>LDK: Parregullsi në Drenas

>

Lidhja Demokratike e Kosovës ka denoncuar parregullsi në qendrat e votimit në fshatrat Terstenik, Polluzhë, Orllat, si dhe në shkollën “Skënderbeu” në Drenas.

Përmes një komunikatë për media, kjo parti ka thënë se vëzhguesit e saj janë penguar të vëzhgojnë procesin zgjedhor.

“Ata nuk janë lejuar të hyjnë fare në qendrat e votimit,
ndërsa votimi ka vazhduar. Vëzhguesit janë penguar nga menaxherët e qendrave, si dhe nga grupe militante të PDK-së”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

“Në Trestenik, komisionerët e LDK-së nuk po lejohen as të lëshojnë qendrën e votimit, meqë janë kërcënuar nga grupe militante të armatosura të PDK-së, që po qëndrojnë para qendrës së votimit gjatë tërë kohës”, ka bërë të ditur LDK-ja, duke shtuar se në Trestenik nuk ndodhet asnjë vëzhgues ndërkombëtar.

LDK-ja thotë se “në qendrën e votimit në Polluzhë është vërejtur se është falsifikuar kartela e vëzhguesit të LDK-së dhe në vend të tij në qendrën e votimit ka hyrë një vëzhgues që nuk i takon LDK-së”.

Në komunikatën për media, Lidhja Demokratike e Kosovës bën thirrje që partitë politike të respektojnë kodin zgjedhor dhe kodin e mirësjelljes, ndërsa nga menaxherët e qendrave dhe komisionerët kërkon të sillen konform ligjit dhe detyrimeve qe kanë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se përsëritja e parregullsive të 12 dhjetorit, që dëmtuan rëndë procesin zgjedhor në tërësi, do të pamundësojë edhe korrektimin më të vogël në komunat në të cilat po votohet sot”, thuhet në komunikatën e LDK-së./rel

Postuar te Zgjedhjet 2010/2011. Komentet Mbyllur te >LDK: Parregullsi në Drenas
Këtë e pëlqejnë %d blogues: