>Estrada kosovare, më pak korrupsion e më shumë punë

>

Kosova dhe qytetarët e saj anembanë botës, dje më 17 shkurt, festuan 3-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Restorante dhe klube muzikore kudo në vend kishin organizuar
mbrëmje festive me këngëtarët më të mirë të estradës shqiptare.

Megjithatë, ashtu si gjithë qytetarët tjerë në Kosovë, edhe artistët tanë mendojnë se për këto tre vjet, shteti ynë ka ecur me hapa të ngadalshëm, mirëpo shihen disa përparime në sfera të ndryshme. Ata kërkojnë që Kosova të këtë më pak korrupsion dhe më shumë vende pune.

Këngëtari Veli Sahiti ka thënë për gazetën se ditën e djeshme e ka kaluar me nxënësit e tij në shkollën, ku ai jep mësim në Ferizaj, mbrëmjen në Maqedoni. Ndërsa për këto tre vjet të shtetit tonë, ai mendon se Kosova ka përparuar, por kërkon që të këtë më shumë vende të reja pune. “Për këto tre vjet mendoj se është arritur mjaft.

Nuk do të thotë se ne për tre vjet shtet duhet të krahasohemi më Zvicër apo Gjermani, por mendoj se në të ardhmen do të punohet edhe më shumë për të pasur një mirëqenie më të mirë për të gjithë ne”, ka theksuar ai duke dhënë mendimin e tij se në cilat sfera do të duhej t’i kushtohet më shumë rëndësi në të ardhmen. “Te ne ende ka ngecje te gjendja sociale.

Mendoj se duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi ekonomisë, hapjeve të vendeve të reja të punës. Kemi me qindra studentë të cilët përfundojnë studimet dhe mbesin me diplomë në xhep, prandaj do t’iu jepet mundësia që të punësohen dhe që kështu të zhvillohet edhe shteti”, bëri më dije këngëtari Sahiti.

Në anën tjetër, këngëtari Naser Gjinovci, i cili gjatë ditës së djeshme ka shëtitur nëpër disa qytete të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se Kosovës i duhet një vullnet dhe durim për t’u ndryshuar gjërat në të mirën e qytetarëve.

“Kosova është vend i vogël dhe nuk duhet të këtë plane shumëvjeçare për të bërë ndryshime radikale, këtu vetëm kërkohet një vullnet dhe durim për të bërë gjëra të mira për qytetarët tanë”, ka thënë solisti i grupit “Minatori”, duke uruar që përvjetori i ardhshëm ta gjejë Kosovën me më shumë vende të lira të punës, me një shëndetësi të fortë dhe me një sundim të ligjit më të mirë, që është edhe parakusht për investimet e huaja në Kosovë.

Më shumë zhvillim ekonomik

Ndërkohë këngëtarja e re Edita Sopjani ka kënduar në koncertin që është mbajtur mbrëmë në qendër të Prishtinës, e më pas ka vazhduar për t’u argëtuar me shoqëri. Sopjani ka mendim që Kosova ka ecur në disa hapa, por ajo kërkon që përvjetorët e ardhshëm Kosovën ta gjejnë si një shtet të pakorruptuar.

“Kosova ka përparime por jo aq sa duhet. Përvjetorët tjerë duhet që Kosovën ta gjejnë të renditur në vendet më të pakorruptuara dhe me një ekonomi të zhvilluar. Shpresoj se qeveria e re e cila pritet te formohet këto ditë të bëjë më shumë që Kosova të hyjë në BE të kemi numër shumë më të madh të njohjeve nga shtetet tjera, si dhe të liberalizohen vizat që të jemi popull më lëvizje të lirë si çdo qytetar tjetër evropian”, ka pohuar këngëtarja Sopjani./yp

Advertisements
Postuar te Muzike, Show-Biz. Komentet te >Estrada kosovare, më pak korrupsion e më shumë punë Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: