>Albërie Hadërgjonaj: “U martova që 15 vjeçe dhe u bëra nënë në moshën 15- vjeçare”

>

E njohur nga këngët magjepsëse të saj, kjo këngëtare gjeni me zë brilant dhe shpirt të madh, është edhe një grua e mrekullueshme dhe një nënë shumë e  zonja.  E adhuruar nga njerëzit e thjeshtë, por dhe

nga politikanët më të pushtetshëm në Shqipëri dhe në Kosovë , që nga ish Presidenti Rugova, Presidenti  Bexhet  Pacolli, Ramush Hajradinaj dhe shumë të tjerë,  të cilët e ftojnë vazhdimisht në çdo aktivitet  të rëndësishëm.

Albëria ka lindur në Deçan , aty ka  kaluar fëmijërinë,  një fëmijëri sa të bukur aq dhe tragjike, pasi kurrë nuk ka mundur ta njoh babanë e saj. Ka qenë 8 -muajshe në barkun e nënës së saj kur babai i saj ka vdekur në Gjermani. Në vitin 1988, e detyruar nga reprezaljet serbe emigron në Amerikë. Në Shqipëri ka ardhur në fillimet e demokracisë. Debutimin e parë në skenën  shqiptare e ka bërë  te spektakli “12 në Hollivud”. 
Ka kaluar një jetë  me plot suksese dhe aventura; është martuar në moshën 15- vjeçare. Në moshën 16- vjeçare është bërë nënë.  Në moshën 18-vjeçare është bërë përsëri me një vajzë tjetër. Historia dhe kontributi i saj në skenë dhe në jetë është aq i madh se nuk do ta nxinin jo dy faqe gazeta, por as disa libra të tërë.  Ajo merr aq shumë kërkesa për të kënduar, sa të gjitha uikendet i ka të zëna. Sapo ka nxjerrë në treg albumin “Kur nuk shkon, nuk shkon”. Albumi është publikuar nga Shtëpia e Produksionit “Alba Treid Muzik”. 
Ky album sjell  rryma të ndryshme. Kompozitorë  janë po ata që ajo ka punuar ndër vite, si, Luan Zhegu, Aleks Presheva, Florian Mumajezi, të cilët Albëria i përshëndet sinqerisht për punën e bukur që kanë bërë. Dy këngë të këtij albumi i ka bërë  vetë. Ky album dhe klipi i saj “Kur nuk shkon, nuk shkon”,  i publikuar para tre ditësh janë pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika.  Këtë e tregojnë klikimet e shumta në internet.  
Albëria ka marrë shumë çmime gjatë karrierës së saj; çmime të dyta, të treta, të Parë në Festivalin Kombëtar në vitin 1998 me këngën “Mirësia dhe e Vërteta” , një krijim i Luan Zhegut dhe shkruar nga Arben Duka. Kënga “Lozonjarja”  u bë hit në vitin 1997, që edhe sot të rinjtë e këndojnë  nëpër karaoke.  Edhe  kënga “Jeta s’është lodër” dhe “Loçka jeme”, pati një sukses të madh.  Në vitin 1997 është  shpallur te “Kënga Magjike”  “Kantautorja më  e mirë e vitit”.  Ka dy vajza, Agnesën, 20 vjeçe  dhe Anxhelinën, 18 vjeçe. E para është në vit të tretë në gjimnazin “Drita e Diturisë”, dhe ka pasion këngën dhe arkitekturën, e dyta është në vit të dytë për drejtësi.
Vazhdoni të rrëzëlleni sërish si në rininë tuaj të artë? Mbani ndonjë dietë?
Njerëzit më ngatërrojnë me një fakt  të rëndësishëm. Mendojnë që jam më e madhe në moshë se sa jam. Kur këndova  në Shqipëri sapo kisha mbushur 19-të.  Tani kam hyrë për 36-të, kurse njerëzit mendojnë që jam më madhe.  Ndoshta s’kanë faj.  Jam martuar  15 vjeç, 16 vjeç linda fëmijën e parë, ndërsa 18 vjeç u bëra nënë me dy vajza njëra, 18, tjetra 20-të.
Në rini,  krahas bukurisë së zërit kishit dhe një bukuri të rrallë fizike. Komplimentet i keni marrë  vetëm për vokalin, apo dhe për ndonjë pjesë tjetër të trupit tuaj të bukur?
(Qesh). Shumë komplimente kam marrë ndër vite. Nuk di ç’të them. Se di. Disa më thonë: “ Keni një trup shumë të bukur”.
E ruani akoma në gardërobë vellon e nusërisë?
Ah! Të them të drejtën nuk u martova asnjëherë. Regjimi i Milosheviçit s’na la ta gëzonim  jetën siç duhej ta gëzonte një adoleshent. Mbetëm me trasta në krahë, sa në Kosovë, sa  në Amerikë gjë,  që nuk patëm mundësi të  bënim dasmë. Sigurisht  që e  kam veshur vellon e nusërisë, por e kam veshur në  aktivitete artistike. Fustani i bardhë është shumë delikat, është një gjë shumë e bukur (qesh).
Ku u njohët  me Mentorin, bashkëshortin tuaj?
Në momentin që emigrova në Amerikë kisha njohur Mentorin. Sapo u njohëm u martuam menjëherë. Pata fat sepse pata në krah atë dhe familjen e tij të mrekullueshme, të cilët  më ndihmuan me shkollën, më rritën dhe më kalitën, pasi kur fillova jetën bashkëshortore isha 15 vjeç.
Para tre vitesh u shpallët “Nderi i Kosovës”, ç’po bëni  për ta justifikuar këtë titull të madh?
Klicken für Bild in voller Größe
Si artistë kemi të drejtë morale  t’i kujtojmë figurat  dhe heronjtë e kombit . Shqiptarët kanë vuajtur, si në Shqipëri, si në Kosovë. Duhen vlerësuar ata që na dhanë lirinë. Për Presidentin Rugova gëzoj respekt  derisa të vdes. Ka qenë njeri model në politikë dhe në mençuri.  Ka punuar dhe luftuar me urtësi dhe largpamësi që të fitojmë e të jemi të lirë.
Si ka qenë fëmijëria juaj? E bukur apo e trishtuar?
Për fat të keq jam rritur pa baba. U aksidentua  kur nëna ime ishte  shtatzënë, 8 muajshe me mua. Kam qenë fëmija i tretë dhe pata fatin e keq që nuk arrita ta njoh kurrë tim atë.  Vdiq në vitin 1974. U rrita pa baba, por kam patur një nënë të mrekullueshme që na rriti me shumë përkushtim, me një kujdes të jashtëzakonshëm, duke mos na munguar asgjë. Nëna ime ka qenë një grua tipike kosovare. Babai ka qenë inxhinier dhe meqë  ka punuar në Gjermani  na la mirë ekonomikisht.  Nëna ime përfitoi një pension të shkëlqyer që na rriti pa na munguar asgjë ndaj e puth dhe e përshëndes  shumë. Nëna ime jeton me vëllain tim në Holandë.  Vjen shumë shpesh në Tiranë.
Keni qenë një fëmijë i mbarë apo i llastuar?
Kam qenë gjithmonë një fëmijë i mbarë Mentor, kështu më thotë mami im.
Po në rini për çfarë ëndërronit më shumë?
Kam qenë një fëmijë i privilegjuar që në bankat e shkollës fillore. U mora si shembull për vokalin tim. Që  në klasë të 5-të më zgjodhën kryetare të rinisë së shkollës, pasi  isha absolute në mësime. Filluan koncertet nga shkolla, pjesëmarrjet në evenimente dhe  televizione. Më pas u krijua shoqata kulturore artistike “Dukagjini” dhe “Deçani”. Isha gjithmonë pjesëmarrëse në koncerte dhe turne. Kur  isha 12 vjeç  këndova te  festivali “Zagrebi  i ri”.  Aty kuptova që kënga ishte ajo që mund ta bëja më mirë në jetë , që do më bënte të lumtur dhe do më mbushte me emocione.
Rinia ku të gjeti?
Ah, Rinia! Rinia! Sapo kisha filluar vitin e parë në gjimnaz. Ishte viti ’85. Filluan trazirat politike në Deçan dhe familjarisht  emigruam në Amerikë. Qëndruam 4 vjet.  Fillimi në Amerikë  nuk qe i lehtë. Pas shumë vështirësive u stabilizuam dhe filluam një jetë të re.
Ka tre ditë që ka dalë klipi juaj “Kur nuk shkon, nuk shkon”. Çfarë trajton?
Fabula e këngës flet për një dashuri që kur nuk shkon nuk shkon. Xhirimet i kam bërë në Tiranë, me  “Production Max”,  të cilin e falënderoj shumë. Sponsor është një kompani nga Kosova, miq të bashkëshortit tim, të cilët kanë  sponsorizuar gjithë albumet e mia. Tekstin e ka bërë Big Basta.
Në videoklip është bota juaj shpirtërore?
Është një temë që e kanë përjetuar shumë vajza. Shumica e individëve mund ta gjejnë veten te ky tekst.
Ju  e gjeni veten te ky tekst?
Shpeshherë njeriu ndeshet edhe me zhgënjime. Në rastin konkret në dashuri kam patur fat. Kam qenë e lumtur dhe vazhdoj të jem dhe sot  e lumtur me bashkëshortin tim.
Kënga “Lozonjarja” tashmë është një krye hit? Vazhdoni të jeni akoma lozonjare si te kënga?
Në vitin ‘97 kur e këndova pati një sukses të jashtëzakonshëm, pavarësisht se nuk mori çmim të parë. Njerëzit akoma më kujtojnë si lozonjarja, madje, ime bijë, Anxhelina thotë: “Mami do ta këndoj unë me një ritmikë ndryshe.
Nisur nga popullariteti  i madh që keni në Shqipëri dhe Kosovë, ju ka ftuar ndonjë parti e madhe politike për të kandiduar nën siglën e saj?
Më kanë ftuar,  por, e shoh veten më shumë te muzika se te politika. S’mund ta lë muzikën. Është  njësoj sikur të lë një nga vajzat e mia. Jam  marrë me muzikë që fëmijë, ndaj e kam të pandashme nga jeta. Njëherë  pata menduar që me aftësitë e mia të punoj dhe të kontribuoj për popullin tim në Kosovë, por nuk isha e gatshme.  Në të ardhmen nuk i dihet.
Nisur nga eksperienca e martesës suaj në një moshë kaq të re, si e gjykon këtë martesë, kur ju tashmë keni dy vajza  gati sa gjysma e moshës suaj dhe që të duken si shoqe?
Nuk është e drejtë që një vajzë adoleshente të jetë nënë. Është ngarkesë e madhe.  Secila duhet ta  gëzojë moshën e vet. Të  vijë çdo gjë në kohën e duhur dhe kur ti të jesh e përgatitur. Mbaj mend që vajzën e madhe ma ka rritur nëna dhe vajzën  e vogël vjehrra se, nuk dija me i rritë. Isha  fëmijë për vete. Isha  16 vjeç kur u bëra nënë.
Në koncerte partiake keni marrë pjesë?
Po. Vjet këndova për elektoratin e  Bexhet Pacollit, të cilin e kam mik dhe e përshëndes  përmes gazetës “Telegraf”. E përgëzoj për postin që e mori dhe që e meriton.  Por kam kënduar dhe për LDK-në, për AKR-në, partinë e Ramush Haradinajt, që edhe atë e kam mik.
Nga kjo pjesëmarrje dhe simpati ka pasur ndonjë reagim nga publiku?
Po. Meqë kisha kënduar këngën e Rugovës, shumë njerëz më thonin; “Uh rugovistja”. Shiko, unë jam artiste, artistët nuk duhen paragjykuar politikisht në asnjë rrethanë. Në fund të fundit artistët punojnë për të mbijetuar. Unë këndoj me kënaqësi për çdo parti që më fton.
Po nga kryeministri  Berisha, keni marrë ndonjë ofertë për të kënduar gjatë fushatave të tij?
Ndoshta ka harruar, ose nuk e di si ka qenë puna. Më saktë s’ kanë patur numrin tim të  kontaktit.
Cila  është mosha më e mirë për t’ u martuar një vajzë?
Mosha  25 -26 vjeçe. Ndoshta  mund njihet me dikë dhe të  bashkëjetojnë  disa vite. Martesa duhet të jetë finalizim i një dashurie perfekte./yp

Advertisements
Postuar te Intervistë, Show-Biz. Komentet te >Albërie Hadërgjonaj: “U martova që 15 vjeçe dhe u bëra nënë në moshën 15- vjeçare” Janë të Mbyllura

>82 tatuazhe të Julia Roberts (foto)

>

Miljenko Parserisas Bukovic pëlqeu shumë Julia Roberts në filmin Erin Brokovich aq sa vendosi të bëjë 82 tatuazhe me portretin e saj në të gjithë trupin.

Miljenko, një shitës gazetash në Meksikë, ka harxhuar qindra dollarë për të “mbuluar” trupin e tij me fytyrën e aktores së famshme.

56-vjeçari planifikon që të bëjë disa tatuazhe të tjera të Julia Roberts në gjoks dhe kurriz nëse do të ketë para dhe vend në trup mjaftueshëm.



Postuar te Kuriozitet, Show-Biz. Komentet te >82 tatuazhe të Julia Roberts (foto) Janë të Mbyllura

>Zbulimet e mëdha gjeografike

>

Deri në fund të shekullit XV evropianët, përveç Evropës, dinin edhe për Lindjen e Afërt dhe të Largët dhe për disa pjesë të Azisë dhe Afrikës. Mbanin lidhje të mira tregtare me vendet aziatike Indinë dhe Kinën.
Prej andej në Evropë sillnin erëza dhe mëlmesa me të cilat ushqimet i bënin më të shijshme, pastaj mëndafsh, gurë të çmueshëm, parfume, ngjyra etj. Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme, kështu që eksploruesit e ndryshëm filluar të bëjnë kërkime për vende të reja të pazbuluara.

Portugezët të parët filluan të ndërmarrin ekspedita detare, duke e kërkuar rrugën për në Indi dhe për në vendet tjera të pasura lindore. Në të njëjtën kohë edhe spanjollët ndërmorën ekspedita, duke e kërkuar rrugën detare për në Indi. Lundërtari Kristofor Kolumbo ishte i bindur se duke lundruar në perëndim do të arrij në Indi.

Mbreti spanjoll Ferdinandi dhe mbretëresha Izabella u pajtuan ta financojnë planin e Kolumbos. Në fillim të gushtit të vitit 1492, Kolumbo, me tri karavela dhe me rreth 120 marinarë, lundroi nga limani Palos.

Pas dy muaj lundrimi në drejtim perëndimor, më 12 tetor të njëjtin vit, Kolumbo u bind se ka arritur në bregun perëndimor të Indisë, prandaj banorët e atjeshëm u quajtën Indianë. Ai pra nuk ishte në dijeni për zbulimin e një kontinenti të ri dhe vdiq pa e zbuluar këtë.

Ishte vetëm lundërtari Amerigo Vespuçi i cili erdhi në përfundim se Kolombo nuk kishte zbuluar Indinë, por një kontinent tjetër kështu që e quajtën Terra America (Toka e Amerikës), respektivisht Amerikë…

Postuar te Histori, Kuriozitet. Komentet te >Zbulimet e mëdha gjeografike Janë të Mbyllura

>Përkujtohet ushtari amerikan i vrarë në Frankfurt

>

Në bazën ushtarake ajrore amerikane Ramstein në Gjermani u mbajt ceremonia përkujtimore për ushtarin 21 vjeçar nga Virxhinia, i cili u vra javën e kaluar në Aeroportin e Frankfurtit nga Arid Uka nga Kosova, që dyshohet si një ekstremist islamik.
Prokurorët thonë se Zachary R. Cuddeback u qëllua për vdekje nga 21 vjeçari Arid Uka, me origjinë nga Kosova, i cili deshte të vrasë amerikanë si hakmarrje për misionin në Afganistan.

Cuddeback, nga shteti Illinois, ishte ngasës i autobusit që duhej t’i transportonte 15 ushtarakët e stacionuar në Angli në bazën Ramstein për t’u dërguar në Afganistan.

Për nesër është paraparë një shërbesë tjetër në bazën ajrore Lakenheath në Angli, ku ishte stacionuar viktima e dytë, Nick Alden, 25 vjeç, nga Karolina e Jugut. Varrimi i tyre do të bëhet më vonë në Shtetet e Bashkuara.

Postuar te Bota. Komentet te >Përkujtohet ushtari amerikan i vrarë në Frankfurt Janë të Mbyllura

>Forbs: Meksikani Slim më i pasuri në botë

>

Meksikani Karlos Slim është gjetur në krye të listës së personave më të pasur në botë të hartuar nga revista Forbs.


Biznesmeni meksikan në fushën e telekomunikimeve, Carlos Slim për të dytin vit radhazi është personi më i pasur në botë me një pasuri prej 74 bilionë dollarësh.



Revista “Forbes” thotë se në botë ka gjithsej 1.210 miliarderë. Sipas saj Rusia ka më shumë se 100 miliarderë, dhe se më shumë miliarderë jetojnë në Moskë se në çdo qytet tjetër të botës.

Në raportin vjetor për njerëzit më të pasur në botë, “Forbes” shkruan se numri i miliarderëve në Rusi ka shkuar në 101 nga 65 sa ishte vitin e kaluar.

Vetëm në Moskë jetojnë 79 miliarderë, shkruan revista amerikane, sipas së cilës, miliarderët rusë përbëjnë një të tretën e e miliarderëve në Evropë.
Ndërkohë që Kina ka 115 miliarderë, ndërsa SHBA kanë 413 miliarderë.

Postuar te Bota, Hulumtime. Komentet te >Forbs: Meksikani Slim më i pasuri në botë Janë të Mbyllura

>A kishte seks në “BBA 4”?

>

Megjithëse disa nga banorët që tashmë kanë lënë shtëpinë e “Big Brother” dyshojnë se akti fizik mes Mirjetës dhe Marjelit kishte kohë që ishte konsumuar, tashmë ky fakt është i vërtetuar nga vetë goja e Mirjetës. 
Ka ndodhur vetëm një natë, mbasi mamaja e Marjelit e këshilloi ose më saktë e urdhëroi të birin që të mos e vazhdojë më lidhjen me Mirjetën. Ndërkohë që të gjithë ishim kuriozë të shikonim se si do të reagonte Marjeli, i cili dukej shumë i ndikuar nga mendimet e mamasë, ndodhi diçka tjetër, Marjeli dhe Mirjeta bënë seks. 

Kjo ka bërë që Mirjeta të thotë shpesh me shaka se ajo me Marjelin po bëjnë vetëm jetë nate. Dhe e ka zgjidhur kështu, gjatë ditës që e ndjek e ëma, ai rri me banorët e tjerë, kryesisht me djemtë e shtëpisë dhe natën kënaq të dashurën e tij, e cila duket jo pak e lënduar nga fakti që e ëma e Marjelit nuk tha një fjalë të mirë për të. 

Po sikur ta dinte se çfarë mendon ajo me të vërtetë për Mirjetën? Mendimet e fansave për ndërhyrjen e mamasë së Marjelit janë kryesisht negative dhe kundër mamasë së Marjelit. Ata mendojnë se e gjithë kjo ka shkuar në disfavor të lojës së Marjelit, pasi nuk mund të kërkosh të bësh regjinë e lojës, pavarësisht fuqisë dhe influencës që mund të kesh te fëmija yt. 

Imagjinoni se çfarë mund të ndodhte sikur çdo prind të kërkonte të drejtonte në këtë mënyrë lojën e fëmijëve të tyre dhe çfarë “Big Brotheri” do të kishim në këtë rast.

Postuar te Big Brother. Komentet te >A kishte seks në “BBA 4”? Janë të Mbyllura

>PTK-ja “pajton” Qeverinë me FMN-në

>

Drafti i ri i Ligjit për buxhetin e vitit 2011 do të jetë i gatshëm për miratim në Kuvend që nga fillimi i javës së ardhshme.
Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e radhës së kabinetit qeveritar ka premtuar se deri të premten do të jenë të gatshme ndryshimet në tabelat buxhetore sipas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kërkesave të parashtruara nga e Qeveria për rritje të pagave.

Një pjesë e shpenzimeve për rritjen e pagave do të sigurohet nga dividendi i Postës dhe Telekomit në vlerë prej 40 milionë eurove. Gjithashtu Qeveria e re synon që të shkurtojë shpenzimet për mallra dhe shërbime, si dhe të rrisë në vazhdimësi të hyrat nga Dogana dhe Administrata Tatimore. 


“Deri tash është arritur pajtueshmëri e plotë me FMN-në për rritjen e të hyrave buxhetore, për ruajtjen e nivelit të investimeve kapitale, kursimet në mallra dhe shërbime, si dhe zvogëlimin e subvencioneve për ndërmarrjet publike”, ka thënë këtë të mërkurë ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar. Ai ka theksuar se është në rrugë të mirë harmonizimi i qëndrimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar për pagat. Sipas tij, Qeveria mbetet brenda vendimit të vet për rritjen pagave. 


“Në takimet me FMN-në kemi arritur që t’i arsyetojmë të hyrat shtesë,  të cilat e kalojnë vlerën mbi 100 milionë euro. Janë të siguruara fondet e mjaftueshme që sigurojnë kryerjen pa pengesë të punimeve të autostradës. Jemi në rrugë të mirë dhe jemi afër që të harmonizohemi edhe tek pjesa e pagave, normalisht duke përfshirë vendimin e Qeverisë për pagat me rritje dhe shpresoj që gjatë takimeve që do të kemi edhe ditëve në vijim do të harmonizojmë qëndrimet me FMN-në”, ka thënë ministri Hamza. 


Ai ka thënë se në kuadër të buxhetit të ri do të ketë kursimet, sidomos në mallra dhe shërbime. 
“Edhe në kuadër të subvencioneve kemi pasur një zvogëlim, sidomos për ndërmarrjet publike”, ka theksuar Hamza.


Kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar do të gjinden pajtueshmëri e plotë në kërkesat për rritje të pagave në masën e premtuar. 


“Me përfaqësuesit e FMN-së jam takuar edhe personalisht. Jemi në rrugë të mbarë të harmonizimit të plotë të politikave të Qeverisë në marrëveshjen me FMN-në dhe flas me optimizëm të plotë se deri të premten do të përmbyllet gjithçka sipas politikave tona dhe programit të FMN-së”, ka theksuar Thaçi.


Kabineti qeverisës në përputhje me Ligjin e ndërmarrjeve publike, ka miratuar vendimin për deklarimin e dividendit të PTK-së, në vlerë prej 40 milionë eurosh. Gjithashtu Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se privatizimi i PTK-së, si një nga vendimet e para të Qeverisë, do të jetë një sinjal pozitiv në tregjet ndërkombëtare duke dëshmuar se kjo Qeveri është pro privatizimit të aseteve publike.


“Nevoja për privatizimin e shumicës së aksioneve është një nga shtyllat themelore të marrëveshjes me FMN-në”, ka thënë ministri Beqaj. 
Sipas tij, për privatizim do të ofrohen 75 për qind e aksioneve të PTK-së, ndërkaq për procedimin e strategjisë është themeluar komisioni i përbërë nga ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ministri i Punës, Nenad Rashiq, dhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.


Gjatë mbledhjes Hamza ka informuar Qeverinë për negociatat që po zhvillohen me Bankën Botërore për një program mbështetës për Kosovën në shumën prej 50 milionë eurosh, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë si grante, ndërsa një pjesë tjetër kredi pa kamatë. Sipas Hamzës, kjo marrëveshje sapo të finalizohet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore do të gjejë mirëkuptim dhe do të aprovohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.


Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Faith, në një ligjëratë të mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës – AUK, ka thënë se Kosova duhet t’i përmbahet marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. 


“Plani për rritje të pagave duhet të shikohet mirë dhe në konsultim me FMN-në të arrihet një marrëveshje për rritje të pagave. Mosrespektimi i marrëveshjes me FMN-në nga Qeveria e Kosovës vë në rrezik programin me këtë fond”, ka thënë Faith./kn

Postuar te KOSOVË. Komentet te >PTK-ja “pajton” Qeverinë me FMN-në Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: