>Talentët shqiptar që pritet të shpërthejnë më 2011

>

Mesfushori kosovar Xherdan Shaqiri ishte “hit” i vërtetë vitin e kaluar, jo vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë dhe botë. Ai i vuri “kapak” një stinori plot suksese me pjesëmarrje në Botërorin “Afrika e Jugut 2010” me fanellën e Zvicrës. 


Futbollisti i Baselit më 2011 pritet të luajë në
një nga skuadrat më të mëdha evropiane, ndërsa disa futbollistë të tjerë shqiptarë të moshës së tij apo edhe më të rinj, pritet të shpërthejnë më 2011. Ata tashmë kanë bërë hapat e parë dhe ekspertët shohin të ardhme të ndritur për ta, shkruan “Koha Ditore”. 

Granit Xhaka, 18 vjeç 

Mesfushori ofensiv i Baselit, Granit Xhaka, debutoi me ekipin e parë vitin e shkuar. Ai gjatë 2010-s pati dy paraqitje në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, kurse shënoi gol në fazën eliminatore të kësaj gare ndaj Debrecenit. Xhaka luajti ndaj Clujit dhe Bayern Munchenit, kurse pas ndeshjes skuadra bavareze tregoi interesim për shërbimet e tij. Në kampionatin zviceran Xhaka gjatë vitit të shkuar zhvilloi pesë ndeshje, kurse paraqitjet e tij të mira kanë rënë në sy edhe të skuadrës së Lazios, që kërkon të ketë në radhët e veta kosovarin. 
“Nëse mbetem në Basel gjatë vitit 2011 pres të stabilizohem dhe të kem edhe më shumë ndeshje. Gjithashtu dua të jem edhe më i suksesshëm duke fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës”, ka thënë Xhaka.

Dardan Rexhepi, 18 vjeç 

Në vitin 2010, te Malmo debutoi sulmuesi i ri kosovar, Dardan Rexhepi dhe që në stinorin e parë ai u kurorëzua me titullin e kampionit të Suedisë. Rexhepi te Malmo ishte partner i kosovarit tjetër në sulm, Agon Mehmetit. Rexhepi gjatë vitit të shkuar shënoi dy gola në dhjetë paraqitje kampionale për Malmon. Ai këtë vit pret minutazhë më të madhe dhe shpreson që me Malmon të tregohet efikas në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. 
“Në edicionin e shkuar shfrytëzova rastin tim për të luajtur me ekipin e parë të Malmos dhe tregova se mund t’ia dal mbanë. Në edicionin e ri pres të tregohem edhe më efikas, pasi sigurisht se do të kem minutazhë më të madhe”, ka thënë Rexhepi.

Valon Berisha, 17 vjeç 

Mesfushori kosovar vitin e shkuar debutoi me ekipin e parë të Vikingut dhe shënoi një gol maestral në kampionatin norvegjez. Ai regjistroi 12 paraqitje me ekipin e parë dhe menjëherë nisi të llogaritet si e ardhmja e futbollit të Norvegjisë. Paraqitjen e tij u përcollën edhe skautët e Chelseat, të cilët edhe bënë ofertë për shërbimet e Berishës. Mirëpo, ai nuk e ka ndërmend të largohet nga Norvegjia para se të dëshmohet edhe më shumë në këtë kampionat. 
“Jam i kënaqur me minutazhën që e kisha vitin e shkuar, por në edicionin tjetër pres edhe më shumë ndeshje dhe më shumë gola. Dua të fitoj përvojë edhe më të madhe te Vikingu para se të vendos të largohem”, pati deklaruar Berisha. 
Trajneri i Vikingut, Age Hareide, ka vlerësuar lart talentin e Berishës. 
“Valoni ka një potencial të madh. Ka kontroll fenomenal të topit. Duhet tash të punoj në pjesën taktike. Në futboll gjithçka varet nga përvoja. Ndoshta është me moshë i ri, por me potencial besoi se është i gatshëm të futet në ekipin e parë dhe të luajë rregullisht”, ka thënë Hareide. 

Pajtim Kasami, 19 vjeç 

Pajtim Kasami debutoi vitin e shkuar me ekipin e parë të Bellinzonës, kurse para fillimit të këtij edicioni u transferua në Itali te skuadra e Palermos. Krerët e ekipit italian e vlerësojnë Kasamin si talent dhe për këtë arsye firmosën kontratë deri në vitin 2015. Kasami gjatë vitit të shkuar në total ka pasur 14 paraqitje përfshirë këtu ato në Serie A dhe në Europa League. Ai gjatë miniafatit kalimtar pritet të huazohet te ndonjë skuadër tjetër italiane në Serie A, ku do të luajë rregullisht për të fituar më shumë përvojë.
“Kasami është e ardhmja e Palermos dhe gjatë dimrit do të huazohet për të luajtur më shumë ndeshje dhe për të fituar përvojë në Serie A”, kanë thënë presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini.

Flamur Kastrati, 19 vjeç 

Sulmuesi Flamur Kastrati nuk luajti në asnjë ndeshje me ekipin e parë të Twentes në vjeshtë, as në kampionat e as në Ligën e Kampionëve, mirëpo për çdo ndeshje ai ishte në 18-shën e parë. Para pak ditësh ai u huazua për gjashtë muaj te skuadra gjermane Osnabruck, që garon në Bundesliga 2. Krerët e ekipit gjerman e shohin Kastratin si përforcim ideal dhe presin shpërthimin e tij deri në fund të këtij edicioni. Ata madje i kanë vënë nofkën atij “Drogba i vogël”. 
“Për mua kjo është lëvizja e duhur, sepse këtu do të përmirësoj edhe më shumë lojën time dhe do të luaj me ekipin e parë në ndeshje kampionale. Cilësitë e mia do të flasin në fushë”, ka thënë Kastrati gjatë prezantimit te skuadra e Osnabruckut. Ai ka shënuar gol në ndeshjen e parë që zhvilloi me ekipin e ri. Ishte miqësore./koha

Postuar te SPORT. Komentet Mbyllur te >Talentët shqiptar që pritet të shpërthejnë më 2011
Këtë e pëlqejnë %d blogues: