>Jeremiq: Kosova është zemra e shpirti serb

>

Kosova është “drita e syrit tonë” dhe Jerusalemi ynë, citon agjencia e lajmeve FoNet ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, të ketë thënë në kolegjin Viton në Chicago. Ai, sipas këtij burimi, është shprehur se “secesioni nuk do të ketë sukses”, por ka shtuar se “nuk ka alternativë për zgjidhje me kompromis, pos me negociata”. 

Duke rikujtuar dhunën e marsit ndaj serbëve të Kosovës më 2004 dhe pasojat që rrodhën pas kësaj, Jeremiq ka vlerësuar se problemi i Kosovës në thelb reduktohet në luftën për identitet. 
“Për ne serbët, Kosova është ajri që e thithim. Ajo është damari i jetës së kulturës sonë dhe djepi i tempujve tanë më të çmuar”, është shprehur Jeremiq në këtë institucion më të madhin dhe më me ndikim akademik të krishterë evangjelist në SHBA. 


“Ne me Kosovën kemi një hallkë të pashkëputshme, dhe duke cituar patriarkun e ndjerë Pavle, ka thënë se ‘ajo është burim i traditës sonë shpirtërore dhe i shtetësisë, zemra dhe shpirti i popullit tonë, pjesë e pashkëputshme e qenies sonë’”, ka thënë ai. 
“Kosova është Valley Forge dhe York Towni ynë”, ka saktësuar Jeremiq, “Allamo dhe Getysburg i ynë, Pearl Harbori dhe Ivo Gymi ynë, të gjitha në një”.


Për të ëndërrojmë natën, ka shtuar Jeremiq, “ajo është drita e syve tonë dhe Jerusalemi ynë”. 
Tash tre vjet, ka rikujtuar Jeremiq, Serbia demokratike me gjithë forcën kundërshton shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, duke përdorur ekskluzivisht mjete paqësore dhe demokratike. 


“Nuk kemi ndërmarrë kundërmasa ndëshkuese. Por, kemi vendosur sa vijon: që asnjëherë, në kurrfarë rrethana të mos njohim secesionin, drejtë apo tërthorazi”, ka shtuar Jeremiq. 
Sipas vlerësimeve të tij, në thelb kjo ishte përpjekje që me forcë të ndryshoheshin kufijtë kushtetues, ndërkombëtarisht të njohur të Serbisë. 
“Asnjë vend krenar e demokratik, afrikan a evropian, aziatik ose amerikan, i vogël ose i madh, i pasur ose i varfër”, ka konstatuar Jeremiq, “nuk do të vepronte ndryshe po të ishte në vendin tonë”. 


“Unik si një, ne po dërgojmë mesazhin: secesioni nuk do të ketë sukses”, ka theksuar Jeremiq dhe nuk do të ketë sukses cilado qoftë përpjekje për imponimin e rrjedhjes së njëanshme, jolegjitime”, ka thënë Jeremiq, duke shtuar se “ne askush nuk do të na detyrojë ta pranojmë një gjë të tillë, as për këtë, as për cilindo nga gjeneratat e ardhshme”.

 
Tri vjetët e shkuara kanë treguar se nuk ka alternativë për zgjidhjen me kompromis, e cila mund të arrihet pos me negociata, ka theksuar Jeremiq, i cili konsideron se dialogu është e vetmja rrugë e paqes në Kosovë. 
Sipas fjalëve të tij, pa pajtim, “s’do të ketë të ardhme stabile dhe të sigurt për pjesën tonë të Evropës”.


“Kjo është e vetmja mënyrë që të kemi rastin për të shfrytëzuar potencialet tona”, ka theksuar Jeremiq, duke rikujtuar se “pajtimi esencial mbështetet në falje, pendim dhe modesti”. 
“Kjo nënkupton heqjen dorë nga urrejtja dhe hakmarrja, kështu që jeta mund të nisë nga fillimi”, ka sqaruar Jeremiq. 


Ai ka shtuar se “dy popujt tanë, serbë e shqiptarë, secili punëtor e krenar, aq sa edhe i përkushtuar idealeve të veta, në të kaluarën nëpër periudha tragjedish”. 
Por, nganjëherë pikërisht tragjedia krijon rastin “për fillim të ri”, ka theksuar Jeremiq, duke shtuar se veprimi në atë drejtim kërkon respektim dhe jo mohim të identitetit të tjetrit. 
“Nuk guxojmë të harrojmë të kaluarën, por po ashtu nuk guxojmë të lejojmë që ajo të na pengojë në ndërtimin e të ardhmes prosperuese. Kjo nuk është e mundur të bëhet përmes falsifikimit të historisë”, ka tërhequr vërejtjen Jeremiq. 


Nuk guxon të mohohen krimet e tmerrshme, ka thënë Jeremiq, kështu helmohen shpirtrat, kështu vetëm çimentohen qëndrimet e kundërta. 
Prandaj, Serbia, kur përmenden krimet dhe trafikimi me organe të njerëzve në Kosovë, ka kërkuar formimin e mekanizmave ad hoc që do të duhej t’i themelonte Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe të cilit do t’i përgjigjeshin. 


Ai është i vetmi organ, sipas qëndrimit të Jeremiqit, që duhet drejtojë gjithë procesin hetimor, të merret me çështjet e juridiksionit dhe që në mënyrë përkatëse të zbatojë të drejtën. 
“Është koha e fundit që të ndriçohet e vërteta e plotë e asaj që ka ndodhur në Kosovë”, ka vlerësuar Jeremiq. 


Ai u angazhua për shembjen e “murit të armiqësive” dhe në vend të tij të ndërtohet shtëpia e përbashkët, “e ndërtuar në kompromisin e drejtë, i cili njësoj merr parasysh edhe dëshirën edhe interesat, si të serbëve ashtu edhe të shqiptarëve”./kn

Advertisements
Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Jeremiq: Kosova është zemra e shpirti serb Janë të Mbyllura

>Tërmet në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë

>

Enti seizmologjik i Malit të Zi ka njoftuar se të enjten, rreth orës 22,52 ka regjistruar një tërmet në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, 20 km në juglindje të Podgoricës. 
Intensiteti në hipoqendrën e termetit ka qenë 3.7 njësi, sipas shkallës Rihter, përkatësisht rreth 5 ballë sipas shkallës së Merkalit. Epiqendra e kësaj dridhjeje të tokës është lokalizuar në një thellësi prej 15 km. Në Entin Seizmologjik të Malit të Zi thonë se, përveç panikut të banorëve të trevës, tërmeti nuk ka shkaktuar dëme materiale në lokalitetin e prekur./kn

Postuar te RAJONI, Termetet. Komentet te >Tërmet në kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë Janë të Mbyllura

>Serbia thotë shpenzon miliona euro në Kosovë

>

Çdo sekondë nga buxheti i Serbisë në Kosovën shkojnë 16 euro, kjo është e dhënë që e ka siguruar një organizatë joqeveritare serbe. Qendra për Politikë Praktike nga Beogradi pohon se që
nga viti 1999 nga arka e shtetit të Serbisë në Kosovë janë derdhur rreth 6 miliardë euro, ndërkohë që nuk ekziston ndonjë kontroll i shpenzimeve të këtyre parave. 


“Aq më tepër, gjithnjë e më shumë serbë në jug të Ibrit, të zhgënjyer me Beogradin, po anojnë nga institucionet e shtetit të vetëshpallur të Kosovës, gjë që ka dëshmuar edhe dalja masive në zgjedhjet e fundit”, konstaton gazeta beogradase “Danas”. Më tej ajo numëron institucionet paralele serbe që financohen nga Serbia qoftë brenda territorit të Kosovës, qoftë në Serbi. 

Ndërkaq, sipas politikanit serb të Kosovës, Momçillo Trajkoviq, në Kosovë nga buxheti i Serbisë në vit shpenzohen rreth gjysmë miliardi euro. “Kosova ka qenë dhe ka mbetur hapësirë për pastrimin e parave. Ndoshta në Kosovë shkojnë edhe më shumë se gjysmë miliardi euro, por një pjesë e madhe e tyre nuk arrin te njerëzit e zakonshëm”, thekson Trajkoviq. I pyetur nëse serbët në Kosovë kanë pasur ndonjë dobi nga fondet që ndahen për rrugë dhe palestra sportive, Trajkoviq thekson se segmentin e rrugës nga Llapnosello deri në Graçanicë “vitin e kaluar e ka bërë dhe modernizuar Hashim Thaçi, kurse Serbia atë rrugë vetëm e ka arnuar”./kn

Postuar te KOSOVË, RAJONI. Komentet te >Serbia thotë shpenzon miliona euro në Kosovë Janë të Mbyllura

>Përfundoi raundi i parë i dialogut Kosovë-Serbi

>

Ka përfunduar sot dialogu i nisur një ditë më parë në Bruksel  ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe  Serbisë. Në ditën e dytë të dialogut Prishtinë-Beograd, palët janë shfaqur më konstruktive. 

Madje, ndryshe nga çfarë deklaroi një ditë më parë, përpara nisjes së takimit, kryenegociatori serb, Borko Stefanovic, u kthye në selinë e Këshillit të BE-së duke u shprehur se dallimet mbi statusin e Kosovës janë lënë mënjanë, raporton Top Channel. 
Teknikisht, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shpjegoi se u bisedua mbi regjistrin civil e kadastrën, çfarë propozoi në takim Beogradi në mbrojtje të interesave të komunitetit serb në Kosovë. 


“Ne presim shumë që të zgjidhim problemet e mëdha që qendrojnë midis nesh, në të gjitha ato çështje që mbeten të hapura. Kjo do të thotë se po përpiqemi të trajtojmë tema të cilat ushtrojnë një presion ndaj njerëzve në Kosovë dhe po flasim sidomos për komunitetin serb. Ne do të përpiqemi që të lëmë pas dallimet tona të mëdha mbi statusin e Kosovës. Por, sigurisht që rregullimi i marrëdhënieve tona me Prishtinën do të rezultojë në përfundim të këtij dialogu”, ka deklaruar Stefanoviq. 


Ndërsa Edita Tahiri është shprehur: “Të dyja palët përpiqen të jenë konstruktive dhe kanë sukses për këtë. Mendoj se ne po mundohemi të jemi krijues për çështjet në diskutim. Kemi nisur me tema të tilla si regjistri civil dhe kadastra dhe do bisedojmë mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal”. 


“Ishte hera e parë pas shumë, shumë viteve që ne patëm shansin të negocionim ballë për ballë. E më duhet të them se kishte propozime shumë të mira e konstruktive, vecanërisht nga ana jonë, pasi ne erdhëm të mirëpërgatitur për këtë dialog dhe sigurisht presim palën tjetër që të përgjigjet mbi këto propozime”, ka shtuar Stefanoviq. 


“Përsa i takon palës sonë, ne duam vërtet të jemi konstruktivë dhe t’i kontribuojmë përparimit për të zgjidhur dallimet tona në çështjet praktike. Ky është një dialog teknik e do të qendrojë i tillë”, ka vijuar ndër të tjera Tahiri. 
Takimi i radhës për dialogun Prishtinë- Beograd pritet të mbahet në selinë e Këshillit të BE-së gjatë javës së fundit të muajit mars./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Përfundoi raundi i parë i dialogut Kosovë-Serbi Janë të Mbyllura

>Mali i Zi, shteti që përdor më shumë celularin në Evropë

>

Sipas të dhënave të Institutit Evropian të Statistikave, 1000 persona nga Mali i Zi përdorin 1600 celularë.

Teksa në shtetet e tjera si Kroacia dhe Serbia, 1000 personave u takojnë 1400 celularë, në Bashkimin Evropian kjo shifër bie afërsisht në 1250 celularë. Media serbe e ka cilësuar Malin e Zi, i cili ka një popullsi prej 620 mijë banorësh, si ”Kampion të Evropës për numrin e madh  të telefonave celularë”/


Sipas lajmit të publikuar në gazetën ”Blic”, duke parë të dhënat e publikuara nga Eurostat në muajin shkurt, bëhet e ditur se përqindja e të ardhurave për person në Malin e Zi është më e ulët se mesatarja evropiae, por numri i madh i celularëve e ka cilësuar atë si ”Kampionin e vetëm të Evropës”.


Nga ana tjetër theksohet se mesatarja e papunësisë në Malin e Zi për vitin 2009 është afërsisht 20% duke arritur kështu dyfishin e shifrave të Evropës. Në lajmin ku cilësohet se mesatarja e papunësisë në Kosovë është 45%, në Bosnjë Hercegovinë 40% dhe në Maqedoni 32% bëhet e ditur se Mali i Zi është një nga vendet më të zhvilluara në rajon për sa i përket kësaj çështjeje.


E ndarë nga Serbia me një referendum të organizuar në vittin 2006 dhe me një sipërfaqe prej 13  mijë e 800 km2, Mali i Zi ka një popullsi prej 620 mijë banorësh./topLajm

Postuar te Kuriozitet, RAJONI, Studim. Komentet te >Mali i Zi, shteti që përdor më shumë celularin në Evropë Janë të Mbyllura

>Kanë filluar bisedimet Kosovë-Serbi

>Ndonëse me vonesa të konsiderueshme, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë ka filluar sonte diku rreth orës 19:30 minuta në  selinë e Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel, gjegjësisht në në zyrën e Robert Cooper në kryeqytetin evropian.

Para hyrjes në ndërtesën ku zhvillohet dialogu, Edita Tahiri, kryesuese e delegacionit të Kosovës, tha se janë të lumtur që po nisë ky dialog.


Republika e Kosovës do t’i qaset këtij dialogu në mënyrë konstruktive, tha zonja Tahiri. Ajo theksoi se beson se procesi i dialogut do ta përforcojë agjendën evropiane, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë.

Zv/kryeministrja  Tahiri ka thënë pas takimit se kreativieti mund t’u ndihmojë të dyja palëve për të përmirësuar jetën e njerëzve , por edhe për çuarjen përpara të agjendës evropiane të të dyja shteteve. 


Ndërkaq, përfaqësuesi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, ishte pak më i gjerë në diskutimet me gazetarë rreth temave që diskutohen në këtë dialog. Sipas tij, në tryezë janë qarkullimi ajror, problemi i doganave dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me kadastrat.
Kryesuesi i delegacionit serb, Stefanoviq ka shmangur referencën për sovranitetin, duke thënë vetëm se ka nisur dialogu me Prishtinën. Stefanoviq ka thënë se është iluzore të mendohet se mund të afrohen qëndrimet e palëve për statusin, prandaj është mirë të bisedohet për tema të tjera.


Në BE përsërisin se presin që të dyja palët do të jenë konstruktive në këtë dialog dhe se zgjidhja e problemeve në mënyrë graduale do ta avancojë edhe dialogun.
Mirëpo, në BE nuk dëshirojnë në këto momente të thonë se sa do të zgjasë ky dialog, por thonë se në një periudhë njëvjeçare presin zgjidhjen e shumë problemeve që do të parashtrohen në këtë dialog.


Sipas BE-së, pritet që në përgjithësi në dialog të shtrohen diku mes 15-20 temave që duhet të zgjidhen. Natyrisht, BE-ja në këtë dialog mban qëndrimin e saj neutral ndaj statusit të Kosovës. 
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka përshëndetur nisjen e bisedimeve në Bruskel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 



Nëpërmjet zëdhënëses së saj, Cathertine Ashton ka thënë se beson që është koha e duhur për Beogradin dhe Prishtinën që të gjejnë mënyra praktike për të siguruar jetë më të lehtë për qytetarët e thjeshtë. Burime evropiane kanë thënë se pritet që të mërkurën të vazhdojë dialogu, që sipas të gjitha gjasave do të mbahet çdo dy javë.

Burime të Bashkimit Evropian kanë thënë se plani i parë që dialogu të nisë të martën në orën 15, nuk është realizuar për shkak të vonesave nga ana e delegacionit të Kosovës.
Mirëpo, sipas burimeve të BE-së, asnjëherë nuk është vënë në pikëpyetje nisja e dialogut të martën.


Të njëjtat burime kanë pohuar se në takimin e parë do të bëhet një bisedë rreth dyorëshe, për të vazhduar të mërkurën, po ashtu, në Bruksel.
Nga ana e Bashkimit Evropian pritet që të mërkurën të dilet me një komunikatë lidhur me nisjen e dialogut.


Ndërkohë, burime të Bashkimit Evropian përsërisin se temat e përgjithshme të dialogut që nisi të martën dhe do të zgjasë një kohë të pacaktuar, do të jenë çështje të lidhura me lirinë e lëvizjes, bashkëpunimin rajonal dhe, po ashtu, edhe çështje që kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit.


Nga ana e Bashkimit Evropian dialogun do ta kryesojë Robert Kuper, që është zyrtar i lartë në Këshillin e Bashkimit Evropian në zyrën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton.


Televizione vendore dhe ndërkombëtare kanë transmetuar para pak çastesh  pamje nga fillimi i takimit mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, përkatësisht çaste nga shtrëngimi i duarve ndërmjet të kryesuesve të delegacioneve, zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe kryesuesit të  delegacionit serb, Borko Stefanoviq./kn

Postuar te Bota, KOSOVË, RAJONI. Komentet te >Kanë filluar bisedimet Kosovë-Serbi Janë të Mbyllura

>Ja cilat janë 8 femrat që drejtojnë sot Shqipërinë

>

Shprehja “nëse do që diçka të bëhet mirë, jepja ta bëjë një femër”, i korrespondon më së miri kupolës femërore që po qeveris Shqipërinë. Jo vetëm që në krye të shtetit shqiptar ka femra që dinë të qeverisin, por për
më tepër ato kanë treguar që dinë të jenë kurajoze dhe ndoshta të mbizotërojnë edhe mbi gjininë mashkullore.


Reagimi rebel i Kryeprokurores Ina Rama, në Komisionin e ligjeve ndaj kërkesë së deputetëve demokratë për dëshminë e saj, është rasti më i freskët që tregon se ajo grua është fortë dhe guximshme. 


Masat ndëshkuese të Kryeparlamentares Jozefina Topalli ndaj deputetëve që i drejton për më shumë se pesë vite, tregojnë sërish se edhe legjislativi ka një dorë të hekurt në krye. Në ditën e 8 marsit, që është dita që simbolizon luftën e grave për të drejtat dhe liritë e tyre, gazeta boton emrat e tetë grave më të fuqishme që drejtojnë Shqipërinë. 

Femrat pushtetare
Tetë është numri i pushtetareve më të rëndësishme në Shqipëri. Po e fillojmë nga Kryeprokurorja Ina Rama dhe për tu ndalur më tej tek të tjerat. Ina Rama drejton institucionin më delikat të vendit që ka për detyrë vetëm të akuzojë dhe të hetojë. Ndodhet në mënyrë konstante nën presionin e politikës dhe deri tani ka përballuar proceset më të vështira të këtij dhjetëvjeçari të fundit, duke kaluar parashikimet e klasës politike dhe duke ecur përtej imazhit të parë që të ofron pamja e saj. 



Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është një ndër femrat më të rrepta, që ka përballuar mjaft grindje në Parlament dhe ka treguar se di ti qetësojë ujërat. Ka pasur edhe shpërthime nga ana e saj, të cila nuk kanë qenë surprizuese për deputetët, pasi nuk janë të rralla. Megjithatë Topalli ka ditur të bëjë edhe një lobing të fortë me ndërkombëtarët për liberalizmin e viza dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Po ashtu, edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, konsiderohet si një “dorë e hekurt” në sistemin gjyqësor. Asaj i duhet të menaxhojë edhe procese të tjera të rëndësishme si ai i Gërdecit. 


Gjithashtu ndodhet në mesin e një reformimi të shpallur në tërë sistemin gjyqësor shqiptar. Deputetja socialiste, Arta Dade, njihet si grua e fortë dhe mjaft kurajoze. Dade është një ndër figurat më të rëndësishme në Partinë Socialiste dhe aktualisht mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS. Megjithëse e re në moshë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka mundur të fitojë besimin që i dha kryeministri Sali Berisha. Ndodhet edhe për një mandat tjetër në krye të Ministrisë së Integrimit dhe ka bërë një punë të paqme për proceset integruese të vendit. 


Monika Kryemadhi njihet se femër rebele dhe mjaft e shkathët. Pas kandidaturës për deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës, Monika Kryemadhi është bërë pjesë e strukturave organizative të kësaj force. Vasilika Hysi ka qenë e para në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, duke sfiduar në këtë mënyrë vetë kreun e mazhoranës, Sali Berisha. 


Edhe pse e re në fushën e politikës, kreu socialist Edi Rama i ka besuar asaj postin e nënkryetares së Grupit të PS-së. Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, është e vjetër në politikë dhe me një begraund mjaft të pasur. Tashmë ajo mban postin e kryetares së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Mandatin e kaluar, Leskaj ka qenë kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së.

Ina Rama
Prokurore e Përgjithshme
Vjeç: 39

Është kryeprokurorja më e re të cilës i ka rënë mbi supe procese të rëndësishme për ti menaxhuar. Drejton institucionin më delikat të vendit që ka për detyrë vetëm të akuzojë. Ndodhet në mënyrë konstante nën presionin e politikës dhe deri tani ka përballuar proceset më të vështira të këtij dhjetëvjeçarit të fundit. Humbi dy betejat me gjykatën ndaj dy ministrave të qeverisë “Berisha”. 


Lulzim Bashës, për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës dhe Fatmir Mediut për përgjegjësinë mbi tragjedinë e Gërdecit. Megjithatë kjo nuk e ka disinkurajuar dhe aktualisht ka ndërmarrë një fushatë kundër korrupsionit në këtë institucion. Ka krijuar marrëdhënie të mira me homologët evropianë dhe është e besuara e ambasadës amerikane në Shqipëri. Shpeshherë krah saj ndodhet ambasadori Arvizu. Njihet si një grua që nuk pranon kompromise.

Jozefina Topalli
Kryetare e Kuvendit
Vjeç:47

Kryetare e Kuvendit për të dytën herë, por drejton një Parlament të cilësuar si “jofunksional”. Është një nga besniket e kryeministrit Berisha dhe udhëton në të njëjtën gjatësi valësh me këtë të fundit. Ka influencë në Parlamentin shqiptar si gjatë mandatit të kaluar dhe këtë aktual. 


Në mjaft raste ka debatuar me opozitën dhe në rastin e deputetit socialist Taulant Balla nxiti truprojat ta nxirrnin përjashta me frazën e famshme në dialekt “Nxirreni prej zhelesh këtë”. Megjithatë në mandatin e kaluar nuk është kufizuar vetëm me aktivitetin e një Kryeparlamentareje por nisi edhe një tur intensiv diplomatik për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE.

Shpresa Beçaj
Kryetare e Gjykatës së Lartë
Vjeç: 59 vjeç

Muaj më parë kur sapo ishte zgjedhur në krye të Gjykatës së Lartë nga Presidenti Bamir Topi, Shpresa Beçaj ka hapur një debat, i cili e ka origjinën e tij nga bojkoti parlamentar i opozitës socialiste dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo i ka kërkuar politikës që të gjejë një gjuhë të përbashkët për ta kaluar sa më shpejt emërimet e anëtarëve të rinj. 


Ndërkohë që kjo e fundit i ka kërkuar që ta kalojë këtë proces pa nevojën e kartonëve jeshil. Por në të njëjtën kohë asaj i duhet të menaxhojë edhe procese të tjera të rëndësishme si ai i Gërdecit. Gjithashtu ndodhet në mesin e një reformimi të shpallur në tërë sistemin gjyqësor shqiptar.

Arta Dade
Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS
Vjeç: 58

Njihet si grua e fortë dhe mjaft kurajoze. Nga ato femra që fjala i peshon shumë. Arta Dade është një ndër figurat më të rëndësishme në Partinë Socialiste dhe aktualisht mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, dhe deputete e kësaj force. Dade është bashkëpunëtore e ngushtë e kryesocialistit Edi Rama dhe ngre zërin për gjithçka që i duket e padrejtë. 


Deputetja socialiste ka dhënë mbështetje edhe në proceset ndërkombëtare, gjithashtu ka dhënë mendime e këshilla për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Ajo është deputete prej disa mandatesh dhe ka treguar se ka ditur të përballojë mjaft situata, edhe në kohën kur ka qenë ministre Kulture.

Majlinda Bregu
Ministre e Integrimit, deputete e PD-së
Vjeç: 37

Megjithëse e re në moshë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka mundur të fitojë besimin që i dha kryeministri Sali Berisha. Ndodhet edhe për një mandat tjetër në krye të Ministrisë së Integrimit dhe ka bërë një punë të paqme për proceset integruese të vendit. 


Bregu ka mobilizuar gjithë administratën dhe e ka vënë në punë që të plotësojë të gjitha pyetjet e pyetësorit të KE-së. U ka qëndruar në gatishmëri vizitave diplomatike dhe ka lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por nuk mund të lihet pa përmendur edhe fushata e ndërmarrë për liberalizmin e vizave dhe premtimi i dhënë që prej shumë kohësh nga ministrja Bregu.

Monika Kryemadhi
Sekretare organizative e LSI-së,
drejtuese e LSI-së për Tiranën
Vjeç: 37

Njihet se femër rebele dhe mjaft e shkathët. Pas kandidaturës për deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës, Monika Kryemadhi është bërë pjesë e strukturave organizative të kësaj force. E kemi parë shpesh të bëjë fushatë për LSI-në, duke e mbështetur atë si forcë dhe po ashtu bashkëshortin e saj si drejtues të LSI-së. 


Po ashtu, Kryemadhi ka qenë mjaft aktive edhe gjatë grevës së urisë të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në prill të vitit të kaluar kur u bënë ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë. Monika Kryemadhi është dhe drejtuese e LSI-së për Tiranën dhe do të ketë mjaft punë për menaxhimin e zgjedhjeve lokale të 2011-ës në Tiranë.

Vasilika Hysi
Deputete e PS-së dhe nënkryetare e grupit të PS-së
Vjeç: 51

Vasilika Hysi është një emër i ri në politikën shqiptare që u bë i njohur në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Megjithëse është për herë të parë në Parlamentin shqiptar, Hysi nuk është shmangur nga zhvillimet e politikës, por është treguar mjaft aktive dhe e disponueshme.


Vasilika Hysi ka qenë e para në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, duke sfiduar në këtë mënyrë vetë kreun e mazhoranës, Sali Berisha. Edhe pse e re në fushën e politikës, kreu socialist Edi Rama i ka besuar asaj postin e nënkryetares së Grupit të PS-së. Edhe në udhëtimin drejt Strasburgut, tek restorant “Krokodili” Rama ishte i shoqëruar nga deputetja Vasilika Hysi.

Valentina Leskaj
Deputete e PS-së dhe nënkryetare e Grupit Parlamentar të PS
Vjeç: 53

Është e vjetër në politikë dhe me një begraund mjaft të pasur. Tashmë ajo mban postin e kryetares së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Mandatin e kaluar, Leskaj ka qenë kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së. 


Njihet si bashkëpunëtore e kreut socialist, Edi Rama dhe shpeshherë përfaqëson grupin socialist në fjalën e saj në poltronin e Kuvendit. Edhe me kreun e mëparshëm të Partisë Socialiste, Fatos Nanon, Leskaj ka patur marrëdhënie mjaft të mira. Në vitin 2003, Leskaj ka qenë ministre e Punës dhe e Çështjeve Sociale. Gjithashtu, ajo njihet si femër më mjaft autoritet brenda Grupit të PS-së.

Postuar te RAJONI. Komentet te >Ja cilat janë 8 femrat që drejtojnë sot Shqipërinë Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: