>Bojkoti i futbollistëve, "modë" e detyrueshme

>

Kapiteni i Drenicës, Sami Geci, dhe mesfushori kyç i kësaj skuadre, Muhamet Dragusha, janë të fundit që thonë se ishin të mbështetur për muri dhe se
nuk kishin zgjidhje tjetër, pos të bojkotonin stërvitjet. Dhe, falë bojkotit apo diçkaje tjetër, ata kanë arritur synimin e tyre dhe së fundi i janë bashkuar ekipit të Drenicës në stërvitje. Dragusha nisi stërvitjet të martën, kurse Geci të mërkurën. Të dy kishin arsye të njëjta që përdorën këtë “armë” – klubi u kishte borxh.
“Unë jam i lumtur që i jam bashkuar ekipit, pasi me bojkot më së shumti humbi unë. Unë kam stërvitur edhe vetë gjatë kësaj kohe, por ndryshe janë stërvitjet me ekipin. Shpresoj që pranvera të jetë e suksesshme për mua dhe klubin”, ka thënë Dragusha të enjten.
Ata janë të fundit që kanë bojkotuar stërvitjet, para tyre kishte edhe shumë të tjerë, madje pati edhe bojkot kolektiv.
Vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt klubet kosovare janë përballur me shumë bojkote nga futbollistët. Futbollistët e Ferizajt, ata të Vëllaznimit dhe disa futbollistë të Hysit nuk i kishin nisur fare përgatitjet, për të njëjtat arsye. Bojkotin, për të marrë atë që pretendojnë se u takon, deri ditë më parë e kanë shfrytëzuar edhe sulmuesi i Trepçës ’89, Armend Zabërgja dhe mesfushori i Prishtinës, Genc Sermaxhaj.
Për trajnerët kosovarë, bojkoti i futbollistëve shkon më së shumti në dëm të vetë lojtarëve. Trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu, vlerëson se koha e humbur nuk mund të kompensohet lehtë nga futbollistët. Ai thotë se bojkoti nuk është zgjidhje.
“Armend Zabërgja, të hënën, ka nisur stërvitjet, pasi ka arritur marrëveshje me drejtuesit e skuadrës. Është shumë e rëndësishme kjo për të. Bojkoti te futbollistët është bërë ‘modë’, por kjo nuk është gjë e mirë, pasi me bojkot futbollisti humb si në aspektin e përgatitjeve ashtu edhe në program. Koha e humbur nuk mund të kompensohet. Çështje tjetër është nëse kryesia nuk është e interesuar fare të kryejë obligimet ndaj futbollistëve”, ka theksuar Sejdiu.
E bashkë me Dragushën, edhe kapiteni i Drenicës, Sami Geci, ka ndërprerë bojkotin. Ai ka nisur të stërvitet, pasi klubi i ka premtuar se do të shlyejë obligimin që ka ndaj tij.
“Unë kam nisur të stërvitem. Klubi më ka premtuar se një pjesë të borxhit do ta shlyejë tani, kurse pjesën tjetër pak më vonë. Jam i lumtur që u arrit kjo marrëveshje, pasi bojkoti për askënd nuk është i mirë, por nuk kisha zgjidhje tjetër”, ka thënë Geci./kn

Postuar te SPORT. Komentet Mbyllur te >Bojkoti i futbollistëve, "modë" e detyrueshme
Këtë e pëlqejnë %d blogues: