>Zotërinj, a mund të flini natën?

>

Thaçi e Pacolli po bëjnë komplot. Komplot kundër Kosovës. Dehja në “Zanzibar” ishte vetëm nisja e komplotit. Dhe, goditja më e fuqishme kundër Kosovës ishin
zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe të janarit 2011. Normalisht se prej këtyre zgjedhjeve dalin edhe presidenti dhe kryeministri i këtij niveli. Këta që e shesin shtetin për pushtetin 


Sa herë që vë hapin në hyrje të institucioneve të Kosovës, më bien ndërmend sa shumë sakrifica kanë bërë shqiptarët e Kosovës për këtë ditë. U përkulem me nderim atyre që dhanë jetën, gjakun, gjymtyrët për të arritur lirinë. I respektoj të gjithë ata që kontribuuan për të ndërtuar shtetin tonë. Ndërsa, sot, shqiptarët janë opozitë. 
Tre vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tashmë secili e ka të qartë. Qeveria e kaluar solli një krizë të madhe në Kosovë. Për më shumë se shtatë (7) muaj, Kosova nuk po mund të dalë nga kriza. 
Një pyetje që duhet t’i drejtohet për çdo moment Thaçit dhe klubit të tij: a e ndieni veten të qetë? Thjesht, a mund të flini natën prej asaj që i keni bërë Kosovës? 
Gati tre vjet, ju qeverisët vendin si mos më keq. Me afera të panumërta të korrupsionit. Në bashkëjetesë me krimin e organizuar. Tendosët skajshëm raportet me secilin njeri apo subjekt që kritikoi qeverisjen tuaj të keqe. Me hetuesit nëpër kabinetet, zyrat dhe serverat e Qeverisë. 
Ju që manipuluat me paratë e popullit të Kosovës që në ditët e para të qeverisjes suaj, edhe e përfunduat mandatin në formë të turpshme. 
Të gjithëve na kujtohet se si Qeveria e kaluar manipuloi madje edhe fondin për festimin e shpalljes së pavarësisë. Dhe, atë jo më vonë se rreth një muaj prej kur ju morët mandatin. Ka qenë e qartë për secilin që ka sy e vesh, se Kosova duhet të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kjo është dashur të ndodhte qysh para dy vjetësh. 
Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, vitit 2010, e tëra ndodhi me shpejtësi. E tëra ndodhi me urgjencë. Por, urgjencë të kujt? Kujt i ngutej që në Kosovë të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme pikërisht në fund të vitit 2010? Të papërgatitur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe me liderin e opozitës jashtë vendit!
Një gjë është e qartë: nuk është dehja në “Zanzibar” arsyeja! Dehja në “Zanzibar” ishte vetëm nisja e komplotit. Komplotit kundër Kosovës. 
Dhe, goditja më e fuqishme kundër Kosovës ishin zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe të janarit 2011. Në këtë proces u shkelën të gjitha parimet. Normalisht se prej këtyre zgjedhjeve dalin edhe presidenti dhe kryeministri i këtij niveli. Këta që e shesin shtetin për pushtetin. 
Dhe, çka po ndodh tash? Po e rrezikoni shtetin. Dhe, po rrezikohet për shkak se disa po e harrojnë shtetin për pushtetin.  
Kjo nuk është rruga për të realizuar vizionin tonë që shtetin ta shohim funksional, të orientuar drejt  Perëndimit e jo drejt Lindjes, të zhvilluar dhe me demokraci të konsoliduar. 
Ne kemi shumë nevojë për të arritur konsolidimin, po aq sa kishim nevojë të krijojmë shtet. 
Por, shteti ynë, fatkeqësisht, për shkak të udhëheqjes së saj të këtyre tre vjetëve: Nuk është shtet ku ka ligj, rregull dhe demokraci. Nuk është shtet ku veriu është Kosovë dhe vetëm Kosovë. Nuk është shtet ku polici, gjykatësi e prokurori mund të kryejnë punën e vet profesionale dhe me pagën e tyre të mbajnë familjen. Nuk është shtet ku mësimdhënësi ka dinjitet, pagë të mirë dhe shkolla të mira. Nuk është shtet ku pensionistët nuk ndihen barrë për familjen. Nuk është shtet ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë, pa viza. Nuk është shtet ku kompanitë e biznesit nuk shantazhohen, kërcënohen apo reketohen. Nuk është shtet që nuk shkel mbi ekonominë e lirë, iniciativën e lirë dhe të drejtat e njeriut. Nuk është shtet ku nuk ka korrupsion dhe krim. Nuk është shtet ku Policia dhe Ushtria janë të fuqishme dhe profesionale. Nuk është shtet ku kultura e sporti janë ambasadorë të mirëfilltë. Nuk është shtet ku populli është i lumtur, i lirë për të punuar dhe zhvilluar veten. Thjesht, nuk është shtet që na ka lakmi ndokush. 
Të gjitha këto janë të kapërcyeshme. Mund të zgjidhen. Por, duhet ndershmëri për shtetin dhe popullin. Dhe, pikërisht këtë, pra ndershmërinë për shtetin dhe popullin, nuk e keni ju zotërinj që po bëni çmos vetëm për ta shkatërruar Kosovën.
Një gjë për fund: Zgjedhjet do të vijnë shpejt. Muajt e ardhshëm përbëjnë fundin e Thaçit dhe klubit të tij. Kosova do ta kalojë edhe këtë komplot kundër saj. Kanë kaluar edhe shumë të tjerë./kn 

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet Mbyllur te >Zotërinj, a mund të flini natën?
Këtë e pëlqejnë %d blogues: