>EULEX-i, aktakuzë për krime lufte ndaj Sabit Gecit

>

Prokurori amerikan në kuadër të EULEX-it, Robert Dean, tashmë ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Sabit Gecit dhe Riza Alisë. Agjencia franceze e lajmeve, AFP, që thotë se e ka parë aktakuzën në 

verzionin shqip, raporton se Geci e Alija akuzohen për “krime lufte kundër popullatës civile të kryera në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri”.

“Kampet në Kukës dhe Cahan të krijuara nga UÇK-ja thuhej se shërbenin për logjistikë e trajnime, por dy të akuzuarit i përdornin ato për t’i mbajtur civilët dhe personat që nuk merrnin pjesë në luftë”, thuhet në aktakuzë.
 Ende nuk është e qartë se kur do të nisë gjykimi. Sabit Geci u arrestua në maj, kurrse Riza Alija në qershor, të vitit të kaluar. Aktakuza vjen në kohën që Kosova po përballet me raportin akuzues të Dick Martyt. Zvicerani e përmend në dokumentin e tij Gecin si të dyshuar për vrasjen e një civili në Kukës, që fillimisht u rrah e më pas u qëllua për vdekje.
Sipas aktakuzës së Dean, Geci e Alija akuzohen se i mbajtën kosovarët që ikën nga konflikti dhe dyshoheshin për bashkëpunim me regjimin serb ose që kishin pikëpamje të ndryshme politike me ato të UÇK-së.
Aty thuhet se të dy ishin direkt të përfshirë në urdhërimin dhe pjesëmarrjen në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto qendra mbajtjeje, nga fundi i marsit ose fillimi i prillit e deri në qershor 1999.
 “Civilët vazhdimisht goditeshin me shufra të llojeve të ndryshme, rriheshin, keqtrajtoheshin dhe abuzoheshin verbalisht. Mbaheshin në vende të ndyra dhe në kushte aspak shëndetësore. Nuk u jepeshin ushqim, ujë apo trajtim mjekësor”, thuhet në aktakuzë.
Dokumenti përshkuran një incident në Kukës ku dy të burgosur u urdhëruan të vishnin xhaketa anti-plumb dhe më pas u vranë nga një njësit qitës, si mënyrë e torturës.
EULEX-i ka vendosur që gjyqësori i Kosovës ka juridiksion për çështjen, edhe pse krimet e supozuara kanë ndodhur në Shqipëri.
Misioni evropian i sundimit të ligjit ka marrë dëshmitë e 20 të burgosurve, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik. Ata thonë se kanë pësuar trauma të mëdha fizike dhe psikologjike për shkak të kushteve ku janë mbajtur dhe rrahjeve e torturave. Emrat e tyre janë të koduar në mënyrë speciale, në aneksin konfidencial të aktakuzës, në mënyrë që gjykata të ruajë identitetin e tyre./indeksonline/
Postuar te KOSOVË, POLITIKË. Komentet te >EULEX-i, aktakuzë për krime lufte ndaj Sabit Gecit Janë të Mbyllura