>Familja e përçarë e kolonel Gaddafit

>

Dokumentet e “Wikileaks”

Lideri libian i revolucionit, njeriu që ka drejtuar Libinë me grusht të hekurt që prej 41 vitesh, dihet se ndërkohë drejton edhe një familje të madhe, të përçarë, një familje që është jashtëzakonisht e pasur, e fuqishme, disfunksionale dhe e shënjuar nga luftëra të brendshme për pushtet dhe para.
 Këto informacione janë nxjerrë nga materialet e publikuara nga “Wikileaks”. Materialet hedhin dritë kryesisht tek djemtë e diktatorit; problematikë, gjakatarë, të etur për pushtet dhe shpesh të shkëputur tërësisht nga realiteti. Veçanërisht vitet e fundit janë karakterizuar nga një sherr i madh dhe i vazhdueshëm mes pjesëtarëve të kësaj familjeje të madhe, të drejtuar nga Gaddafi dhe gruaja e tij e dytë.

Muammar Gaddafi

Patriarku, aktualisht 68 vjeç, përshkruhet nga ambasadori amerikan në Tripoli në vitin 2009, si një “figurë shumë ekscentrike që vuan vazhdimisht nga fobi të ndryshme, të cilit i pëlqen shumë kërcimi flamengo dhe garat me kuaj. Ai arrin që me sjelljet e tij ekstravagante të irritojë si miqtë, ashtu edhe armiqtë e tij. Një nga frikët e tij më të mëdha, është të qëndrojë në katet e larta të ndërtesave dhe preferon që të mos fluturojë mbi ujë.

Safiya

Ajo është gruaja e dytë e liderit libian. Askush nuk ia ka parë fytyrën dhe gjatë gjithë kohës fluturon me avionin e saj privat dhe udhëton me një ‘Mercedes’ të blinduar që e çon kudo. Por lëvizjet e saj janë shumë të kufizuara dhe të fshehta. Ajo organizoi një banket me rastin e përvjetorit të revolucionit, i cili nuk kishte shumë shpenzime dhe ekstravagancë.

Saif al-Islam

Është djali i dytë për nga mosha i Gaddafit. Nga të gjithë, sidomos vitet e fundit, është konsideruar si pasardhësi i tij dhe dy ditë më parë paralajmëroi në televizionin kombëtar rrezikun e një lufte civile në vend. Është me profesion inxhinier, dhe një nga promotorët e politikave ekonomike dhe reformave në vend, që mbështeten nga shoqatat joqeveritare nën ombrellën e Fondacionit të Bamirësisë “Gaddafi”. Ai ka një doktoraturë nga ‘London School of Economics’. “Saif al-Islam ka një rol shumë të lartë dhe është fytyra zyrtare e regjimit libian në Perëndim. Kjo është diçka pjesërisht e mirë për të. Ai e ka përhapur imazhin e tij jashtë vendit, por bashkëkombësit e konsiderojnë si një njeri shumë arrogant, të etur për pushtet dhe mbi të gjitha, një njeri që bën gjithçka për t’i pëlqyer të huajve”, – thuhet në dokumentet e ambasadës amerikane.
Ai ishte njeriu që përcolli nga Londra në Libi të akuzuarin e madh të tragjedisë së Lockerbisë, në të cilën humbën jetën dhjetëra vetë dhe që u lirua nga gjykata skoceze për shkak të gjendjes shëndetësore. Po sipas dokumenteve, ai ka një marrëdhënie të keqe me disa nga vëllezërit dhe motrën e tij, Aishën, Hannibal dhe Sa’adi.

Sa’adi

Ai është djali i tretë i Gaddafit për nga mosha. “Është shquar dhe ka rënë gjithmonë në sy për sjelljet e veta të këqija. Është një djalë me të shkuar të trazuar, përfshi problemet që ka pasur me policinë, abuzimet me drogën dhe alkoolin, dëshirën e shfrenuar për të shkuar nëpër mbrëmje e për t’u harbuar, për të udhëtuar jashtë vendit ndryshe nga dëshira e të atit. Ka qenë një futbollist profesionist me Perugian italiane në Serinë A dhe ka shumë aksione në një nga skuadrat më të mëdha të futbollit në Libi. Nga shkollimi është inxhinier dhe ka qenë për një kohë të shkurtër oficer në një njësi të shërbimeve speciale. Por gjatë kësaj periudhe i përdorte trupat nën urdhrat e tij për të kryer punë personale dhe biznese të familjes. Ka në pronësi një kompani të prodhimit të filmave dhe thuhet se është përfshirë në shtypjen e protestës së Bengazit.

Mutassim Gaddafi

Djali i katërt. Është këshilltari i të atit për çështjet e sigurisë kombëtare dhe deri së fundi, një yll i vërtetë në sferën e pushtetit. Në vitin 2008 ai kërkoi një fond prej 1 miliard dollarësh për të krijuar një njësi speciale mbrojtjeje. Humbi kontrollin e shumë bizneseve që pati gjatë viteve 2001 dhe 2005, kur i vëllai, duke përfituar nga mungesa e tij, ia mori pasurinë. Është cilësuar jo shumë inteligjent nga ana e ambasadorit serb dhe shkon shumë keq me Saif al-Islam.

Hannibal Geddafi

Ka një histori përplasjesh të vazhdueshme me autoritetet e vendit të tij dhe me ato të huaja, sepse është një person shumë gjaknxehtë dhe acarues. Është arrestuar në Gjenevë të Zvicrës në lidhje me akuzat e rrahjes së një shërbëtori, dhe ky incident çoi në një trazirë diplomatike mes vendit të tij dhe Zvicrës. Në dhjetor të vitit 2009, policia shkoi në dhomën e hotelit të Hannibal, pasi kishte dëgjuar një zhurmë të madhe. Doli se ai kishte rrahur të shoqen, por ajo nuk e akuzoi Hanibal për këtë, duke thënë se plagët i ishin shkaktuar nga rënia nga shkallët. Ai është djali i pestë.

Khamis Gaddafi

Është djali i gjashtë dhe komandanti i njësisë së forcave speciale të batalionit të 32-të, që shërben për mbrojtjen e  regjimit. Këto njësi janë përfshirë në shtypjen e përgjakshme të protestave të Bengazit dhe janë trajnuar në Rusi.

Aisha Gaddafi

Është vajza që shërben si ndërmjetëse në të gjitha zënkat e familjes dhe drejton një shoqatë. Ajo thuhet se ka aksione në një klinikë mjekësore në Tripoli. Thuhet se vetë Lionel Richie mori vite më parën, rrugën drejt Tripolit për të kënduar në ditëlindjen e saj. Një vajzë më e re, e adoptuar e kolonelit vdiq në vitin 1986, pas bombardimit që amerikanët i bënë Tripolit.

Muhammad Gaddafi

Djali më i madh, por që koloneli e ka me gruan e parë. Ai kryeson Komitetin Olimpik Libian, dhe tani është pronar i 40% të aksioneve të një kompanie të madhe pijesh libiane dhe është lidhur dhe me “Coca Cola”. Është edhe drejtues i komitetit të postave dhe telekomunikacioneve.

Saif al Arab

Është djali më pak i njohur nga tetë fëmijët e kolonelit. Thuhet se jeton në Mynih të Gjermanisë, dhe e kalon kohën kryesisht duke bërë qejf. Si të gjithë fëmijët e Gaddafit, edhe ai thuhet të ketë të ardhura nga kompanitë e naftës të zotëruara nga familja.

Advertisements
Postuar te Bota. Komentet te >Familja e përçarë e kolonel Gaddafit Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: