>Fatmir Limaj edhe sot në Gjykatë

>

Ish-ministri i transportit, Fatmir Limaj, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, mësohet se të enjten, rreth orës 14:00 ose 15:00, do të paraqitet sërish para prokurorit dhe gjykatësve.

Sipas burimeve të “Zërit”, mësohet se kjo seancë do të mbahet për caktimin ose mos-caktimin e paraburgimit për ish-ministrin Limaj.

Ndërkohë të enjten gjatë ditës, policia e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kuadër të hetimeve për krime të luftës. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it me procedurë paraprake nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka lëshuar edhe disa fletë-arreste për disa persona të tjerë, ku në mesin e tyre është edhe deputeti i Kuvendi të Kosovës, Fatmir Limaj, ish-ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Vetë Limaj deklaroi se “e di që është e vështirë për ata që kanë pasur besim tek ai”, por, sipas tij, rendi ndihmohet në këtë mënyrë.

“Kam thënë edhe më herët se po t’i kisha 1 milion jetë, nuk do të ndërroja asgjë në jetën time. Krejt potencialin tim njerëzor dhe familjar e kam vënë në shërbim të çlirimit të vendit”, tha Limaj.

Këto komente ai i bëri të mërkurën në orët e mbrëmjes, teksa ishte nisur drejt Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Fatmir Limaj edhe sot në Gjykatë Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: