>Zënkë mes Jonelës e Nedës

>

Algeni dhe Klaudja qëndrojnë në dhomë duke bërë gati valizhet për faktin se janë në nominim. 
Klaudja është duke u ndihmuar nga Jonela dhe Neda afrohet pranë tyre e shprehet se

Klaudja duhet ta pregatiste valixhen me të. Jonela e pyet : “Pse çfarë të keqe ka që po e ndihmoj unë?” dhe Neda përgjigjet se kur ka bërë valizhen e saj e ka ndihmuar Klaudja, kështuqë duhet të ndodhte dhe e anasjellta. 

Jonela shton se Neda nuk duhet t’i marrë shumë seriozisht disa gjëra e Neda i përgjigjet se nuk e bën këtë, pasi në shumë raste duhet të kishte vepruar ndryshe nëse do të kishte marrë seriozisht të gjitha fjalët që i thuhen. 

Ermela dhe Jonela qëndrojnë në oborr duke biseduar dhe flasin për rrobat që kanë marrë me vete në shtëpinë e BB. Jonela thotë se nuk e ka bërë vetë valizhen, por ia ka bërë motra e për këtë arsye nuk ka shumë gjëra me vete. 
Alma vjen pranë tyre dhe i kërkon ndihmë për të bërë gati drekën dhe ato e ndjekin. 

Ndërkohë, një pjesë e madhe e banorëve qëndrojnë në kuzhinë dhe flasin për ushqimet që kanë siguruar gjatë kësaj jave me anë të kredisë, kryesisht. 
Ogreni, Marieli dhe Ergysi shprehen se kanë bërë shumë mirë që kanë marrë kredinë, pasi janë kënaqur me ushqime. Klodi, Marieli dhe Ogreni ulen për të ngrënë drekë.

Postuar te Big Brother. Komentet te >Zënkë mes Jonelës e Nedës Janë të Mbyllura

>Lakers “leksion” Bostonit

>

Los Angelos Lakers realizuan një përmbysje spektakolare mbrëmjen e shkuar në NBA, duke mposhtur 92-86 Bostonin në fushën e këtij të fundit.

Fitorja për skuadrën e udhëhequr në fushë nga i përhershmi Kobe Bryant erdhi edhe pse pas dy pjesëve të para, vendasit kryesonin me avantazhin e 15 pikëve, 47-32.

Duke nisur nga ky moment i lojës, skuadra nga Los Anxhelosi ndërroi ritëm dhe dominoi lojën, duke fituar dy pjesët e tjera me rezultatin 60-39, që e fiksuan rezultatin e përgjithshëm në 92-86.

Pika më e fortë e Lakers në këtë takim të sezonit të rregullt ishte mbrojtja, presioni i së cilës kufizoi kundërshtarët në vetëm 28,9% gjuajtje të sakta nga loja e rregullt.

Bryant ishte lojtari që realizoi më shumë pikë në këtë ndeshje, me 20 të tilla, përfshi edhe një trepikësh vendimtar që ndihmoi në thellimin e rezultatit nga 82-79, në 92-84.

Në të njëjtën mbrëmje erdhi edhe lajmi surprizë për dorëheqjen e trajnerit legjendar Jerry Sloan, nga stoli i Utah Jazz, pas më shumë se 22 vitesh në drejtimin e skuadrës. 

Postuar te SPORT. Komentet te >Lakers “leksion” Bostonit Janë të Mbyllura

>10 protestat më të çuditshme në botë

>

Mes një morie listash që revista prestigjioze “Time” u ka servirur lexuesve të saj, ndoshta më shumë interes nga të tëra shkakton ajo e dhjetë protestave më të çuditshme, ishte kur një gazetar
irakian lëshoi drejt kokës së Presidentit amerikan që të dyja këpucët e tij. Në këtë listë janë disa shtetarë të bërë pre të protestave sa origjinale po aq edhe të çuditshme. Por ato nuk i rezervohen vetëm këtij rangu individësh; në kohë është protestuar në forma të çuditshme ndaj ligjeve, ndaj autoriteteve shtetërore, ndaj artistëve madje edhe ndaj biznesmenëve. Më poshtë, po ju rendisim ato dhjetë protesta që sipas revistës amerikane “Time” janë edhe më të çuditshmet:

1. Protesta e gazetarit irakian

Gazetari televiziv Muntadhar al-Zeidi, që në mes të një konference shtypi, tashmë të famshme, hoqi të dyja këpucët, duke goditur me to Presidentin amerikan Xhorxh Bush. Ishin reflekset e jashtëzakonshme të Presidentit ato që i hoqën mundësinë gazetarit irakian të godiste në shënjestër, duke qenë se u kishte dhënë edhe trajektoren e duhur.

2. Protestat për zgjerimin e aeroportit Heathrow të Londrës

Thuajse menjëherë pas publikimit të planeve për zgjerimin e aeroportit Heathrow të Londrës, grupet ambientaliste u hakërryen, pasi për ta kjo do të thoshte më shumë ndotje e ngrohje globale. Gjithsesi, protestat nuk arritën ta ndalnin zgjerimin e aeroportit, por me hapjen e një terminali të ri në vitin 2008, disa qindra protestues hynë në aeroport për të treguar mospëlqimin e tyre në mënyrë shumë origjinale.

3. Jo kodit të veshjeve në aeroporte

Administrata Federale e Aviacionit Amerikan vendosi këtë vit ndalimin e veshjeve joserioze nga ana e punonjësve të saj. Kështu, u ndaluan takat e larta, minifundet, xhinset etj. Kjo gjë nuk u pëlqeu aspak 15 punonjësve. Në shenjë proteste, një prej punonjësve shkoi në punë me pantallona jeshile, me xhaketë kafe të shkëlqyeshme e me flokët të lyer ngjyrë blu. Disa punonjës të tjerë meshkuj zgjodhën një mënyrë edhe më kreative proteste: u veshën si femra.

4. Protesta për mirëmbajtjen e rrugëve

Kur banorëve të qytetit të vogël amerikan Saskaçuan u erdhi në majë të hundës që autoritetet lokale nuk tregonin vëmendje për mirëmbajtjen e rrugëve, vendosën të protestonin, duke u zhveshur tërësisht. Rezultati ishte një kalendar i krijuar me foto të banorëve të qytetit teksa pozonin nudo anës rrugëve. Protesta duket se dha rezultate, pasi gjatë këtij viti, autoritetet vendosën të lëvronin fonde për mirëmbajtjen e rrugëve.

5. Protesta e baballarëve të divorcuar

Në tetor të vitit 2003, dy baballarë britanikë vunë në shënjestër tarracën e Gjykatës Mbretërore për të protestuar kundër keqtrajtimit të meshkujve gjatë gjyqeve të divorceve. Që të dy burrat, pjesë e shoqatës “Baballarët për drejtësi”, morën masat për këtë veprim, duke marrë me vete ushqime e ujë për një javë. Megjithëse asnjë nga burrat nuk pati pasoja ligjore prej veprimit, shoqata thuajse u shpërbë në vitin 2006, kur u mësua se disa pjesëtarë të saj kishin bërë plan të merrnin peng birin e Toni Bler.

6. Protesta kundër Presidentit Alberto Fuxhimori

Për të protestuar kundër fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Alberto Fuxhimori, gratë peruane grumbulloheshin rregullisht në sheshin kryesor të Limës për “të larë” flamurin e vendit “të ndotur” nga politika e pistë e shtetarëve të tij. Falë një prove të pakundërshtueshme, Fuxhimori u largua drejt Japonisë, nga ku dha edhe dorëheqjen. Por u ekstradua për në Peru, pasi shkoi në Kili në vitin 2005. Sot, gjendet në burg i dënuar për abuzim me pushtetin, ndërkohë që po përballet edhe me akuza që e lidhin me skuadrat e vdekjes.

7. Sulmi me tortë ndaj Bill Geits

Megjithëse nuk është njeriu i vetëm i goditur publikisht me tortë, sulmi ndaj biznesmenit Bill Geits mbetet gjithsesi ndër më të famshmit. Incidenti ndodhi në vitin 1998 në Bruksel, para se Geits të takohej me disa liderë të tjerë të rëndësishëm të biznesit botëror. I tronditur, po pa asnjë lloj dëmtimi fizik, Bill Geits nuk kërkoi ndjekjen personale të njeriut që e sulmoi.

8. Shuplaka në fytyrën e Gorbaçovit

Ndërsa rënia e Bashkimit Sovjetit u prit me brohoritje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore, shumë njerëz në Rusi u zemëruan thellësisht me liderin që e çoi shtetin drejt demokracisë dhe kapitalizmit. Ish-presidenti vendosi të kandidonte për kreun e shtetit edhe në vitin 1996. Por kjo ambicie nuk u prit fort mirë. Në një prej vizitave në Omsk, në fushatë e sipër, një 29-vjeçar i papunë arriti t’i afrohej aq shumë Gorbaçovit sa edhe i dha një shuplakë në fytyrë. Ai i tha policisë se kishte vendosur ta kryente atë akt pasi mendonte se reformat e Gorbaçovit i kishin bërë dëm Rusisë.

9. Përqeshja e Maorit ndaj mbretërorëve britanikë

Zyrtarët amerikanë janë familjarizuar tashmë me Dun Mihakën, nga Zelanda e Re, aktivist për të drejtat e njeriut dhe pjesëtar i etnisë Maori. Ai e prezantoi veten për herë të parë në vitin 1981, duke përqeshur princin Karl dhe princeshën Diana gjatë një vizite në Zelandën e Re. U përpoq t’i afrohej edhe kolonës së makinave që shoqëronin pesë vite më pas mbretëreshën Elisabetë, por furgoni i tij, i zbukuruar me fytyra që përqeshnin, nuk mund të kalonte pa u vënë re nga policia, e cila e ndali me shpejtësi. Megjithatë, mbretëresha nuk mundi t’i shpëtonte një sulmi me vezë gjatë po atij udhëtimi.

10. Incidenti gjatë ceremonisë së çmimeve “Oskar”

Pavarësisht se punësohen komikët më të famshëm, ndonjëherë ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oskar” është me të vërtetë e mërzitshme. Por nuk rezultoi e tillë në vitin 1974, kur një 33-vjeçar hyri krejt lakuriq në sallë, tamam në çastin kur aktori Deivid Niven po prezantonte Çmimin Filmi më i Mirë. Në sallë, ai kishte hyrë falë një distinktivi fals si gazetar./topLajm

Postuar te Kuriozitet. Komentet te >10 protestat më të çuditshme në botë Janë të Mbyllura

>Foto lakuriq online, deputeti jep dorëheqjen

>

 Në SHBA mjafton një foto “e sikletshme” që të provokojë dorëheqjen e menjëhershme të një deputeti.
Kristofer Li ( Christopher Lee, ose Chris Lee) deputet republikan i shtetit të Nju Jorkut në SHBA ka dhënë

dorëheqjen 3 orë pasi një faqe online ka zbuluar se ai kishte dërguar një foto me bust jashtë një gruaje që kishte njohur në internet. Deputeti konservator, i martuar dhe që kishte një djalë kishte njohur gruan nëpërmjet njoftimeve personale në faqen online Craiglist.

Në njoftimet e publikuara në kategorinë “gra në kërkim të burrave” gruaja shkruante se ishte në kërkim të burrave “financiarisht dhe emocionalisht të sigurtë” dhe që nuk kishin pamjen e një “bretkose”. Të njëjtën ditë të publikimit të njoftimit Li i kishte shkruar gruas duke u prezantuar si një lobist i moshës 39 vjecare, (në realitet është 46 vjec, ) “në formë të mirë fizike, me shumë klas dhe që jetonte në zonën e Kapitol Hill, jam bjond dhe me sy blu”.
Për të vërtetuar deklarimet e tij deputeti kishte hedhur onlinë një foto nga beli e sipër lakuriq të cilën e kishte realizuar me telefonin e tij përpara pasqyrës së banjos.
Në foto Li shtrëngon grushtin për të nxjerrë në pah muskujt e tij. Por gruaja, pasi kishte bërë një kërkim në internet, kishte arritur në përfundimin se Li kishte gënjyer mbi moshën dhe punën që bënte. Kështu ajo ka kontaktuar faqen online Gaëker, që njihet për publikimin e skandaleve, e cila menjëherë ka publikuar lajmin dhe imazhin e Li-së gjysëm lakuriq. Tre orë nga publikimi i fotos, ka mbërritur dhe njoftimi për dorëheqjen nga partia e deputetit republikan.

“Më vjen keq që veprimet e mia kanë lënduar familjen time , stafin dhe elektoratin tim, kërkoj faljet e mia të sinqerta të gjithëve.”- ka thënë Li./bw

Postuar te Kuriozitet. Komentet te >Foto lakuriq online, deputeti jep dorëheqjen Janë të Mbyllura

>Orban, njeriu që ka “trembur” Europën

>

Shenja e parë që gjërat kishin ndryshuar ishin pllakat katrore që u shfaqën në muret e zyrave të qeverisë, garnizonet ushtarake dhe teatro.

Me titullin: “Deklaratë e Bashkëpunimit Kombëtar” ato informonin të gjithë se tashmë pas votës së përgjithshme në vend kishte ndodhur  një revolucion i mirëfilltë kushtetues në Hungari dhe se një kontratë e re sociale, ajo e konsolidimit kombëtar do të sillte një të ardhme të re bazuar në kolonat e shenjta: “Punë, familje, shtëpi, shëndet dhe rend”. Viktor Orban kishte mbërritur më në fund. Në Hungari është e pamundur që të shmangësh gjurmët e qarta dhe të dukshme politike që ka nisur të lërë me shumë forcë Kryeministri i ri i vendit, i cili gëzon një nga shumicat më të mëdha parlamentare në historinë elektorale të Europës me partinë e tij, Firdez, një rrjedhojë e Aleancës së Demokratëve të Rinj. Këtë ngjarje shumë të madhe elektorale ai e konsideron edhe si “revolucioni i dy të tretave”. 
Në të gjithë Europën, liderët kanë reaguar me alarm ndaj njeriut që e ka përdorur popullaritetin e tij të madh dhe të beftë në Hungari për të vendosur një stil të ri e nacionalist pushteti në të gjithë vendin. Me të drejtë, ai mund të pretendojë se dy të tretat e popullit të tij i kanë besuar të ardhmen dhe se ai me këto vota mund të vërë në jetë vizionin e tij. Kjo fazë është e fundit në rrugëtimin e Orban, dikur një djalosh me flokë të gjata që ngriti zërin ndaj pushtetit komunist në vitet ’80, që në vitin 1989 ishte një  hero i demokracisë që pas viteve ’90 nisi që të formatohej si një lider i konservatorëve dhe sot është një figurë që veç të tjerash lidhet edhe me figurën e Kryeministrit rus, Vladimir Putin, dhe Presidentit të Venezuelës, Çaves, për nga mënyra shumë autoritare me të cilën qeveris vendin që nga dita kur mori një mandat shumë të fuqishëm në Parlament. 
Që nga një janari i këtij viti ai është edhe Kryeministri i vendit që drejton me rotacion për këtë 6-mujor Bashkimin Europian. Gjuha e përdorur te pllakatet e ndërtesave qeveritare ishte vetëm fillimi i një tonaliteti të ri që nisi të përdoret në politikën vendase si dhe në gazetat që ndodhen nën pushtetin e fortë dhe censurën e ashpër të një pjese të madhe të mediave vendase. Madje organe të veçanta, sipas ligjit të ri që censuron shumë mediat, kanë tashmë të drejtën që të akuzojnë dhe penalizojnë të gjitha ato organe mediatike që dalin kundër apo me një zë që nuk është në unison me propagandën qeveritare. Bëhet fjalë për ligjin famëkeq të mediave që u aprovua me shumë nxitim në Parlamentin hungarez ditët e fundit të dhjetorit të kaluar dhe që do të hyjë në fuqi ditën e parë që Hungaria nuk do të jetë më në krye të presidencës së BE-së pra në fund të këtij qershori.
 Ajo që tronditi me të vërtetë gjithë opinionin ndërkombëtar për sa i përket Orban është qëndrimi i tij në lidhje me mënyrën shumë të rreptë dhe të kontrolluar të politikëbërjes në vend. “Herën e fundit kur ai ishte në pushtet (1998-2002) kishte shumë gjëra të tijat me të cilat nuk ishim në një mendje, por gjithçka ishte brenda kornizës ligjore të demokracisë. Ndërsa sot nuk është kështu”, deklaroi Kinga Goncz, një socialist dhe ish-ministër kabineti që aktualisht është anëtar i Parlamentit Europian  dhe që përbën një nga figurat më të spikatura të opozitës në Hungari. “Këtë herë qëllimi, përmes gjithë legjislacionit në fuqi, është  stabilizimi i pushtetit dhe ky është i vetmi qëllim që ka Orban. Të gjitha hapat që ka ndërmarrë në të shkuarën dhe që është duke i ndërmarrë edhe tani janë të dobishme vetëm në arritjen e një qëllimi final: akumulimin e pushtetit dhe shtrirjen e ndikimit”.
Ministri i Komunikimit të Orban, Zlotan Kovacs, në një intervistë të fundit ka deklaruar se ligji i mediave kishte pasur për qëllim që të ishte një çështje teknike dhe se të gjitha elementet përbërëse të tij mund të gjendeshin lehtësisht në ligje dhe legjislacione të vendeve të tjera të Europës si në Gjermani vend në të cilin konsiderohen si të paligjshme të gjitha deklaratat dhe shkrimet antisemite në gazeta. Por i pyetur se përse një ligj i tillë është hartuar dhe imponuar në një moment të tillë shumë të rrezikshëm, ministri është përgjigjur se partia e tij është inatosur me dy gazeta të opozitës socialiste, të cilat u akuzuan menjëherë nga Orban si “të njëanshme” në rastin e përpjekjes së tij të parë për t’u bërë Kryeministër i vendit, e cila dështoi, në vitin 2002.
Por përveç ligjit të mediave që është një nga më skandalozët e miratuar këto 20 vitet e fundit në parlamentet evropiane, Orban ka përdorur shumicën e tij parlamentare, e cila mjafton për të bërë edhe ndryshime kushtetuese rrënjësore, për të mbushur edhe nivelet më të ulëta të administratës shtetërore me njerëz besnikë të qeverisë së tij dhe të axhendës që ai ka nisur që të zbatojë. Ai gjithashtu ka nxjerrë të jashtëligjshëm edhe Këshillin Fiskal të Pavarur, detyra dhe misioni i të cilit ishte “hetimi” dhe monitorimi i buxhetit të shtetit. Orban ka konfiskuar fondet private të pensioneve në mënyrë që të financojë shkurtimet e buxhetit dhe kur Gjykata Kushtetuese ktheu mbrapsht një ligj të tijin për taksat. Ai në mënyrë arbitrare e “zhveshi” Gjykatën Kushtetuese nga pushteti i saj për të marrë vendime në lidhje me të gjithë legjislacionin që ka të bëjë me buxhetin.
Por ajo çka ka qenë më alarmuese për të huajt në lidhje me Orban është veprimi i përsëritur i tij për të zhvarrosur fantazmat më të frikshme të së shkuarës së Hungarisë. Në korrik, disa ditë pasi kishte ardhur në pushtet, Orban kaloi një ligj në lidhje me krijimin e  Ditës Kombëtare të Unitetit çdo 4 qershor me rastin e përkujtimit të Traktatit të Trianonit, në vitin 1920 – reparacionet e luftës – ligji që kufizoi përmasën e kufijve hungarezë si një dënim ndaj krimeve të kryera nga Austro-Hungaria  dhe aleatët e tyre gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ligji i referohej një “kombi hungarez të unifikuar” dhe së fundi është pasuar nga një tjetër ligj që është mbështetur fuqishëm nga Orban, i cili shumë shpesh e përmend tragjedinë e Trianonit si një “tragjedi kombëtare”. Ky ligj mundëson marrjen e nënshtetësisë hungareze për të gjithë ata hungarezë etnikë që jetojnë në shtete të tjera. Ndërkohë që edhe Gjermania ka ligje të ngjashme shtetësie për gjermanët në Poloni, askush nuk e ka dëgjuar Merkelin deri më tani që të kritikojë Konferencën e Jaltës, e cila reduktoi dukshëm kufijtë gjermanë.
Viktor Orban nuk është fashist, apo ndonjë ultranacionalist  racist i djathtë. Në fakt, mbrojtësit e tij thonë se shumica e tij parlamentare ka pasur një rëndësi për vendin, pasi e ka nxjerrë jashtë loje partinë e ekstremit të djathtë, Jobbik. Por mënyra ekstremisht nacionaliste e argumentimit të ligjeve nga ana e Orban dhe vendimet e qeverisë së tij nuk janë hasur e parë nga hungarezët që nga vitet e pas 1956-s dhe kontrollit sovjetik. Janë të shumtë në Hungari ata që mendojnë se pushteti aktual në vendin e tyre është shumë pranë një regjimi autoritar.
“Orban nuk është një djalë që i përket ekstremit të djathtë”, thotë një nga themeluesit e partisë në pushtet, Fidesz, i cili aktualisht është anëtar i Partisë Socialiste. “Por si një populist, ai është duke luajtur me pikëpamje që i ndan një hap nga ekstremizmi”.
Mes njerëzve që e kanë ndjekur Orban në vite ka një debat të hapur dhe të gjallë në lidhje me atë nëse Orban e ka ndryshuar qëndrimin e tij me kalimin e kohës, apo i ka dhënë një gjuhë të re mendimeve të tij të vjetra. Sigurisht që shumë nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër mendojnë se Orban pa dyshim ka qenë gjithmonë një nacionalist i flaktë, edhe kur përdoret retorikë liberale.
Themelues të partisë Fidesz që janë ende afër Kryeministrit Orban thonë se autoriteti i tij rrjedh nga instinktet e luftëtarit të cilat i ka pasur gjithmonë. “Ai është i vetmi që ka qenë në mesin e ndryshimeve në vitin 1989 dhe kjo i ka dhënë shumë fuqi veprimi”, thotë një analist hungarez. Sipas tij, Orban e ndien me të vërtetë se mund të ndryshojë botën dhe për të realizuar një gjë të tillë mendon se i duhet një shtet i fuqishëm.
Po sa të shqetësuar duhet që të jenë europianët ndaj një njeriu të tillë që ka shumë pushtet për të bërë ndryshime në një vend të rëndësishëm si Hungaria?  Daniel Cohn – Bendit, lideri i Partisë së Gjelbër Europiane, deklaroi në Parlamentin Europian pak kohë më parë se Orban është duke u shndërruar në një Hugo Chavez të Europës, pra në një nacionalist populist. Disa publikime amerikane dhe europiane kanë shkuar edhe më tutje duke e përshkruar politikën e Orbanit si “putinizim të Europës”, një fyerje kjo e tmerrshme për çdo lider në Hungari, një vend që thuajse u kolonizua nga Rusia për thuajse gjysmëshekulli.
Megjithatë, ka nga ata që mendojnë se paralelet më të mëdha të ngjashmërisë ai i ka me Berluskonin një tjetër Kryeministër të përfolur europian, i cili me mjetet e tij ka tentuar që të mbajë nën kontroll median vendase duke qenë edhe pronari më i madh mediatik në vend. Megjithatë, Orban edhe pse e ka nisur keq mandatin e Kryeministrit ka kohë përpara për të treguar se ka reflektuar ndaj etiketimeve jashtë vendit dhe pakënaqësisë brenda vendit që shumë shpejt mund t’i shndërrohet në një pengesë të madhe të paparashikueshme./topLajm
Postuar te Bota. Komentet te >Orban, njeriu që ka “trembur” Europën Janë të Mbyllura

>Bojkoti i futbollistëve, "modë" e detyrueshme

>

Kapiteni i Drenicës, Sami Geci, dhe mesfushori kyç i kësaj skuadre, Muhamet Dragusha, janë të fundit që thonë se ishin të mbështetur për muri dhe se
nuk kishin zgjidhje tjetër, pos të bojkotonin stërvitjet. Dhe, falë bojkotit apo diçkaje tjetër, ata kanë arritur synimin e tyre dhe së fundi i janë bashkuar ekipit të Drenicës në stërvitje. Dragusha nisi stërvitjet të martën, kurse Geci të mërkurën. Të dy kishin arsye të njëjta që përdorën këtë “armë” – klubi u kishte borxh.
“Unë jam i lumtur që i jam bashkuar ekipit, pasi me bojkot më së shumti humbi unë. Unë kam stërvitur edhe vetë gjatë kësaj kohe, por ndryshe janë stërvitjet me ekipin. Shpresoj që pranvera të jetë e suksesshme për mua dhe klubin”, ka thënë Dragusha të enjten.
Ata janë të fundit që kanë bojkotuar stërvitjet, para tyre kishte edhe shumë të tjerë, madje pati edhe bojkot kolektiv.
Vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt klubet kosovare janë përballur me shumë bojkote nga futbollistët. Futbollistët e Ferizajt, ata të Vëllaznimit dhe disa futbollistë të Hysit nuk i kishin nisur fare përgatitjet, për të njëjtat arsye. Bojkotin, për të marrë atë që pretendojnë se u takon, deri ditë më parë e kanë shfrytëzuar edhe sulmuesi i Trepçës ’89, Armend Zabërgja dhe mesfushori i Prishtinës, Genc Sermaxhaj.
Për trajnerët kosovarë, bojkoti i futbollistëve shkon më së shumti në dëm të vetë lojtarëve. Trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu, vlerëson se koha e humbur nuk mund të kompensohet lehtë nga futbollistët. Ai thotë se bojkoti nuk është zgjidhje.
“Armend Zabërgja, të hënën, ka nisur stërvitjet, pasi ka arritur marrëveshje me drejtuesit e skuadrës. Është shumë e rëndësishme kjo për të. Bojkoti te futbollistët është bërë ‘modë’, por kjo nuk është gjë e mirë, pasi me bojkot futbollisti humb si në aspektin e përgatitjeve ashtu edhe në program. Koha e humbur nuk mund të kompensohet. Çështje tjetër është nëse kryesia nuk është e interesuar fare të kryejë obligimet ndaj futbollistëve”, ka theksuar Sejdiu.
E bashkë me Dragushën, edhe kapiteni i Drenicës, Sami Geci, ka ndërprerë bojkotin. Ai ka nisur të stërvitet, pasi klubi i ka premtuar se do të shlyejë obligimin që ka ndaj tij.
“Unë kam nisur të stërvitem. Klubi më ka premtuar se një pjesë të borxhit do ta shlyejë tani, kurse pjesën tjetër pak më vonë. Jam i lumtur që u arrit kjo marrëveshje, pasi bojkoti për askënd nuk është i mirë, por nuk kisha zgjidhje tjetër”, ka thënë Geci./kn

Postuar te SPORT. Komentet te >Bojkoti i futbollistëve, "modë" e detyrueshme Janë të Mbyllura

>Messi insiston se nuk ka rivalitet individual me Ronaldon

>

Ylli argjentinas, Lionel Messi pati fjalën e fundit dhe kryesore të mërkurën mbrëma, në ballafaqim me portugezin Cristiano Ronaldo. Messi shënoi golin e fitores për Argjentinën në miqësoren me Portugalinë, që përfundoi 2:1. Por, Messi nuk ka dashur që
përballja e së mërkurës të shikohet si dyluftim i tij me Ronaldon. Ai ka thënë se kjo ishte përballje mes dy shteteve. 
“Kjo nuk ishte një ndeshje mes Barcelonës e Real Madridit apo Messis e Cristiano Ronaldos. Ne nuk garojmë me njëri-tjetrin për të parë se cili është më i miri. Ne japim maksimumin për të ndihmuar skuadrat tona. Unë kam kërkuar të luaj gjithë ndeshjen të mërkurën dhe normalisht edhe ekzekutoj penalltitë. Po ashtu sonte kam luajtur në një pozitë afërsisht të njëjtë, siç luaj te Barça. Kjo më shkonte për shtati”, ka thënë Messi për faqen zyrtare të “UEFA-s”. 
Messi e Ronaldo vlerësohen futbollistët më të mirë në botë. Argjentinasi është shpallur dy herë me radhë më i miri nga FIFA. Këtë stinor të dy futbollistët po tregojnë formë të lartë. Messi për 38 ndeshje të zhvilluara këtë edicion ka shënuar 42 gola, derisa Ronaldo për 39 paraqitje ka shënuar 37 gola. 
Messi e Ronaldo janë duke prirë në listën e shënuesve më të mirë në Primera Division me nga 24 gola. 
“Nuk ka një luftë individuale mes nesh”, ka insistuar edhe ylli portugez Ronaldo. 
Trajneri i Argjentinës, Sergio Batista, prapë nuk ka mundur pa bërë një krahasim mes Messit dhe Ronaldos. 
“Unë e shijoj duke i parë të dy duke luajtur. Por, për mua sonte Lioneli ishte një hap para”, ka thënë Batista./kn

Postuar te SPORT. Komentet te >Messi insiston se nuk ka rivalitet individual me Ronaldon Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: