>Tri javë afat për t’i bërë çare Kelmendit

>

Një muaj më parë, Federata e Xhudos e Azerbajxhanit i bëri ofertë konkrete Majlinda Kelmendit që të përfaqësojë këtë vend në arenën ndërkombëtare. Me të marrë ofertën,
Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka, kërkuan nga institucionet e Kosovës që të deklarohen nëse janë në gjendje të përkrahin sportisten më të mirë kosovare në rrugën e saj drejt majës së xhudos botërore. Deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje. Madje, nuk janë kontaktuar nga askush. Trajneri Kuka thotë se Majlinda Kelmendi do të presë përgjigje vetëm deri më 1 mars dhe nëse nuk e merr atë, do të vendosë që të përfaqësojë Azerbajxhanin.

Azerbajxhani i ka bërë ofertë të majme financiare xhudistes kosovare dhe trajnerit të saj. Paga e përbashkët mujore e tyre do të jetë pesë mijë euro, ndërsa dhjetëra herë më shumë do të shpërblehen medaljet në gara të nivelit të lartë. Nëse pranon ofertën e Azerbajxhanit dhe nëse këtij shteti i sjell medaljen e artë olimpike, Kelmendi do të fitojë plot dy milionë euro. 
“Kemi filluar të dëshpërohemi me mospërfilljen e institucioneve të Kosovës. Deri më tani askush nuk na ka kontaktuar në lidhje me kërkesat që kemi bërë. E në anën tjetër koha po ecën. 



Majlinda ka vendosur që të presë deri më 1 mars. Nëse deri më 1 mars nuk merr përgjigje nga institucionet e larta të shtetit, pra nuk ka diçka konkrete, atëherë do të vendosë të përfaqësojë Azerbajxhanin. Nuk mund të presim më shumë, koha po shkon”, ka thënë Kuka të enjten. Ai pret që të formohet Qeveria dhe të bisedojë me njerëzit kompetent. 
Federata e Xhudos e Azerbajxhanit së fundi ka dërguar ofertën e detajuar për Kelmendin dhe Kukën. Kuka thotë se këtë ofertë nuk do ta bëjë publike deri në takimin eventual që do ta ketë me drejtues të lartë të vendit. 


“Natyrisht që Majlinda dëshiron të përfaqësojë Kosovën. Por, oferta e Azerbajxhanit është shumë e mirë dhe i siguron ekzistencën për tërë jetën. Ndërsa në Kosovë nuk i ofrohet asgjë. Ne kemi kërkuar minimumin e mundshëm, një pagë të përjetshme, qoftë ajo edhe dhjetë herë më e vogël se ajo që e ofron Azerbajxhani”, ka shtuar Kuka. Sipas tij, nuk ka pengesa që Kelmendi të përfaqësojë Azerbajxhanin. Nëse pranon ofertën, pasaporta e këtij vendi do t’i përgatitet brenda ditës.  


Majlinda Kelmendi (19) është sportistja më e mirë në Kosovë. Është sportistja e vetme kosovare që po garon për normë olimpike për “Londra 2012”. Vlerësohet ndër xhudistet më të mira në botë në kategorinë deri 52 kg. Në vitin 2009 ishte kampione e botës dhe e Evropës për juniore. 
Kohë më parë, zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, ka thënë se me Kelmendin duhet të merret Ministria e Sportit. 


“Është çështje e Ministrisë së Sportit dhe për fat të keq nuk kemi ende ministër. Si shtet ne duhet të kemi një sportiste të suksesshme, sepse sportistët janë ambasadorët e një shteti dhe natyrisht se duhet t’u ofrohet mbështetje. Sfida më e madhe për ne do të jetë pjesëmarrja në ‘LO 2012’ dhe si shtet po bëjmë të pamundurën dhe po punojnë në këtë drejtim. Ne kemi mbështetur sportistët brenda buxhetit dhe jemi të vetëdijshëm për të gjitha. Majlinda është sportistja më e famshme dhe më e popullarizuara në Kosovë dhe natyrisht që meriton të jetë prioritet, pasi edhe do të jetë shpresa e vetme olimpike nëse marrim pjesë në ‘Londra 2012′”, ka thënë Krasniqi. 


Institucioni tjetër që do të duhej të përkrahte Kelmendin dhe sportistët tjerë të suksesshëm kosovarë është Komiteti Olimpik i Kosovës. Por, sipas kryetarit të KOK-ut, Besim Hasanit, Komiteti nuk ka buxhet të vetin dhe tash për tash nuk mund t’i përkrahë sportistët. Hasani pret që KOK-u të bëhet me buxhet me formimin e Qeverisë së re. 


Për Kukën arsyetimi i Hasanit nuk është i qëndrueshëm.
“Nëse KOK-u nuk ka buxhet dhe nuk përkrah sportistët kulminantë, atëherë nuk e di pse ekziston, kur dihet se përkrahja e sportistëve është detyrë parësore e komiteteve olimpike”, thotë trajneri i sportistes më të mirë kosovare./kn

Advertisements
Postuar te SPORT. Komentet te >Tri javë afat për t’i bërë çare Kelmendit Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: