>Jeremiq: Kosova është zemra e shpirti serb

>

Kosova është “drita e syrit tonë” dhe Jerusalemi ynë, citon agjencia e lajmeve FoNet ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, të ketë thënë në kolegjin Viton në Chicago. Ai, sipas këtij burimi, është shprehur se “secesioni nuk do të ketë sukses”, por ka shtuar se “nuk ka alternativë për zgjidhje me kompromis, pos me negociata”. 

Duke rikujtuar dhunën e marsit ndaj serbëve të Kosovës më 2004 dhe pasojat që rrodhën pas kësaj, Jeremiq ka vlerësuar se problemi i Kosovës në thelb reduktohet në luftën për identitet. 
“Për ne serbët, Kosova është ajri që e thithim. Ajo është damari i jetës së kulturës sonë dhe djepi i tempujve tanë më të çmuar”, është shprehur Jeremiq në këtë institucion më të madhin dhe më me ndikim akademik të krishterë evangjelist në SHBA. 


“Ne me Kosovën kemi një hallkë të pashkëputshme, dhe duke cituar patriarkun e ndjerë Pavle, ka thënë se ‘ajo është burim i traditës sonë shpirtërore dhe i shtetësisë, zemra dhe shpirti i popullit tonë, pjesë e pashkëputshme e qenies sonë’”, ka thënë ai. 
“Kosova është Valley Forge dhe York Towni ynë”, ka saktësuar Jeremiq, “Allamo dhe Getysburg i ynë, Pearl Harbori dhe Ivo Gymi ynë, të gjitha në një”.


Për të ëndërrojmë natën, ka shtuar Jeremiq, “ajo është drita e syve tonë dhe Jerusalemi ynë”. 
Tash tre vjet, ka rikujtuar Jeremiq, Serbia demokratike me gjithë forcën kundërshton shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, duke përdorur ekskluzivisht mjete paqësore dhe demokratike. 


“Nuk kemi ndërmarrë kundërmasa ndëshkuese. Por, kemi vendosur sa vijon: që asnjëherë, në kurrfarë rrethana të mos njohim secesionin, drejtë apo tërthorazi”, ka shtuar Jeremiq. 
Sipas vlerësimeve të tij, në thelb kjo ishte përpjekje që me forcë të ndryshoheshin kufijtë kushtetues, ndërkombëtarisht të njohur të Serbisë. 
“Asnjë vend krenar e demokratik, afrikan a evropian, aziatik ose amerikan, i vogël ose i madh, i pasur ose i varfër”, ka konstatuar Jeremiq, “nuk do të vepronte ndryshe po të ishte në vendin tonë”. 


“Unik si një, ne po dërgojmë mesazhin: secesioni nuk do të ketë sukses”, ka theksuar Jeremiq dhe nuk do të ketë sukses cilado qoftë përpjekje për imponimin e rrjedhjes së njëanshme, jolegjitime”, ka thënë Jeremiq, duke shtuar se “ne askush nuk do të na detyrojë ta pranojmë një gjë të tillë, as për këtë, as për cilindo nga gjeneratat e ardhshme”.

 
Tri vjetët e shkuara kanë treguar se nuk ka alternativë për zgjidhjen me kompromis, e cila mund të arrihet pos me negociata, ka theksuar Jeremiq, i cili konsideron se dialogu është e vetmja rrugë e paqes në Kosovë. 
Sipas fjalëve të tij, pa pajtim, “s’do të ketë të ardhme stabile dhe të sigurt për pjesën tonë të Evropës”.


“Kjo është e vetmja mënyrë që të kemi rastin për të shfrytëzuar potencialet tona”, ka theksuar Jeremiq, duke rikujtuar se “pajtimi esencial mbështetet në falje, pendim dhe modesti”. 
“Kjo nënkupton heqjen dorë nga urrejtja dhe hakmarrja, kështu që jeta mund të nisë nga fillimi”, ka sqaruar Jeremiq. 


Ai ka shtuar se “dy popujt tanë, serbë e shqiptarë, secili punëtor e krenar, aq sa edhe i përkushtuar idealeve të veta, në të kaluarën nëpër periudha tragjedish”. 
Por, nganjëherë pikërisht tragjedia krijon rastin “për fillim të ri”, ka theksuar Jeremiq, duke shtuar se veprimi në atë drejtim kërkon respektim dhe jo mohim të identitetit të tjetrit. 
“Nuk guxojmë të harrojmë të kaluarën, por po ashtu nuk guxojmë të lejojmë që ajo të na pengojë në ndërtimin e të ardhmes prosperuese. Kjo nuk është e mundur të bëhet përmes falsifikimit të historisë”, ka tërhequr vërejtjen Jeremiq. 


Nuk guxon të mohohen krimet e tmerrshme, ka thënë Jeremiq, kështu helmohen shpirtrat, kështu vetëm çimentohen qëndrimet e kundërta. 
Prandaj, Serbia, kur përmenden krimet dhe trafikimi me organe të njerëzve në Kosovë, ka kërkuar formimin e mekanizmave ad hoc që do të duhej t’i themelonte Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe të cilit do t’i përgjigjeshin. 


Ai është i vetmi organ, sipas qëndrimit të Jeremiqit, që duhet drejtojë gjithë procesin hetimor, të merret me çështjet e juridiksionit dhe që në mënyrë përkatëse të zbatojë të drejtën. 
“Është koha e fundit që të ndriçohet e vërteta e plotë e asaj që ka ndodhur në Kosovë”, ka vlerësuar Jeremiq. 


Ai u angazhua për shembjen e “murit të armiqësive” dhe në vend të tij të ndërtohet shtëpia e përbashkët, “e ndërtuar në kompromisin e drejtë, i cili njësoj merr parasysh edhe dëshirën edhe interesat, si të serbëve ashtu edhe të shqiptarëve”./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Jeremiq: Kosova është zemra e shpirti serb Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: