>Çuditë e votimit për “Topi i Artë”

>

Publikimi i votave nga FIFA ka zbuluar preferencat e secilit, por edhe meritë apo mendimet subjektive. Një nga çuditë më të mëdha të votimit është ajo e Holandës.
Ndoshta për të mos favorizuar të tjerët, trajneri Van Marvijk dhe kapiteni Van Bommel kanë votuar për Wesley Sneijder dhe Arjen Robben, ç’ka i bën votat e tyre të pavlefshme, duke qenë se nuk mund të votonin për dy holandezë. Një votim i tillë është komentuar nga të gjithë si mungesë sportiviteti, por edhe si një taktikë për të favorizuar Sneijder. Për trajnerë, Jose Mourinho është votuar në masë nga gazetarët, por sidomos nga futbollistët, që i kanë dhënë një votë plebishitare. Të gjithë lojtarët kanë treguar se kanë dëshirë të stërviten prej tij. Por, votimi ka treguar gjithashtu se kolegët tranerë nuk e kanë shumë qejf portugezin, duke preferuar thuajse të gjithë Vicente del Bosquen.
Ndërkohë, Wesley Sneijder ka marrë votat e të gjithë kapitenëve që ai i ka shokë skuadre, duke nisur nga Stankoviç i Serbisë, Chivu i Rumanisë, Eto’o i Kamerunit dhe Pandev i Maqedonisë. Çudi edhe në votimin spanjoll. Iker Casillas nuk ka votuar Mourinhon, teknikun e tij te Reali, ndërsa ka vendosur në vendin e tretë për lojtarë Cristiano Ronaldon. Ky i fundit i ka dhënë vendin e dytë portierit spanjoll, ndërsa të parin Xavit.
Një tjetër habi është vendi i tretë i votuar nga kapiteni i Republikës Domenikane Prins Glenson, që është quajtur i pavlefshëm. Ky vend nuk ka thuajse asnjë lojtar të njohur, kështu që pyetja e të gjithëve është: për kë ka votuar Glenson? Një fakt i fundit, janë votat e kapitenit të Suedisë Zlatan Ibrahimoviç. Ibra ka menduar si gazetar, duke i dhënë vendin e parë Iniestës dhe duke mos ngjitur Messin në pod. Për trajnerë, ai ka vendosur Murinhon në pod, ndërsa Guardiolën nuk e ka futur as në treshen e parë, duke renditur të dytin Del Bosquen dhe të tretin Ancelottin.
Në fund, për t’u theksuar votat e Shqipërisë. Josip Kuzhe dhe Altin Lala kanë votuar të dy Lionel Messin për “Topin e Artë”, ndërsa për trajnerë, kroati ka votuar Del Bosquen dhe kapiteni kuqezi Mourinhon. /indeksonline/
Postuar te SPORT. Komentet Mbyllur te >Çuditë e votimit për “Topi i Artë”
Këtë e pëlqejnë %d blogues: