>Kërkon punë në Premier League, përvoja: trajner në videolojëra

>

Të papunët nuk zgjedhin shumë mënyra për të gjetur punë, por atë që kishte tentuar të bënte anglezi John Boileau tejkalon çdo tentim tjetër në botën e futbollit. Ai kishte
dërguar aplikacionin e tij për t’u bërë trajner i një skuadre të Premier Leagues së Anglisë, ndërsa 25-vjeçari si referencë kishte përmendur aftësitë e tij në videolojën “Football Manager 2005”, shkruajnë mediumet angleze të enjten.

Në vitin 2006, skuadra Middlesbrough, që garonte atëbotë në Premier Leaguen e Anglisë, kishte mbetur pa trajner. Kjo pasi që Steve McClaren pati marrë detyrën e trajnerit të Përfaqësueses së Anglisë. 
Në adresën e presidentit të klubit Steve Gibson erdhi një letër nga John Boileau, që ishte mjaft interesante dhe e paparë ndonjëherë.   


“I dashuri z. Steve Gibson, president i Middlesbroughs. Po ju shkruaj në lidhje me vendin e lirë të punës për postin e trajnerit në klubin tuaj. Do të isha shumë falënderues po të shqyrtonit biografinë time gjatë kërkimit për trajner të ri. Vërtet mendoj se ky është një vend ideal i punës për mua, duke pasur parasysh entuziazmin dhe aftësinë që kam. Kam aftësi teknike dhe praktike për të udhëhequr një skuadër të futbollit. Pjesa taktike gjithmonë ka qenë shumë e rëndësishme për mua, gjë që e kam treguar edhe në lojën ‘Football Manager 2005’. 



Kam udhëhequr skuadra si Nuneaton Bourough, Rushden and Diamonds, Chievo Verona, Kalmar, Doncaster Rovers, madje edhe Chelsean. Në Chievo, përvoja ime nuk ishte shumë e mirë, pasi u shkarkova”, ka shkruar Boileau. “Sukseset e veçanta si menaxher ishin: Transferimi i Thierry Henrys, Raulit, Fernando Torresit në Doncaster; transferimi i Zinedine Zidanes e Ronaldinhos në Rushden dhe me këtë skuadër u plasova në finale të Ligës së Kampionëve. Në finale pësova nga Ajaxi pas lojës shtesë. Pos përvojës në ‘Football Manager 2005’, kam pasur përvojë edhe në fushë të vërtetë. Kam udhëhequr grupmoshat U-11 të Nuneatonit, duke fituar një kupë në konkurrencë prej 15 ekipeve. Jam i bindur se edhe paga ime nuk do të ishte problem, pasi do të pranoja një pagë prej 80 mijë funtesh në vit”.

John Boileau, tri javë pas aplikimit mori përgjigjen nga Middlesbrough. Në të vërtetë, nga vetë presidenti i klubit, Steve Gibson. 
“I dashuri John. Shumë faleminderit për aplikimin tënd për pozitën e trajnerit të Middlesbroughs. Ju jeni pa kurrfarë dyshimi një kandidat i shkëlqyer, por pas një analize të hollësishme kemi vendosur që të mos ua besojmë vendin e punës. Të them të drejtën, mendoj se bashkëpunimi ynë do të ishte afatshkurtër, pasi talenti  juaj i madh do të bënte që menjëherë skuadrat e mëdha evropiane të kërkonin në radhët e tyre”, ka shkruar në letrën e tij, presidenti Gibson.
Middlesbrough, aktualisht bën pjesë në Kategorinë e Dytë të Anglisë në futboll./kn

Postuar te Kuriozitet. Komentet Mbyllur te >Kërkon punë në Premier League, përvoja: trajner në videolojëra
Këtë e pëlqejnë %d blogues: