>KMSHK i përgjigjet Dellit: Gazetarët e kanë kryer detyrën

>

Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK) e ka bërë të qartë qëndrimin e tij përkitazi me letrën publike të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell, dërguar Komisionit të Pavarur të Medieve të Kosovës, pas publikimit  të disa SMS-ve të këmbyer midis Behgjet Pacollit dhe një këshilltari të tij, ku përmendet edhe emri i ambasadorit Dell.
“Në mbështetje të Kodit tonë të Medieve të Shkruara, mbi të cilin mbështetet puna jonë në të mirë të lirisë së shtypit dhe përgjegjësisë profesionale, raportimi i të vërtetës (kreu i dytë i Kodit tonë), kërkon që gjatë punës së gazetarëve, redaktorëve dhe udhëheqësve tjerë të redaksive, të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që të dijë të vërtetën. Në rastin konkret, askush deri me tani, nuk ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e SMS-ve të botuar”, thuhet në komunikatën e KMSHK-së.

“Ndërkaq, sa i përket ruajtjes së privatësisë, Kodi ynë është i qartë: Shtypi do t’i shmanget ndërhyrjeve dhe kërkimeve në jetën private të një individi, pos nëse kërkimet e tilla janë të nevojshme për arsye të interesit publik. Në rastin konkret, interesi publik është më se evident, pasi bëheshin votime për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, kryeministrit dhe të qeverisë”, thuhet më tej në komunikatë. /kn

Postuar te KOSOVË. Komentet Mbyllur te >KMSHK i përgjigjet Dellit: Gazetarët e kanë kryer detyrën
Këtë e pëlqejnë %d blogues: