>
Kombet e Bashkuara, sikundër edhe Rusia, presin që hetimet rreth pohimeve mbi krimet në Kosovë t’i zhvillojnë institucione ndërkombëtare me autoritet, citojnë mediet e Beogradit shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier, të ketë thënë në Moskë.
Zannier ndërkaq, konsideron se pohimet për krimet e udhëheqësve kosovarë nuk rrezikojnë pavarësinë e Kosovës. “Pres që qeveria e Kosovës të japë sqarimet e veta rreth kësaj lënde të ndërlikuar”, i ka thënë Zannier të përditshmes ruse “Novie Izvestia”, raporton Koha.
Duke komentuar kërkesën e Prishtinës rreth pranisë së misionit të KB në Kosovë, Zannier ka rikujtuar se shpalljen e pavarësisë së Kosovës e kanë njohur më pak se gjysma e vendeve anëtare të KB, për ç’arsye Kosova është e detyruar të bashkëpunojë vetëm me ato që i kanë njohur.
“Ne nga ana jonë po ndihmojmë që të bashkëpunojë me të gjitha shtetet, duke vepruar në kuadër të Rezolutës 1244 të KS të KB, po përpiqemi t’u ndihmojmë disi kosovarëve që të integrohen në bashkësinë ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë shefi i UNMIK-ut.
Duke u përgjigjur në pyetjen se a ka ende mundësi për konflikt të ri ndërnacional, duke pasur parasysh se serbët në Kosovë nuk e pranojnë autoritetin lokal, Zannier është përgjigjur se askush nuk dëshiron që Kosova të jetë një nacionale dhe se KB angazhohen që të jetë multietnike.
Zannier ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare nuk i ka të gjithë çelësat për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe se me këtë duhet të merren njerëzit që jetojnë në rajon. “Ata duhet të bëjnë zgjedhjen e vet, shumë serioze e të ndërlikuar. Vetëm atëherë do të jetë për të gjithë mirë”, është shprehur shefi i UNMIK-ut./ki
Pëlqejeni këtë:
Pëlqejeni Po ngarkohet...