>Sekretet amerikane dhe sekretet ruse të Behgjet Pacollit

>

Nga Kastriot MYFTARAJ
Behgjet Pacolli është njeriu i sekreteve të mëdha, që kanë të bëjnë me qendrat relevante të pushtetit në botë, që prej Moskës, Beogradit e deri në Washington. Pacolli u bë i famshëm botërisht në vitin 1998, kur Prokurori i Përgjithshëm i Rusisë,
Yuri Skuratov filloi një hetim për një çështje të madhe korrupsioni, dhe e akuzoi Pacollin me emër se ishte pjesë e një skeme abuzimesh gjigande me fondet publike ruse, ashtu që Presidenti rus Jelcin influenconte që kompania e Pacollit Mabetex të fitonte tenderë në shuma tepër të mëdha. Si shpërblim, Pacolli bënte që një pjesë e madhe e parave të kanalizoheshin në llogaritë bankare private të familjarëve të Jelcin, në bankat e huaja.

Hetimet siç dihet u zgjeruan dhe në Zvicër, ku e kishte qendrën kompania e Pacollit, me ç’ rast u bë e famshme botërisht Carla Del Ponte, e cila ishte prokurorja e ngarkuar me këto hetime.

Në botë, rëndom ndodh që aventurierët e llojit Pacolli, pasi përdoren në skema të tilla, vdesin papritur, për shkak se ata që i kanë përdorur e gjejnë krejt të papëlqyeshme vazhdimin e ekzistencës në këtë botë, të këtyre lloj njerëzve. Pacolli është gjallë sot, se ai nuk ka folur dhe as i kanë rrjedhur në ndonjëfarë mënyrë, sekretet që di për të fuqishmit e Kremlinit, në lidhje me këtë aferë dhe të tjera. Aq më tepër kur njeriu kryesor i ngarkuar nga Jelcin në atë kohë, për të ndërmarrë një operacion special për kompromentimin publik të Prokurorit të Përgjithshëm, Skuratov, ishte pikërisht Vladimir Putin, në atë kohë shef i FSB, pasardhëses së KGB. 
Për hir të Pacollit, Putin, në prill 1999, bëri një shfaqje televizive pa precedent në botë, ku ai shfaqi dhe komentoi një videoregjistrim, ku paraqitej Skuratov duke marrë pjesë në një orgji seksuale, me dy femra. Putin dha edhe informacione shtesë se këtë argëtim e kishin paguar kriminelë të cilëve Skuratov u kishte mbyllur problemet me drejtësinë. 
Definitivisht, ky veprim i Putin influencoi që Jelcin ta bënte atë trashëgimtarin e vet të pushtetit. Me këtë ngjarje Vladimir Putin, i cili pak muaj më pas u bë President i Rusisë, do të bëhej për herë të parë i njohur botërisht. 
Pra, ironikisht, ai që sot shihet si njeriu më i fuqishëm i Kremlinit, i cili pasi qëndroi për tetë vite president, aq sa ia lejonte kufizimi kushtetues, dhe që tash është kryeministër, në pritje që, pas ndryshimeve kushtetuese që bëri, të rikthehet në 2012 në postin e Presidentit, për një periudhë të pakufizuar, ia dedikon karrierën e vet një shërbimi që i ka bërë Pacollit, në interes të Jelcinit.
Pacolli i ruan shumë mirë sekretet e veta ruse. 
Dhe që Putin të jetë më i sigurt për këtë gjë, sidomos tash që Pacolli ka hyrë në politikë në Kosovë, dhe ka të bëjë me amerikanët, Putin, si një çekist i kujdesshëm, i ka vënë pranë Mashën, me të cilën Pacolli është martuar. Pacolli ka aq detyrime ndaj Mashës, sa ç’ ka Masha ndaj Putinit. Putini dhe Masha njihen qëkurse Putini ishte shef i FSB dhe Masha ishte njeriu-kyç i tij për organizimin e operacioneve speciale, të llojit të videoregjistrimit kompromentues për Skuratovin. 
Putini në detyrën që kishte ka fituar mirënjohjen e shumë femrave të këtij lloji, të cilat nëse nuk do të kishin qenë nën mbrojtjen e tij, në underworld ruse, do të kishin përfunduar të trafikuara nga mafia ruse në kryeqytetet perëndimore. Edhe Pacolli duhet t’ i jetë përjetë mirënjohës Mashës, se është falë saj që ai sot nuk gjendet në një burg rus, prej 12 vitesh, por është President i Kosovës.
Pacolli i ruan shumë mirë edhe sekretet e veta serbe. Kur Pacolli doli në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në Tv Klan, në maj 2000, kur Fevziu e pyeti për detaje të takimit me Millosheviçin, në kuadër të misionit që ndërmori Pacolli në 1998, për ndërmjetësim me proveniencë nga Moska, mes Millosheviçit dhe liderëve shqiptarë të Kosovës, Pacolli u përgjigj se nuk mund t’ i zbulonte këto detaje. Çudi, se tashmë kishte kaluar një vit nga çlirimi i Kosovës dhe Millosheviçi gjendej i izoluar në Beograd, në prag të rrëzimit nga pushteti. Por Pacolli duket se edhe këtu ruante, sa një sekret beogradas, aq një sekret moskovit.

Pacolli çuditërisht nuk qenka në gjendje që të ruajë vetëm sekretet amerikane të tij. Kështu që, ky njeri i sprovuar në ruajtjen e sekreteve të mëdha, bëri një “pakujdesi”, duke dekonspiruar për mediat, si padashje, komunikimin që bënte ai me ambasadorin amerikan Dell, nëpërmjet këshilltarit të tij, gjatë seancës për zgjedhjen e Presidentit në Kuvendin e Kosovës. 
Nga sms-të që Pacolli la të duken për median, tashmë është e qartë, jo vetëm se ambasadori amerikan në Kosovë Dell, ishte në krye të operacionit për zgjedhjen e Pacollit President, por se ambasadori Dell, me anë të aparaturave speciale kontrollonte mënyrën se si votonin deputetët e Kuvendit të Kosovës, në votimin e fshehtë për Presidentin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që Dell e informon Pacollin me anë të Pushkar se ata nga të pranishmit që votuan kundër në votimet e para nuk janë disa deputetë serbë, por janë pikërisht disa deputetë të PDK.

Ajo çka doli nga sms-të, nuk është një dhunim i privatësisë, siç u shpreh ambasadori Dell, por dhunim shumë i rëndë i Kushtetutës së Kosovës nga një ambasador dhe një politikan. Çka do të thotë tash Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ia zuri për të madhe, si shkelje të rëndë, ish-Presidentit Sejdiu, se ai kishte mbajtur dy poste? Komunikimi Dell-Pacolli kompromenton edhe akt-vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shtatorit 2010, kundër Presidentit Sejdiu. Publikimi nga media i sms-ve të Pacollit, me kumte të ambasadorit amerikan në Kosovë, Dell, konfirmojnë faktin se Pacolli është njeriu i SHBA-ve. 
Ambasadori Dell para së gjithash krijoi realitetin politik në të cilin Pacolli bëhej njeriu-kyç i politikës kosovare. Në origjinë të kësaj është akt-vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i shtatorit 2010, që shpalli se Presidenti Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, duke mbajtur dy poste. Në arritjen e këtij akt-vendimi, rolin kryesor e ka pasur gjyqtari amerikan i kësaj Gjykate, Robert Carolan, i cili qëllimisht u caktua gjyqtar-raportues në këtë çështje, ashtu që të influenconte paraprakisht të tjerët. 
Detyrimi i Presidentit Sejdiu që të japë dorëheqjen dhe tërheqja e paevitueshme e LDK nga qeveria, që pasoi, çoi deri tek zgjedhjet e parakohshme, të cilat hapën rrugën për implementimin e skenarit për ngjitjen e Pacollit në postin e Presidentit. Marrëveshja Thaçi-Pacolli për ndarjen e posteve kryesore shtetërore, ishte një gjë e nevojshme në realitetin politik të krijuar nga ambasadori Dell.

Pacolli e dinte se në momentet që po lexonte sms-të ishte nën vëzhgimin e kamerave, se ai qe njeriu ku qe fokusuar vëmendja në sallë, dhe ai qëllimisht nuk veproi në mënyrë që ta pamundësonte kqyrjen e përmbajtjes së sms-ve nga kamerat. Pacolli lejoi qëllimisht që t’ i rrjedhin sekretet amerikane të tij, dhe këtë e bëri për disa arsye që kanë të bëjnë me interesat e veta dhe ato të Rusisë e Serbisë. Së pari, Pacolli e bëri këtë gjë që Serbia të mund t’ i thotë botës se ja se si veprojnë amerikanët në Kosovë. Së dyti, Pacolli e bëri këtë që Rusia të mund të thotë se SHBA-të që shtiren se janë të angazhuara për ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike në botë, në fakt veprojnë në stil kolonial. Së treti, Pacolli e bëri këtë për t’ u thënë shqiptarëve të Kosovës se tashmë ai dhe jo Hashim Thaçi është njeriu i amerikanëve në Kosovë. Kështu, Pacolli llogarit që të fitojë më tepër mbështetës për vete dhe për partinë e vet.

Fakti që ditën kur Pacolli u zgjodh President, falë amerikanëve siç u duk qartë, ai i shpërbleu amerikanët duke i kompromentuar ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë në historinë e diplomacisë amerikane në raste të ngjashme në botë, është shumë domethënës. Sikur Pacolli të ishte treguar aq i kujdesshëm kur lexonte sms-të e Dell, aq sa tregohet kur lexon sms-të e Mashës, e gjithë ajo që ndodhi nuk do të kishte ndodhur. Por amerikanët nuk mërziten me Pacollin, se ky i fundit nuk është njeriu i Amerikës që bombardoi Serbinë në 1999 për të çliruar Kosovën, por është njeriu i asaj Amerike që ishte kundër bombardimeve. Komandanti i forcave të NATO gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në 1999, Gjenerali Wesley Clark, në kujtimet e veta rrëfen një ndodhi gjatë fushatës: “M’u afrua mundësia që sërish të shprehem kundër intensifi¬kimit hap pas hapi të fushatës para sekretares së Shtetit, Made¬leine Albright, gjatë një takimi në katër sy, duke ngrënë mën¬gjes, më 12 prill. Kishin kaluar pak më shumë se katër javë nga takimi ynë i fundit para fillimit të luftës.

‘Pra, Wes, e tëra varet nga ti!’, tha ajo, në momentin kur u ul. ‘Kam bërë çdo gjë që ishte e mundur, por ata e kanë cilësuar këtë si luftë timen dhe janë kthyer kundër meje. Tash, ata do të kthehen në drejtim tëndin!’

Nuk dëshiroja të pyesja se kush ishin “ata”; kjo ishte një gjë tejet e dhimbshme”. (Wesley K. Clark, “Të bësh luftë moderne”, Botime “Zëri”, Prishtinë 2003, f. 295)

Kjo bisedë e çuditshme, e bërë në terma që janë versioni i të folmes orwelliane në Washington, mes dy prej njerëzve kryesore në hierarkinë amerikane të pushtetit, është sa konfonduese, aq edhe instruktive. Cilët qenë “ATA”, të cilëve u trembej sekre¬tarja e Departamentit të Shtetit, dhe që i përmendte në të folmen orwelliane të njeriut që të trembur, cilët qenë “ATA”, përme¬ndja e të cilëve e pezmatonte shumë komandantin e NATO? Derisa gjenerali Clark thotë se nuk dëshironte të pyeste se kush qenë “ata”, por njëkohësisht ndjehet shumë i pezmatuar, që “ata” janë vënë kundër tij, atëherë kuptohet se ata qenë një linjë shumë e fuqishme në Washington, një linjë kundër fushatës ajrore ndaj Serbisë. 

“Ata” kërkonin që trupat e NATO të mos dislokoheshin në Kosovë, “Ata” e humbën luftën në 1999, e vazhduan atë në mënyra të tjera, dhe në 2011 bënë Pacollin President të Kosovës. Siç e ka pohuar vetë Pacolli, ndër të tjera edhe në emisionin e Blendi Fevziut, “Opinion”, në maj 2000, në mars 1998, kur kishte filluar lufta në Kosovë, Pacolli shkoi nga Moska në Beograd dhe Prishtinë në një mision kinse ndërmjetësimi midis Millosheviçit dhe liderëve shqiptarë të Kosovës. Në të vërtetë ky nuk ishte një mision ndërmjetësimi, se Pacolli në fakt bisedoi me liderët shqiptarë të Kosovës si një lobist i Millosheviçit, duke u kërkuar atyre që të pranonin ofertën e Millosheviçit që Kosova të ngrihej në statusin e republikës së tretë të Jugosllavisë së mbetur, ndryshe, siç thoshte Pacolli, në Kosovë do të ndodhte ajo që kishte ndodhur në Bosnjë-Herzegovinë.

Millosheviçi, kur e ndjeu rrezikun që lufta në Kosovë të çonte në ndërhyrjen e NATO, deshi që ta evitonte këtë, duke i dhënë Kosovës statusin e republikës. Por oferta e Millosheviçit, e cila mund të duket e ngjashme me atë që u bë një vit më pas në Konferencën e Rambouillet (Rambuje) kishte një ndryshim thelbësor se nuk përmbante dislokimin në Kosovë të trupave të NATO dhe as të drejtën e referendumit për shkëputje nga Jugosllavia, si dhe përjashtonte negocimin ndërkombëtar. Beogradi dhe Moska e dinin se nëse SHBA-të nuk do të mund të ndërhynte në Kosovë në vitet 1998-1999, atëherë nuk do të mund të ndërhynte më kurrë, për shkak se në vazhdim do të ndodhnin ngjarje në pjesë të tjera të botës, të cilat do të kërkonin ndërhyrjen amerikane, çka u verifikua si e vërtetë nga koha.

Pacolli është përpjekur që misionin e tij të vitit 1998 ta krahasojë me takimin që Rugova dhe liderë të tjerë shqiptarë të Kosovës patën me Millosheviçin, pak kohë më pas, në maj 1998. Por këto dy ngjarje nuk mund të krahasohen se Rugova në takimin me Millosheviçin kërkoi bisedime mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësinë ndërkombëtare, duke e kthyer takimin në dëm të Millosheviçit. Derisa Pacolli donte që negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit të fillonin dhe mbaronin në Beograd, Rugova deklaroi se ato mund të fillonin në Beograd por duhet të vazhdonin në një vend të tretë përëndimor, çka për Millosheviçin ishte e papranueshme. Pikërisht Pacolli, njeriu që në 1998 erdhi nga Moska dhe loboi fort në 1998 që shqiptarët e Kosovës të pranonin ofertën e Millosheviçit, në 2011 u bë President i Kosovës, duke pasur në krah një grua ruse, apo shoqe siç thonë në Kosovë.

Nuk është rastësi që pikërisht me zgjedhjen e Pacollit në postin e Presidentit, ndodhi një zhvillim tepër interesant. Pacolli u zgjodh President me 62 vota, nga të cilat vetëm 37 qenë vota të deputetëve shqiptarë! Diferenca prej 25 votash i erdhi Pacollit nga deputetët e minoriteteve, duke përfshirë edhe 13 deputetët serbë. Pacolli është sot President i Kosovës, ku mbi 90% e popullsisë janë shqiptarë, dhe ai është zgjedhur nga një parlament prej 120 deputetësh, duke marrë votat e vetëm 37 deputetëve shqiptarë. Pra, Pacolli është sot President i Kosovës mbi 90% shqiptare, me votat e vetëm 30% të deputetëve shqiptarë. Kjo është Kosova e Re e Pacollit, është Kosova siç dëshiron që të jetë Serbia dhe Rusia, Kosova ku shqiptarët janë një minoritet. Shifrat e zgjedhjes së Pacollit President, zbulojnë planet e fshehta për genocid dhe spastrim etnik të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Është interesante se, shkarkimi i paraardhësit të Pacollit, Fatmir Sejdiu, i cili ishte zgjedhur me votat e pjesës më të madhe të deputetëve shqiptarë, i cili shkarkim i hapi rrugë ngjitjes së Pacollit në postin e Presidentit, u bë me votat e vetëm katër gjyqtarëve shqiptarë, nga nëntë gjyqtarë që ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës! Në të dy rastet, shqiptarët janë minorancë! Në 23-24 mars të këtij viti kryeministri rus Putin do të jetë në Beograd, duke qenë kjo hera e parë që një shtetar rus i këtij niveli e viziton Beogradin në këtë ditë të fillimit të fushatës ajrore të NATO ndaj Serbisë. Putin po shkon në Beograd që të shprehë edhe një herë qortimin ndaj fushatës ajrore të NATO kundër Serbisë, e kryer për shkak të Kosovës. Nuk është rastësi që pikërisht në vitin që një shtetar rus i këtij niveli viziton Beogradin pikërisht në këtë ditë, në Prishtinë Pacolli zgjidhet President.

Por koincidenca të tjera i kanë paraprirë zgjedhjes së Pacollit. Në 14 nëntor 2010, në Kosovë hynë nga dy drejtime të ndryshme dy femra, shqiptarja Albana Vokshi, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, dhe rusja Masha Pacolli, gruaja e Behgjet Pacollit. Të dyja këto zonja kanë një lidhje historike mes tyre. Albana Vokshi është stërmbesa e Sylejman Vokshit, komandantit të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u krijua për t’ i mbrojtur trojet shqiptare, nga coptimi që u bëri Rusia në Traktatin e Shën Stefanit, pasiqë fitoi Luftën Ruso-Turke në 1877-1878. Masha Pacolli ka ndodhur që të jetë stërmbesa e gjeneralit Mikhail Skobelev, i cili ka marrë pjesë në këtë luftë. Albana Vokshi, edhe pse me status diplomatik u keqtrajtua brutalisht në vendkalimin kufitar të Morinës nga policia e Hashim Thaçit. 
Masha Pacolli, e cila në 14 nëntor zbriti në aeroportin e Prishtinës, nuk kishte status diplomatik, e megjithatë ajo u trajtua nga personeli i aeroportit, i përbërë nga njerëz të Hashim Thaçit, se Pacolli ishte tashmë aleat i Thaçit. Ky është shteti ligjor i standardit të dyfishtë, i cili në fakt nuk e kishte me Albana Vokshin, por me Sylejman Vokshin, i cili i ndaloi shkijetë që të dilnin në Adriatik në 1878. Ajo që ndodhi në 14 nëntor në Morinë ishte paralajmërim i asaj që do të ndodhte në 22 shkurt në Kuvendin e Kosovës. Ajo çka ndodhi në 22 shkurt në Kuvendin e Kosovës, paralajmëron gjëra të këqija, paralajmëron 1998-1999, pa ndërhyrjen e NATO./shm
Ky opinion eshte i Kastriot Myftaraj dhe nuk pasqyron qendrimin e redaksise se TopLajm.
Postuar te Opinione. Komentet Mbyllur te >Sekretet amerikane dhe sekretet ruse të Behgjet Pacollit
Këtë e pëlqejnë %d blogues: