>FER: Ky koalicion thellon krizën në Kosovë

>

Partia Fryma e Re, përmes një komunikate për opinionin ka shfaqur bindjen se koalicioni i cili po përgatitet për qeverisjen e vendit do ta shtyjë Kosovën në një krizë edhe më të madhe politike, sociale, ekonomike e po ashtu edhe ndërkombëtare.
Sipas FER-it është ironik fakti se disa ditë pas festimit të trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vend se të flasim për të arriturat e Kosovës, flasim për dështimet; në vend se të flasim për një të ardhme të ndritur Evropiane flasim për një izolim të  tërësishëm të Kosovës; në vend se të flasim për forcimin e Repulikës së Kosovës, flasim për rrezikun nga ndarja e territorit të vendit dhe në vend se të jemi shembull i demokracisë në Ballkan, jemi shembull i manipulimeve zgjedhore.
Koalicioni i shumëfolur është shumë larg nga nevojat  dhe prioritet e Kosovës. Marrëveshja për koalicion dëshmon se interesat e ngushta personale të disa politikanëve, për ta, janë më të rëndësishme se interesat e shtetit.  Kjo veçse do ta dëmtojë shtetin e ri të Kosovës, i cili, si kurrë më parë, sot sfidohet në shumë rrafshe.
FER konsideron se në këtë kohë Kosova ka nevojë  më shumë se kurrë për:  reformë zgjedhore, që garanton zgjedhje të lira dhe demokratike; reformë të mirëfilltë ekonomike;  
reforma të thella drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave; luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit; vendosmëri për të mbrojtur tërësinë teritoriale të Republikës së Kosovës, dhe qeverisje stabile, që i garanton këto reforma.
Koalicioni i brishtë, që nuk i përfaqëson interesat e shumicës në Kosovë dhe që del nga një proces i dëmtuar zgjedhor nuk jep shpresë se Kosova do të shkojë në drejtimin e duhur./kn

Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet Mbyllur te >FER: Ky koalicion thellon krizën në Kosovë
Këtë e pëlqejnë %d blogues: