>Sekiraqa, së shpejti në Kosovë

>

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se dokumentet për të filluar ekstradimin e Enver Sekiraqa nga Irlanda janë në fazën përfundimtare. Sekiraqa kërkohet nga

policia, pasi dyshohet për krim të organizuar dhe për vrasjen e një oficeri të policisë në Kosovë.  Sekiraqa është lokalizuar nga policia irlandeze në nëntor të vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë është nën mbikëqyrjen e tyre përgjatë 24-orëve.

Ai kërkohet duke u bazuar në një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar përmes Interpolit, që mban shenjën e kuqe, e cila nënkupton se personi është shumë i rrezikshëm dhe i njëjti akuzohet për vrasje, grabitje, zhvatje, dy tentime për përdhunim dhe lëndime të rënda trupore.

“Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet irlandeze janë në fazën përfundimtare të plotësimit të bazës ligjore për arrestimin e tij dhe ne jemi në fillim të procedurës së ekstradimit,” ka deklaruar Ehat Miftari nga Departamenti për Bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë.

Sekiraqa kërkohet për vrasjen e Triumf Rizës, një pjesëtar i forcave speciale të policisë së Kosovës, i cili u ekzekutua në gusht të vitit 2007 në rrugët e Prishtinës nga një vrasës i paguar, i cili dyshohet se ka punuar për Sekiraqën.

Kosova ka dërguar një kërkesë për Sekiraqën në mënyrë që ai të ekstradohet më 17 nëntor dhe i njëjti u arrestua nga policia irlandez disa ditë më vonë.

Deri më sot, Kosova nuk ka ndonjë marrëveshje dypalëshe ekstradimi me Irlandën, e cila aktualisht ka marrëveshje vetëm me Australinë dhe SHBA-të.

Kosova nuk mund të nënshkruajë marrëveshje të ekstradimit me shtetet anëtare të BE-së, pasi ajo nuk është pjesë e Këshillit të Evropës. Megjithatë, marrëveshjet bilaterale me vendet përkatëse janë të lejuara.

Prishtina ka paraqitur 40 kërkesa vendeve të ndryshme që të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe ekstradimi, ndonëse deri më tash vetëm një pjesë e vogël kanë rënë dakord për ta bërë këtë, duke përfshirë edhe Zvicrën, Shqipërinë dhe Norvegjinë./express/


Postuar te KOSOVË. Komentet Mbyllur te >Sekiraqa, së shpejti në Kosovë
Këtë e pëlqejnë %d blogues: