>Estrada “fërkon duart” për Ditën e të Dashuruarve

>

Shën Valentini ose Dita e të Dashuruarve është ngjitur lart në listën e festave më të rëndësishme për këngëtarët. Pas Vitit të Ri dhe përvjetorit të pavarësisë, 14 shkurti ka lënë prapa edhe festat fetare dhe ato që dikur kanë qenë tradicionale sikur “8 Marsi”. 

Estrada nuk ia huq Shën Valentinit që të rrisë buxhetin. Për shumë nga ta, kjo datë nuk ka ndonjë rëndësi private, porse po ia shohin hairin te përfitimi financiar.

Njëri prej veteranëve në skenën e muzikës popullore, Nystret Muçiqi, thotë se në tri vitet e fundit ka parë një popullarizim të kësaj feste, njofton Koha Ditore.

“Sot e mendova dhe i numërova vitet që unë këndoj për këtë festë dhe më dolën fiks njëzet e një. Deri para pesë ose gjashtë vitesh ka qenë një festë por shumë e lokalizuar”, ka thënë Muçiqi.

“Por formati i kësaj feste është bërë shumë i madh këto vite. Kam shumë më shumë kërkesa për shumë vende”, ka shtuar ai. Ani pse nuk pranon të flasë për çmimin që ai ka për të kënduar në Ditën e të Dashuruarve, sipas Muçiqit kjo matet edhe më popullarizimin e saj.
“Dita e të Dashuruarave ka kaluar formatet e festave sikur “8 Marsi”, ajo e Bajramit e Krishtlindjeve”, ka thënë Muçiqi, i cili sonte (e hënë) do të këndoj në Zvicër.

Por kolegu i Muçiqit ka përzgjedhur qytetin e tij të lindjes si vend për të kënduar. Ramadan Krasniqi-Dani, ka thënë se festa e të dashuruarve nuk ka qenë ndonjë festë që këngëtarët kanë qenë të angazhuar.

“Kjo festë nuk ka pasur ndonjë angazhim të madh për ne, para shumë viteve. Tash është shndërruar në një festë për të cilën nuk mund ta llogaritësh si pushim”, ka thënë Dani, i cili nuk preferon të flasë për çmimin që ai ka për t’ia krisur këngës për çiftet e dashuruara. “Është bërë festë e rëndësishme tashmë. Sa për çmime nuk mund të flas”, ka thënë ai.

Shën Valentinit ia ka parë hairin dhe këngëtarja Nora Istrefi. Ajo do të performojë në kryeqytetin shqiptar.

“Për çdo 14 shkurt jam e zënë me koncerte. Është bërë një festë për të cilën ka shumë oferta”, ka thënë Istrefi.

“Për mua kjo ditë është si e zakonshme për nga ana private. Ndërsa ka rëndësi për nga ana profesionale”, ka shtuar këngëtarja.
Por një tjetër kolege e Norës, ka preferuar që të mos këndojë fare. Si arsye, Leonora Jakupi ka dhënë udhëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk kam dashur të ngarkohem me angazhime, sepse do të udhëtoj për në Amerikë”, ka thënë ajo. Jakupi ka thënë se ka pasur shumë ftesa, porse Dita e të Dashuruarve nuk është ndonjë arsye që të pranojë të dalë patjetër në skenë.

“Ai këngëtar që ka publik, nuk i ka me rëndësi festat ose datat, sepse sa herë dëshiron të mbajë koncert ose të paraqitet në skenë, ka publik”, ka thënë Jakupi.

Advertisements
Postuar te KOSOVË. Komentet te >Estrada “fërkon duart” për Ditën e të Dashuruarve Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: