>“CIA dhe DIA të përgjigjen për mashtrimin e Irakut”

>

Colin Powell iu bën thirrje agjencive të shërbimit sekret, që të japin llogari për mosinformimin në lidhje me mosbesueshmërinë e burimit tek i cili bazuan çështjen e nisjes së luftës së përgjakshme në Irak 
Ish-sekretari amerikan i Shtetit në kohën e sulmit amerikan në Irak, Colin Powell, i kërkoi CIA-s dhe Pentagonit që t’i japin shpjegim në lidhje me mosinformimin në atë kohë, në lidhje me mosbesueshmërinë e burimit që iu referuan për armët e dëmtimit në masë, që supozohej t’i posedonte Sadami.

Dy ditë më parë, gazeta britanike “The Guardian” botoi një deklaratë të një spiuni irakian, Rafid Ahmed Alwan al Janabi, i cili deklaroi se i kishte “shpikur” provat në lidhje me ekzistencën e armëve të dëmtimit në masë në Irak, që shërbyen edhe si preteksti për nisjen e luftës nga amerikanët dhe britanikët në vitin 2003. Ndaj kësaj deklarate reagoi dje ish-sekretari amerikan i Shtetit, sipas të cilit, agjencitë e shërbimeve sekrete të përfshira në hartimin e sebepit të luftës duhet të përgjigjeshin për këtë. 
Ai veçoi CIA-n dhe Agjencinë e Shërbimeve të Mbrojtjes të Pentagonit. Janabi, një “tradhtar” i regjimit të Sadamit, u përdor si burimi i parë dhe më kryesori nga administrata e Bush-it, për të justifikuar sulmin ndaj Irakut në mars të vitit 2003. Dyshimet për besueshmërinë e tij kishin qarkulluar para luftës dhe ato u konfirmuan nga ai këtë javë. Pra ai kishte gënjyer. Powell, i cili e mbrojti sulmin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në pozicionin e sekretarit të Shtetit, tha menjëherë pas deklaratës së irakianit se CIA dhe DIA duhet që të përgjigjen në lidhje me mosinformimin për dyshimin ndaj burimit irakian. 
Ai u ka kërkuar të dyja agjencive se përse nuk e informuan për besueshmërinë jo të plotë të burimit, para se informacioni i rremë të ishte cilësuar si vlerësimi kyç i shërbimeve sekrete për armët e dëmtimit në masë. Sipas Powell, dy shërbimet e mësipërme duhet që të kishin njoftuar për dyshimet e tyre Kongres ose sektorë të tjerë sipërorë të shërbimeve sekrete. “Informacioni për mosbesueshmërinë e një burimi si Janabi kishte vite që qarkullonte, pra nuk ishte një gjë e re. CIA dhe DIA duhet që të përgjigjen se përse nuk informuan institucionet përkatëse për dyshimet e burimit të tyre kryesor për ekzistencën e armëve të dëmtimit në masë”.
Më 5 shkurt të vitit 2003, një muaj para sulmit, Powell doli para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të mbrojtur planin e sulmit amerikan në Irak. Në fjalimin e mbajtur para Këshillit, ai iu referua “informacioneve të dorës së parë, që i sillnin përshkrime të fabrikave të armëve të dëmtimit në masë dhe të transportit të tyre nëpër hekurudha. Burimi ishte një dëshmitar i cili kishte mbikëqyrur një nga këto fabrika”. Tashmë doli se ky burim, pra Janabi, na e paska sajuar gjithçka.
Dy ditë më parë, ai i deklaroi gazetës britanike që e mirëpriste kërkesën e Powell-it ndaj agjencive. “Mendoja se për mua kishte mbaruar gjithçka për sa i përket dëshmive. Por krejt papritur, në prag të sulmit amerikan në Irak, në vitin 2003, shërbimet sekrete u rikthyen tek unë dhe nisën që të më pyesin për më shumë detaje për ato që ua kisha thënë më parë, pra për dëshmitë e gënjeshtërta në lidhje me armët e dëmtimit në masë. Nuk e kuptoj se përse shërbimi sekret gjerman ia kishte kaluar informacionet e mia CIA-s dhe këto informacione përfunduan më pas në fjalimin e Powell”, thotë Janabi. 
“Dua që të bëhen hetime për rrugën që kanë ndjekur informatat e mia të rreme, në mënyrë që njerëzit të mësojnë të vërtetën. Gjatë gjithë këtyre viteve janë thënë shumë gënjeshtra për mua, dhe unë më në fund pres që e vërteta të dalë në dritë”.
Për sa i përket ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Powell, ai ka shprehur edhe më parë keqardhjen për rolin që luajti në përcjelljen e informacioneve false në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbrojtje të një lufte, e cila del përditë e më shumë se u nis mbi një bazë të rreme. Sipas Powell-it, pikërisht kjo dalje në OKB ishte dërrmuese për karrierën e tij. Por komentet e tij të fundit e rrisin ndjeshëm presionin ndaj agjencive të shërbimit sekret dhe ish-shefave të tyre, për të bërë transparencë për informacionet që kishin në atë kohë dhe të rrëfejnë arsyen se si ishte e mundur që nuk i arritën të dallonin një burim kaq të keq dhe të pabesueshëm. George Tenet, i cili ka qenë në atë kohë në krye të CIA-s, është veçanërisht nën “hetim”. Ishte pikërisht ai që nuk i përcolli paralajmërimet që shërbimet sekrete gjermane i bënë në lidhje me besueshmërinë e burimit irakian. Tenet, në një libër të tij, thotë se për herë të parë dëgjoi për problemet e burimit irakian dy vite pas nisjes së luftës, pra, sipas tij, ishte tepër vonë. Ndërkohë Janabi jeton në Gjermani dhe deputetët e këtij vendi do t’i kërkojnë Parlamentit sqarime për arsyet se përse pesë vitet e fundit ai ka marrë një pagesë mujore prej 3 mijë eurosh nga shërbimi sekret gjerman, pasi ai e kishte marrë vesh se dëshmitari ishte një gënjeshtar.
Vetë dëshmitari, në rrëfimin e bërë në “The Guardian”, deklaron se ishte i lumtur që më në fund ia kishte dalë që të thoshte të vërtetën. Një tjetër presion i është bërë CIA-s edhe nga Laurence Wilkerson, shefi i stafit të Powell në kohën e sulmit. Ai deklaroi po dje se çështja e burimit irakian ngre pyetje në lidhje me mënyrën me të cilën CIA informoi Powell para fjalimit të tij në OKB.
Postuar te Bota. Komentet Mbyllur te >“CIA dhe DIA të përgjigjen për mashtrimin e Irakut”
Këtë e pëlqejnë %d blogues: