>‘Në PDK, Thaçi e ka fjalën e fundit’

>

Raporti sekret i Inteligjencës amerikane të KFOR-it i vitit 2004 flet se në Partinë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e ka fjalën e fundit për gjithçka.


Në këtë raport, një kopje të të cilit e ka gazeta Koha Ditore, ku flitet për mënyrën se si funksionojnë mes vete Hashim Thaçi me Xhavit Halitin, KFOR-i bazohet në të dhënat që i ka nxjerrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Kurse aty përshkruhen edhe metodat se si krerët e PDK-së janë munduar të kamuflojnë para publikut në situata të ndryshme.


“Haliti dhe Thaçi janë përpjekur të mos krijojnë raporte të afërta me njëri-tjetrin, sidomos para medieve. Mirëpo ata kanë takime private dhe një komunikim shumë të afërt mes vete. LDK-ja beson se për momentin Xhavit Haliti është njeriu më i rrezikshëm për zhvillimin e Kosovës. Në PDK, Thaçi është njeriu më i fuqishëm, gjë për të cilën nuk ka mëdyshje. Në diskutime Thaçi e ka fjalën e fundit, por Haliti është ai që merret me çështje praktike”, thotë raporti.


“Haliti nuk guxon ta anashkalojë Thaçin, sepse di shumë gjëra për të dhe Haliti e di këtë. Thaçi ka informacione për Halitin prej kohës kur ka qenë udhëheqës i UÇK-së dhe të gjitha informacionet koncentroheshin tek ai. Nëse Thaçi do t’ia drejtonte gishtin Halitit, Haliti e di se nuk do të ketë mundësi që ta mbrojë veten”, thuhet në raport.


Tutje raporti vë në pah se lidhjet e Halitit me SHIK-un dhe me njerëzit e politikës në Shqipëri ia garojnë atij pozicionin politik në Kosovë dhe i japin pozitë me ndikim.
Gazeta shkruan se është përpjekur që të marrë një prononcim të dielën nga Xhavit Haliti, por ai nuk është përgjigjur në telefon.


Ish nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, aktualisht anëtar i Kryesisë së kësaj partie, ka thënë që ai edhe teknikisht e ka pasur të pamundur të jetë në dijeni që partia e tij i ka ofruar të dhëna KFOR-it për PDK-në, ngase në atë kohë ka qenë kryetar i komunës së Gjilanit.


Në anën tjetër, këtë të shtunë KFOR-i ka bërë të ditur se ka ngritur një Komision hetimor, i cili do të verifikojë shkrimet e fundit të medieve të huaja, të cilat etiketojnë ish-udhëheqësit e UÇK-së si udhëheqës të krimit të organizuar, duke iu referuar dokumentit sekret të KFOR0-it, të vitit 2004. /Telegrafi/

Advertisements
Postuar te KOSOVË. Komentet te >‘Në PDK, Thaçi e ka fjalën e fundit’ Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: