>Parfumet, pjesa e padukshme e karakterit tonë

>

Festat e fundvitit janë ato që na japin pak kohë dhe mundësi edhe të shohim një pjesë delikate të vetes: anën e jashtme. Ndërsa gjatë vitit, puna dhe

stresi nuk na bëjnë shumë të vëmendshëm ndaj paraqitjes, grimit, mbajtjes së flokëve dhe parfumeve, në këtë prag feste kemi kohë që t’i hedhim një sy pasqyrës me dëshirën për t’u përmirësuar dhe pse jo për të ndryshuar imazh dhe aromë.

Aromat i shtojnë karakterit tonë një dimension më shumë, na identifikojnë me lule, mjedise ekzotike, vende, persona. Aromat janë pjesë e pandarë e jetës sonë. Janë fillimisht ato natyrale si era e flladit të detit, aroma e tokës së lagur pas shiut në një pyll me pisha, aroma e një fushe me grurë në një ditë të nxehtë vere, apo aromat e pafund të luleve dhe deri te vetë aroma e lëkurës sonë që, në disa variacione të saj, është e jashtëzakonshme. Por që nga lashtësia, njeriu ka tentuar me të gjitha mjetet dhe mënyrat që t’i shtojë vetes edhe aroma të tjera, ose më mirë t’ua marrë aromat luleve, ujërave, fushave dhe t’i shndërrojë në parfume për përdorim të përditshëm. Dihet nga faktet historike se që në kohët antike, metodat e përpunimit dhe të përftimit të parfumeve kanë qenë të sofistikuara. Në ditët tona, sigurisht që teknologjia është përmirësuar ndjeshëm dhe formulat e krijimit të parfumeve janë të pafund. Kjo ka bërë që edhe tregu i tyre të jetë shumë i madh. Sigurisht që është një treg që si në rastin e çdo malli ka një shtresëzim, pra një treg për parfumet e lira me përdorim të përditshëm, për një masë të caktuar njerëzish dhe një treg për një konsumator më elitar, që kërkon të veçantën dhe uniket në produktet që blen.
Gjithsesi parfumi është bërë pjesë e pandarë e jetës sonë, pjesë e pandarë e ditës, e natës, e rasteve të veçanta. Në këtë tërësi markash dhe tërësi produktesh të pafund që reklamohen në mënyrë të vazhdueshme, që dalin në treg, që pëlqehen dhe shijohen nga të gjithë, ka nga ata që mbesin gjatë në memorien tonë si parfume që lidhen me persona, apo ngjarje të caktuara. Është bërë traditë që njerëz të famshëm të prodhojnë edhe linjën e tyre të parfumeve. Dhe në shumë raste suksesi është i garantuar nga emri i personit. Nëse është një sportist, ai zakonisht synon që të përcjellë me anë të fragrancës së re aromën e shpejtësisë, të freskisë, të rinisë së përjetshme. Nëse është një aktore e bukur, aroma e saj me siguri që synon të përcjellë sharmin e një bukurie që nuk njeh moshë, stilin dhe elegancën e një paraqitjeje të lakmueshme nga të gjithë. Në rastin e një këngëtareje që është energjike në skenë, parfumi që përcjell, synon të përçojë gjithë forcën, tingullin, entuziazmin, adrenalinën e një skene që arrin të ndezë zemrat e mijëra vetëve.
Një këngëtare në këtë rast do të ishte përcjellësja më e mirë e një parfumi të denjë për jetën moderne. Ajo është koncentrim i shumë arteve së bashku dhe mbi të gjitha koncentrim i artit me lëvizjen. Të tillë shembuj janë të shumtë dhe thuajse në të gjitha rastet bëhet fjalë për një sukses të garantuar të produktit.
Imagjinoni një këngëtare si Fergie dhe pas kësaj imagjinoni se cila do të ishte fragranca që do t’i përshtatej më mirë energjisë së saj dhe artit që përcjell. Fergie është një nga më të suksesshmet aktualisht në industrinë e këngës dhe veç kësaj edhe një promotore e zërave të rinj, talenteve të reja. Ndaj një parfum që do të mbante vulën e saj nuk përcjell vetëm suksesin e një zëri dhe adrenalinën e skenës, por edhe përkujdesjen për të ardhmen, për përzgjedhjen e atyre zërave që përbëjnë të veçantën dhe talentin. Ajo ka bashkuar forcat e saj me “Avon”, për të sjellë një parfum shumë të veçantë, që zgjon entuziazëm dhe njëkohësisht të bën të ëndërrosh. “Do të doja që t’i shtoja pak ‘rock and roll’ jetës së çdo gruaje, duke përcjellë shpirtin tim artistik dhe luftarak njëherazi”, ka deklaruar Fergie në një nga intervistat e saj të fundit. Parfumi që mban aromën e suksesit të Fergie-t është një parfum i një vajze që nuk ka nevojë për t’u prezantuar, sepse ka vetëbesim të jashtëzakonshëm dhe e di fare mirë rolin e saj, duke e shpalosur personalitetin pa frikë dhe droje. “Jam shumë e ekzaltuar që kam këtë bashkëpunim me ‘Avon’ në lidhje me sjelljen në jetë të parfumit tim të parë. Unë kërkoj vazhdimisht mënyra të reja për të shprehur veten, talentin dhe energjinë që kam dhe me këtë parfum e realizoj një dëshirë të tillë, pra që pak nga karakteri dhe arti im t’i bashkëngjiten trupit dhe ditës së një femre”./gt

Advertisements
Postuar te Studim. Komentet te >Parfumet, pjesa e padukshme e karakterit tonë Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: