>Ska rroga me rritje sot!

>

Shume punonjes te cileve u eshte premtuar se qe nga ky muaj do te marrin pagat me rritje, u jane drejtuar bankave per te pyetur se a u kane dal ato dhe sa u jane rritur rrogat. 


Por kane ngelur te zhgenjyer. 
Bankat, sic meson topLajm nuk kane mundur ti leshojne pagat, sepse nuk kane pasur lista dhe nuk kane ditur se a duhet qitur me rritje apo jo! nderkohe po te njejtat burime theksojne se keto paga nuk jane leshuar sespe mungojne informacionet nga thesari i shtetit./topLajm
Advertisements
Postuar te EKONOMI, KOSOVË. Komentet te >Ska rroga me rritje sot! Janë të Mbyllura

>Bankat: Interes me marrëveshje!

>

Normat e interesit për kredi edhe gjatë vitit 2010 nuk kanë shënuar ndonjë rënie, thonë përfaqësues të Institutit “GAP”.


Ndërkaq, njohës të çështjeve financiare, dyshojnë se bankat komerciale në Kosovë kanë marrëveshje të heshtur mes vete për çështjen e kamatave të kredive.

Bankat komerciale në Kosovë edhe gjatë vitit që lamë pas nuk i kanë ulur normat e interesit, norma këto që vazhdojnë të sillen prej 11 deri në 24 për qind. Por, gjatë 2010-ës, ky sistem u karakterizua me ndryshimet në prioritetet e bankave, të cilat kanë arritur të ofrojnë shërbime dhe pako të ndryshme, pavarësisht përqendrimit vetëm në kredi-dhënie, ashtu siç ishte në vitet e kaluara.


Kështu thuhet në raportin e fundit të publikuar nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”. Lidhur me këtë, Rudina Heroi, nga ky institut shpjegon më shumë.


“Ne kemi bërë hulumtimin për pesë lloje të kredive që janë më të konsumueshme, dhe ato mbesin të njëjta. Për kreditë personale, normat e interesit sillen prej 11 deri në 12 për qind, agro-kreditë kanë norma të interesit më të larta që shkojnë deri në 24 për qind, dhe po ashtu edhe kreditë e biznesit i kanë normat e larta, edhe pse këto kredi, gjegjësisht për tregti, më së shumti konsumohen në Kosovë”, thotë Heroi për Radion Evropa e Lirë.


Në anën tjetër, ekspertë për çështje financiare, thonë se pavarësisht numrit të madh të kredimarrësve, kamatat e kredive vazhdojnë të mbesin më të lartat në rajon.
Nuk përjashtohet mundësia që këto banka që veprojnë në Kosovë, të mos kenë ndonjë marrëveshje të heshtur apo edhe të nënshkruar.


Eksperti Xhemshit Duriqi, dyshon se bankat komerciale kanë marrëveshje të heshtur mes vete për këtë çështje. “Nuk përjashtohet mundësia që këto banka që veprojnë në Kosovë, të mos kenë ndonjë marrëveshje të heshtur apo edhe të nënshkruar. Kjo është çudi, se për 10 vjet të mos arrihet të bëhet një treg kreditor normal rreth kësaj çështjeje; si duket askush nuk është duke menduar”, vlerëson Duriqi.


Sipas Duriqit, mundësitë për ulje të kamatave të kredisë ekzistojnë. Ai thotë se futja e mjeteve financiare të disa institucioneve vendore që gjenden në bankat jashtë vendit, mund të ndikojë drejtpërdrejt në ulje të normave të interesit.


“Drejtpërdrejt shteti i Kosovës nuk mund të bëjë, por mund të bëjë politika zhvillimore të atilla, të cilat ndikojnë në uljen e normave. Mund t’ i tërheqë mjetet e veta të deponuara jashtë. Vetëm ato mjete nëse i lëshon në qarkullim përmes bankave komerciale me kamata më të ulëta, do të kishin ndikuar në mënyrë rapide në uljen e kamatave”, thekson Duriqi.


Edhe Rudina Heroi pohon se Qeveria e vendit duhet të krijojë kushte për uljen e normave të interesit. Qeveria duhet ta përmirësojë ambientin e biznesit e po ashtu edhe gjyqësia duhet të jetë më e fortë për arsye se shumë konteste mbesin në gjykatë pa u zgjidhur. “Qeveria duhet të ndërhyjë për t’i përmirësuar këto, në mënyrë që bankat të vërejnë se rrezikshmëria është më e ulët. Dhe, atëherë barra u mbetet bankave që t’i ulin normat”, pohon Heroi.


Normat e kredisë i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike. Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq, vetëm i menaxhon, por nuk ka asnjë të drejtë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave. /telegrafi

Postuar te EKONOMI, KOSOVË. Komentet te >Bankat: Interes me marrëveshje! Janë të Mbyllura

>Viti 2011 – pesimizëm në vendet e zhvilluara

>

Në tërësi, u anketuan 64 mijë persona, në 53 vende të ndryshme të botës. Njerëzit u pyetën
për parashikimet e tyre për ekonominë e shtetit dhe gjendjen personale në 12 muajt e ardhshëm.
Një pesimizëm i përgjithshëm ekziston në vendet e zhvilluara për të ardhmen, ndërsa shtetet me rritje të mëdha si Kina, Brazili dhe India rezultojnë më entuziastët, në një studim të “Gallup International”, publikuar gjatë ditës së sotme. Në tërësi, u anketuan 64 mijë persona, në 53 vende të ndryshme të botës. Njerëzit u pyetën për parashikimet e tyre për ekonominë e shtetit dhe gjendjen personale në 12 muajt e ardhshëm. Në total, pyetjes nëse viti 2011 do të jetë një vit i begatë, iu përgjigjën 30 për qind e të anketuarve pozitivisht, 28 për qind negativisht, ndërsa 42 për qind mendojnë se nuk do të ketë asnjë ndryshim. Bilanci negativ, pra me më shumë persona që presin një vit të mbrapshtë, mbizotëronte në 34 vende, ku figurojnë të shtatë vendet më të industrializuara të botës, SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Gjermania, Franca, Britania dhe Italia. Në 19 shtetet e mbetura, ekziston bindja se ekonomia dhe mirëqenia vetjake do të pësojë rritje. Vende me ekonomi në zhvillim si Brazili, Rusia, Kina dhe India binin në sy midis atyre me një popullsi entuziaste për të ardhmen. Rezultatet e sondazhit të tij, Gallup i përkufizonte: “Ndërsa pasuria vazhdon të jetë e përqendruar në Evropë dhe Amerikën e Veriut, optimizmit për të ardhmen është spostuar dukshëm nga perëndimi në lindje”./yp
Postuar te EKONOMI, Studim. Komentet te >Viti 2011 – pesimizëm në vendet e zhvilluara Janë të Mbyllura

>Kriza, Kina: Gati të ndihmojmë BE-në

>

Kina është e gatshme të mbështesë masat që Bashkimi Evropian dhe FMN kanë elaboruar për të siguruar stabilitetin financiar në Evropë.

Deklarata është bërë sot nga zëvendëskryeministri kinez, Wang Qishan, në hapjen e bisedimeve dypalëshe mbi ekonominë.
“Pekini ka ndihmuar vendet anëtare të BE për të luftuar krizën e buxhetit të brendshëm”, ka deklaruar Qishan.
Ndërkohë, përsa i përket tregut vendas, analistët parashikojnë se rritja e treguesit të cmimeve për konsum do të prekë pikun në tremujorin e parë të vitit 2011, por do të mbahet rreth kuotës 6%, ndërkohë që GDP-ja do të rritet me rreth 9%.
Sipas analistëve, investimet dhe eksportet do të rriten gjithashtu me rreth 15 deri në 20 për qind vitin e ardhshëm./on
Postuar te Bota, EKONOMI. Komentet te >Kriza, Kina: Gati të ndihmojmë BE-në Janë të Mbyllura

Lakmia eshte vazhdimesi e krizes ekonomike

Lakmia eshte vazhdimesi e krizes ekonomike


Bankat e investimeve të të gjitha llojeve kanë nisur sërish të bëjnë para të madhe. Kjo pjesërisht edhe falë paketave të ndihmës nga qeveria. Si për ironi, ato po përfitojnë nga kriza në shpërthimin e së cilës kontribuuan me sa mundën. E ndërsa fitimet shtohen, në të njëjtin përpjesëtim rriten edhe rrogat e punonjësve bankarë dhe sidomos të ekzekutivëve të lartë, vetëm se këtë herë, e gjitha kjo po bëhet tërësisht në kurriz të parave të taksapaguesve 


Anshu Jain, 46 vjeç, dëgjoi me shumë vëmendje, në mënyrë stoike dhe në qetësi vërejtjet e aksionerëve në mbledhjen e përvitshme të “Deutsche Bank” në fund të muajit maj. Shumë prej tyre qenë përfshirë nga shqetësimi se banka sapo kishte raportuar humbjen e saj më të madhe gjatë vitit 2008, me vlerë 3.9 miliardë euro. Për këtë humbje Jain, si bankieri kryesor, ishte plotësisht përgjegjës. “Deutsche Bank”, si të gjitha bankat e mëdha të investimeve, ndërmori risqe të mëdha në vitet e bumit ekonomik, duke spekuluar me ato që sot kanë marrë emrin “asete toksike” për shkak se “helmuan” bilancin e bankave. Por ndërkohë që aksionerët, në mbledhjen e tyre vjetore, u morën me debatet e diskutimet për krizën dhe shkaktarët e saj, e politikanët në të gjithë globin po haheshin me njëri-tjetrin për të futur në sistem rregulla më strikte ndaj aktiviteteve bankare me risqe të mëdha, Jain po shihte një tjetër aspekt të krizës. Ai po e konsideronte atë si një oportunitet të ri. Hapi i parë ishte rifutja e llogarive të konsumatorëve sërish në lojë. Kjo do të pasohej nga investimet spekulative në tregtinë e pasurive të paluajtshme. “Ajo çka do të shohim shumë shpejt do të jetë përvijimi i 5-6 lojtarëve globalë tepër të fuqishëm në sektorin e investimit bankar. Shitjet dhe tregtia do të vazhdojnë të sigurojnë pjesën e luanit për këta lojtarë”, deklaroi bankieri në një media britanike. Zakonisht ai njihej për një person shumë të rezervuar.


Në dukje spekulimi kishte funksionuar për “Deutsche Bank”. Falë shkathtësisë dhe kapjes së situatës në kohën e duhur nga ana e Jain, shefi ekzekutiv i bankës, Josef Ackerman njoftoi një shifër fitimesh disa milionëshe. Dhe jo vetëm kaq, por banka, me sa duket ia ka dalë që të heqë mënjanë disa rezerva në miliarda dollarë, që do të shpërndahen në formë bonusesh për bankierët. Tashmë është e qartë që kazinoja u hap sërish në mbarë botën. Një numër i madh bankash investimesh po deklarojnë sërish përfitime të mëdha, përmes ndërmarrjes së risqeve dhe thithjes së individëve të talentuar të paguar me paga të majme. Kolapsi i sistemit financiar u parandalua, por kjo vetëm falë shpenzimeve të stërmëdha publike. Qeveritë i furnizuan bankat “e sëmura” me kredi të garantuara dhe bankat qendrore injektuan në tregje miliarda euro dhe dollarë. Por tani, që më e keqja duket se është hedhur pas shpine, bankat që e kanë marrë veten i janë rikthyer së njëjtës mënyrë funksionimi që i futi në telashe. Madje më keq se kaq. Falë garancinë që kanë nga qeveritë për sektorin financiar dhe paratë e lira nga bankat qendrore, për bankat e investimeve bërja e parave nuk ka qenë kurrë më e lehtë se sot.


Mundësitë për fitime në mesin e krizës
“Ata që po vazhdojnë të humbasin në këtë okazion janë taksapaguesit”, deklaron shefi i operacioneve dhe i transaksioneve ndërkombëtare i Bankës së Investimeve. Sipas tij qeveria dha garanci për disa banka, figuracionet e të cilave aktualisht po tregtohen në treg me një zbritje të madhe të çmimit. Bankat e Investimeve ka blerë siguracione me paratë që ua morën hua bankave qendrore me një përqindje qesharake. Sipas një shefi banke, që qëndron në kushtet e anonimitetit, bankat e investimeve, fondet e investimeve dhe investitorët më të mëdhenj, ishin të bindur se qeveritë, pas shpalljes së falimentit të “Lehman Brothers” në shtator, do t’i shpëtonin nga kolapsi. Në fat përqindjet për bonot bankare kanë nisur të rriten dhe lojtarët e parë agresivë në treg kanë arritur që të kenë përfitime të jashtëzakonshme. “Fatkeqësisht, bonot ‘e këqija’ të kandidatëve për falimentim aktualisht po rishiten”, thotë ekzekutivi i bankës. Përfituesja më e madhe e “bamirësisë” së taksapaguesve ka qenë banka e investimeve “Goldman Sachs”, që njoftoi një fitim rekord prej 9.7 miliardë eurosh, në tremujorin e dytë të këtij viti. Ajo përdori paratë që mori nga ndihma qeveritare dhe Rezerva Federale për të bërë spekulime, duke vepruar sikur të mos ishte bankë, por një fond investimesh gjigand. Përfitimet nga tregtimi i pasurive të paluajtshme thuajse janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që të ardhurat janë shtuar me 186%. Dhe oreksi i shefit të “Goldman Sachs”, Lloyd Blankfein, për rreziqe, është gjithnjë e në rritje. Fakti që kjo bankë u ul në pozicionin e një banke të zakonshme investimesh gjatë krizës, duke humbur kësisoj një numër të madh privilegjesh të pozicionit të mëparshëm, duket se nuk ka ndikuar te drejtuesit e saj, pasi ata vazhdojnë sot të operojnë me të njëjtin mentalitet që i futi në krizë. Me të “korrur” fitimet e para, shefat nxituan që të heqin mënjanë miliarda dollarë për bonuset e fundvitit. Nobelisti i famshëm, Paul Krugman, ka shkruar së fundmi tek “New York Times” se “ajo që është e mirë për ‘Goldman Sachs’ është e keqe për Amerikën” dhe se “zakonet e këqija të ‘Wall Street’ nuk janë zhdukur.” Edhe gazeta pro-biznes, “Wall Street Journal” kritikoi bankën. Ajo çka është më alarmuese është se bankat e investimeve të formës klasike, po tregojnë shumë pak vëmendje ndaj gjësë më kryesore të një banke: huadhënies. Arsyeja është e qatë: risqet janë më të larta në sektorin e huadhënies, ndërkohë që shkalla e përfitimit është shumë më e ulët.


Duke qenë se bankat nuk mund të detyrohen për të dhënë kredi, kompanitë janë detyruar që të gjejnë mënyra të tjera për të marrë para. Si për ironi të fatit, kriza aktuale, e cila nisi në tregjet e kapitaleve, aktualisht po i forcon  këto tregje. Kompanitë po detyrohen që të marrin bono për të përfituar para. Lëshimi i bonove nga bankat është për to një operacion pa rrezik. Ajo që vihet re tani në masë është emetimi i vazhdueshëm i bonove. Vetëm në Europën Kontinentale, kompanitë, përveç bankave, kanë marrë hua 318 miliardë dollarë në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Kjo përfaqëson një rritje prej 50% në krahasim me mesataren e tre viteve të fundit. Bumi në tregtinë e bonove, i përmasave të tilla, nuk është parë që nga vitet ‘80. Kriza e ka bërë tregun e bonove sërish joshës, duke shkaktuar rritjen e çmimeve për shkak të shtimit të kërkesës. Por jo të gjitha bankat janë të afta që të bëhen pjesë e kësaj loje të madhe e fitimprurëse. Shumë banka ende po vuajnë në mbushjen e “vrimave” të bilanceve të tyre. Punonjësit e këtyre bankave janë të pamotivuar dhe në pritje që të marrin oferta nga vende të tjera pune. Por pjesës më të madhe të këtyre njerëzve do t’u duhet që të presin gjatë, sepse fituesit e kësaj krize, banka si “Goldman Sachs”, “JP Morgan Chase” dhe “Deutsche Bank”, përmes huave të mëdha që i morën shtetit, kanë para vetëm për elitën, trurin e bankave. Duket se edhe në mesin e krizës, ata më të shkathëtit dhe të zgjuarit ia kanë dalë të bëjnë shumë para, ndërkohë që pjesa më e madhe ende nuk po e kupton se cilat janë rregullat e reja të lojës. Bankat që japin kredi janë të humbura në konfiguracionin e ri. Por bankat e investimeve, që janë të specializuara në tregtimin e kredive ekzistuese, kanë më shumë shanse fitimi. Pjesa më e madhe e bankave që ishin shumë aktive në kreditim ndaj kompanive në të shkuarën, ndodhen nën presion nga rregullatorët bankarë për të reduktuar portofolat e tyre të kreditimit. Për sa i përket bankave të investimit, ato i janë kthyer tashmë edhe atyre transaksioneve që luajtën rol parësor në përmbysjen e sistemit. “JP Morgan”, për shembull, ka nisur në raportojë sërish fitime rekord. Në vitin 1999, grupi financiar njujorkez, u mor me tregtimin e disa lloj siguracionesh që rezultuan shkatërrimtare në ekonominë botërore, një vit më parë. Megjithatë, në mars, “JP Mprgan”, rifilloi zakonin e vjetër duke u shndërruar sërish në një lojtar kryesor në treg. Por jo të gjitha bankat e investimeve janë të suksesshme. “Bank of America”, kompania më e madhe financiare në Shtetet e Bashkuara, raportoi rënie 24% në të ardhurat e 3-mujorit të dytë të vitit. Po ashtu edhe “Morgan Stanley”, ndërkohë që në ato ujëra ndodhet “Citigroup”. Me pak fjalë, ditët e “turpit” kanë marrë fund dhe tashmë ka dalë motoja e re: “Ne jemi sërish dikushi”. Ata që i kanë mbijetuar krizës e panë atë si një mundësi historike për të bërë para dhe po përpiqen me të gjitha mënyrat që të përfitojnë sa më shumë që të jetë e mundur. Shefat e “Goldman” janë ndër të vetmit që po i lejojnë vetes këtë vit pushime. “Deutsche Bank” gjithashtu është bërë pjesë e rrethit të ngushtë të bankave të fuqishme të investimeve.


Pasurimi në kurriz të taksapaguesve
Në Gjermani, “Commerzbank” është nga ato banka që nuk mund të konsiderohet më konkurruese, e kjo në shumë aspekte bankare. Deri-diku, ky rezultat ishte i qëllimshëm. Pasi bleu “Dresddner Bank” në fillim të vitit, banka në mënyrë sistematike ka reduktuar risqet. Por “Commerzbank” është banka e dytë më e madhe e vendit dhe çdo ditë e më tepër, po humbet specialistët që i duhen për arritjen e maksimumit në biznese të ndryshme. Kjo ndodh sepse pagesat e punonjësve dhe ekzekutivëve janë ulur. Në vende të tjera, rrogat po rriten me shpejtësi sërish. Madje edhe në ato banka që u shpëtuan tërësisht me paratë e taksapaguesve, ka nisur dhënia e bonuseve. I tillë është rasti i “Citigrouop”, që ka planifikuar një rritje pagash prej 50% këtë vit. Kjo pavarësisht faktit se është shpëtuar nga paratë e njerëzve. Banka të tjera përfshi UBS dhe “Morgan Stanley” kanë filluar t’u japin nëpunësve të tyre bonuse, rritje pagash që variojnë nga 30 deri në 60%. Sipas një vlerësimi të fundit, rrogat në të gjithë industrinë bankare pritet të rriten 20-30% gjatë këtij viti. Bankierët në “Goldman” janë më të fituarit. Nëse gjithçka do të shkojë mbarë, ata pritet të marrin një të ardhur prej 770,000 dollarë për kokë, që do të ishte edhe kompensimi më i madh vjetor në historinë e bankës. Vetëm pak muaj më parë, shefat ekzekutivë të “Wall Street” ndodheshin kokulur e të heshtur në komisionet e kongresit, duke duruar sharjet dhe inatin e politikanëve. Por tani bankierët, pasi kanë fituar sërish vetëbesim, në mënyrë të paskrupullt po bëjnë fushatë kundër planeve të qeverisë për futjen e sistemeve të rreptë rregullatorë e mbikëqyrës në industrinë bankare. Në këto pozita të riforcuara, njerëzit e “Wall Street” nuk mendojnë në realizimin e masave specifike të qeverisë. Ata nuk janë aspak të përgatitur për të toleruar një sistem rregullator të fortë. Për këtë qëllim, “JP Morgan” dhe “Goldman Sachs” kanë formuar një grup lobistësh për të parandaluar ndërhyrjet vendimtare të qeverisë në sistemin e kontrollit të veprimtarive të tyre. Imazhi i bankierëve të “Wall Street: nuk ka të ngjarë të ndryshojë. Nuk është e mundur që nga lakmitarë e të pangopur ata të shndërrohen sa hap e mbyll sytë në persona të përgjegjshëm. Disa vjet më parë, bankat e investimeve u pasuruan me paratë e konsumatorëve. Kur ai burim fitimi u bë i papërfillshëm, atëherë ata nisën të thithnin paratë e aksionerëve. Së fundi ia dolën që të përfitojnë nga sasia më e madhe e parave që kanë pasur ndonjëherë: paratë e taksapaguesve.

Postuar te Bota, EKONOMI. Komentet te Lakmia eshte vazhdimesi e krizes ekonomike Janë të Mbyllura

Prishtina negocion me Gjermanine


Më 23 dhe 24 shtator 2010 në Prishtinë u mbajtën negociatat mbi bashkëpunimin e ardhshëm zhvillimor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, të cilat kishin për qëllim promovimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik dhe social të Republikës së Kosovës drejt integrimit në BE. Të dyja palët nënshkruan dokumentin përmbledhës më 24 shtator 2010.

 Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesohej nga Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, z. Bedri Hamza, Ministri i Integrimit Evropian z. Besim Beqaj dhe zevendwsministri i Energjisë dhe Minierave, z. Blerim Rexha, ndërsa delegacioni i Republikës Federale të Gjermanisë kryesohej nga Ambasadori Gjerman në Republikën e Kosovës, z. Hans-Dieter Steinbach dhe Shefi i Divizionit për Evropën Jug-Lindore dhe Kaukazin pranë Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dr Leo Kreuz.



Vëllimi i përgjithshëm i Bashkëpunimit bilateral teknik financiar që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 1999 kap shumën prej 340 milion €, duke e bërë kështu Gjermaninë donatorin më të madh bilateral në BE. Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë synon të rrisë këtë shumë në vitin 2010 dhe t’i siguroj Qeverisë së Republikës së Kosovës një shumë të re për Bashkëpunim bilateral teknik dhe financiar e cila do të arrin deri në 33 milion €. Këto fonde do të përdoren në vitin 2010 dhe në vitet në vijim. Shuma përfshin deri në 24 milion € për projekte të bashkëpunimit financiar dhe 9 milion € për projekte të bashkëpunimit teknik. Fondet e përdorura për bashkëpunim financiar do të jepen në formë të granteve (4 milion €) dhe një kredi zhvillimore me kushte shumë të favorshme (deri në 20 milion €), fondet e përdorura për bashkëpunim teknik do të jepen në formë të granteve dhe/ose në formë të ekspertizës dhe shërbimeve këshillëdhënëse (9 milion €).
Fondet e zotuara (33 milion €) do të implementohen kryesisht për avancimin e furnizimit me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, konkurrencën në sektorin privat, menaxhimin komunal të tokës dhe integrimin ekonomik evropian.
Për sa i përket shpërndarjes së fondeve, pjesa më e madhe – që është 24 milion € (4 milion € grante, 20 milion € kredi zhvillimore) – do t’i dedikohet sektorit të ujit. Ky zotim përbënë një vazhdimësi të aktiviteteve të bashkëpunimit gjermano-kosovar në sektorin e ujit në Prishtinë dhe jugperëndim të Kosovës, me një risi e cila është kombinimi unik i fondeve të komunës, qeverisë, BE-së (5 milion € grant i IPA-së) dhe atyre gjermane (20 milion € kredi) për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e ujit në Prishtinë dhe një fokusim të shtuar në trajtimin e ujërave të zeza në jugperëndim të Kosovës.
Projekte të tjera të zotuara të bashkëpunimit përfshijnë një projekt të ri për nxitjen e konkurrencës në sektorin privat (3.5 milion € grant) i cili do të përqendrohet në përmirësimin e kushteve strukturale për aktivitetet ekonomike, veçanërisht atyre për gra. Do të vazhdoj poashtu edhe bashkëpunimi në fushën e menaxhimit komunal të tokës (2.5 milion € grant), duke siguruar më tej të drejtat e pronës dhe duke promovuar kështu një parakusht thelbësor për investime ekonomike. Së fundi, një projekt i ri i cili siguron “Përkrahje për procesin e Integrimit në BE” (3 milion € grant) i përgjigjet kërkesës së Ministrisë së Integrimit Evropian për të optimizuar koordinimin e brendshëm të procesit të integrimit në BE, dhe në veçanti, integrimin ekonomik, duke përfshirë menaxhimin organizativ dhe lidhjen me rrjetet e shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Negociatat janë zhvilluar në një atmosferë të hapur të bashkëpunimit konstruktiv. Delegacionet kanë arritur një marrëveshje për ndarjen e fondeve të cilat janë në dispozicion dhe diskutuan në lidhje me bashkëpunimin e tanishëm dhe atë të ardhshëm në katër sektorët prioritar që korrespondojnë me objektivat kombëtare të zhvillimit dhe agjendën e Qeverisë së Kosovës për integrim në BE, të reflektuar dhe të shprehur në propozimet specifike për veprim në të Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2011-2013. E këto janë:

Ø      INFRASTRUKTURA PUBLIKE (Energjia dhe uji)
Ø      ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE PROMOVIMI I PUNËSIMIT
Ø      REFORMIMI I ADMINISTRATËS PUBLIKE
Ø      EDUKIMI

 Që të dyja delegacionet kanë konfirmuar më tej qëllimet e mëposhtme afatgjata të bashkëpunimit zhvillimor gjerman me Republikën e Kosovës: promovimi i demokracisë, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut, zhvillimi i infrastrukturës, arsimi, decentralizimi, mbrojtja e të drejtave të pakicave, dhe në fund, integrimin në BE përmes standardeve të përmirësuara. Delegacioni gjerman theksoi nevojën urgjente për reforma në këto fusha me qëllim të forcimit të orientimit zhvillimor të Qeverisë së Kosovës. Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë me këto procese, ku një gjë e tillë është e nevojshme dhe kërkohet.
Delegacionet mirëpritën faktin se projektet e bashkëpunimit financiar dhe teknik gjerman gjithmonë kanë qenë pjesë përbërëse e programit të Qeverisë së Kosovës dhe do të mbesin të tilla. Delegacioni gjerman ri-përsëriti se Republika Federale e Gjermanisë është e gatshme për të ndihmuar në nxitjen e proceseve të shtet-ndërtimit, zhvillimit ekonomik dhe reduktimit të varfërisë në Kosovë, sidomos në periudhën e krizës ekonomike dhe financiare.
Postuar te EKONOMI. Komentet te Prishtina negocion me Gjermanine Janë të Mbyllura

Spekulimet me cmimet e grurit

Spekulatorët financiarë herë pas here kapen pas mallrave bujqësore dhe si rezultat kohët e fundit çmimet e drithërave kanë kapur qiellin. Në një intervistë, një nga ekonomistët më të famshëm gjermanë për çështjet e bujqësisë, Joachim vob Braun, flet për goditjen ndaj këtyre spekulatorëve dhe për rreziqet që kanë çmimet e larta për të varfrit në botë.
Profesor, aktualisht gruri është 40% më i shtrenjtë nga sa ishte në muajin korrik dhe çmimi u rrit me 20% vetëm brenda një jave. A mendoni se kjo është një tendencë që do të vazhdojë edhe në kohët në vijim?
Në përgjithësi duhet që të përgatitemi për të parë rritje çmimesh. Për momentin situata është shumë e brishtë në këtë sektor.
A është e të tillave përmasa dhe problematike si në vitin 2008 kur çmimet u rritën jashtëzakonisht shumë, duke shkaktuar edhe revolta në të gjithë botën?
Problemet strukturore nuk janë zgjidhur. Ndryshimet klimatike janë duke vazhduar. Zjarret në Rusi dhe përmbytjet në Pakistan janë shenja paralajmëruese. Popullsia e planetit është duke u rritur dhe uji është një “mall” që po vjen e po rrallohet. Ndërkaq, njerëzit kanë filluar që të hanë më shumë mish. Të gjitha këto çojnë në një rritje të kërkesës dhe ndërkohë oferta mbetet e kufizuar. Për më tepër, ngjarjet e vitit 2008 i kanë politizuar tregjet globale në një shkallë shumë të madhe, shumë më të madhe se në të shkuarën.

Jeni duke aluduar për Rusinë që bëri një bllokim të transportit të grurit së fundmi?
Vendimi i Rusisë i ka bërë tregjet shumë nervozë dhe të lëkundur. Dështimi i tregjeve në një krizë, siç ndodhi në vitin 2008, çon në një humbje të madhe të besimit në tregtinë botërore. Kjo i dëmton shumë të varfrit dhe çon para dhe përfitime të mëdha në xhepat e spekulatorëve.
Cili mendoni ju se ka qenë roli i spekulatorëve financiarë në rritjen e fundit të çmimeve dhe në çfarë përmase?
Nuk ka diçka që mund të shprehet saktësisht në shifra dhe përqindje. Por lidhja në këtë rast është shumë e dukshme. Çmimet nuk përcaktohen vetëm nga sasia reale e furnizimit dhe e kërkesës. Përdorimi spekulativ i kapitalit financiar është një tjetër faktor që i “çmend” çmimet. Problemi më i madh janë lëvizjet e paparashikuara lart dhe poshtë të çmimeve, sepse ato frenojnë dhe tkurrin investimet.
Po në fakt spekulatorët nuk kanë dalë tani në skenë?
Në fakt bëhet fjalë për zhvillime që datojnë në vitin 2004, në prag të çrregullimit të tregjeve të brendshme financiare. Në atë kohë ne nisëm që të shohim ndërthurjen mes tregjeve financiare dhe tregjeve bujqësore, dy biznese që kishin pak gjëra të përbashkëta deri në atë moment. Rezultati u bë i qartë për herë të parë gjatë krizës financiare të vitit 2008. Kur qeveria e Vietnamit njoftoi se ishte duke mbyllur tregun e orizit, çmimet të nesërmen e një njoftimi të tillë u rritën me 30%. Një rritje e tillë e jashtëzakonshme dhe e paparalajmëruar nuk mund të ketë asnjë shpjegim nga ndonjë lloj modeli ekonomik që ka të bëjë me faktorët konvencionalë si prodhimi, kërkesa etj.
Së fundmi, megjithatë, bankat janë lojtarët finalë të tregjeve të mallrave, që do të thotë se përgjegjësia për lëkundshmërinë e çmimeve është për faj të tyre.
Kjo është e vërtetë, por vetëm në aparencë. Bankat mbështeten, për shembull, nga fondet e pensioneve dhe të sigurimeve dhe në këtë rast bëhet fjalë për investime prej miliarda dollarësh. Ato përfitojnë nga fakti se çmimet e mallrave dhe ato të aksioneve lëvizin në drejtim të kundërt, duke u mundësuar që të balancojnë rrezikun. Kjo i bën mallrat ndjellëse, duke i konsideruar edhe si një mundësi investimi.
Jeni duke thënë se ai që, për shembull, blen një sigurim për jetën është në këtë rast duke mbështetur spekulacionet e grurit dhe të kakaos?
Kjo ka nevojë për vlerësim të mëtejshëm. Në një krizë si kjo e sotmja, sjelljet spekulative bëhen pjesë e sjelljeve të të gjithë popullsisë. Spekulatorët e përfshirë në tregtinë e vërtetë të grurit përmbushin një funksion të rëndësishëm, sepse aktivitetet e tyre sinjalizojnë tregun nëse një mall i caktuar është jo i mirë dhe i shtrenjtë, apo i lirë dhe me sasi të madhe. Spekulimi i shkaktuar nga tregjet financiare është i ndryshëm, sepse synon çmime të çorientuara dhe çorientuese.
Nga një këndvështrim moral është shumë e rëndë që “të luash bixhoz” me produktet ushqimore.
Kjo sigurisht është një pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes. Nëse çmimet reflektojnë spekulimet, siç mund të supozojmë në disa raste, rritja e çmimeve si pasojë e spekulimeve u shkakton një dëm shumë të madh miliona njerëzve dhe kjo për sa u takon çështjeve të shëndetit, madje edhe vetë ekzistencës fizike, sepse ata nuk munden me çmimet e reja që të përballojnë nevojat e tyre ushqimore.
Çfarë duhet bërë për të ndaluar spekulimet?
Duhet të krijohet një klub i vendeve kryesore dhe kyçe të eksportimit të grurit. Anëtarët e këtij klubi duhet që të krijojnë një rezervë në nivel global, një rezervë të vërtetë dhe të madhe të grurit në botë, si dhe një rezervë virtuale.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Rezerva virtuale e grurit mund të përbëhet nga një fond kapitalesh rreth 20 ose 30 miliardë dollarë, që do të përdoret vetëm në raste krizash. Për shembull, në rastin kur çmimet rriten, ky klub duhet që të blejë kontratat e ardhshme në të gjitha bursat e botës: atë të Çikagos, Londrës dhe Parisit. Paratë në këtë fond duhet që të jenë të mjaftueshme për të blerë gjysmën e grurit, orizit dhe misrit që tregtohet në botë, pra produkteve që janë shumë kritike dhe të rëndësishme për njerëzit e varfër. Me fjalë të tjera, klubi duhet që të ketë rolin e një banke qendrore të grurit botëror.
Kjo do të ishte një ndërhyrje shumë thelbësore në tregun botëror?
Ne po flasim për rastet e ngritjes ekstreme të çmimeve në rang botëror dhe kjo konform kushteve të tregut. Ndoshta për amerikanët do të ishte një veprim shumë rregullator për idenë e tyre të tregut të lirë. Megjithatë ne të gjithë kemi nevojë për një institucion global, anëtarët e të cilit duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin realisht në rastet e krizave botërore të grurit.
Mendoni se një klub i tillë do të kishte mundur që t’i parandalonte krizat aktuale?
Jam i mendimit se një organizatë rregullatore dhe balancuese është e mirë jo vetëm për nxjerrjen nga kriza, por mbi të gjitha për parandalimin e situatave katastrofike të rritjes së çmimeve që shkaktohen dhe janë në përfitim të spekulatorëve ndërkombëtarë dhe në kurriz të jetës së miliona vetëve.
Postuar te EKONOMI. Komentet te Spekulimet me cmimet e grurit Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: