>Prokuroria: Nuk ka bazë për heqje imuniteti të Fatmir Limajt

>

Për shkak të interesit të madh të mediave se a ka kërkuar kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Limaj, Prokuroria e Shtetit përmes një
komunikate njoftoi sot se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e tyre të ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet dhe nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprat e kryera para se të zgjedhën deputet apo vepra të kryera jashtë fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre si deputet. 


Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin nr. 03/L-11 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.
Organi që zbaton procedurën penale nuk është i detyruar të vërtetojë sipas detyrës zyrtare se a gëzon një person imunitet apo jo dhe nga personi që gëzon imunitet varet se a do thirret në imunitet.


Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të arrestohet dhe as të ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e deputetit pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.  


Prandaj Prokuroria e Shtetit vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale për të cilën vepër deputeti nuk gëzon imunitet.
Çështja e kërkesës për pëlqimin e Kuvendit për arrestimin apo ndalimin e deputetit, nuk është në kuadër të fushëveprimit dhe detyrave të kryeprokurorit të Republikës së Kosovës, përfundon komunikata./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Prokuroria: Nuk ka bazë për heqje imuniteti të Fatmir Limajt Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: