>Vetëvendosje i kërkon llogari Dellit

>

“Votat e qytetarëve të Kosovës më 12 dhjetor, por edhe më 9 janar, ishin skajshmërisht të vjedhura dhe të manipuluara. Deputetët të cilët dolën nga këto vota të vjedhura, ata të PDK-së, të AKR-së dhe të pakicave kombëtare në Kosovë (te të cilët dorën në zemër vjedhja e votës, përmes vendeve të rezervuara, është e mbrojtur me ligj), edhe vet dje iu nënshtruan një procesi të manipulimit të votave. Këtë radhë, përmes kërcënimit dhe shantazhit, manipuloheshin votat e tyre”, thuhet në një kumtesë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Në këtë drejtim Presidenti dhe Kryeministri i vendit janë rrjedhojë e një procesi të manipulimit të dyfishtë zgjedhor: ata i morën postet e tyre përmes vjedhjes së votave të qytetarëve dhe manipulimit të votave të deputetëve që dolën nga votat e vjedhura të qytetarëve.. Të dy manipulimet ishin të ‘mbikëqyrura’ mirë nga faktorët ndërkombëtar. Madje ky i dyti kishte ‘mbikëqyrje’ aktive. Shtypi i sotëm i nxori në pah arsyet pse u zgjodh Pacolli president i vendit. Kjo arsye në këtë rast quhet Essad Puskar, një boshjako-amerikan i cili kishte punuar një kohë në USAID në Kosovë dhe është aktualisht kryetar i ‘D’asse Equity Group’. Një lloj Damir Fazlliqi në Kosovë”.


Ndërhyrjet me SMS të këtij personi në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit paraqesin një prej shpërfaqjeje më eksplicite të fytyrës së deligjitimuar dhe deinstitucionalizuar të postit të presidentit por edhe të qeverisë së koalicionit të arritur rishtazi… A ta quajmë këtë demokraci? Kjo mënyrë e pazarllëkut me poste publike nuk len kurrfarë hapësire për asnjë fije dyshimi se krerët institucional po na imponohen. Dhe ky imponim dje ishte thuajse publik. Ne kërkojmë nga ambsadori i ShBA-ve Christopher Dell të tregojë publikisht se çfarë ndodhi dje. Në SMS-at e botuar në gazeta shihej qartë se edhe ai ishte i përfshirë në këtë inxhiniering zgjedhor të presidentit. Dhe ia ka borxh qytetarëve të Kosovës të tregojë se çfarë e shtyu atë të marrë pjesë në këtë proces kaq jodemokratik dhe jopolitik që ia zgjat jetën kryeministrore Thaçit dhe ia nis atë presidenciale Pacollit”. /Telegrafi

Advertisements
Postuar te KOSOVË, POLITIKË, Vetevendosje. Komentet te >Vetëvendosje i kërkon llogari Dellit Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: