklarate të shkruar, i tha Evropës së Lirë, se “mbrëmë një prokuror i EULEX-it ka biseduar me zotin Fatmir Limaj rreth statusit të tij si deputet”, por nuk janë dhënë detaje tjera.
Ky mision ka bërë të ditur se “nga tetë të arrestuarit ditën e djeshme nën akuzat për krime lufte, pesë kanë mbetur në paraburgim për 30 ditë, dy të pandehur në arrest shtëpiak dhe një i pandehur është urdhëruar të paraqitet në polici tri herë në javë”./tg

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >EULEX nuk shqipton masë ligjore ndaj Limajt Janë të Mbyllura

>Limaj i dorëzohet gjykatës

>

Fatmir Limaj është vetparaqitur të mërkurën në mbrëmje në gjykatë, pas fletarrestit të lëshuar nga misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, nën dyshimin për krime lufte. Limaj është vetdorëzuar duke thënë se e bën këtë për të mirën e drejtësisë në Kosovë, pasi siç tha ai, gjatë gjithë jetës së tij ka punuar për të mirën e Kosovës.
Gjatë ditës së mërkurë në disa rajone të Kosovës policia e EULEX-it ka arrestuar disa persona të dyshuar për krime lufte.
Limaj, ish-ministër i Transportit dhe aktualisht deputet e nënkryetar i PDK-së, sipas fletarrestit, është i dyshuar për krime të luftës në Kleçkë.
Gjatë luftës, Fatmir Limaj ka drejtuar Brigadën “Kumanova”. Nën dyshimet për krime lufte, ai ishte arrestuar vite më parë nga autoritetet e Tribunalit të Hagës, por ishte liruar si i pafajshëm./tg

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Limaj i dorëzohet gjykatës Janë të Mbyllura

>Tetë bjeshkatarë "prekin" majën e Bjeshkëve të Nemuna

>

Tetë bjeshkatarë të klubit Gjeravica, kanë arritur të ngjiten në majën më të lartë të Bjeshkëve të Nemuna, të dielën në mbrëmje, pas 17 orëve të marshimit nëpër borë.
Ekspedita u organizuar nga klubi i bjeshkatarisë “Hrid” nga Plava e Malit të Zi. Kjo është një nga ngjitjet më të vështira në Ballkan për shkak të udhëtimit të gjatë që duhet të bëhet dhe mungesës së plotë të infrastrukturës përkrahëse.


“Është një udhëtim i gjatë dhe mjaft i vështirë, kemi ecur mbi 17 orë pa u ndalur në mënyrë që të arrijmë deri te maja Jezercë. Është ndjenjë e papërshkrueshme kur gjendesh në maje të malit dhe i sheh tërë Bjeshkët e Nemuna si në pëllëmbë të dorës”, ka thënë Gjemajl Kelmendi, njëri nga bjeshkatarët veteran të Gjeravicës. Maja Jezercë gjendet në vijën kufitare mes të Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe për këtë shkak gjatë tërë rrugës nuk ka shtëpi apo vende të cilat mund të shfrytëzohen për pushim.

Postuar te KOSOVË. Komentet te >Tetë bjeshkatarë "prekin" majën e Bjeshkëve të Nemuna Janë të Mbyllura