>Zjarr në një xhami në Manastir

>

Zjarri ka përfshirë mbrëmë një pjesë të një xhamie në qytetin e Manastirit, bëjnë të ditur burime për agjencinë e lajmeve INA nga banorë shqiptarë të këtij qyteti.

Banorët në kushte anonimiteti theksojnë se kjo është një vepër e vandalëve maqedonas, të cilët kanë tentuar të djegin xhaminë, në shenjë hakmarrje ndaj ngjarjeve në Kalanë e Shkupit.



“Zjarri ka përfshirë një pjesë të vogël dhe nuk kemi pasur qasje aty. Nuk kemi informacione për dëme të shkaktuara, por ky akt vandal na rikujton ngjarjet dhe tmerrin e vitit 2001 kur u dogjën shtëpitë tona dhe tempujt fetar”, theksoi për INA një nga shqiptarët e Manastirit.


Zëdhënësi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Manastir, Gjoko Strezovski konfirmoi për agjencinë INA se ka pasur zjarrë në xhami, mirëpo ai theksoi se ai është lokalizuar dhe nuk ka nevojë që lajmit ti bëhet bujë nëpër media.


“Nuk ka asnjë dëm, sepse zjarri ka qenë i lokalizuar menjëherë, pasi që është ndezur një letër kartoni. Nuk ka nevojë të ngritet bujë me një ngjarje të tillë”, theksoi Strezovski. MPB bëri të ditur se do të jap informacione të hollësishme lidhur me këtë ngjarje. (INA)

Advertisements
Postuar te RAJONI. Komentet te >Zjarr në një xhami në Manastir Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: