>Enver Petrovci dhe ndroja për të aktruar në Tiranë

>

Ai është një aktor i njohur për publikun shqiptar, ndonëse i shfaqur vonë në skenën shqiptare. Në fakt interpretimi i tij i drejtpërdrejt me publikun shqiptar ka qenë gjithmonë i dëshiruar, por deri tani dhe gjithmonë i munguar.

 Artisti nga Prishtina, por me një karrierë të gjatë në Beograd, ka kohë që është kthyer në Tiranë për të bashkëpunuar me shfaqjen premierë që do të jepet të premten në Teatrin Kombëtar, me titullin ART, ku ai do të luajë përkrah aktorëve shqiptarë Bujar Asqeriu dhe Artan Imami, nën regjinë e Fatos Haxhirajt. Petrovci, i lindur dhe i rritur në qytetin e Prishtinës, siç thotë edhe vetë, si aktor profesionist është formuar dhe rritur në Beograd, ku dhe është diplomuar në Akademinë e Arteve, në gjininë e aktrimit.

 Ka luajtur në 64 teatro të ish-Jugosllavisë, duke interpretuar në shqip, serbokroatisht, hungarisht. Ishte aktori më i vlerësuar dhe më i paguar në ish-kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, por erdhi një ditë që zemra dhe ndërgjegjja e tij e drejtoi nga Kosova, ndaj u kthye atje. Punoi për shumë vite në teatrin “Dodona” të themeluar prej tij.

 Ngriti edhe Akademinë e Arteve të Prishtinës, por fatkeqësisht ia mbyllën. Tani ai është kthyer në Tiranë, për të realizuar një dëshirë të hershme të tij, një dëshirë që gjithmonë ka patur si pengesë ndrojën e aktorit i cili e rrëfen vetëm pak ditë para shfaqjes së premierës së komedisë ART, ku ai luan një prej personazheve kryesore.

Vini në Tiranë për të interpretuar në komedinë e regjisorit Fatos Haxhiraj, ndërkohë që ka vite që keni patur oferta nga shumë regjisorë shqiptarë. 

Përse vendosët tani?

Kam patur gjithmonë dëshirë për të ardhur në Tiranë, por gjithmonë kam patur një ndrojë për të punuar në Tiranë dhe në përgjithësi në Shqipëri, sepse eventualisht unë kam patur një kompleks të madh, që është gjuha. Edhe në këtë bashkëpunim kam ardhur me këtë ndrojë me vete. Që në fillim u kam thënë kolegëve se, nëse unë nuk arrij të jem i suksesshëm (me gjuhën), atëherë do më lejoni që unë të tërhiqem nga ky projekt. Po erdhi koha e premierës dhe unë nuk u tërhoqa dhe për këtë më vjen mirë.

Nuk u tërhoqët sepse “mposhtët” ndrojën?

Nuk u tërhoqa sepse jam i sigurt se arsyeja kryesore është se kam takuar njerëz të shkëlqyer dhe të mirë, që është baza e një bashkëpunimi të shkëlqyer. Nuk e kam ditur se në Shqipëri ka regjisorë dhe aktorë të këtij niveli, që më kanë dhënë mua forcë sa vendosa që dua të qëndroj. Por ajo që unë dua të theksoj tani e përherë është fakti se zbulimi më i madh në jetën time artistike është regjisori Fatos Haxhiraj. Unë kam punuar me shumë regjisorë shqiptarë dhe të huaj, sidomos të huaj, sepse pjesë më e madhe e karrierës sime është jashtë trojeve shqiptare, edhe kam takuar shumë të tillë dhe për mua ka qenë befasi regjisori Fatos Haxhiraj. Madje, i kam thënë se do ta kisha blerë po të kisha patur mundësi, blerë në kuptimin se do t’i krijoja kushte që të mos shkonte më në Romë, por të mbetej këtu në mesin e atyre që flasin shqip dhe të bëjë atë që i ka falur Zoti e që di mirë ta bëjë, të vërë shfaqje në skenë edhe pse atje në Romë e pret mbesa që e kërkon çdo ditë.

Ishte regjisori Haxhiraj që ju bëri të qëndroni?

Aktorët tanë, po ua them me sinqeritet, kanë nevojë për regjisorë që janë dhe pedagogë. Unë për veten time kam menduar se jam aktor i mençëm dhe di diçka nga ky profesion, por kur kam takuar Fatosin kam parë se nuk di asgjë ose duhet shumë shumë me mësu për të ardhur në këtë nivel që është Fatosi. Jam shumë i lumtur që kam takuar Fatosin dhe këtë ekip që kam gjetur këtu. Me këtë ekip realizues njeriu nuk mundet kurrë me humbë, me këtë ekip kudo në botë që të shkojmë mund të fitojmë, për këtë jam i sigurt, sepse është ekip me energji pozitive.

Keni kaq muaj në Tiranë për të vënë në skenë veprën ART, a jeni penduar qoftë dhe për një moment?

Shumë kam sakrifikuar për këtë shfaqje, sepse jam këtu që prej dy muajsh, kam sakrifikuar jo vetëm materialisht por edhe emocionalisht, por aspak nuk pendohem, sepse kam takuar njerëz të mirë dhe artistë shumë të mirë. Më vjen çudi sesi Tirana nuk e di se çfarë artistësh ka ose ndoshta e di por unë nuk e dija. Nuk kam pritur që në mesin e Shqipërisë mund të gjehej një regjisor i nivelit botëror dhe kur e them këtë kam mbi supe përvojë në punë me regjisorët të njohur europianë. Fatosi si regjisor punon me lojën e aktorëve dhe kjo është një gjë shumë e rralle sot.

Çfarë do sjellë Petrovci në këtë komedi?

Unë në këtë komedi interpretoj personazhin Serxho, i cili është dhe inicuesi i ngjarjeve që pasojnë. Serxho (unë) blen një pikturë, e cila nuk u pëlqen dy shokëve të tij dhe secili mbron qëndrimin e tij, që shija e tij për artin është më e mira. Këtu fillon konflikti mes tre shokëve, që në anën tjetër janë shokë të ngushtë. Shfaqja në qendër të saj ka ndenjën e miqësisë./mo
Postuar te Kinematografi, Kulturë. Komentet Mbyllur te >Enver Petrovci dhe ndroja për të aktruar në Tiranë
Këtë e pëlqejnë %d blogues: