>Presidenti Pacolli ftohet për vizitë në Itali

>

Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano i ka dërguar një ftesë zyrtare Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli për të vizituar këtë shtet, bëhet e ditur përmes një njoftimi nga Presidenca.
Presidenti Pacolli, sipas njoftimit, do të takohet me Presidentin Napolitano. Ai gjithashtu do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të 150 vjetorit të formimit të Italisë së bashkuar, që do të mbahet më 2 qershor në Romë.

“Prania Juaj do të ishte një nder për mua e për Qeverisë Italiane dhe do të përbënte një dëshmi të re domethënëse të lidhjeve të forta të miqësisë që bashkojnë Kosovën e Italinë. Me shpresën se shumë shpejt do t’ju takoj në Romë, kam kënaqësinë t’ju shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta”, shkruan ndër të tjera në ftesën e tij Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.

Presidenti Pacolli e ka pranuar më kënaqësi ftesën e dorëzuar nga ambasadori i Italisë në vendin tonë, z.Michael Giffoni. 

Gjatë vizitës në Romë, Presidenti Pacolli do të realizojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit italian, me komunitetin e biznesit dhe takime të tjera./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Presidenti Pacolli ftohet për vizitë në Itali Janë të Mbyllura

>Përfundoi raundi i parë i dialogut Kosovë-Serbi

>

Ka përfunduar sot dialogu i nisur një ditë më parë në Bruksel  ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe  Serbisë. Në ditën e dytë të dialogut Prishtinë-Beograd, palët janë shfaqur më konstruktive. 

Madje, ndryshe nga çfarë deklaroi një ditë më parë, përpara nisjes së takimit, kryenegociatori serb, Borko Stefanovic, u kthye në selinë e Këshillit të BE-së duke u shprehur se dallimet mbi statusin e Kosovës janë lënë mënjanë, raporton Top Channel. 
Teknikisht, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shpjegoi se u bisedua mbi regjistrin civil e kadastrën, çfarë propozoi në takim Beogradi në mbrojtje të interesave të komunitetit serb në Kosovë. 


“Ne presim shumë që të zgjidhim problemet e mëdha që qendrojnë midis nesh, në të gjitha ato çështje që mbeten të hapura. Kjo do të thotë se po përpiqemi të trajtojmë tema të cilat ushtrojnë një presion ndaj njerëzve në Kosovë dhe po flasim sidomos për komunitetin serb. Ne do të përpiqemi që të lëmë pas dallimet tona të mëdha mbi statusin e Kosovës. Por, sigurisht që rregullimi i marrëdhënieve tona me Prishtinën do të rezultojë në përfundim të këtij dialogu”, ka deklaruar Stefanoviq. 


Ndërsa Edita Tahiri është shprehur: “Të dyja palët përpiqen të jenë konstruktive dhe kanë sukses për këtë. Mendoj se ne po mundohemi të jemi krijues për çështjet në diskutim. Kemi nisur me tema të tilla si regjistri civil dhe kadastra dhe do bisedojmë mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal”. 


“Ishte hera e parë pas shumë, shumë viteve që ne patëm shansin të negocionim ballë për ballë. E më duhet të them se kishte propozime shumë të mira e konstruktive, vecanërisht nga ana jonë, pasi ne erdhëm të mirëpërgatitur për këtë dialog dhe sigurisht presim palën tjetër që të përgjigjet mbi këto propozime”, ka shtuar Stefanoviq. 


“Përsa i takon palës sonë, ne duam vërtet të jemi konstruktivë dhe t’i kontribuojmë përparimit për të zgjidhur dallimet tona në çështjet praktike. Ky është një dialog teknik e do të qendrojë i tillë”, ka vijuar ndër të tjera Tahiri. 
Takimi i radhës për dialogun Prishtinë- Beograd pritet të mbahet në selinë e Këshillit të BE-së gjatë javës së fundit të muajit mars./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Përfundoi raundi i parë i dialogut Kosovë-Serbi Janë të Mbyllura

>Sot raundi i dytë i bisedimeve Serbi-Kosovë

>

Nga Brukseli njoftohet se tashmë ka filluar raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Siç

pritet bisedimet e sotshme do të zgjasin deri në orët e pasditës. 

Bashkëbiseduesit, Edita Tahiri me ekipin shoqërues të Republikës së Kosovës, dhe Borko Stefanoviq me atë Republikës së Serbisë, është paralajmëruar të kenë në tavolinë për diskutim çështjet e transportit ajror, telekomunikacionin dhe vulat e doganave. 

Pas këtij raundi bisedimesh përfaqësuesja e lartë e BE për Politikë të Jahtme dhe Siguri, Catherine Ashton, pritet të dalë me një komunikatë, kurse përfaqësuesit e Kosovës e të Serbisë do t’u drejtohen gazetarëve.
Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës, i filluar mbrëmë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, do të zhvillohet sot në zyrën e konsulorit në Këshillin e BE-së, Robert Cooper, i cili do të kryesojë këto takime. 
Kryesuesja e delegacionit të Kosovës, në këto bisedime, Edita Tahiri, mbrëmë, pas takimit të parë u shpreh se procesi i dialogut do ta përforcojë agjendën evropiane, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë. Zonja Tahiri tha se kreativieti mund t’u ndihmojë të dyja palëve për të përmirësuar jetën e njerëzve , por edhe për çuarjen përpara të agjendës evropiane të të dyja shteteve. 

Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, në një takim me gazetarë tha se temat e para që po diskutohen janë qarkullimi ajror, problemi i doganave dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me kadastrat. 
Bashkimi Evropian edhe një herë ka përsëritur se pret që të dyja palët do të jenë konstruktive në këtë dialog dhe se zgjidhja e problemeve në mënyrë graduale do ta avancojë edhe dialogun. Sipas zyrtarëve të BE-së, pritet që në përgjithësi në dialog të shtrohen rreth 20 tema që duhet të zgjidhen.

Merret vesh se në takimin e parë u bisedua për librat e amzës dhe për kadastrat, kurse sot do të bisedohet edhe për doganat, për hapësirën ajrore si dhe për CEFTA-n. 

Në BE kanë pohuar se “në raste të nevojës dhe domosdoshmërisë” do të ftohen edhe përfaqësues të organizatave dhe vendeve të tjera për të marrë pjesë në dialog, janë disa çështje ku prania e tyre duket e domosdoshme. Kështu, kur është fjala për trafikun ajror, edhe nëse bëhet ndonjë marrëveshje me lehtësimin e BE-së, fjalën e fundit duhet ta ketë NATO-ja. Disa diplomatë të vendeve të BE-së dhe të NATO-s kanë rikujtuar se përgjegjëse për hapësirën ajrore mbi Kosovë është Aleanca e NATO-s. 
Nëse Serbia vendos të heqë bllokadën tashmë 12-vejeçare për shfrytëzimin e hapësirës së saj ajrore për avionët që kanë destinacion Aeroportin e Prishtinës, atëherë doemos këtë duhet ta pranojë dhe zbatojë dhe KFOR-i. Pos se nuk mund të fluturojnë mbi Serbinë avionët civilë që vijnë apo fluturojnë nga Prishtina kanë vetëm një korridor ajror për hyrje – dalje nga Kosova, atë në drejtim të Maqedonisë. 
Nëse bëhet ndonjë marrëveshje, atëherë NATO-ja duhet të hapë edhe korridore të reja ajrore për hyrje-dalje në Kosovë dhe duhet të vendosur edhe për mundësinë e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Kosovës për fluturime ndërkombëtare civile. Pritet që të ketë tema, në të cilat edhe UNMIK-u do të ftohet të marrë pjesë./kn
Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Sot raundi i dytë i bisedimeve Serbi-Kosovë Janë të Mbyllura

>Për shkak të Kosovës, Serbia dërgon mesazh të gabuar

>

Duke refuzuar të marrë pjesë për shkak të Kosovës në takimin e bizneseve në Baltimore (SHBA), Serbia ka dërguar një mesazh të gabuar që politikën ta vërë para ekonomisë, ka deklaruar
zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit Thomas Countryman. 
Në Baltimor të shtetit Merilend në gjysmën e dytë të muajit mars zhvillohet takimi i liderëve qeveritarë dhe të bizneseve të Evropës Jugore e Qendrore, në të cilin është ftuar edhe Kosova. “Kjo na ka zhgënjyer, duke marrë parasysh që në harmoni me atë që nënpresidenti amerikan Joseph Biden ka thënë para dy vjetëve në Beograd, me Serbinë po ndërtojmë lidhje ekonomike dhe afariste”, ka thënë mbrëmë Countryman. 
Duke dekurajuar njerëzit e vet afaristë që të takohen me disa qindra investitorë dhe biznismenë nga SHBA-ja dhe rajoni, Serbia dërgon mesazhin se politikën e vë para ekonomisë, ka shtuar Countryman./kn/

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Për shkak të Kosovës, Serbia dërgon mesazh të gabuar Janë të Mbyllura

>Kronologjia e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë

>

Beogradi e Prishtina nisin sot pasdite bisedimet në Bruksel. Temë bisedash do të jenë bashkëpunimi rajonal, lëvizja e lirë dhe sundimi i ligjit. Rundi i parë fillon në orën 15. Bisedimet do
t’i kryesojë përfaqësuesi i BE-së, Robert Cooper. Planifikohet që pas takimit përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, të shpallë komunikatën, kurse përfaqësuesit e dy ekipeve t’u drejtohen medieve të mërkurën. 

Ndryshe nga bisedimet e zhvilluara në Vjenë, rrethi i ri i dialogut do të zhvillohet ekskluzivisht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por edhe me praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 


Këtyre bisedimeve u paraprin një varg inciativazh e takimesh të tjera. 
Shtator 2010 – Asambleja e Përgjithshme e KB miraton rezolutën me të cilën i hapën dyert fillimit të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe përshëndetet gatishmëria e BE-së që t’i ndërmjetësojë ato bisedime. 


Korrik 2010 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerëson se pavarësia e shpallur njëanshëm e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. 
22 shtator 2009 – Skadon afati për përgjigje në tre pyetjet, të cilat gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare i kishin bërë në fund të shqyrtimit nëntëditor – a është e lejuar pavarësia jashtë kontekstit të dekolonizimit, a kanë zhvilluar fushatë zgjedhore institucionet e përkohshme të Kosovës në vjeshtë të vitit 2007 në platformën për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, si dhe me dokumentin e Rambujesë a është përcaktuar e drejta për vetëvendosje. 


1- 11 dhjetor 2009 – Para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë fillin shqyrtimi mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Serbia dhe Kosova kanë nga tri orë për të parashtruar argumentet. Gjatë nëntë ditëve të shqyrtimit para GJND-së në Hagë, mendimet e veta mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës i paraqitën 29 delegacione. 


Vlerësimin se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përveç Serbisë, e përfaqësuan Kina, Rusia, Spanja, Rumania, Qipro, Argjentina, Brazili, Vietnami, Bolivia, Venezuela, Azerbajxhani dhe Bjellorusia.

 
Vlerësimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme krahas përfaqësuesve të Kosovës e përfaqësuan SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Austria, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Bullgaria, Kroacia, Shqipëria, Jordania dhe Arabia Saudite. Përfaqësuesi i Burundit vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ekzistojë si entitet, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. 


8 tetor 2008 – Asambleja e Përgjithshme e KB, miraton me shumicë votash, kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Propozimin e rezolutës serbe e mbështetën 77 delegatë, kundër ishin 6, përkatësisht përfaqësuesit e Pallaut, Naurit, Mikronezisë, ishujve Marshall, Shqipërisë dhe SHBA-së. 


15 gusht 2008 – Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, zyrtarisht ia dorëzon kërkesën Asamblesë së Përgjithshme të KB, duke kërkuar që ky trup të mbështesë rezolutën e Serbisë me të cilën kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e shpalljes së njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pyetja për këtë gjyq ishte e formuluar: “A është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë?” 


26 mars 2008 – Serbia paralajmëron se do të kërkojë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet se me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. Serbia këtë iniciativë do ta shpallë përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. 


21 shkurt 2008 – Rreth 500 mijë njerëz tubohen në qendër të Beogradit në një miting “Kosova është Serbi”. 
18 shkurt 2008 – Kuvendi i Serbisë vërteton vendimin e qeverisë për anulimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, si gjoja të paligjshme. Për propozimin e qeverisë së Serbisë votuan 225 deputetë. 
17 shkurt 2008 – Parlamenti i Kosovës shpall pavarësinë, e cila festohet në të gjitha qytetet e Kosovës. Brenda pak ditësh pavarësinë e Kosovës e njohën SHBA, Turqia, Shqipëria, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Britania e madhe, Australia, Polonia. Deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 75 vende. 


19 dhjetor 2007 – Këshilli i Sigurimit i KB nuk nxori kurrfarë përfundimi në lidhje me çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Serbia kërkoi vazhdimin e negociatave dhe kundërshtoi dërgimin e misionit të BE-së në Kosovë pa vendim paraprak të KB. Sejdiu deklaroi se e vetmja zgjidhje e pranueshme për statusin e Kosovës është pavarësia. 


10 dhjetor 2007 – Treshja negociatore BE- SHBA-Rusi pas 100 ditësh negociatash mbylli misionin. Në raportin e Wolfgang Ischingerit, Frank Wiznerit dhe Aleksandër Horçenkos, theksohet se Beogradi dhe Prishtina nuk arritën marrëveshjen mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, dhe se të dy palët i obligon për vetëpërmbajtje nga dhuna. Beogradi kërkoi vazhdimin e negociatave, kurse shqiptarët e Kosovës nuk heqin dorë nga shpallja e pavarësisë. 


27-28 shtator 2007 – Shefat e diplomacisë së vendeve të Grupit të Kontaktit theksuan në New York përcaktimin e zgjidhjes së marrëveshjes për statusin e Kosovës, që do ta konfirmonte Këshilli i Sigurimit i KB. 


Negociatat direkte të përfaqësuesve të Beogradit e Prishtinës, pas së cilave shqiptarët e Kosovës paraqitën Propozimin e marrëveshjes mbi vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore midis shtetit të Serbisë e Kosovës, të cilin zyrtarët serbë e refuzuan. 


10 gusht 2007 – Treshja negociatore BE- SHBA-Rusi filloi raundin e ri, 120 ditësh, të negociatave. Në treshen ndërmjetësuese ishin të qarta ndasitë ndërmjet qëndrimit rus e amerikan – Rusia thekson se Pakoja e Ahtisarit ka dështuar dhe se negociatat nuk duhet të kufizohen në pikëpamje kohore, ndërsa SHBA kërkon zgjidhje brenda 120 ditësh dhe në bazë të planit të deleguarit të KB. 


20 korrik 2007 – Të ballafaquar me kërcënimin e qartë të vetos ruse, SHBA dhe 5 anëtare të BE-së heqin dorë nga vazhdimi i procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të KB, dhe paralajmërojnë se përkujdesjen e mëtejshme ndaj këtij procesi, që nga përfundimi i muajit, ta marrë Grupi 6-anëtaresh i Kontaktit. Presidenti amerikan, George Bush, disa ditë më vonë, deklaroi se ishte koha që Kosova të bëhej shtet i pavarur. 


13 korrik 2007 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e BE-së i parashtruan Këshillit të Sigurimit propozimin e ri, të pestin të Rezolutës për Kosovën, me të cilën serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës u liheshin edhe 120 ditë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, por pa automatizëm në zbatimin e Planit të Marti Ahtisarit, nëse ato negociata nuk mbyllen me sukses. 


25 prill 2007 – Këshilli i Sigurimit, me kërkesë të Beogradit e Moskës, dërgoi në Kosovë një mision të veçantë, i cili brenda katër ditëve vlerësoi gjendjen në terren meqë disa shtete anëtare të atij trupi “shfaqën rezerva ndaj zgjidhjes” që kishte propozuar Ahtisari. 


20 mars 2007 – Ahtisari në raportin përfundimtar për Këshillin e Sigurimit të KB propozoi pavarësi të mbikëqyrur si zgjedhje për statusin e Kosovës. “Riintegrimi i Kosovës në Serbi nuk është opsion real, prandaj pavarësia ndërkombëtare e mbikëqyrur është zgjidhja më e mirë”, theksonte Ahtisari. 


2 shkurt 2007 – Ahtisari paraqet projektin e zgjidhjes, të cilin Serbia e hedh poshtë, ndërkaq shqiptarët e Kosovës e pranojnë. Edhe pse në dokument askund nuk përmendej në mënyrë implicite fjala pavarësi, Kosovës i jepej e drejta të aplikojë për anëtarësi në organizatat ndërkombëtare, të formojë forca të armatosura dhe të miratojë simbolet kombëtare. 


20 shtator 2006 – Ahtisari në New York informon Grupin e Kontaktit me rrjedhjen e negociatave. “Meqë procesi po hyn në fazën përfundimtare, ministrat shpresojnë për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit të fundit të madh në lidhje me shpërbërjen e Jugosllavisë”. 


24 korrik 2006 – U mbajt rundi i parë i negociatave për statusin e Kosovës në nivelin më të lartë, me ç’rast presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, Kosovës i ofronte autonomi thelbësore brenda kufijve të Serbisë, që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e hodhi poshtë, duke theksuar se pavarësia është e vetmja zgjidhje, të cilën do ta pranojnë shqiptarët. “Beogradi është i gatshëm të japë çdo gjë pos pavarësisë, kurse Prishtina nuk dëshiron asgjë pos pavarësisë”, deklaronte Ahtisari. 


Shkurt – shtator 2006 – Në Vjenë u mbajtën 10 raunde bisedimesh. 
Janar 2006 – Grupi i Kontaktit konfirmoi parimet negociuse dhe i bëri thirrje Beogradit e Prishtinës të punojnë në mënyrë konstruktive me Ahtisarin, për të gjetur zgjidhje reale për shumë çështje të vështira, të cilat duhet të shqyrtohen.


11 nëntor 2006 – Ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari, zgjedhet negociator kryesor dhe 10 ditë më vonë arrin në Prishtinë, duke shënuar kështu praktikisht fillimin e procesit negociator. 
24 tetor 2005 – Këshilli i Sigurimit i KB jep dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve mbi të ardhmen e Kosovës. Ambasadorët e organit më të lartë të Organizatës botërore mbështetën propozimin e Sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të KB, Kofi Anan, që të fillojnë bisedimet mbi statusin e Kosovës. 


7 tetor 2005 – Grupi i Kontaktit miraton parimet e zgjidhjes së statusit të Kosovës, në të cilat theksohet se kjo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare, dhe të kontribuojë për sigurinë në rajon. 
Fillimi i vitit 2001 – Presidenti i atëhershëm i RF të Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, u përpoq të nisë negociatat me liderin e shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën, por ekipi kosovar në momentin e fundit hoqi dorë nga pjesëmarrja për mbledhjen përgatitore. Po këtë fat, e përjetuan edhe përpjekjet e kryeministrit Zoran Gjingjiq që të hapë procesin negociator me shqiptarët e Kosovës. 


9 qershor 1999 – Fundi i bombardimeve, kur forcat serbe të sigurisë u tërhoqën nga Kosova, kurse në Kosovë hyri misioni i Organizatës botërore, UNMIK, dhe trupat e NATO-s, KFOR-i. 
24 mars 1999 – NATO filloi bombardimin e Serbisë. 
22 mars 1999 – Nga Kosova evakuohet misioni vëzhgues i OSBE-së. 


Shkurt 1999 – Dështojnë negociatat ndërmjet Beogradit e Prishtinës në Rambuje. 
1998 – 1999 – Washingtoni emëron Critopher Hillin për raportues special nga Kosova. Hill në shkurt të vitit 1999 udhëton ndërmjet Beogradit e Prishtinës, duke iu ofruar palëve versione të ndryshme për zgjidhje për kompromis. Me Hillin në bisedime kanë marrë pjesë edhe të deleguarit specialë të BE-së dhe Rusisë, Wolfang Petrisch dhe Boris Majorski./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >Kronologjia e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë Janë të Mbyllura

>(Update) Sot fillojnë bisedimet e Kosovës dhe Serbisë

>


Kosova dhe Serbia do t’i nisin sot bisedimet e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Sipas paralajmërim ato do të zgjasin dy ditë. Raundi i parë i dialogut

do të zhvillohet në dy pjesë, të martën pasdite dhe të mërkurën paradite. Takimet do të mbahen në zyrën e këshilltarit të posaçëm të Shërbimit evropian për veprimtari të jashtme të diplomacisë evropiane, që kryesohet nga Catherin Ashton.

Bisedimet në Bruksel ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe do të fokusohen në çështje të veçanta. Ato, sipas paralajmërimeve jozyrtare, do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, ndërkaq çështjet politike do të shmangen. Zyrtarët e BE-së thonë se fillimisht do të bisedohet çështja e lëvizjes së lirë, bashkëpunimi rajonal, lëmi i sundimit të ligjit dhe çështjet tjera praktike.


Delegacionin e Prishtinës do ta kryesojë nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanoviq. Ndërsa BE-në do ta përfaqësojë diplomati Rober Cooper, SHBA-të në këto bisedim do t’i përfaqësojë zëvendëssekretari i Shtetit, Thomas Countryman.


Kryesuesja e ekipit negociator të Kosovës shkon në Bruksel me autorizimin e kryeministrit, meqë Kuvendi nuk e diskutoi posaçërisht çështjen e përfaqësuesit të vendit në këto bisedime.
Prishtina shpreson që bisedimet të çojnë Beogradin ta njohë pavarësinë e saj, të cilën Serbia e refuzon fuqimisht, ndërkaq Serbia përmes këtyre bisedimeve synon të rikthejë statusin e para pavarësisë, ose të imponojë ndarjen e një pjese të Kosovës. 


Kosova është e njohur nga 75 shtete, përfshirë SHBA-të dhe shumica e vendeve të BE-së.
Kuvendi i Kosovës diskutoi dje për dialogun e pritshëm ndërmjet Beogradit e Prishtinës me tone polemizuese dhe kundërshtuese dhe nuk arriti të miratojë një rezolutë për këto bisedime, duke e shtyrë çështjen për të enjten, pasi ky dokument të harmonizohet nga grupet përkatëse parlamentare.



Bisedimet midis palës kosovare dhe asaj serbe të parapara për të filluar pasdite janë shtyer për një mbrëmje, për shkak se të vonesës së ekipit negociator të Kosovës.
Burime pranë BE-së në Bruksel kanë theksuar se fillimi i negociatave i paraparë në orën 15.00 do të shtyhet për në mbrëmje në ora 19.00, për shkak se delegacioni kosovar nuk do të mbërrijë me kohë në Bruksel.

Vonesat e udhëtimit drejt Brukseli kanë pasuar, për shkak të seancës së djeshme të Parlamentit të Kosovës, kushtuar fillimit të dialogut. Takimi i parë midis palëve do të zhvillohet në zyrën e ndërmjetësit të BE-së, Robert Kuper, ndërsa pritet pjesëmarrja edhe e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan Tomas Kantrimen. Bisedimet pritet të vazhdojnë edhe nesër në mëngjes. 

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, RAJONI. Komentet te >(Update) Sot fillojnë bisedimet e Kosovës dhe Serbisë Janë të Mbyllura

>Pacolli i gatshëm të takohet me Boris Tadiqin

>

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar të hënën në mbrëmje se është pro bisedimeve Kosovë – Serbi, sepse kështu do të gjendet zgjidhje për të gjitha problemet, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e tij,
siç është shprehur për interesin e Kosovës dhe qytetarëve, të takohet edhe me presidentin serb Boris Tadiq. 

Derisa gjatë ditës së hënë në Kuvendin e Kosovës çështja e bisedimeve të paralajmëruara Prishtinë – Beograd ka përplasur pozitën dhe opozitën dhe nuk është dal me një rezolutë për këtë çështje, presidenti ka dal me qëndrim pro dialogut. 

Madje, ai ka vlerësuar se është fat që tani problemet mund të zgjidhjen me dialog dhe jo me armë. 

“Unë besoj se ne duhet të jemi të inkurajuam të bisedojmë, ku është fati që të bisedojmë gjithmonë. Më besoni se duke biseduar ne do t’i zgjidhim edhe problemet. Unë i inkurajoj çdo kënd që të bisedojë në mënyrë konstruktive, se ne kemi nevojë për biseda. Është fat që armët pushojnë dhe bisedohet”, ka thënë ai. 

I pyetur nga mediat se nëse do të pranonte të takohet me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, Pacolli ka thënë se për interesin e qytetarëve dhe Kosovës është në gjendje të bëjë edhe më shumë. 

“Për interesin e Kosovës dhe qytetarëve të mi jo që isha taku, por jam në gjendje që të bëjë edhe shumë gjëra të tjera”, është shprehur ai. 

Ndërkaq gjatë ditës presidenti Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler ka qëndruar për vizitë në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në pikat kufitare 1 dhe 31, në Zubin Potok dhe Leposaviq. 

Ai tha se ka shkuar atje për t’u njohur nga afër me gjendjen, përkatësisht me qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në këto dy pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Ka qenë arsye që të shkoj edhe atje të vizitoj bashkatdhetarët tonë, punëtorët tonë që punojnë për institucionet e Kosovës dhe të inkurajoj ata që punojnë edhe më tutje. Të inkurajoj edhe ata që dikush është duke u kujdesur edhe për atë anë dhe ajo pjesë është e Kosovës dhe të lansoj një mesazh që nga atje që nuk janë të vetmuar, por janë nën përkujdesjen e Kosovës”, ka thënë ai. 

Për këtë vizitë në veri, zyra e Presidencës ka lëshuar një komunikatë për media vetëm pas deklaratës së presidentit Pacolli, i cili tha se kjo vizitë ka qenë dashur të lajmërohet. 

Çështja e bisedimeve Prishtinë – Beograd i ka përplasur pozitën dhe opozitën në Kuvendl. Deputetët e bllokut opozitarë kanë shprehur me këmbëngulje kundërshtimet e tyre, ndërkaq ishin deputetët e Vetëvendosjes ata që me çdo kusht kanë kundërshtuar këto bisedime, ndërkaq këto kundërshtime dhe kushte i ka pranuar edhe Qeveria, por ka thënë se ajo e sheh zgjidhjen e problemeve përmes dialogut./Kosovapress/

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Pacolli i gatshëm të takohet me Boris Tadiqin Janë të Mbyllura

>Debati në kuvend përfundon pa rezolutë për bisedimet!

>

Pas një debati të gjatë deputetët e Kuvendit të Kosovës më shumicë votash e shtynë për të enjten votimin për rezolutën e Kuvendit të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi. Në këtë mënyrë kryeparlamentari Krasniqi tha se do t`iu jepet kohë grupeve parlamentare që t`i harmanizojn
ë qëndrimet e tyre. Ndërkohë debati i sotëm u shoqërua me qëndrime kundër dhe pro nisjes së këtij dialogu.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur të harmonizojnë qëndrimet për të debatuar rreth çështjes së dialogut me Serbinë. 


Mbledhja u përmbyll me votimin për një rezolutë për bisedimet me Serbinë, ku 60 deputet ishin për dhe 45 kundër. Ndërkaq kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga shefat e grupeve që deri të enjten kur do të mbahet edhe seanca e radhës të përgatitet një rezolutë për bisedime me mes të dyjave vendeve.

Kryeministri Hashim Thaçi duke e vlerësuar të rëndësishëm fillimin e dialogut ka thënë se nuk është Prishtina ajo që vendos kushte për këtë dialog por sipas tij janë SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja. 


Në anën tjetër në seancën e sotme janë paraqitur dy draft-rezoluta, njëra nga Grupi parlamentar i PDK-së e tjera nga Lëvizja Vetëvendosje. Po ashtu gjatë tërë debatit të sotëm në Kuvend janë zhvilluar diskutime të ashpra në mes pozitës dhe opozitës, përderisa pozita është për fillimin e dialogut , ndërsa opozita kundërshton çdo formë të mundshme të diskutimeve me Serbinë. Debatet me të nxehta janë zhvilluar në mes PDK-së,-Vetëvendosjes, ku këta të fundit kërkuan nga Serbia që të shpërbejë strukturat paralele në Kosovë, të zbardhë fatin e personave të pagjetur dhe te dënojë kriminelët që bënë gjenocid në Kosovë, ndërsa kritikuan ashpër kryeministrin Thaçi për politikën që po instalon në Kosovë. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se i takon delegacionit të vendosë nëse do të niset në bisedime pa rezolutë nga Kuvendi./rtk/

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Debati në kuvend përfundon pa rezolutë për bisedimet! Janë të Mbyllura

>Warlick: SHBA-të përkrahin dialogun

>

Ambasadorja amerikane në Serbi, Mary Warlick ka thënë të hënën se SHBA-të përkrahin fillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat, sipas saj, duhet të zgjidhin çështje kyçe. 

“Është shumë me rëndësi që bisedimet të fillojnë dhe të dyja palët të zgjidhin çështje që do të përmirësonin kushtet e jetesës së njerëzve në Serbi dhe Kosovë”, ka thënë Warlick në Beograd gjatë një promovimi të qasjes së informatave teknologjike.
Ajo është shprehur e bindur se të dyja palët këtë javë do të ulën në të njëjtën tavolinë në Bruksel me vullnet të mirë dhe optimizëm, raporton RTK.
“SHBA-të do të ofrojnë përkrahje të plotë në këto bisedime dhe të dyja palëve u dëshirojnë bisedime të suksesshme”, ka thënë ambasadorja amerikane./kn/

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Warlick: SHBA-të përkrahin dialogun Janë të Mbyllura

>Rada Trajkoviq braktisi Kuvendin

>

Deputetja e Listës Unike Serbe (JSL), Rada Trajkoviq, demonstrativisht e ka braktisur Kuvendin e Kosovës, të hënën, ndërsa i ishte tërhequr vërejtja se
nga foltorja e Kuvendit nuk mund të përdorë shprehjen “Kosova dhe Metohia”.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ia ka marr fjalën për shkak se gjatë fjalimit Trajkoviq vazhdimisht ka përdorur këtë term, transmeton Telegrafi. 
Trajkoviq ka thënë për radio KIM se ka qenë e detyruar të lëshojë mbledhjen e Kuvendit, duke përmendur shembullin e parlamentit serb.
“Riza Halimi në parlamentin serb flet për Luginën e Preshevës, edhe pse askund nuk ekziston tërësia territoriale, e cila definohet në atë mënyrë dhe askush në parlamentin serb nuk bën probleme”, ka thënë Trajkoviq./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Rada Trajkoviq braktisi Kuvendin Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: