>SHBA-të ja bëjnë me dije EDVIN KRISTAQ RAMËS

>

Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Tommas Countryman, duke folur për ngjarjet e 21 janarit në rrugët e Tiranës, tha
sot se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje.


Ai e quajti jetike punën e prokurorisë si institucion i pavarur për të kryer një hetim të besueshëm. “Hetimet do të drejtohen nga pala shqiptare me ndihmën teknike nga SHBA-ja dhe të tjerë, në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vrasjet e së premtes të përcaktohet në mënyrë ligjore, në një formë që përmbush standardet evropiane”, deklaroi Countryman. 

 “Një hetim i paanshëm, me ndihmë teknike nga jashtë, është një prej elementëve kyç për të zgjidhur dilemën e tanishme politike. Dhe për sa kohë palët i përmbahen këtij qëndrimi dhe e lejojnë prokurorinë të bëjë punën, besoj se kjo do të ndihmojë në qetësimin e gjendjes dhe do të sjellë dialogun dhe kompromisin e duhur”, u shpreh Countryman. 


Ai tha se u mirëprit vendimi i kryeministrit për të anuluar manifestimin e së shtunës, i planifikuar nga Partia Demokratike, ndërsa e quajti të gabuar atë të kryetarit të PS-së,  Edi Rama, për ta zhvilluar demonstratën paqësore. 


“Gjendja sot në Shqipëri është tejet e mbingarkuar. Edhe me synimet më të mira javën e kaluar për të zhvilluar një protestë paqësore pati dhunë. Është e vështirë për çdo politikan të premtojë kur planifikohet në një situatë kaq të nxehtë. E di që demonstrata bëhet në kujtim të tre viktimave, por jam i shqetësuar se nëse demonstrata zhvillohet, nëse kalohet në dhunë në vend që të nderoheshin viktimat do të krijohej efekti i kundërt”, nënvizoi Countryman. 


Sa i takon një kompromisi mes palëve, Countryman thotë se nuk është i pamundur. “Besoj se ndaj me shumicën e shqiptarëve zhgënjimin që politika është personalizuar dhe është bërë e pamoralshme”, tha ai. 


Si hapin e ardhshëm në Shqipëri, zyrtari i DASH-it foli për qetësimin e situatës, që prokuroria të lejohet të bëjë punën, për të gjetur fakte dhe palët të tregojnë angazhim për një fushatë të pastër, të ndershme e transparente për zgjedhjet lokale të majit.  Ai nënvizoi se në një vështrim afatgjatë, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, duhet të zgjidhë problemet përmes sistemit të vetë politik dhe jo të mbështetet te SHBA-ja apo BE-ja./kn

Postuar te RAJONI. Komentet Mbyllur te >SHBA-të ja bëjnë me dije EDVIN KRISTAQ RAMËS
Këtë e pëlqejnë %d blogues: