>Madrilenët besojnë te "magjia" e Mourinhos

>

Jose Mourinho i dha fund pritjes së Chelseat prej gjysmë shekulli për të fituar titullin e kampionit të Anglisë më 2005. Më 2010, i dha fund pritjes së Interit prej
45 vitesh për të fituar Ligën e Kampionëve. Dhe, portugezi ka për obligim t’i japë fund edhe një serie të keqe të skuadrës që tani udhëheq, Real Madridit.
Reali asnjëherë nuk ia ka dalë të fitojë ndaj Lyonit në gjashtë ndeshje sa kanë zhvilluar këto dy ekipe. Lyoni ka fituar tri herë dhe ka barazuar po aq herë. Madje, vitin e kaluar e eliminoi në 1\8 e finales së “Championsit”. Këto dy skuadra do të ballafaqohen sërish në 1\8 e finales dhe Reali nuk ka rast më të mirë sesa tash për të nxjerrë “hak”. Ndeshja e parë zhvillohet të martën mbrëma (20:45) në Lyon.


“Unë nuk e humbi gjumin duke menduar për Lyonin apo ndonjë skuadër tjetër. Prej shortit kur na është caktuar Lyoni, ne kemi studiuar dhe mësuar rreth lojës së tyre”, ka deklaruar Mourinho. “Kanë kaluar shumë vite që kur Reali nuk ka arritur në gjysmëfinale dhe gjithashtu nuk duhet harruar se asnjëherë nuk e ka mposhtur Lyonin”. Lyoni në edicionin e shkuar për herë të parë arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, rekordmene e së cilës garë për trofe të fituar mbetet Reali me nëntë tituj.


Mourinho synon të bëhet trajneri i parë në histori të futbollit që ka fituar tri herë Ligën e Kampionëve me tri skuadra të ndryshme. Deri më tani këtë trofe e ka fituar dy herë, me Porton (2004) dhe Interin (2010). 
“Këto fakte flasin mjaft dhe na detyrojnë të japim maksimumin nga vetja në këtë ndeshje”, ka thënë trajneri i Lyonit, Claude Puel.


Skuadra e Lyonit në kohët e fundit në Ligue 1 po kalon nëpër formë të mirë. Vetëm në dy ndeshjet e fundit ka shënuar tetë gola dhe është vetëm katër pikë prapa liderit, Lille. 
“Kemi mbërritur në formën më të mirë, pikërisht në kohën e duhur”, ka shtuar mbrojtësi i Lyonit, braziliani Cris. 
Skuadra franceze nuk është me fat para duelit me Realin, pasi të enjten e shkuar sulmuesi argjentinas Lisandro Lopez u dëmtua në stërvitje. Mediat bëjnë të ditur se Lopez dëmtoi veten pasi në stërvitje goditi një top me nervozizëm, kur kuptoi se nuk do të jetë në formacion për ndeshjen e fundit me Nancyn (4:0).


“Duhet të respektosh lojtarin. Ai është i lënduar dhe ky do të jetë një handikap i madh për ne”, tha trajneri Puel. 
Ndërkohë, Mourinho ka ekipin të kompletuar. Ai ka vetëm një dilemë, të sulmojë me Karim Benzeman apo Emmanuel Adebayorin. 


“Nëse jam me fat do të luaj dhe premtoj se do ta bëj të pamundurën për të shënuar. Besoj se do ta mposhtim Lyonin dhe do të fitojmë Ligën e Kampionëve”, tha Benzema. 
Sulmuesi francez Benzema, te Reali u transferua pikërisht nga Lyoni para dy vjetësh për 35 milionë euro dëmshpërblim. 

Advertisements
Postuar te SPORT. Komentet te >Madrilenët besojnë te "magjia" e Mourinhos Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: