>Ska koalicion PDK-AAK?

>

Qëndrimi përfundimtar i AAK-së është për të mos bërë koalicion më PDK-në, kanë përsëritur sot zyrtarët e AAK-së, merr vesh KTV-ja.  Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i këtij subjekti politik, ka thënë se me Hashim Thaçin kryeministër AAK-ja nuk bën koalicion për bashkëqeverisje me PDK-në. Por, edhe burime nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se tashmë e kanë të qartë vendimin e AAK-së dhe se nuk e kanë ndërmend të dëgjojnë kërkesat e këtij subjekti, sepse i vetmi kandidat për kryeministër për ta është dhe do të mbetet Hashim Thaçi. 

E pavarësisht se gjatë tërë javës që lamë pas është diskutuar mundësia e hyrjes së AAK-së në bashkëqeverisje me PDK-në, kjo e fundit sot ka lëshuar një komunikatë nëpërmjet së cilës thotë se PDK-ja deri tash nuk i ka bërë ofertë zyrtare asnjë partie parlamentare dhe nuk ka zhvilluar asnjë takim formal për të diskutuar krijimin e koalicionit. 

PDK-ja njofton po ashtu se duke respektuar të gjitha procedurat demokratike, të parapara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, si dhe pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, do të procedojë menjëherë aktivitetet konkrete në funksion të krijimit të Qeverisë së re dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës. 


Sipas të gjitha gjasave, tash pas qëndrimit të palëkundur të AAK-së, PDK-ja as që do t’i bëjë ftesë kësaj partie për të biseduar rreth koalicionit.
Koha.net merr vesh se në këto çaste krerët e AAK-së po zhvillojnë një takim, në të cilin do të merret një vendim i prerë për ose kundër bashkëqeverisjes me PDK-në në përputhje me udhëzimet e marra nga kreu i Partisë, Ramush Haradinaj./kn

Advertisements
Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >Ska koalicion PDK-AAK? Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: