>“Perëndimi kërkon të na masakrojë”

>

Kolonel Gheddafi, ballë për ballë me Oriana Fallaci-n

Intervista e 2 dhjetorit të vitit 1979

“Unë e akuzoj Perëndimin. Jeni gjithmonë ju që po na masakroni, si dje, ashtu edhe sot”. Kështu është

shprehur kolonel Gheddafi, në intervistën e dhënë për gazetaren e njohur Oriana Fallaci, publikuar në faqen e parë të gazetës italiane “Corriere della Sera”, të datës 2 dhjetor 1979, nga e cila po publikojmë një përmbledhje. Kjo intervistë është marrë nga pjesa e dytë e bisedës ku Ghedaffi mbështetej mbi politikën e tij dhe u përgjigjej akuzave për mbështetje ndaj terrorizmit. Pjesa e parë fliste për krizën e pengjeve amerikane nga iranianët në ambasadën e SHBA-së në Iran, sepse koloneli libian kishte ofruar në atë kohë ndihmën për ndërmjetësim. Mbi bazën e këndvështrimeve të Gheddafi-t për këto çështje, Fallaci publikoi një tjetër intervistë në “Corriere della Sera” më 20 prill të vitit 1986, pak pas bombardimit të Tripolit nga amerikanët.

Kolonel, kam përshtypjen se urrejtja juaj për Amerikën dhe hebrenjtë është në të vërtetë urrejtje për Perëndimin. Njëlloj si në rastin e Khomeneit. E kuptoni që me këtë hap po ktheheni shumë vjet pas, në kohën e kryqëzatave?
Po, dhe faji është i gjithi i juaji: i amerikanëve, i Perëndimit. Jeni ju ata që na keni masakruar gjithmonë, si dje, ashtu edhe sot.
Kush po ju masakron, sot, kur?
Ishte Libia që pushtoi Italinë apo Italia, Libinë? Na sulmoni tani njëlloj si atëherë. Me pak fjalë, me sisteme të tjera, duke mbështetur Izraelin, duke iu kundërvënë ligës arabe dhe revolucioneve tona, duke e parë islamin si fe të vrazhdë, duke na quajtur fanatikë. Kemi pasur shumë durim me ju, i kemi duruar shumë provokimet tuaja. Nëse nuk do të kishim qenë të matur, do të kishim hyrë shumë herë në luftë me ju. Nuk e kemi bërë sepse kemi menduar se përdorimi i forcës është mjeti i fundit për të mbijetuar dhe sepse ne jemi gjithmonë në anën e qytetërimit. Nga ana tjetër, në mesjetë, ishim ne ata që u civilizuam. Ju ishit barbarë të gjorë, krijesa primitive dhe të egra….
…dhe qanim duke kërkuar dritën e qytetërimit tuaj.
Po, dritën e qytetërimit tonë. Shkenca së cilës tani i gëzoheni është ajo që iu kemi mësuar ne, mjekësia me të cilën kuroheni është ajo që iu kemi dhënë ne. Dhe po kështu astronomia, matematika, letërsia, arti.
Me të vërtetë?
Po, madje edhe feja juaj vjen nga Lindja, Krishti nuk ishte romak.
Ishte hebre. Kjo është një gafë. Kolonel, çfarë mendoni për Brigadat e Kuqe?
Mendoj se këto fenomene të Perëndimit janë rezultat i shoqërisë kapitaliste, lëvizje që shprehin refuzimin e një shoqërie për t’u rrëzuar. Nuk ka rëndësi nëse quhen Brigadat e Kuqe, hippi, “Beatles” apo “bijtë e Zotit”. S’ka rëndësi nëse janë kundër sekuestrimeve të njerëzve apo devijimit të avionëve, nuk dua të ndërhyj në atë që bëjnë.
E shoh…Por nuk i përgjigjeni akuzës se ndihmoni Brigadat e Kuqe..
Bëhet fjalë për propagandë sioniste, e cila nis që prej periudhës kur bota nuk na kuptonte dhe ishim ende një republikë. Tani jemi një Jamahiriya, domethënë një kongres i popullit.
Po ç’lidhje ka këtu Jamahiriya! Po e riformuloj edhe një herë pyetjen: Kolonel nga vijnë armët sovjetike që gjenden vazhdimisht në duart e brigadistëve dhe njerëzve të tyre? Mos ndoshta një pjesë e armëve që ju u jepni palestinezëve përfundojnë diku tjetër?
(duke kërkuar fjalët)…Shiko, shiko kjo që ju thoni nuk do më bëjë që të hezitoj për asnjë çast për të ndihmuar palestinezët.
Kolonel ju lutem mos indryshoni pyetjet. Ndiqni arsyetimin tim: le të besojmë se ju, me mirëbesim u dorëzoni armë palestinezëve të cilët i çojnë diku tjetër..
Nuk jemi përgjegjës të përdorimit që mund t’u bëhet armëve që u japim palestinezëve. Ne ua japim palestinezëve, sepse besojmë tek kauza e tyre dhe e ndiejmë për detyrë t’i ndihmojmë. Ajo që ndodh pas kësaj nuk më përket mua. Nëse do të dënohem në mënyrë të tërthortë, preferoj akuzat e drejtpërdrejta. Por për këtë nuk ka prova.
Ndoshta ka të dhëna. Ja njëra prej tyre. Pak ditë para vrasjes së Moro-s ju i ofruat ndërhyrjen tuaj për t’i shpëtuar jetën. Nëse nuk keni, apo nuk keni pasur kontakte me Brigadat e Kuqe, si mund të ishit në gjendje t’i shpëtonit jetën?
U thashë autoriteteve italiane se, nëse do të kishin nevojë për bashkëpunim tonë, ne do të ishim gati. Nëse do të kishim kontakte me Brigadat e Kuqe do t’ia kishim shpëtuar jetën patjetër, sepse Moro ishte miku ynë, ishte mbështetës i kauzës arabe.
Mirë, kalojmë në një argument tjetër. Kolonel po si ka mundësi që jeni kaq i kuptueshëm me terroristët, t’i gjykoni si fenomeni i një shoqërie që duhet rrëzuar dhe pastaj të mbani raporte me eksponentët më përfaqësues të kësaj shoqërie që ju thoni? Përveç biznesit që bëni me amerikanët, mendoni për ato që bëni me Gianni Agnelli-n.
Me kë?
Gianni Agnelli-n, presidentin e “Fiat”-it.
“Fiat”-it? Kompania ime.
Po kompania juaj… “Fiat”-i…Agnelli…
Nuk e njoh.
Nuk e njihni Agnelli-n, ortakun tuaj?
Jo dhe nuk është puna ime ta njoh. Është një çështje që i përket funksionarëve të mi, punonjësve të bankës sime: “Lybian Foreign Bank”.
Me të vërtetë ju nuk e dini kush është Agnelli, ortaku juaj?
Jo, nuk e di.
Nuk e keni parë kurrë fotografinë e tij? Nuk e keni dëgjuar kurrë emrin e tij?
Kurrë. Nuk më intereson, nuk më përket. Kam të tjera gjëra për të bërë, se sa të di emrat e ortakëve apo të njerëzve që u përkasin botës së bankave…
Por, përveç se financoni terrorizmin botëror, çfarë bëni me gjithë ato para që fitoni nga nafta?
Ju a thashë…
Po, ju keni thënë që akuza nuk bazohet në prova. Kështu që po ju kërkoj falje e po vazhdoj: çfarë bëni me gjithë ato para, përveç miliardave që harxhoni me “Fiat”-in, blerjen e tokave dhe dhuratat për Maltën?
Ne nuk blejmë terrene, bëjmë investime në disa vende të caktuara përmes bankës sonë të huaj. Investime tregtare. Për sa i përket Maltës, është një vend mik, sepse është një vend i lirë dhe neutral. Ne ato para nuk ia japim qeverisë së Maltës: ia japim popullit të Maltës për të zgjeruar më tej lirinë dhe neutralitetin. Nga ana tjetër, nuk jemi vetëm ne që e ndihmojmë Maltën. Shumë vende të tjera e ndihmojnë atë.
Po mirë flasim për revolucionin. Çfarë kuptoni me revolucion? Nuk do të lodhem kurrë të kujtoj që edhe Papadopulos fliste për revolucion. Edhe Pinochet-i. Edhe Mussolini…
Revolucioni ndodh atëherë kur masat bëjnë revolucion. Revolucion popullor. Por edhe nëse revolucionin e bëjnë të tjerët në emër të masës, duke shprehur atë që duan masat, mund të jetë revolucion  popullor sepse ka mbështetjen e masave dhe interpreton vullnetin e masave.
Por ajo që ndodhi në Libi në shtatorin e vitit 1969 nuk ishte një revolucion: ishte një grusht shteti. Po apo jo?
Po, por më pas u bë revolucion. Unë bëra grushtin e shtetit dhe punëtorët bënë revolucionin: duke pushtuar fabrikat, duke u bërë ortakë dhe jo punëtorë, duke eliminuar administratën monarkike dhe duke formuar komitete popullore, me pak fjalë, duke e kërkuar vetë lirinë. Të njëjtën gjë bënë edhe studentët. Sot në Libi ka rëndësi ajo që do populli dhe pikë.
Ashtu? Atëherë përse kudo që hedh sytë, shoh vetëm portretin tuaj, fotografinë tuaj?
E ç’hyj unë këtu? Është populli që do kështu. Çfarë mund të bëj unë për ta penguar?
Po ju vetëm i ndaloni gjërat, nuk mundeni të ndaloni krijimin kultit e personalitetit tuaj? Për shembull, juve ju sheh çdo moment në televizor?
E ç’mund të bëj unë?
Asgjë. Por më kujtohet kur isha e vogël e bëja të njëjtat gjëra për Mussolini-n?
I keni thënë të njëjtën gjë edhe Khomenei-t.
E vërtetë. E bëj gjithmonë këtë krahasim kur është dikush që më kujton Mussolini-n…
Ju keni thënë se masat mbështesnin edhe Mussolini-n edhe Hitlerin
Është e vërtetë…
Bëhet fjalë për një akuzë të rëndësishme që kërkon po një përgjigje të rëndësishme. Ju nuk e kuptoni diferencën mes meje dhe atyre: mes Khomenei-t dhe atyre. Hitleri dhe Mussolini shfrytëzonin mbështetjen e masave për të qeverisur popullin, përkundrazi ne revolucionarët e përdorim mbështetjen e masave për ta ndihmuar popullin të vetëqeveriset. Unë në veçanti u bëj apel masave që të vetëqeverisen. I them gjithmonë popullit tim: nëse më doni, më dëgjoni dhe vetëqeverisuni. Për këtë arsye më duan, sepse ndryshe nga Hitleri që thoshte do të bëj gjithçka për ju, unë u them bëjini gjërat ashtu si doni ju.
Kolonel meqë ju nuk e konsideroni veten një diktator, as president, as ministër. Më shpjegoni pak: ju çfarë detyre keni? Çfarë jeni?
Jam lideri i revolucionit. Sa shumë shihet që nuk e keni lexuar librin tim jeshil.
Përkundrazi e kam lexuar. Nuk duhet shumë kohë. Maksimumi çerek ore: është kaq i vogël. Edhe kutia ime e tualetit është më e madhe se ai.
Ju flisni si Sadat-i. Ai thotë se është sa pëllëmba e dorës.
Është e vërtetë. A mund të na tregoni se sa iu është dashur për ta shkruar?
Shumë vjet. Përpara se të gjeja zgjedhjen përfundimtare m’u desh të meditoja shumë mbi historinë e njerëzimit, mbi konfliktet e së kaluarës dhe së tashmes.
Me të vërtetë? Po si keni arritur në përfundimin se demokracia është sistem diktatorial, Parlamenti një mashtrim, zgjedhjet një mashtrim? Ka shumë gjëra që nuk më bindin tek ai libër…
Sepse nuk e keni studiuar mirë. Nuk keni kërkuar të kuptoni se çfarë është Jamahiriya. Ju duhet të qëndroni këtu në Libi dhe të studioni se si funksionon një vend ku nuk ka as qeveri, as Parlament, as përfaqësi, as greva dhe gjithçka është Jamahiriya.
Çfarë do të thotë?
Komanda e popullit, kongresi i popullit. Ju jeni injorante.
Po opozita ku është?
Çfarë opozite? Opozita nuk ka lidhje fare. Këtu të gjithë bëjnë pjesë në kongresin e popullit, për çfarë duhet opozita? Opozitë ndaj çfarë gjëje? Opozita bëhet në qeveri! Nëse opozita nuk ekziston dhe populli vetëqeveriset, ndaj kujt duhet të kundërshtojë: ndaj asaj që nuk është?
Kolonel mund t’iu bëj një pyetje të fundit?
Po vazhdoni..
Ju besoni te Zoti? 
Po, pse ma bëni një pyetje të tillë?
Sepse besoja se ishit vetë Zoti…/topLajm
Advertisements
Postuar te Bota. Komentet te >“Perëndimi kërkon të na masakrojë” Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: