>Ja çfarë më vodhën hajnat në banesën time në Prishtinë

>

Kohëve të fundit duket që më shumë po rri në Prishtinë sesa në Tiranë. Cila është arsyeja?

Në fakt kjo periudhe ka qene mjaft e zënë me xhirime e Vitit të Ri, koncerte dhe aktualisht edhe

xhirime të videoklipeve të mia të reja. Megjithatë, unë kam shumë kohe që vij shpesh në Prishtinë, pasi Kosova është shtëpia ime e dytë, por edhe në Tiranë gjendem shpesh me koncerte dhe aktivitete të tjera muzikore.

A do të thotë kjo se ju jeni zhvendosur për të jetuar në Kosovë?

Unë shkoj shpesh në Tiranë, rri shumë në Prishtinë dhe në Shkup, kurse verës në Durrës. Pra me një fjalë jetoj nga pak në çdo vend, ngase edhe puna ime është e shpërndarë në të gjitha këto qytete.

Është bërë e ditur se keni edhe një banesë në Prishtinë, e cila kohë më parë ka qenë pre e vjedhjes. Si ndodhi kjo?

Atë ditë ne ishim në Shkup, dhe kur u kthyem gjetëm derën e banesës të hapur. Gjithçka ishte përmbysur, kishte enë të thyera, sirtarë të hedhur poshtë. Gjëja e parë që na shkoi ndërmend ishte të kërkonim laptopin, të cilin e kishin marrë, pastaj edhe disa pallto, bizhuteri, fustane, çanta, këpucë etj. Ishte një ndjenjë e trishtueshme të gjeje banesën në një pamje të tillë. U mërzitëm pak, por u munduam ta kuptonim si fenomen, pasi shoqëria jonë është ende në një gjendje jo të mirë ekonomike. Megjithatë, vjedhja është një vepër e ulët, qe nuk i takon një individi të shoqërisë civile.

Jo rrallëherë emri juaj është lakuar në media për lidhje dashurie në Kosovë. Ka diçka të vërtetë rreth kësaj që po ju shtyn të rrini edhe në Kosovë?

Nuk di që emri im të jetë lakuar konkretisht në lidhje me këtë, por edhe nëse është përfolur kjo gjë në media, ka qenë në kuadrin e thashethemeve, dhe unë disa herë në intervistat e mia e kam mohuar këtë të pavërtetë.

Atëherë është dikush që ka pushtuar “zemrën” tuaj, qoftë nga Shqipëria, Kosova apo kudo tjetër?

Ende askush…(buzëqesh)

Gjatë verës më keni pas thënë se do të realizoni një duet me një këngëtar kosovar të muzikës popullore, mirëpo deri tash kjo nuk ndodhi. Ku ka mbetur ky bashkëpunim?

Tash për tash kjo hyn ne planet tona për vitin 2011.

Megjithatë, jeni duke përgatitur këngë dhe videoklipe të reja. Për çfarë bëhet fjalë?

Janë pikërisht 3 këngët e mia “Mallkuar”, “Nuse nuk u bëra” dhe “Gjenerali G” ku shumë shpejt do t’i kenë edhe videot e tyre. Janë të stileve krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. “Mallkuar” është një këngë e natyrës ballkanike, muzikën e së cilës e kam kompozuar unë, pastaj edhe “Gjenerali G”, i rrymës RnB, të cilën e kam kompozuar gjithashtu vetë. Me “Gjeneralin G”, u shpërbleva me 2 çmime në festivalin “Nota Fest”, ku mora çmimin “Best RnB” dhe çmimin e “TV MTV”. Në fund është edhe kënga “Nuse nuk u bëra”, me të cilën fitova çmimin e parë në festivalin “Poli Fest” në Prishtinë.

Rrugës së muzikës ka filluar edhe Irva, motra juaj. Si po ecën karriera e saj?

Irva ndihet shumë mirë në këtë fillim, i cili duket të jetë i mbarë. Ajo sapo ka përfunduar incizimin e këngës së saj të parë dhe këto dite edhe ajo po realizon videoklipin e parë. Jam krenare për të dhe i dëshiroj gjithë të mirat e kësaj bote.

Pa dashur që të ju fus në politikë. Si qytetare e Shqipërisë si i vlerësoni demonstratat e ditës së premte në Tiranë?

Jam shumë e prekur dhe mjaft e indinjuar faktikisht që kam parë skena të tilla në televizor, pasi dje isha në Prishtinë kur ndodhi ngjarja. Automatikisht u bëra merak për prindërit e mi. Së pari shpreh keqardhjen personale për viktimat e protestës. Ishte një ngjarje e hidhur dhe e rëndë për imazhin shqiptar në botë. Është një reagim i papërligjur që pati për pasojë humbjen e jetës së 4 njerëzve të pafajshëm. Përgjegjësinë duhet ta mbajnë të dyja palët kryesore të politikës, të cilat nuk janë në gjendje të parandalojnë situata të tilla shumë të rënda. Uroj të gjenden fajtorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje dhe të dënohen maksimalisht nga ligji shqiptar./yp

Postuar te Intervistë, Show-Biz. Komentet Mbyllur te >Ja çfarë më vodhën hajnat në banesën time në Prishtinë
Këtë e pëlqejnë %d blogues: