>Tërmeti në Japoni ka shkurtuar ditën

>

Agjencia amerikane për Gjithësinë NASA ka kumtuar se tërmeti i fuqishëm që të premten ka goditur Japoninë ka shkurtuar vazhdimin e ditës për 1,6 mikrosekonda, ndërsa Instituti italian për
Gjeofizikë dhe vullkanologji ka theksuar se boshti i rotacionit të Tokës ka lëvizur për 10 centimetra.

Gjeofizikani i NASA-s Richard Gros ka llogaritur se tërmeti me fuqi 8,9 të shkallës së Rihterit, e ka shpejtuar rrotullimin e Tokës për 1,6 mikrosekonda, raporton AP. Ky ndryshim i shpejtësisë së rotacionit të Tokës është diçka më e madhe se sa ajo e vitit të kaluar, e shkaktuar nga tërmeti që kishte ndodhur në Kili.

Ndryshimin më të madhe të shpejtësisë së rrotullimit të Tokës e ka shkaktuar tërmeti që ka ndodhur në Sumatra më 2004, i cili e kishte shkurtuar ditën për 6,9 mikrosekonda.

Advertisements
Postuar te SHKENCË. Komentet te >Tërmeti në Japoni ka shkurtuar ditën Janë të Mbyllura

>E kërkoi Messin, fiton suspendimin

>

Kryetari i një klubi të futbollit nga një fshat i Francës është suspenduar pasi kishte paraqitur kërkesë për të transferuar futbollistin më të mirë në botë, argjentinasin Lionel Messi.
Kërkesën kryetari i klubit amator e kishte paraqitur në Federatën e Futbollit të Francës, shkruajnë mediumet e huaja të premten.
 
Cedric Enjolras, kryetar i skuadrës FC Borne, që garon në Kategorinë e Dymbëdhjetë të Francës, muajin e kaluar ka dorëzuar një kërkesë formale për të transferuar yllin e Barcelonës. Enjolres e bëri këtë pasi kishte pirë shumë gjatë një nate që kaloi me shokët e tij. 
Kërkesa zyrtare e presidentit u ndalua nga Federata e Futbollit të Francës, që vendosi mos ta dërgojë atë te Barcelona. Skuadra vendosi që të suspendojë kryetarin Enjolras për gjashtë muaj, tre prej tyre me kusht. 


Kryetari i Komitetit të Federatës së Futbollit të Francës, Yves Begon, ka kuptuar se kërkesa ishte shaka, por ka thënë se “nuk mund të tolerohet një sjellje e tillë”. 
Ekipi nga fshati francez që ka 400 banorë, luan në kategorinë e dytë të distriktit Haute-Loire. 
Messi ka shënuar më shumë se 40 gola për Barçën këtë stinor dhe dy herë rresht është shpallur lojtari më i mirë i botës nga FIFA. Të martën mbrëma ai shënoi dy gola në fitoren 3:1 të Barçës ndaj Arsenalit, duke siguruar kështu kalimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve./kn

Postuar te SPORT. Komentet te >E kërkoi Messin, fiton suspendimin Janë të Mbyllura

>NBA: Miami i jep fund serisë së zezë, mposht kampionen

>

Kishin mbetur më pak se dy minuta deri në fund të takimit, ndërsa rezultati ishte i barabartë. Kobe Bryant kishte topin në pronësi dhe nisi depërtimin për të shmangur Dwyane Waden. Lëvizja e Bryantit ishte e mirë, mirëpo reagimi i Wadet ishte edhe më i mirë. 

Në atë moment dështimet e Miamit në çastet e fundit të ndeshjeve morën fund. Wade vodhi topin dhe asistoi për LeBron Jamesin, që zhyti topin për të dërguar Miamin në epërsi, kur kishin mbetur vetëm edhe një minutë e 27 sekonda deri në fund. Këtë epërsi Miami nuk e lëshoi dhe mposhti kampionen, LA Lakers, me rezultatin 94:88, të enjten mbrëma. Miami i dha fund serisë prej pesë humbjeve radhazi.

“Ne e kemi ditur se ndeshja do të vendoset në çastet e fundit. Është dashur të gjenim një mënyrë si të triumfojmë dhe e bëmë këtë”, ka thënë Wade.  


Chris Bosh shënoi 24 pikë, në ndeshjen e tij të parë qëkur tha se dëshiron të ketë më shumë gjuajtje. 
“Ne ishim shumë të përqendruar që të fitonim këtë ndeshje. Jam i lumtur që arritëm këtë”, ka thënë Bosh. 
Miami i shkaktoi Lakersave humbjen e parë pas tetë fitoreve radhazi. 


Dwyane Wade ndihmoi Miamin me 20 pikë, ndërsa James shtoi 19 pikë, nëntë asistime e tetë kërcime.
Miami me fitoren e shënuar e siguroi biletën për në plejof, ndërsa kanë mbetur edhe 17 ndeshje pa përfunduar stinori i rregullt. Asnjëherë më parë Miami Heat nuk kishte siguruar kaq herët biletën për plejof. 


Mirëpo gjëja më me rëndësi të enjten mbrëma ishte që skuadra t’u kthehej fitoreve dhe këtë e arriti. 
“Ne nuk kemi dashur të dështonim sërish. Ne duam të bëhemi më të mirë. Duam të sigurohemi që loja jonë të jetë e nivelit më të lartë në momentin kur më së shumti ka vlerë”, ka thënë trajneri i Miamit, Erik Spoelstra. 


Kobe Bryant me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë për Lakersat, ndërsa Pau Gasol ka shtuar 20 pikë. Andrew Bynum kontriboi me 13 pikë e 12 kërcime. 
Bryanti në çastet vendimtare u ndal nga Wade. Së pari Wade i vodhi një top, ndërsa më pas bllokoi një tentativë për tri pikë të Bryantit. Trajneri i Lakersave, Phil Jackson, para ndeshjes kishte deklaruar se nuk pëlqen lojën që bën Miami. Mirëpo pas përfundimit të takimit ai përgëzoi skuadrën kundërshtare. 


“Ishte një ndeshje e mirë. Ata luajtën më mirë se ne. Mirëpo jam i bindur se do të takohemi sërish këtë stinor”, ka thënë Jackson./kn 

Miami – LA Lakers    94:88
(Bosh 24 – Bryant 24)

Phoenix – Denver    97:116
(Gortat 14 – Nene 22)

Dallas – New York    127:109
(Nowitzki 23 – Stoudemire 36)

Postuar te SPORT. Komentet te >NBA: Miami i jep fund serisë së zezë, mposht kampionen Janë të Mbyllura

>Një shqiptar arrestohet lidhur me vrasjen e Leutrim Musliut

>

Lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Leutrim Musliu në pasditën e 5 marsit, Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar të premtën mbrëma një person nga fshati Uglar, vendbanim i banuar vetëm me shqiptarë. 

Burime të PK-së në Gjilan dhe Prokurorisë së Qarkut i kanë thënë të shtunën KD-së se personi i arrestuar është i moshës madhore, midis 40-50 vjeç, dhe i njohur edhe më herët për Policinë e Gjilanit. “I dyshuari, shqiptar nga Uglari, mbi 40-vjeç, është arrestuar dhe është ndaluar në mbajtje për 48 orë lidhur me rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, Leutrim Musliu nga Uglari”, kanë thënë burime të Policisë dhe Prokurorisë Publike të Qarkut në Gjilan, të shtunën.

Siç dihet, lidhur me rastin e vrasjes në Uglar, Policia e Gjilanit ka arrestuar dy serbë nga Pasjani, Zh.S. (1967) dhe S.A. (1964), ky i fundit është vetëdorëzuar në Stacionin e Policisë në Gjilan, pasi gjatë bastisjes së shtëpisë së tij ai nuk ishte gjendur aty. Për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit nga Uglari janë bastisur tri shtëpi në Pasjan, ndërsa në kërkim është edhe një serb nga fshati Pasjan, M. K (1967), i cili në ditën e bastisjes së shtëppisë së tij nuk ndodhej në shtëpi. 



Dy të arrestuarit serbë nga Pasjani tashmë janë liruar, siç është thënë, për mungesë provash, ndërsa në ndalje prej 48 orësh është shqiptari nga Uglari, i arrestuar të premten mbrëma. Burime nga Prokuroria e Qarkut në Gjilan kanë thënë se tashmë kanë nisur hetimet ndaj shqiptarit me vendbanim në Uglar, të arrestuar një ditë më herët, ndërsa nuk janë ndërprerë hetimet as ndaj serbëve nga Pasjani, të cilët kanë qenë të ndaluar, por tashmë janë lënë të lirë./kn

Postuar te KOSOVË. Komentet te >Një shqiptar arrestohet lidhur me vrasjen e Leutrim Musliut Janë të Mbyllura

>Soni Malaj jeta e re me Mirkon në Spanjë

>

Ajo vijon të mbetet këngëtarja më e dashur për shqiptarët. Ndonëse prej një viti i mungon skenave të festivaleve e spektakleve muzikore, këngët e saj vijojnë të dëgjohen e pëlqehen shumë nga publiku. Fjala është për këngëtaren e mirënjohur Soni Malaj, e cila aktualisht është duke zhvilluar jetën e saj përkrah të fejuarit, Mirko, në Spanjë.

Çifti simpatik i showbiz-it janë kthyer në sipërmarrës dhe mësohet të kenë ngritur një biznes që po ecën shumë mirë. Aktualisht biznesi është duke u zhvilluar dita-ditës dhe Soni me Mirkon janë duke bërë goxha para. Ndonëse ky largim nga skena u mendua se erdhi si pasojë e një pushimi për të cilën këngëtarja kishte nevojë, nga të rejat që kemi për të nuk na rezulton kështu.

Ditët e saj janë të mbingarkuara për shkak se është ajo që duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e biznesit. Bashkëjetesa me Mirkon po shkon për mrekulli dhe gjasat janë shumë të mira për një martesë mes çiftit. 
Sa i përket karrierës muzikore, shumë shpejt do të vijë bashkëpunimi i këngëtares me një grup të njohur kosovar dhe ka shumë mundësi që Sonin ta kemi në Shqipëri, për të marrë pjesë në koncertet gjatë fushatës elektorale. Një tjetër surprizë e këngëtares është se ajo mund të shndërrohet në imazhin e kompanisë “ American Cola” për Kosovën. Ndonëse ende është duke e shqyrtuar ofertën, Soni ka gjasa të kthehet në fytyrën përfaqësuese të kësaj pijeje.
Lidhja me Mirkon
Ka qenë padyshim një dashuri me shikim të parë. Një ndjesi që nuk është vonuar, por i ka hedhur të dy në krahët e njëri-tjetrit, jo vetëm për të kërcyer, por edhe për t’u “ rebeluar” në magjinë e dashurisë. Ajo që fillimisht komentohej si një thashethemnajë, i kapërceu kufijtë e një lidhjeje të fshehtë, përkundrazi pa u mbyllur mirë spektakli ku edhe u njohën, ata zyrtarizuan marrëdhënien e tyre në fejesë. 
E pra, këngëtarja Soni Malaj është fejuar me partnerin e saj, balerinin italian Mirko. Shkëndijat e të dyve gjatë atyre provave ranë në sytë e të gjithëve, ndërkaq çifti nuk e mohoi asnjë çast atë që ndjente para të gjithëve.

Postuar te Show-Biz. Komentet te >Soni Malaj jeta e re me Mirkon në Spanjë Janë të Mbyllura

>Projektohet arka moderne e Noesë

>

Një skuadër arkitektësh, inxhinjerësh dhe projektuesish amerikanë kanë ndërtuar skicën e asaj që do të jetë arka moderne e Noesë, zbuloi një revistë amerikane.

Struktura gjigante në formë trekëndëshi do të jetë 350 metra e lartë dhe 600 metra e gjerë, në gjendje që t’i rezistojë edhe shkatërrimeve më të fuqishme në Tokë. Ajo mund të ofrojë strehim deri për 40 mijë persona.

E quajtur Noah, struktura lindi nga fantazia e arkitektit të quajtur Kevin Schopfer, pas tragjedisë së uraganit Katrina, që shkatëroi tërësisht qytetin e Nju Orlinsit në SHBA, në vitin 2005.

Objekti i tij duhet të ndërtohet pranë lumit të Misisipit dhe do të jetë në gjendje t’i ofrojë siguri fizike e psikologjike banorëve ende të traumatizuar të Nju Orlinsit.

Në brendësinë e saj, arka e Noes do të ketë 20 mijë apartamente, 3 hotele, një spital, shkolla, por edhe kinema e kazino.

Zgjedhja e një strukture trekëndore me një hapësirë të gjerë në mes është bërë sepse kështu ndërtesa do të jetë në gjendje t’i rezistojë më mirë erarave edhe mbi 200 kilometra në orë.

Ajo do të marrë energji falë paneleve diellore, ndërsa uji i pijshëm do të sigurohet nga pastruesit kimikë të jashtëqitjeve dhe urinës së njeriut./tch

Postuar te Kuriozitet. Komentet te >Projektohet arka moderne e Noesë Janë të Mbyllura

>Sfidon krokodilët, përfundon në spital

>

Një peshkatar australian përfundoi në spital, pasi u sulmua nga një krokodil katër metra, raportoi shtypi i shtetit kontinent.

Ngjarja ndodhi në një shtrat lumi pranë qytetit të Veipës, në krahinën e Kuinslendit. Të gjithë peshkatarët ishin paralajmëruar që të mos peshkonin në këtë periudhë, pasi përmbytja ka shkaktuar një dëm ekologjik dhe ka pakësuar ushqimin për kafshët e ujit.

Pavarësisht paralajmërimeve, 28-vjeçari Todd Bairstow vendosi të sfidonte ujrat e njohur për përqendrim të lartë krokodilësh, për të realizuar pasionin e tij.

Bartstow mësoi në kurrizin e tij se nuk është diçka e mirë të luftosh me krokodilët për ushqimin, sepse nëse i merr peshqit me të cilët ata ushqehen, amfibët janë në gjendje të sulmojnë vetë njeriun.

Varka e tij u përmbys nga sulmi i një krokodili katër metra të gjatë dhe Bairstow ishte me shumë fat që arriti deri në breg, pas sulmit të krokodilit. Në një farë mënyre, ai arriti të shpëtonte dhe përfundoi në një spital, ku po kurohet për frakturat e pësuara./tch

Postuar te Kuriozitet. Komentet te >Sfidon krokodilët, përfundon në spital Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: