>Parashikim: Barcelona – Arsenal

>

Të martën me fillim nga ora 20:45 në fushëbetejen legjendare të Camp Nou, do të përplaset historia e futbollit dhe e ardhmja e tij, filozofia Tiki-Taka e Pep Guardiolës do të ketë punë me
inteligjencën e të luajturit me top të profesor Arsene Wenger, në sfidën e cila mund të vendosë gjithë sezonin e këtyre dy ushtrive prej më të armatosurave në futboll…


Vendi: Camp Nou, Barcelona
Koha: 8 mars 2011, ora 20:45.

A e keni ditur se?


Barcelona
Blaugranët ishin të pa mposhtur në pesë ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve ndaj Arsenalit, duke barazuar në dy dhe duke fituar tri takime – duke përfshirë edhe finalen e vitit 2006, ashtu si çerekfinalen e vitit të kaluar ku Topçinjt u turpëruan në Camp Nou me rezultat 4-1.
Këtë sezon ata fituan secilën prej tre ndeshjeve si vendas në Grupin D, duke mposhtur Panathianikosin, Kopenhagën dhe Rubin Kazanin, për të qenë lider në grup për të tretin vit me radhë.
Fitorja e të shtunës e Barcelonës ndaj Zaragozës në La Liga jo vetëm që ishte mbajtje e shtatë pikëve distancë me Real Madridin në krye të tabelës, por po ashtu zgjati ecurinë e ndeshjeve pa humbje në shtëpi në 20 të tilla.
Skuadra e Pep Guardiolës do të jetë pa qendërmbrojtësit titullarë Carles Puyol (i lënduar) dhe Gerard Pique (i suspenduar) për ndeshjen ndaj Arsenalit, por Lionel Messi me 46 golat në 44 paraqitje do të jetë shtytja kryesore për Barcën. Ishte argjentinasi ai që vitin e kaluar shënoi katër gola ndaj Arsenalit në ndeshjen kthyese, pikërisht në Camp Nou.

Arsenali
Arsenali është kualifikuar për Ligën e Kampionëve që 13 sezone radhazi. Kjo është hera e 11-të që Arsenali tejkalon fazën grupore dhe në katër prej pesë sezoneve të fundit në Ligën e Kampionëve, Topçinjt së paku kanë arritur deri në çerekfinale.
Revolveristët pasi fituan 15 herë ndeshjen e parë në shtëpi në garat evropiane, kanë arritur që në 14 raste të kualifikohen tutje. Eliminimi i fundit kur Arsenali fitoi në shtëpi ishte ndaj Valencias në sezonin 2000/2001.
Arsenali ishte ekipi që shënoi më shumë gola në fazën grupore të Ligës së Kampionëve këtë sezon me 18 gola, numër i njëjtë ky me rivalin e përbetuar Tottenhamin.
Fitorja e Arsenalit ndaj Barcelonës ishte e 99-ta në ndeshjen e 200-të për Topçinjtë në garat evropiane, ndërsa goli i fitores i Andrey Arshavin ishte goli i 197-të i Arsenalit në Ligën e Kampionëve.
I pa mposhtur na katër ndeshjet e fundit si mysafir në të gjitha garat, Arsenali zgjeroi ecurinë e ndeshjeve pa humbje në 11 (shtatë fitore dhe katër barazime).

Forma e Barcelonës
Barcelona – Zaragoza 1-0
Valencia – Barcelona 0-1
Mallorca – Barcelona 0-3
Barcelona – Athletic Bilbao 2-1
Arsenal – Barcelona 2-1

Forma e Arsenalit
Arsenal – Sunderland 0-0
Arsenal – Leyton 5-0
Arsenal – Birmingham 1-2
Arsenal – Stoke 1-0
Leyton – Arsenal 1-1


Lojtarët kryesorë:
Lionel Messi (Barcelona)

Lojtari më i mirë në botë për momentin, argjentinasi i talentuar mposhti pothuajse vet Arsenalin sezonin e kaluar dhe ndoshta edhe vet çuditet për rastet e humbura në Emirates. Tani ai do të kërkojë të bëjë atë që zakonisht dhe bën me skuadrat rivale – shkatërrimin e tyre.
Ai ka thënë se Barcelona është e fokusuar në kualifikim dhe nuk po e mendon eliminimin, ndërsa do të bëjë çmos për të vënë në vështirësi Arsenalin para tifozëve të flaktë katalanas. Shpejtësia e tij në mendim dhe në vrapim mund të jetë fatale për çdo kundërshtar që nuk është 100% i vëmendshëm.

Jack Wilshere (Arsenal)

Tinejxheri sensacional i mesfushës së Arsenalit ishte pa kurrfarë dyshimi njeriu i ndeshjes në sfidën e parë. Kjo sigurisht se e bën atë njeriun kryesor për sfidën e kthimit dhe pa dyshim se ndeshja në Camp Nou do të testojë karakterin e Wilshere ashtu si aftësitë e tij teknike.
Deri tani në karrierën e tij në çdo sfidë ka lënë mbresa me një përzierje të kompetitivitetit, klasit dhe shumëanshmërisë. Me mesfushorin katalanas Cesc Fabregas të rikthyer nga lëndimi, e gjithë bara do të jetë mbi Wilshere – i cili edhe vet ishte i lënduar por e harroi vetëm e vetëm për të luajtur në luftën epike të Camp Nou.

Formacioni i mundshëm i Barcelonës (4-3-3): Valdes; Dani Alves, Milito, Abidal, Maxwell; Xavi, Sergio Busquets, Iniesta; Villa, Messi, Pedro.
Formacioni i mundshëm i Arsenalit (4-2-3-1): Szczesny; Sagna, Koscielny, Djourou, Clichy; Diaby, Wiilshere; Nasri, Fabregas, Arshavin; Bendtner.

Epilogu
Me të dyja skuadrat që kanë mungesa të lojtarëve kryesorë, Camp Nou pritet të jetë vend i vështirë për një fitore të martën, ndërsa Arsenali sigurisht se do të jetë jofavoriti në këtë takim.
Duke parë mbrojtjen fragjile të Barcelonës, pa lojtarin kryesor të skuadrës Carles Puyol, është shumë e mundur që Arsenali të rrezikojë shpesh Blaugranët. Këta të fundit do të tentojnë që me anë të posedimit të ndalojnë Arsenalin nga futbolli që më së miri di të bëjë. Megjithatë, impotenca taktike e profesor Arsene Wenger në fund pritet të dalë fituese, por fitues në ‘vrimë të gjilpërës’.

Parashikimi: Barcelona 1-1 Arsenal (Arsenali kualifikohet me rezultat të përgjithshëm prej 3-2 pas dy ndeshjeve)./telegrafi

Advertisements
Postuar te SPORT. Komentet te >Parashikim: Barcelona – Arsenal Janë të Mbyllura

>Gishti tregues dhe i unazës zbulojnë rrezikun nga sëmundjet

>

Njerëzit me gishtin e unazës më të gjatë janë më të prirur ndaj osteartritisit të gjurit dhe gishtave, anoreksisë, autizmit dhe
alkoolit. Gishti tregues më i gjatë shkakton kancerin e gjirit dhe sulmin në zemër, zbulon një studim. 

Gjatësia e gishtave mund të japë përgjigje se sa janë shanset të sëmureni nga ndonjë sëmundje, dhe kjo veçanërisht vlen për raportin në mes gishtit të unazës dhe gishtit tregues, pohojnë shkencëtarët nga Universiteti Swansea. Varësisht prej asaj se cili gisht është më i gjatë, mund të zbulohet rreziku nga problemet serioze shëndetësore siç janë kanceri dhe problemet e zemrës. 



Gjatësia e gishtave është e përcaktuar qysh në barkun e nënës, ndërsa në rritjen e tyre ndikojnë edhe hormonet. Hormoni mashkullor testosteroni nxit rritjen e gishtit të unazës, ndërsa hormoni femëror estrogjeni rritjen e gishtit tregues, dhe pikërisht gjatësia e gishtave tregon se sa hormone të tilla keni në trup.

“Kjo u ndihmon njerëzve të zbulojnë se ndaj cilave sëmundje janë më të prirur dhe kësaj t’ia përshtatin stilin e jetës për të zvogëluar rrezikun nga sëmundjet, thotë udhëheqësi i studimit, John Manning, i cili shton që më mirë është të maten gishtat e dorës së djathtë.

Gishti unazës më i gjatë
Njerëzit me gisht më të gjatë të unazës kanë dy herë shanse më të mëdha të sëmuren nga osteoartritisi i gjurit dhe gishtave, dhe gjasat më të mëdha janë edhe për anoreksi, veçanërisht tek ata të cilët e kanë jashtëzakonisht të gjatë këtë gisht. Ftohja është shumë më e shpeshtë tek ata njerëz, por lajmi i mirë është që ata janë më pak të prirë ndaj pirjes së duhanit. 



Studimet kanë zbuluar lidhjen e gjatësisë së gishtit me çrregullimin e hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes, si dhe rrezikun nga autizmi. Në qoftë se gishti juaj i unazës është një centimetër në i gjatë se gishti tregues keni predispozita të mira për t’u marrë me sport në mënyrë profesionale. Lajmi i keq është që gishti i unazës më i gjatë nënkupton edhe prirjen ndaj alkoolit. 

Gishti tregues më i gjatë
Femrat në moshën prej 35 deri 75-vjeçare me karcinom të gjirit kanë pasur gishtin tregues më të gjatë se gishtin e unazës, dhe arsyeja e kësaj është me siguri ekspozimi i madh ndaj hormonit të estrogjenit i cili lidhet me zhvillimin e tipave të caktuar të kancerit të gjirit. Bulimia është një problem tjetër me të cilin ballafaqohen femrat me gishtin tregues më të gjatë, ndërsa arsyeja e kësaj është ekspozimi i hershëm ndaj estrogjenit.


Gishti tregues më i gjatë është veçanërisht i rrezikshëm për meshkujt në moshën 50-vjeçare, sepse rrit mundësinë e sulmit në zemër, por ndërkaq atyre për një të tretën ua zvogëlon mundësinë e zhvillimit të kancerit të prostatës./kn

Postuar te Kuriozitet, Studim. Komentet te >Gishti tregues dhe i unazës zbulojnë rrezikun nga sëmundjet Janë të Mbyllura

>Aktivitetet vullkanike në Havai

>

Shkencëtarët po i vëzhgojnë nga afër aktivitetet e shtuara të vullkanit Kilauea në Ujdhesën e Madhe në Havait, pasi erupcioni fillestar e hodhi llavën në lartësi deri 20 metra.

Kilauea është në erupcion të vazhdueshëm për 28 vjet.

Por, gjeologu Xhanet Bob nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve tha se aktivitetet e fundjavës sinjalizojnë “episode të reja të erupcioneve dhe të panjohura tjera”./topLajm

Postuar te Hulumtime, SHKENCË. Komentet te >Aktivitetet vullkanike në Havai Janë të Mbyllura

>Milionerë në shtet të varfër

>

Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion ka bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner. Shoqëria civile vlerëson se pasuria e
politikanëve është e dyshimtë, meqë është paradoksale të ketë kaq shumë milionerë në një vend, ku gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër.


Profesioni më fitimprurës në Kosovë duket të jetë politika. Kjo të paktën duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë Kundër-korrupsion, e cila vlerëson se çdo i dhjeti pretendent për të hyrë në Kuvend nga partitë më të mëdha politike, ishte milioner.

Disa nga ta tashmë janë bërë pjesë e legjislativit.
Në Kosovën, në të cilën paga mesatare është rreth 270 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion, Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.
Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, hedh dyshime mbi ata që janë pasuruar duke ushtruar funksionet publike.
“Është matematikë e thjeshtë. Sikur me këto rroga të mos shpenzonin fare, as atëherë nuk mund të arrihet kjo pasuri. Fenomeni i abuzimit me paranë publike po ndodh hapur, e shohim të gjithë dhe nuk ka fuqi askush për të vepruar, sepse edhe Gjyqësori është i ndërlidhur me këtë politikë dhe krim të organizuar. Rrënja e përbashkët e të gjitha partive politike bashkë me sektorët tjerë të korruptuar janë struktura të krimit të organizuar”, shprehet Zogiani.
Agjencia Kundër-korrupsion thotë se në mesin e 450-460 pretenduesve ka identifikuar më shumë se 44 milionerë. Preteni ka thënë se ka pasur s’përputhje të shifrave në deklarimin e pasurisë që kanë bërë politikanë sa herë që është dashur ta bëjnë.
Avni Zogiani thotë se nuk është i befasuar me shifrat në fjalë. Ai ka një shpjegim.
“Nuk më befason kurrgjë. Çdo i dhjeti ‘bodyguard’ është milioner. Ne kemi për shembull ‘bodyguard’ të kryeministrit që kanë shtëpi miliona eurosh dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe mund të përballem me ligj. Është e qartë që zyrat publike janë shndërruar në ndërmarrje private të politikanëve”, thotë Zogiani.
Drejtori i Institutit Kosovar për Demokraci, Ismet Kryeziu, vlerëson se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.
“Nga keqqeverisja kosovare, që është bërë, duke përfshirë edhe procesin e luftës, ku si qytetarë nuk kemi informacione të mjaftueshme për buxhetin që është përdorur, por edhe për periudhën e para luftës, domethënë të sistemit paralel”.
“Të gjitha këto janë indikacione që këta njerëz që kanë qenë të përfshirë në këto procese, kanë pasuri marramendëse ose miliona, që është në s’përputhje me realitetin dhe me zhvillimet ekonomike të Kosovës. Është një zënie e frymës ekonomike nga keqqeverisja dhe nga këta njerëz që duke pasuruar vetveten, kanë varfëruar qytetarët e Kosovës”, vlerëson Kryeziu.
Agjencia Kundër-korrupsion ka dërguar një sërë rastesh të dyshimta për korrupsion në prokuroritë kosovare dhe në atë të EULEX-it. Megjithatë, rastet kur të korruptuarit përballen me drejtësinë janë të rralla, apo dosjet e tyre lihen, arkivohen.
Avni Zogiani thotë se ky është indikator i korruptimit të Gjyqësorit, po ashtu.
“Sigurisht se politikani i korruptuar prodhon një gjyqësor të korruptuar. Gjyqësori nuk pikën prej qiellit. Kurdoherë që nuk funksionin Gjyqësori, është pushteti tjetër që intervenon. Në këtë rast është, për shembull, Parlamenti. Por, Parlamenti nuk mund të veprojë, pasi që vetë ai është deri në fyt”, shton Zogiani.
Vitin e kaluar EULEX-i nisi hetimet ndaj Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit nën dyshimet për korrupsion, por rasti ende nuk ka kaluar në gjykatë.
Ndërkohë, Agjencia Kundër Korrupsionit bën thirrje që të miratohen ligjet, me të cilat luftohet korrupsioni, si ai anti-mafia dhe ligji mbi konfiskimin e pasurisë. /rel/
Postuar te KOSOVË. Komentet te >Milionerë në shtet të varfër Janë të Mbyllura

>Epopeja e UÇK – së përmbyllet me “Natën e zjarreve” në Prekaz

>

Manifestimi tradicional treditor Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përmbyllur me “Natën e zjarreve”, të hënën mbrëma, në orën 18:00, duke filluar në Prekaz me ndezjen e
flakadanëve dhe zjarrit qendror e për të përfunduar natën vonë në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj me koncertin e madh dhe me ndezjen e fishekzjarrëve të shumta. 

Manifestimi i kushtohet rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe 55 Jasharëve dhe bashkëluftëtarëve tjerë të tij, të cilët para 13 vjetësh, për 3 ditë e 3 net rresht, u kishin rezistuar sulmeve barbare të forcave policore e paramilitare serbe.


Sipas skenarit tashme tradicional, pikërisht në orën 18:00, kur terri fillon ta mposhtë dritën, sikur qe robëria serbe kishte pushtuar Kosovën për gati një shekull, në kullat e Jasharëve dhe në bunkerin e legjendarit, në pyllin sipër lagjes Jashari, ndizen flakadanë të shumtë, të cilët me ndriçimin e tyre simbolizojnë ndezjen e  shkëndijave të lirisë, të para 13 vjetësh. 


Të rinj e të reja, të veshur me uniforma të UÇK-së dhe veshje kombëtare, me flakadanë në duar, nisen nga Varrezat e Dëshmorëve, në të cilat prehen heronjtë e asaj lufte heroike. Dhe derisa flakadanët u vendosën përreth kompleksit të varrezave, gjimnazistët vunë nga një buçetë lulesh mbi secilin varr të 49 dëshmorëve sa janë në këtë kompleks, emrat e të cilëve nga udhëheqësi i manifestimit, para mijëra qytetarëve të tubuar, u përmenden emër për emër. 


Ndërkohë, është ndezur zjarri i madh, flaka e të cilit është shpërndarë gjithandej, ashtu sikur që para 13 vjetësh ishte shpërndarë nga këtu zjarri i luftës dhe kushtrimi i legjendarit Adem Jashari, të cilit i janë përgjigjur liridashësit kudo që ishin. Ndezja e këtij zjarri është pasuar nga ndezja e zjarreve të tilla në të gjitha fushëbetejat e luftës së UÇK-së, anekënd Kosovës. 


 Pas përfundimit të ceremonisë së ndezjes se flakadanëve dhe zjarrit, në Prekaz, pjesëmarrësit i janë drejtuar qytetit të Skenderajt, për të marrë pjesë në koncertin e madh me pjesëtarët e estradës, i cili është mbajtur në sheshin “Adem Jashari”. Në nderim të këtij përvjetori janë ndezur edhe fishekzjarrë të shumtë.


Kësaj radhe, deri në momentin e raportimit,  nuk janë vërejtur liderët tanë shtetërorë, politikë apo ushtarakë. Bekim Jashari, i pranishëm në këtë tubim, përmes medieve ka falënderuar pjesëmarrësit dhe ka shfrytëzuar rastin edhe një herë të apelojë për unitet të udhëheqjes sonë./topLajm

Postuar te KOSOVË. Komentet te >Epopeja e UÇK – së përmbyllet me “Natën e zjarreve” në Prekaz Janë të Mbyllura

>Japoni, përurohet treni-plumb

>

Mrekullia e fundit e hekurudhave japoneze është i ashtuquajturi “treni-plumb”, Hayabusa, i cili megjithatë është nisur me 7 minuta vonesë.
Nuk ka pasur asnjë problem teknik, por për shkak të turmës, me mijëra të apasionuar që donin të bënin foto, një pasagjer ra tek binarët.

I njohur ndryshe me emrin “hundëmadhi”, treni i ri ka një lokomotivë të gjatë 15 metra, nuk bën zhurmë kur kalon nëpër galeri dhe ka një shpejtësi prej 300 kilometrash në orë.

Ai është parashikuar të udhëtojë dy herë në ditë mes Tokios dhe Aomorit, qytet në ekstremin verior, duke përshkuar 700 kilometra në tre orë e 10 minuta./bw

Postuar te Kuriozitet, Teknologji. Komentet te >Japoni, përurohet treni-plumb Janë të Mbyllura

>Skandali i ri “made in” Bollano

>

Himara është kthyer shpesh në arenë përplasjesh, ku elementë të ndryshëm, më së shumti grekofonë të viteve të fundit, janë përpjekur të krijojnë idenë e një lufte ndëretnike. 

Një situatë kjo e krijuar më së shumti nga dobësia e shtetit shqiptar dhe nga hezitimet e politikës së majtë e të djathtë për të zbatuar ligjet në fuqi, gjë që ka kontribuar në krijimin e kultit të të paprekshmit Bollano, në gjendje të vendosë dhe të vulosë vetë gjithçka

”Shqipëria tjetër“, reportazhi i zakonshëm në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:30 në Top Channel, riktheu përsëri në vëmendje Himarën, qytetin ku një “plagë” po tentohet të hapet.
Pas thirrjeve antikombëtare e deklaratave me Vorio Epir, heqjes së tabelave të sinjalistikës rrugore në gjuhën shqipe, falsifikimet e guidës zyrtare turistike, mbështetjes së sulmeve histerike kundrejt komisaritit të policise, qendrave zgjedhore, e bllokimit të rrugës nacionale, kryetari i Bashkisë së Himarës rikthehet të sfidojë shtetin.


Këtë herë, në qendër të sulmit të tij përdhosen edhe simbolet e shtetit, nën të cilat, në faqen zyrtare të bashkisë, botohet një histori e falsifikuar e prejardhjes së Himarës dhe zonës përreth.
Faqja, në krye të saj mban logon zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Kjo është shenja e parë dhe e fundit kombëtare, pasi gjithçka deri në fund, i përket thuajse në mënyrë dërmuese shtetit grek.
Pika e parë, ajo e historisë që pasqyrohet në këtë faqe, është thuajse nje trakt kundër shtetit shqiptar dhe figurave simbol të tij. 

Duke nisur nga djali i Gjergj Kastriot Skëndërbeut, i njohur në historinë shqiptare si Gjon Kastrioti, por i pagëzuar në faqen e Bashkisë Himare si Jani Kastrioti. 
Sipas përmbledhjes historike të faqes, Jani së bashku me udhëheqësin grek, Korkodhillos Klladhas, për 10 vjet me radhë mundën të mbanin të pavarur Himaren nga sulmet e njëpasnjëshme të ushtrisë osmane . 


Skandali thellohet më tej, kur në pasazhin pasardhes shkruhet se 33 fshatra të Himarës, me ndergjegje kombëtare greke, krijuan Konfederatën autonome të qeravneve. 
Në këtë pjesë të faqes zyrtare, ndergjegja greke, përveç fshatrave të sotëm të Himarës, Piqerasit, Qeparoit, Vunoit, Iliasit, Palases etj, bashkangjit me këtë vetëdije edhe fshtara të tille, pjese historike e kësaj krahine, si Dukati, Fterraj, Tërbaçi, Nivica, Lopëzi, Vranishti, Lepenica, Progonati, Tepelena, Tragjasi, Rradhima, Lukova e Kallarati. 


Të gjithë këta fshatra, pjese e Labërisë së epërme, sipas asaj qe pohohet në faqe, kane qenë toka të populluara nga grekët.
”Janë rrotull 50 fshatra, të cilat kanë përberë një unitet shqiptar mbas periudhës së Skënderbeut, në shekullin e 15–16. Ato përbënin një unitet jo vetëm etnografik shqiptar të qartë, por edhe një unitet politik dhe ushtarak”, dëshmon historiani Pëllumb Xhufi.

Sipas tij, paria e këtyre fshatrave është organizuar shpesh në takime, nga ku u janë çuar letra sovranëve më të mëdhenj të Europës, qe nga Mbreti i Napolit, Mbreti i Spanjes, Perandori i Gjermanisë dhe me vonë, Careshës së Rusisë. 


”Në të gjithë këto letra, thuhet qartazi se banorët e konsideronin veten si shqiptarë dhe konsideroheshin si pasardhës të Gjergj Kastriotit. Ata shprehin gatishmërinë e tyre për të marrë armët në një kryengritje të re ndaj Turqisë, për të çliruar Shqipërinë”, thekson Xhufi.


Më tej, në faqen e bashkisë, si moment mjaft i rëndesishëm i historisë së Himarës cilësohet 5 nëntori i vitit 1912, datë që përkon me zbarkimin e majorit Spiro Spiromilo në qytet, i cili siç shkruhet, çliroi të gjithë fshatrat, në krye të disa vullnetarëve. 
Përtej historisë së shtrembëruar që e shndërron Spiro Spiromilon në hero, cili ka qenë ai në të vërtetë dhe çfarë përfaqëson për këtë zonë?


Ai ka mbajtur postin e drejtuesit politik të asaj që grekët e quajnë qeveria e Vorio Epirit, duke qenë njëkohësisht edhe komandant në zonen e Himarës. 
Ajo ishte një qeveri e cila drejtohej nga Jorgji Zografi dhe që nuk u njoh as nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i cili i kërkoi largimin e menjëhershëm nga trojet shqipëtare, ndërsa qeverisë greke arrestimin e tij. 
Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Bashkinë Himarë që t’a quajë në mënyrë flagrante këtë datë, kur e gjithë zona u pushtua nga grekët, si vlerë e shtuar në historinë e Himares dhe fshatrave të saj.


”Spiromilio ishte pikërisht një nga këta renegatë, i cili u promovua nga shteti grek, u bë gjeneral, iu dhanë pensione, iu dhanë ushtarë dhe në vitin 1912 zbarkoi me anijet greke, për të bashkuar Himarën me Greqinë”, dëshmon Xhufi.
”Spiromilo ka banuar në në një shtëpi të madhe, e cila në faqen e bashkisë konsiderohet një monument kulture mjaft i rëndësishëm, i cili duhet të vizitohet nga turistët për shkak të lidhjes që ka me historinë e Himarës”.


Historia e manipuluar me vulën e Vasil Bollanos dhe nën logo
n zyrtare të Republikës së Shqipërisë vazhdon më tej kur shkruhet se në 9 shkurt 1914 himariotët kundërshtuan planin e fuqive të mëdha, për t’i përfshirë brenda kufijeve të shtetit shqiptar. 
Sipas faqes, Himara dhe fshatrat e saj nuk kane asnjë lidhje me Shqipërine, por janë përfshirë në menyrë të dhunshme brenda saj. 

Për të vazhduar më tej me 22 dhjetorin 1940, kur Greqia sulmoi Shqipërine, duke pushtuar qytete si Gjirokastra, Korça, Saranda e deri në Pogradec. 
Kjo periudhe historike, kur më shumë se 25% e vendit ra në duart e ushtrise greke, në faqen e Bashkisë Himarë paraqitet si një moment festiv, që përkon me hyrjen e trupave greke në Himare, të pritur me entuziasëm dhe lule.


Nga e shkuara në të tashmen, asgjë nuk ndryshon. Mjafton të konsultosh faqen në pjesën ku përshkruhen fshatrat që i përkasin zonës nga Himara në Sarandë dhe do të gjesh deformimin e rradhës. 


Në listen e gjatë, Borshi cilësohet si i vetmi fshat ku banorët janë muslimanë, ndërsa të gjithë fshatrat e tjerë, Dhërmiu, Palasa, Piluri, Kudhesi, Qeparoja, Piqerasi, Lukova, Shën Vasili e Nivica, sipas faqes, banohen nga greko-ortodoksë në shumicë dërrmuese. 
Si për të mos i dhënë këtë herë mundësi Vasil Bollanos për të mohuar gjithçka, në fund të faqeve është e shkruar se të gjitha të drejtat e ketij siti në internet janë të rezervuara nga bashkia Himarë. 

Sigurisht, në krye logoja e Republikës së Shqipërisë, që këtë herë nuk mund të mbyllë njerin sy. Edhe pse kërkuam t’i japim mundësinë Vasil Bollanos të përgjigjet për këtë skandal të ri, ai nuk priti kamerat tona, pavaresisht insistimit për t’a takuar.


Vasil Bollano është kthyer thuajse në një mit pandëshkueshmërie,
 duke i lejuar vetes të përdhosë shpesh herë simbolet e një kombi, të shkelë kushtetutën e tij e megjithatë, t’ia hedhë pa u lagur e thuajse duke tallur organet e drejtësisë shqipëtare, të cilat janë treguar të pafuqishme për të zbatuar ato ligje që janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. 


Një gjë të tillë, organet e drejtësisë shqiptare, e kanë bërë shpesh herë me Vasilin apo në shqip, “Mbretin” e vetëshpallur të jugut të Shqipërise. 
Jo vetëm për tabelat ku gjykata e shkalles së parë e shpalli fajtor dhe apeli e liroi, por edhe në shume raste te tjera. 


Mes tyre, raporti i Kontrollit të Lartë të shtetit, në Bashkinë Himarë, ku në 89 faqe përmendet jo pak, por 239 herë fjalet në kundërshtim me ligjin, si dëm ekonomik, përfitim i padrejtë e keqpërdorim fondesh. 


KLSH e akuzon Bollanon për abuzime që kapin vlerën e 230 milionë lekëve të vjetra. Tenderat, deri tek ai i varrezave të qytetit të Himarës, kanë rezultuar me shkelje, ashtu si lejet e ndërtimit, të pasura nga shkeljet e shumta të ligjit. 


E gjithë kjo vjen edhe prej faktit se Vasil Bollano është shndërruar në të përkëdhelurin e politikës shqiptare, duke mbajtur njërin krah tek Kryeministri Berisha ,e tjetrin tek opozita ku bën pjesë edhe Dulja. 


Ndërkaq, numërimi mbrapsh për zgjedhjet lokale ka filluar e mbetet për t’u parë kush do t’a perkrahe këtë herë Bollanon, që numerikisht e ka të pamundur të fitojë, çka shume e kujtojnë në 2000 dhe 2001-n, kur PS e PD bashkuan votat duke lënë Bollanon me gisht në gojë.  
Mbetet për t’u parë këtë herë, teksa Top Channel solli fakte të falsifikimit që i bëhet historisë, nën logon e Republikës së Shqipërise. 


Faktet mbeten fakte e Vasil Bollano edhe këtë herë është kapur me “presh në duar”. Shpresojmë që këtë herë, për të parën herë, drejtësia të mos heshtë./kn/

Postuar te RAJONI. Komentet te >Skandali i ri “made in” Bollano Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: