>VV: Qeveria antikushtetuese

>

Levizja Vetvendosje ka reaguar ashper per zgjedhjen e Pacollit per president por edhe per zgjedhjen e Qeverise, duke e quajtur ate kushtetuese.

Ne vazhdim po e sjellim te plote nje komunikate te leshuar nga kjo levizje
“Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u zgjodhën Presidenti dhe Qeveria, ishte dëshmi e demaskimeve të mëdha. Si mund të thirret në demokraci ky koalicion, kur bën veprime jodemokratike ende pa u themeluar institucioni i Presidentit?


Pauza ndërmjet votimit të dytë dhe të tretë, që ishte presion e jo pauzë, ia solli Behgjet Pacollit votat e nevojshme për President. Ata që fillimisht votuan kundër votuan për Pacollin pas kësaj pauze. Kjo krijon një dilemë – pse e ndërruan ata mendjen? Ishte frikësimi i Hashim Thaçit, apo paraja e Behgjet Pacollit? Apo mos ishin të dyjat? Si mund të flitet për demokraci aty ku vota frikësohet dhe blehet? Thaçi e Pacolli nuk mund të jetojnë ndryshe – njëri vetëm duke u shitur e tjetri vetëm duke blerë.

Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore thoshte se nuk do të bënte koalicion me titistë. Sot ai bëri koalicion me të vetëquajturin Tito i Kosovës. VETËVENDOSJE!-a është kundër Titos dhe kundër kryeministrit të Titos. Me zgjedhjen e Pacollit President, nuk do të bëhet më i mirë Pacolli, por Kosova do të jetë shtet më i pasigurt.

Në anën tjetër, Jakup Krasniqi, në vend që të sillej si Kryetar i Kuvendit, ai shërbeu si Sekretar i PDK-së, kur tha se pauza e dhënë gjatë votimit ishte antikushtetuese, porn ë të njëjtën kohë vetë e dha këtë pauzë. Ai iu nënshtrua urdhrit të Hashim Thaçit. E kjo do të thotë që institucionet dhe funksionet shtetërore janë partizuar dhe privatizuar. Pra, po vazhdon i njëjti avaz që e kemi pare sa vite, por tashmë në mënyrë më të hapur: që Qeveria e ka në grusht Kuvendin dhe udhëheqjen e tij.

Programi i Qeverisë Thaçi-Pacolli

Programi qeverisës Thaçi-Pacolli i rendit këto prioritete në parathënie:

  • Funksionimi demokratik i institucioneve
  • Kushtetutshmëria
  • Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe
  • Integrimin euroatlantik

Funksionimi demokratik i institucioneve

Politikanët e pushtetit që kanë qeverisur deri sot me institucionet e Kosovës, dhe të cilët po e krijojnë Qeverinë sot, nuk janë karakterizuar aspak nga vullneti politik për demokraci. Përkundrazi. Këta politikanë, e sidomos Hashim Thaçi, demokraci e quan marrjen e votave nga qytetarët. Por ai qëllimisht i përjashton elementet tjera të demokracisë që janë thelbësore për të, e këto janë:

  • Dyshimet e ngritura për legjitimetin e procesit zgjedhor për shkak të manipulimeve të shumta; organizata e njohur ndërkombëtare për monitorimin e zgjedhjeve ENEMO, ka deklaruar se 38% e votës ka qenë e manipuluar. Kurse mandatari për qeveri e quan këtë proces të “mrekullueshëm”.
  • Demokracia nuk është veç grumbullim i votave pavarësisht mënyrave, por edhe llogaridhënie ndaj zgjedhësve.
  • Demokracia nuk është veç përqindje e statistikë, por mbi të gjitha, ushtrim i praktikave demokratike në vendimmarrje, me ç’rast përfshihet populli. Populli sot nuk është pjesëmarrës në vendimmarrje. Ai është veç burim i votës dhe asgjë më shumë. Ia marrin votën, e nuk e pyesin për simbole. Ia marrin votën e nuk e pyesin për Planin e Ahtisaarit. Fshatarit të Stanishorit ia marrin votën, e pastaj nuk e pyesin kur ia ndërrojnë komunën nga Gjilani në Artanë. Kjo nuk është demokraci.
  • Në fund, nuk mund të ketë demokraci me institucione të varura nga instanca tjera vendimmarrëse jollogaridhënëse, siç është EULEX-i.

Kushtetutshmëria
Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka qenë në përputhje me demokracinë. Nuk ka pasë fare debat për kushtetutën, dhe ajo nuk është përpiluar nga ne. Kushtetuta nuk është akti më i lartë juridik. Neni 143 i saj e vendos Planin e Ahtisaarit mbi kushtetutë.

Edhe kjo Kushtetutë e Planit të Ahtisaarit që është aktualisht, as kjo nuk është zbatuar. Prej mosfunksionimit të ligjit në veri të vendit, e deri te targat e paligjshme të automjeteve që i lëshon Beogradi, Kushtetuta shkelet për çdo ditë. Kjo kushtetutë, në vend që të jetë dokumenti më i lartë juridik që siguron demokracinë, qëndrueshmërinë institucionale dhe ndarjen e pushteteve, ajo edhe çështjen e Presidentit e ka bërë pazar politik, siç ishte rasti Sejdiu, i cili u lejua ta shkilte Kushtetutën dy vite e gjysmë, dhe u hoq kur i levërdisi Thaçit për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zhvillimi ekonomik
Tashmë edhe ekspertët e ekonomisë e kanë shpjeguar se mirëqenia e qytetarit po dobësohet. Kjo sepse ngritja e çmimeve është shumë e madhe krahasuar me ngritjen ekonomike e cila është minimale. Kurse, sipas raporteve të njohura ekonomike ndërkombëtare, për shkak të politikave qeverisëse klienteliste, Kosova vazhdimisht po fundoset në nivelet e vendeve me ambientin më të papërshtatshëm dhe joatraktiv të zhvillimit të biznesit. Nuk mund zhvillim të ekonomisë me institucione të korruptuara. E, në anën tjetër, privatizimi pa strategji për zhvillim, ka përfunduar në tjetërsim pronësor, pa kapacitet për zhvillim, që kthehet në punësim dhe mirëqenie. Papunësia dhe varfëria në Kosovë janë në nivele rekorde.

Integrimet evropiane
Kosova mbetet e fundit në procesin e integrimit evropian krahasuar me vendet e rajonit. Shtrohet pyetja pse jemi të fundit. Jemi të fundit, sepse kushtet e integrimit kërkojnë: institucione funksionale, demokraci e qëndrueshme, zbatueshmëri sefektive e ligjit, transparence e llogaridhënie institucionale, reformat të thella në drejtësi dhe ekonomi etj. Prandaj, duke qenë se pushtetet e deritashme nuk kanë pasë vullnet politik për këta hapa, kjo është edhe arsyeja pse jemi kaq prapa edhe në këtë proces.

Këto janë vetëm disa prej arsyeve, por jo të gjitha, pse Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e votoi këtë qeveri të propozuar. Bile, pasi i pamë manipulimet gjatë votimit të Presidentit, seanca u bë fare e padenjë për pjesëmarrjen tonë aty.”/toplajm

Postuar te KOSOVË, POLITIKË, Vetevendosje. Komentet te >VV: Qeveria antikushtetuese Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: