Presidenti Barak Obama pas 2 nëntorit

Presidenti Barak Obama

Kur presidentët amerikanë kanë pësuar humbje të thella në zgjedhjet për në Kongres, që njihen si votimet e mesmandatit, ata kanë pasur tendencën t’iu kthehen problemeve ndërkombëtare. 

Duke pasur ndikim të kufizuar te Kongresi, ata kanë pasur më shumë hapësirë
manovrimi në politikën e jashtme dhe njëherësh kanë pasur rastin që të duken tepër të vendosur si burrështetas.


Edhe presidenti Obama duket se do të përballet me humbje të konsiderueshme në zgjedhjet e së martës. Pyetja është se a do të ndjekë ai të njëjtën rrugë si paraardhësit e tij në kushte të ngjashme? Mbi të gjitha, ai është një president në kohë lufte me një çmim Nobel për paqe.

Problemi i vërtetë i Obamës është fakti se ai nuk ka ndonjë mundësi gjysmë të gatshme për të arritur sukses në politikën e jashtme. 

Bota që trashëgoi ky president, së paku në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore, nuk përcaktohet nga fitoret ushtarake të SHBA-ve apo nga marrëveshjet që shënojnë fundin e konflikteve. 
Bota ku i duhet të veprojë presidentit Obama nuk është bardhë e zi, por gri e me plot hije. Përmendim këtu aleatët e korruptuar, armiqtë e vendosur, që janë të vështirë për t’u përkufizuar e klasifikuar, konfliktet asimetrike dhe shtetet e dështuara apo në rrugë drejt dështimit. 

Nuk ka heronj apo rezultate përfundimtare. Në këtë kuptim, pavarësisht nëse zgjedhjet e së martës nxjerrin fitues republikanët, duke iu dhënë atyre drejtimin e të dyja dhomave të Kongresit, Obama ka hapësirë për të vepruar nëse shfaqet ndonjë mundësi në planin ndërkombëtar. 

Është e qartë se Obama në planin e brendshëm do të hasë në shumë rezistencë gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit të tij. 
Në politikën e jashtme, pengesat kryesore Obamës nuk do t’i vijnë nga Kongresi, por nga grupet fisnore në Irak, Iran e Afganistan, pavarësisht sa të vogla mund të jenë ato. Do të jenë pikërisht këto grupime që do të formësojnë suksesin apo dështimin.
Nëse do të jetë i mençur sa duhet, presidenti do të mbajë një retorikë e ambicie relativisht modeste. 

Me gjithë përqendrimin e të gjithëve rreth faktit se si do ta ndryshojnë politikën e Obamës zgjedhjet e mesmandatit, fati i politikave presidenciale në Afganistan, Irak, Iran dhe rreth konfliktit izrealito-palestinez, do të varet nga politikat e vetë këtyre vendeve e grupimeve.
Shumë më pak e ardhmja e politikave në këto pjesë të botës do të varet nga ajo që thonë drejtuesit e demokratëve apo republikanëve në Kongres. 

Në këtë botë të re, ku fiset e vogla kanë në dorë pushtet të madh, mundësitë e Shteteve të Bashkuara janë të kufizuara. Ne jemi shndërruar në një Guliver të kohëve moderne, të mbërthyer nga grupime, interesat e të cilave nuk janë dhe tonat.
Le të marrim rastet e Pakistanit e Iranit. Do të jenë zhvillimet e brendshme politike në këto vende ato që do të përcaktojnë dhe politikën e tyre të jashtme. 

Në këtë kuptim, opsionet e Obamës janë jo pak të zymta. Ruajtja e stabilitetit të Pakistanit apo parandalimi i Iranit që të prodhojë armë bërthamore, do të varen shumë më pak nga aritmetika e numrave në Kongres dhe shumë më tepër nga ngjarjet në terren, mbi të cilat Uashingtoni ka shumë pak ndikim.
Duke thënë këto, duhet të theksojmë se mënyra se si do ta zhvillojnë lojën republikanët në Kongres, do të ndikojë në mënyrën e perceptimit të Obamës jashtë vendit. 

Aleatët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara do ta studiojnë me kujdes shkallën e dobësimit të presidentit nga këto zgjedhje. Natyrisht, bazuar në analizat e tyre do t’i marrin edhe vendimet dhe do t’i përcaktojnë qasjet për çështje të ndryshme. 
Në këto kushte, Obama mund të tundohet nga ideja që t’iu kushtojë më shumë kohë çështjeve të jashtme e më pak atyre të brendshme. Për një president në kohë lufte e me një çmim Nobel për paqen, kjo duket alternativë më se e logjikshme. 

Por, ndonëse në disa raste marrja me republikanët mund të qëllojë të jetë më e vështirë sesa bisedimet me Hamid Karzain, presidenti duhet të merret me ta, pasi kjo është më e mira për Shtetet e Bashkuara./ Foreign Policy

Postuar te Bota. Komentet te Presidenti Barak Obama pas 2 nëntorit Janë të Mbyllura

12 dhjetor 2010 Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 12 dhjetor 2010. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, në një konferencë për shtyp, ku ka njoftuar edhe shpërndarjen e parlamentit.


“KQZ të marrë të gjitha masat e nevojshme për organizmin e zgjedhjeve. Shfuqizohet vendimi i mëparshëm që parashikonte zhvillimin e votimeve më 13 shkurt”, theksoi Krasniqi.

Ai deklaroi se ky vendim është marrë pas rënies së qeverisë gjatë mocionit të votuar sot në parlamentin e Kosovës.
Duke folur për funksionimin e institucioneve në vend, Krasniqi tha se nuk do të ketë asnjë vakum dhe qeveria do të jetë në detyrë deri në zgjedhjen e parlamentit të ri. / TopChannel

Postuar te KOSOVË. Komentet te 12 dhjetor 2010 Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme Janë të Mbyllura

Kur shqiptarët s’kanë identitet

Kur shqiptarët s’kanë identitet
Juliana Dhimitri


Një i vdekur mot nuk dhemb më shumë sesa një kurorë e djegur sot. Jetojmë në kohën e paradokseve, kur shqiptarit i dhemb shpirti për një kurorë me germa greke që digjet, por nuk i dhemb më zemra për stërgjyshërit e bashkudhëtarët e vet bashkëkombës në këtë botë. Jetojmë në kohën kur mbi të vdekurit hidhet beton, hiqen eshtra nga varret dhe në kohën kur mbi ta shkelin dhe parakalojnë kurora që mbajnë germa të një tjetër gjuhe, kur mbi ta nuk ndizet një qiri, por digjet një kurorë. 



Njerëzit e çuditshëm të kësaj kohe nuk mund të ulërijnë e bërtasin kur një i vdekur përçudnohet me beton dhe heqje kockash nga varret, por janë të gatshëm të qajnë dhe të preken kur digjet një kurorë e vendosur nga fqinjët tanë grekë. Jetojmë mes paradokseve që i prekim dhe shohim çdo ditë dhe për të cilat pak flasim ose heshtim. Sot dhjetëra varre në Boboshticë, me gurë shekullorë që nuk janë harruar as nga koha, luftërat e bombardimet, vitet dhe sistemet, sot shkelen me këmbë. Këto varre në Boboshticë sot thërrasin për ndihmë më shumë se kurrë të vënë përballë dilemës së ekzistencës jo vetëm greke, por edhe të shumë servilëve, që sot bëhen më shumë grekë sesa vetë helenët. Jetojmë në një kohë kur historia mund të tjetërsohet nga çdokush. Secili prej nesh sot di historinë që i leverdis më shumë, historinë që e harrojmë kur nuk e duam dhe e kujtojmë nuk na duhet. Shumëkush pyet sot me të drejtë se çfarë do të ndodhte në rast se kjo panoramë që ofron Boboshtica sot, e masakruar, dhunuar dhe e cenuar në dinjitet dhe identitet, e përçudnuar deri dhe në varreza, do të kishte ndodhur në shtetin fqinj? Mendoni një grup shqiptarësh të drejtuar nga diplomatë që shkelin mbi varreza greke për të thënë se këtu jemi ne, janë paraardhësit tanë, mund të bëjmë festa mbi varre, mund të këndojmë himnin kombëtar. Kjo as mund të ndodhë kurrë. Greqia thuhet se ka shtet, ne thuajse e kemi humbur. Ne nuk shkelim dot mbi varret e grekëve, ata mund të shkelin mbi varret tona. Ne nuk mund të hyjmë në varrezat tona, grekët mund të festojnë mbi to. Ne përbuzemi kur themi të vërtetën, ata jetojnë e ngrenë monumente mbi gënjeshtrën tonë. Kam përjetuar shumë kundërshti gjatë profesionit tim si gazetare, por asnjëherë si sot, kur vetë shqiptarët dalin kundër njëri-tjetrit, kur fqinji përzë fqinjin nga varri i gjyshit të vet, kur një shqiptar i mohon tjetrit deri dhe të vdekurin baba, apo gjysh për një ushtar të huaj, kur historia e kombit në gojën e shqiptarit është vetëm historia e vizave dhe asaj që ai sheh sot. Ne përbuzemi çdo ditë nga të huajt, madje dhe në vendin tonë. Përbuzen njerëzit e thjeshtë, përbuzen të vdekurit, përbuzen gazetarët, historianët, mallkohemi nga vetë shqiptarët, mallkohemi nga priftërinjtë, shteti, edhe nga grekët. Sot boboshtarët nuk mbrohen nga shteti. Ata janë lënë në harresë në një javë histori me dhunim varresh, në një javë ku luftojnë me veten pa forcë, dhe as policia, as prokuroria nuk kujtohet se është dhunuar një varrezë, por shkojnë kur digjet një kurorë e vënë nga grekët.

Postuar te Opinione. Komentet te Kur shqiptarët s’kanë identitet Janë të Mbyllura

Sa e rëndësishme është ndarja e detyrave në çift?

Nëse “detyrat” e shtëpisë ndahen mes burrit dhe gruas, mundësitë për divorc janë shumë të vogla. E rëndësishme është që secili nga partnerët duhet ta ndiejë se kontributi në një familje është i dyanshëm


Ekspertët kanë treguar se ndarja e detyrave në shtëpi dhe problemet që lidhen me kujdesin për fëmijët janë ndër shkaqet kryesore të zënkave të shpeshta, madje edhe divorceve në familje.
Ata mendojnë se pikërisht detyrat e ndara si duhet në familje mund të jenë baza e një marrëdhënieje të shëndetshme. Nga sondazhet e bëra del se meshkujt e pranojnë se shkaqet për të cilat zihen më shpesh me partneret e tyre janë ato të kujdesit për shtëpinë, si për shembull larja e enëve, tualetit, apo kujdesit për fëmijët. Po sipas të dhënave që dalin prej tyre, del se meshkujt ndër punët e shtëpisë preferojnë të lajnë enët, të hekurosin, të marrin pluhurat, të gatuajnë dhe në fund fare të pastrojnë tualetin apo të lajnë dyshemenë.


Kush e ka thënë se ekziston një lidhje e fortë mes punëve të shtëpisë dhe marrëdhënieve seksuale të një çifti? Lidhjen e çuditshme mes punëve të shtëpisë dhe seksit në çift e ka verifikuar një studim i publikuar në numrin e fundit të “Journal of Family Issues”. Sipas studimit, jeta e çiftit ndikohet edhe nga pastërtia në shtëpi. Nëse punët e shtëpisë ndahen mes burrit dhe gruas, mundësitë për divorc janë shumë të vogla. Por si shpjegohet fakti se edhe në këtë kohë, ku ka më shumë barazi, shpesh krijohen përplasje në çift për ndarjen e punëve të shtëpisë? Një mashkull që jeton vetëm në një apartament nuk tregon ndonjë kujdes të veçantë për vendin ku jeton. Ai mund t’i ndërrojë shumë rrallë çarçafët dhe ta pastrojë shtëpinë shumë rrallë. Kjo nuk është një çudi, sepse meshkujve thjesht nuk u intereson rregulli dhe pastërtia në banesë. Kjo gjë ndodh gjithmonë kur jetojnë vetëm dhe nuk kanë ndihmën e ndonjë të afërmi apo pastrueseje. Autorët e studimit thonë se larja e dyshemeve, sistemimi i shtëpisë, larja e pjatave, e rrobave, nuk kanë ndikim të madh në marrëdhënien në çift. Të paktën kjo është konfirmuar nga sondazhi i bërë te 6877 çifte të martuara. Domethënia e studimit është kjo: sa më shumë energji të shpenzohen në një fushë të jetës, aq më shumë energji fitohen për aktivitetet e tjera, duke përfshirë këtu edhe atë seksuale. Gjithashtu, studimi ka gjetur një lidhje mes orëve të kaluara në një punë me pagesë të lartë dhe frekuencës së seksit te një çift. “Në vend që të rrezikojnë jetën seksuale, për shkak të kërkesave në punë ose në shtëpi, grupi i çifteve të marrë në studim duket se përparësi i ka dhënë marrëdhënies seksuale”, ka shpjeguar Constance Gager, sociologe dhe autore e studimit, që më pas është publikuar në “Wall Street Journal”. Gager dhe kolegët e saj kanë mbetur pa fjalë nga rezultatet e studimit. Ata prisnin që të ishin meshkujt më të bekuar se sa femrat në raportin seks-punë shtëpie, për shkak “të efektit të falënderimit” nga ana e partnereve, të cilat janë më të angazhuara në punët e shtëpisë. Studiuesit zbuluan se efekti aplikohej në masë të barabartë për të dyja gjinitë. “Mund të duket një detaj i parëndësishëm, por bën diferencën: në një çift ku gruaja kalon 68 orë duke u marrë me punët e shtëpisë, ndërsa burri 45 orë, do të bëjë 15 herë më shumë dashuri në një vit në krahasim me një çift tjetër ku totali i orëve të kaluara me punët e shtëpisë është 18 orë”. Studimi ka tërhequr vëmendjen e sociologëve. Është e çuditshme se si punët e shtëpisë ndikojnë në marrëdhënien në çift: një sondazh i fundit i “Pew Research Center” ka zbuluar se amerikanët i vendosin punët e shtëpisë në vendin e tretë mes faktorëve të rëndësishëm të jetës në çift, pas besnikërisë dhe intimitetit seksual.


Rastet e divorcit, për shkak të moskontributit të mashkullit në punët e shtëpisë, sa vijnë e po shtohen. Duke qenë se sot, një pjesë e madhe e çifteve bëjnë dy punë dhe lodhen shumë, lind nevoja e ndarjes së punëve brenda shtëpisë. Duke qenë se tradicionalisht gruaja është kujdesur për shtëpinë, lindin probleme për ndarjen e punëve, të cilat mund ta çojnë çiftin deri në prishjen e martesës. Kjo do të thotë se tashmë ndarja e punëve dhe pasojat e mosbërjes së saj mes burrit dhe gruas janë një sinjal alarmi për të gjitha çiftet që duan të jetojnë gjatë bashkë. Fatmirësisht, gjatë viteve të fundit situata ka ndryshuar: një pjesë e meshkujve kanë filluar të jenë më aktivë, duke dhënë kontributin e tyre brenda shtëpisë. Sipas një studimi britanik, divorcet janë më të pakta në rastet kur çifti ka arritur që të ndajë punët brenda shtëpisë. Në Shtetet e Bashkuara, nevoja dhe kërkesa për barazi në këtë aspekt mes burrit dhe gruas është shndërruar në një lëvizje të mirëfilltë dhe të organizuar. Kësaj çështjeje i janë dedikuar shumë libra të shndërruar në bestseller, shumë biseda e debate televizive, artikuj gazetash apo revistash. Në fakt, problemi është pak i ndërlikuar: nuk bëhet fjalë për një zakon të thjeshtë që në zanafillë. Ky lloj debati për ndarjen e punëve të shtëpisë ka zgjatur për shekuj me radhë. Një pikë tjetër kritike, e cila mund të rrezikojë marrëdhënien në çift, është mënyra e ndryshme që kanë meshkujt dhe femrat për sa i përket stilit se si bëhen punët. Të gjithë kemi këndvështrime të ndryshme për sa i përket rregullit dhe pastërtisë. Sipas shumë specialistëve, kjo është diçka që mund të ndryshojë, duke qenë se shumë gjëra edukohen me hir ose me pahir. E rëndësishme është që secili nga partnerët duhet ta ndiejë se kontributi është i dyanshëm në një familje, kjo edhe për sa u përket punëve të shtëpisë, sepse prishja e vazhdueshme e ekuilibrave sjell ndërprerjen e vetë marrëdhënies, herët ose vonë.

Postuar te Studim. Komentet te Sa e rëndësishme është ndarja e detyrave në çift? Janë të Mbyllura

Kaloritë dhe shëndeti i tepërt

Kaloria është energjia që marrim përmes ushqimit. Nëse  marrim shumë kalori, pasoja është shëndoshja. Deri këtu  të gjithë janë të një mendjeje. Po sa kalori kanë produkte  të ndryshme ushqimore?  


Kur jemi në supermarket, apo në çdo vend që shitet ushqim, gjëja e parë që bëjmë, kur marrim në dorë një produkt të caktuar është të shohim se sa kalori përmban.
Jemi apo nuk jemi në dietë kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse thuajse gjithmonë njerëzit janë të prirur që të blejnë ushqimet që kanë më pak kalori duke menduar se kanë bërë zgjedhjen e duhur. Por sipas disa ekspertëve mund të ndodhë që pikërisht numërimi, apo marrja në konsideratë e kalorive mund të na shëndoshë më shumë. Kjo sepse mënyra aktuale e numërimit të kalorive ka shumë të meta në vetvete dhe si pasojë numri i kalorive që gjendet në etiketat e produkteve ushqimore dhe në librat e dietave është gabim në masën 25%. 


Po të hani ushqime me 20 kalori më shumë në ditë do të thotë që brenda një viti do të shtoni pa frikë 2 kilogramë. Tani bëni një llogaritje që këto 20 kalori më shumë i merrni nga çdolloj ushqimi. Në këtë rast kemi një efekt të shumëfishuar dhe një shtim në peshë në dukje të pa shkak dhe të pajustifikuar. Nëse kjo teori është e drejtë, ajo mund të shpjegojë se përse ata që përpiqen me të gjitha forcat që të bien në peshë duke llogaritur kaloritë e ushqimeve që konsumojnë, vazhdojnë që të shëndoshen dhe të çuditen nga një gjë e tillë. Mos vallë dietologët i kanë bërë më kot llogaritë e kalorive. Le të shohim se çfarë thotë studimi në fjalë. 




Kaloria është energjia që marrim përmes ushqimit. Nëse marrim shumë kalori, pasoja është shëndoshja. Deri këtu të gjithë janë të një mendjeje. Po sa kalori kanë produkte të ndryshme ushqimore? Mënyra aktuale e numërimit të kalorive të ushqimit bazohet në tabelat e krijuara 100 vjet më parë nga një kimist bujqësor që quhej Wilbur Olin Atwater. Ai përdori një pajisje që quhej kalorimetër dhe funksionimi i saj konsistonte në djegien e porcioneve të caktuara ushqimore dhe më pas në matjen e sasisë së energjisë që përftohej. Më pas ai llogariste sasinë e energjisë që përdorte trupi, përmes llogaritjes së energjisë së ushqimit të patretur në jashtëqitje apo mbetjet e tjera. Kështu ai arriti në përfundimin se çdo gram karbohidrati prodhonte 4 kalori, një gram yndyrë prodhonte 9 kalori dhe 1 gram proteinë prodhonte 4 kalori. Këto shifra janë konsideruar si “të shenjta” deri më sot. Megjithatë, sipas studimit të fundit të sapobotuar në revistën “New Sientists”, disa ekspertë të të ushqyerit e kanë vënë në dyshim këtë mënyrë përllogaritjeje të kalorive që përmbajnë produkte të ndryshme ushqimore. Disa prej tyre janë partizanë të një mënyre të re të llogaritjes së kalorive. Në bazë të kësaj përllogaritjeje të re yndyra ka 8.7 kalori për gram (jo 9) dhe karbohidratet kanë 3.8 (jo 4) dhe së fundi proteinat kanë 3.2 (jo 4). Kjo diferencë tregon se për vite të tëra ne kemi nënvleftësuar numrin e kalorive të disa ushqimeve në masën 25%. 


Një nga kritikat kryesore ndaj mënyrës aktuale të përllogaritjes së kalorive të ushqimeve që përzgjedhim është që trupat tanë e shpërbëjnë ushqimin në mënyrë mekanike dhe djegia e kalorive në organizmin njerëzor nuk mund të matet me të njëjtën mënyrë me të cilën kimisti Atwater mati kaloritë 100 vjet të shkuara. Sipas mënyrës së re të matjes së kalorive të produkteve të caktuara ushqimore, kjo është një nga arsyet që tregon se metoda e deritanishme nuk është plotësisht e saktë dhe mund të konsiderohet më shumë si një vlerë e përafërt. Ndërkohë, sasia e energjisë e domosdoshme për të zhbërë, apo copëtuar ushqimin kimikisht është e ndryshme. Kjo sepse përbërja e ushqimeve është e ndryshme dhe përbërja ndikon në sasinë e energjisë së harxhuar për tretjen e tyre. Ushqimet me përbërje të butë nuk kërkojnë ndonjë përpjekje të madhe për t’u shpërbërë e për t’u tretur, ndaj organizmi në këtë rast përdor shumë më pak kalori se në rastin e ushqimeve me përbërje të fortë që kërkojnë më shumë përpjekje dhe si pasojë harxhojnë më shumë. Dy vjet të shkuara, një studim i Universitetit të Tokios testoi 450 gra të reja dhe vlerësoi dietën e tyre në varësi të vështirësisë së ndryshme që i duhej organizmit për të tretur ushqimin. Sipas këtij rezultati gratë që hanin sasi më të madhe “ushqimesh të forta” kishin dukshëm një bel më të hollë se ato që hanin ushqime të buta, pra që treten pa shumë sforco nga organizmi. Përbërja e ushqimeve mund të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm të parandalimit të obezitetit. Në një tjetër studim japonez, shkencëtarët ushqyen një grup minjsh me ushqim me përbërje të fortë dhe një grup me ushqim me përbërje të butë për të parë nëse lloji i ushqimit kishte apo jo ndikim në sasinë e kalorive të konsumuar nga trupi për tretjen e tyre. Në përfundim të eksperimentit ata zbuluan se minjtë që ishin ushqyer me ushqim të butë kishin më shumë prirje për t’u bërë obezë, krahasuar me grupin tjetër. Dhe të mendosh se të dy grupeve iu dhanë vërtet ushqime me përbërje të ndryshme, por me kalori të njëjta. Sipas shkencëtarëve, shumë e rëndësishme është edhe mënyra e gatimit të ushqimit që ndikon dukshëm si në përftimin e kalorive, ashtu edhe në kaloritë e përdorura për tretjen e ushqimit. Gatimi e tjetërson strukturën e ushqimit, duke e zbutur atë dhe duke e reduktuar kohën që i duhet organizmit për ta tretur. Ai mund ta bëjë ushqimin më të këndshëm dhe të shijshëm, por nga ana tjetër duke e zbutur ul “përpjekjen” e organizmit për ta tretur. Në fakt, mësimi i gatimit të ushqimit u mundësoi paraardhësve tanë që të kursenin shumë kohën dhe energjinë që u duhej për ta mbllaçitur dhe më pas tretur ushqimin gjallë. Kur njeriu i parë nisi që të gatuajë ushqimin energjia që deri në atë kohë shpenzohej për përtypje dhe tretje mund të kanalizohej për gjëra të tjera, për shembull për të zhvilluar më tej trurin dhe për të kryer veprimtari të tjera fizike. E ndërsa në këtë rast i fituari ishte truri, trupi doli i humbur, ose më mirë beli që nisi të bëhej gjithnjë e më i trashë. Në ditët tona pjesa më e madhe e ushqimeve tona është e gatuar, pra e butë, e parapërgatitur, madje në disa raste shumë e gatuar, çka do të thotë që ne nuk shpenzojmë shumë energji për ta përtypur dhe tretur. Rezultati i kësaj është beli ynë gjithnjë e më i trashë. Sipas një profesori të dietologjisë, paraardhësit tanë shpenzonin 5 orë në ditë, ose 425 të kohës së tyre për përtypjen dhe tretjen e ushqimit. Sot një person normal në botën perëndimore shpenzon një mesatare prej 36 minutash për tretjen e ushqimit. Ndikimi i gatimit të ushqimit është konfirmuar edhe në disa studime që i janë bërë disa pitonëve, një gjarpër që nuk lëviz për ditë të tëra pasi ka ngrënë, pasi këtë kohë e kalon me përtypjen dhe tretjen e ngadaltë të ushqimit. Profesorët matën sasinë e kalorive që pitoni shpenzonte për të tretur një copë mishi të gjallë, të grirë dhe të gatuar. Nëse bëhej fjalë për mish të gatuar energjia që shpenzohej për përtypjen dhe tretjen reduktohej në 13%. Nëse mishi do të ishte i grirë, ose i gatuar atëherë trupi do të harxhonte 23.4% kalori më pak për ta tretur. 


Një tjetër test është bërë me karotat dhe zarzavatet e tjera. Kur kafshët konsumonin karota, që janë të forta harxhonin shumë më tepër kalori se në rastin kur konsumonin zarzavate të tjera të buta. Pyetja që lind është: çfarë ndodh me kaloritë që nuk harxhohen për tretjen e ushqimit të gatuar? Ato thjesht magazinohen rreth trupit dhe shtojnë dhjamin e yndyrat. 


Sipas një kërkimi shkencor për trupin është shumë më e lehtë që të marrë kalori nga ushqimet e përpunuara që kanë në përbërje të tyre miell të pastër. Sipas sistemit konvencional të përllogaritjes së kalorive mendohet se 10% e ushqimit që kalon nëpër zorrë është e patretshme. Megjithatë, sasia e tretjes së disa ushqimeve ndryshon. Rreth 30% e miellit jo të rafinuar nuk tretet, ndërsa produktet që kanë miell të rafinuar treten pothuajse tërësisht. Kjo do të thotë që veçanërisht të gjitha kaloritë në ushqimet e përpunuara treten dhe kaloritë që nuk harxhohen ruhen në trup në formën e rezervave dhe shtresave të dhjamit. Sistemi i llogaritjes së kalorive duhet të japë realisht vlerat që reflektojnë mënyrën e tretjes së ushqimit dhe llojin e ushqimit. Sipas tij, përmbajtja kaloritike e ushqimeve duhet që të rillogaritet sipas një mënyre të re ose sipas energjisë së tretur neto. Ajo përfaqëson sasinë e kalorive që mbeten në trup pasi ky ka harxhuar kaloritë e tretjes. Ndërkaq, një tjetër teori rekomandon edhe këshillimin për mënyrën e gatimit të ushqimeve për të optimizuar sasinë e energjisë që duhet përdorur për ta tretur ushqimin me sa më shumë kalori. Për shembull një këshillë është që ushqimi nuk duhet të zihet shumë, kur bëhet fjala për zarzavatet. Ato duhet të lihen në gjendje sa më të papërpunuar që të jetë e mundur. Në vitin 2002 u mbajt një konferencë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë e cila hetoi në lidhje me mundësinë e ndryshimit të etiketave të kalorive dhe zëvendësimin e tyre me sistemin e ri të përllogaritjes në të cilin përfshihen edhe kaloritë e harxhuara për tretjen e ushqimit. Në mbyllje të konferencës u dol në përfundimin se “problemet që do të dilnin nga një ndryshim i tillë do të ishin shumë më të mëdha se përfitimet që do të përftoheshin nga ndryshimi”.

Postuar te Mjekësi, Ushqim. Komentet te Kaloritë dhe shëndeti i tepërt Janë të Mbyllura

Si mund të jetohet pa antibiotikë?

Një botë pa antibiotikë?


Industria farmaceutike nuk ka më interes të “zhvillojë” antibiotikë, që në ndryshim nga ilaçet për tensionin apo për diabetin pihen për një kohë të shkurtër. Për më tepër ata rrezikojnë të bëhen shumë shpejt më të padobishëm për shkak të rezistencave



Në një intervistë të dhënë për “New York Times” në vitin 1945, Alexander Fleming, i paralajmëronte të gjithë: sipas zbuluesit të penicilinës, një përdorim i papërshtatshëm i antibiotikut mund të çonte në seleksionimin e formave mutante dhe rezistente të Staphylococcus aureus, i aftë të provokonte jo vetëm te pacientët, por edhe ata që i rrinin afër, infeksione të rënda.


Fleming kishte pasur të drejtë: pas një viti nga dalja e penicilinës një përqindje e mirë e këtyre baktereve ishte bërë e pandjeshme ndaj terapisë. Që atëherë, pavarësisht se kërkimet kanë prodhuar dhjetëra molekula të reja, gjërat kanë shkuar duke u përkeqësuar derisa janë bërë vërtet alarmante. Sot ekzistojnë mikrobe që nuk mund të luftohen nga asnjë lloj antibiotiku i destinuar për t’i luftuar. I fundit është shfaqur në Indi dhe është gjetur te një pjesë e madhe e anglezëve që shkojnë në Delhi apo Chennay për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale estetike, shumë herë më ekonomike se në vendin e tyre. Ky bakter  ka mbërritur edhe në Europë duke provokuar infeksione sa të lehta aq edhe vdekjeprurës sipas asaj që tregonte pak kohë më parë revista “The Lancet”.


Shqetësimi
Kështu, shqetësimi në ambientet shëndetësore po rritet. Shfaqja e këtyre superbaktereve ultrarezistente nuk është një risi. Enteronbakteri indian është i fundit në listë, por më parë janë identifikuar edhe baktere të quajtura acinetobakter, kundër të cilit pjesa më e madhe e molekulave në dispozicion është jo efektive. Për më tepër ky lloj bakteri mund të provokojë infeksione të rënda, sidomos në repartet e kirurgjisë apo terapisë intensive nëpër spitale. Më parë akoma (që nga vitet ‘60) janë izoluar stafilokokë, baktere në gjendje t’i rezistonin edhe meticilinës, të vetmit antibiotikë që mund t’i shkatërronte. Por deri në një farë pike, përhapja e këtyre baktereve mbetej nëpër pavijonet e spitaleve, në repartet e reanimacionit apo terapisë intensive dhe te pacientët që sot kanë mbijetuar falë progreseve të mëdha të mjekësisë (transplanti, sëmundje tumorale), por që janë edhe më të brishtë dhe më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Tani po ndodh më e keqja: këto baktere shumë rezistente po përhapen gjithandej dhe problemi ka nisur t’u interesojë edhe pacientëve që i drejtohen mjekut. “Rezistenca është një sistem që bakteret zhvillojnë për të mbijetuar ndaj një ndryshimi të mjedisit dhe agresionit të antibiotikëve”, thonë mjekët. Kështu, pak nga pak janë seleksionuar bakteret më të forta, ndërsa antibiotikët, kjo për faj edhe të abuzimit, janë bërë me kalimin e kohës më pak efikase.


Kujdesi
Mjekët kanë arritur në përfundimin se në 40 për qind të rasteve të infeksioneve të shkaktuara nga bakteret kanë një rezistencë nga antibiotikët. Escherichia coli, një bakter përgjegjës për helmimet e rënda në 40 për qind të rasteve është rezistent nga fluorochinoloni. Problemi është real, sepse edhe zgjidhjet nuk janë të thjeshta. “Deri në një farë pike kërkimi ka ecur krah përkrah me sëmundjen. Sapo shfaqej rezistenca, mbërrinte antibiotiku i ri. Tani përpjekjet nuk janë aq të mëdha dhe numri i produkteve të reja që dalin është i vogël”, thonë specialistët. Thuajse të gjithë antibiotikët janë zbuluar mes viteve ‘50 dhe ‘70 dhe në dhjetë vitet e fundit janë shfaqur vetëm 9 lloje të reja. Industria farmaceutike nuk ka interes të zhvillojë molekula, si për shembull antibiotikët që në ndryshim nga ilaçet për tensionin ose ato për diabetin pihen për një kohë të shkurtër. Për më tepër ata rrezikojnë të bëhen shumë shpejt më të padobishëm për shkak të rezistencave. Por nëse kërkimi është zvogëluar, bakteret përkundrazi arrijnë të shkaktojnë infeksione dhe të jenë rezistentë nga një cep i botës në tjetrin. Problemi nuk është vetëm për vendet perëndimore, por edhe për ata në vendet në zhvillim: në Tanzani 70 për qind e infeksioneve të të sapolindurve është rezistente ndaj antibiotikëve të këshilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Mikrobet që bëhen rezistentë janë në gjendje të transferohen te bakteret e tjera përmes fragmenteve të caktuara të ADN-së, edhe tek individë të shëndetshëm”. Më pesimistët flasin për epokën e postantibiotikëve. Më optimistët vazhdojnë të besojnë në kërkimet mjekësore dhe janë të sigurt se shkencëtarët, në fund të fundit janë gjithmonë më dinakë se bakteret. “Kërkimi është si një makineri e fuqishme, kur angazhohesh shumë rezultatet mbërrijnë”. Aktualisht janë rreth 50 llojet e antibiotikëve për të cilat po bëhen kërkime të ndryshme sipas konferencës të mbajtur në Boston. Ja vlen të besosh se në një botë pa antibiotikë mjekësia moderne do të hiqte dorë nga shumë terapi të domosdoshme. Pa antibiotikë, sa për të dhënë një shembull, nuk mund të operosh një apendicit apo të bësh transplantin e një organi.

Postuar te Mjekësi. Komentet te Si mund të jetohet pa antibiotikë? Janë të Mbyllura

Vajzat dhe modelja "kukull" e tyre

Ja si kompanitë që i prodhojnë kërkojnë të bëjnë për vete fëmijët e vegjël


Zyrat e marketingut të firmave prodhuese të lodrave tregojnë se: me pellushët më të vegjël se 15 centimetra vogëlushet mërziten shumë shpejt. Në prag të Krishtlindjeve ka nisur prodhimi i modeleve të reja: të mëdha dhe të bukura si gjithmonë



Me vajzat që sipas disa kërkimeve priren t’i braktisin kukullat e tyre të dashura që në moshën 7-vjeçare, prodhuesit e këtyre produkteve kanë nisur të ribëjnë lukun e tyre. Tani kukullat janë gjithmonë e më të mëdha. Dihet që në moshën 51-vjeçare trupi nuk rritet më madje fillon të bjerë. Biseda është e ndryshme për Tiana-n dhe Arielin, deri dje të larta dy pëllëmbë, ndërsa sot rreth 30 centimetra më shumë. Kukullat prej plastike të “Disney”, të njohura ndryshe si “princesha”, në prag të dhuratave të Krishtlindjes do të nxirren të treg me dimensione krejtësisht të reja, duke kaluar nga 15 në 45-54 cm lartësi. Kompania gjigante amerikane e prodhimit të tyre është e bindur se në këtë mënyrë, vajzat do të qëndrojnë më të lidhura me lodrat e tyre duke evituar që t’i flakin shpejt siç tregoi një nga studimet e fundit. Lajmi është dhënë nga “Wall Street Journal”, që shkruan për kukulla shumë të mëdha duke nënvizuar kapacitetin e këtyre lodrave të reflektojnë shpirtin e kohës që hera-herës i krijon.


Patricia Hogan, kuratore e Muzeut Kombëtar të Lodrave në Rochester, Nju Jork, në artikull shkruan se Barbie, për më tepër se 50 vjet ka ndryshuar vazhdimisht luk dhe profesion duke u përshtatur kështu me ndryshimet e shoqërisë amerikane dhe ëndrrave të progresit dhe emancipimit femëror të pjesës tjetër të botës. Dihet që kukullat janë lodrat më të dashura për vajzat, ndaj për këtë arsye firmat më të mëdha të prodhimit të tyre i kushtojnë kujdes të veçantë. Por mendja e fëmijëve është diçka që mund të manipulohet deri në një farë pike dhe ashtu siç shpjegon një gazetar dhe shkrimtar i specializuar në temat e fëmijërisë pasioni i vajzave për kukullat nuk do të shuhet kurrë. Ai ka kryer një studim për arsyet që i shtyjnë fëmijët të lidhen më shumë me një lodër sesa më një tjetër duke intervistuar psikologë dhe fëmijë. “Kukulla është lodra kryesore, një prej tre katër të preferuarve të fëmijëve. Këtu e kam fjalën natyrisht edhe për meshkujt. Pa dallim seksi, të gjithë kanë nevojë të identifikohen me një pellush apo një kukull që duhet të jetë aq i madh sa të mbahet në krah, të vishet dhe përkëdhelet”. Autorja shpjegon se vogëlushi luan duke bërë rolin e prindërit dhe kërkon t’i transmetojë atë dashuri që prindërit i japin atij. Po atëherë lind pyetja përse kukullat “Barbie” gëzojnë një popullaritet të pandërprerë që prej vitit 1959? Kjo lloj kukulle u pëlqen më shumë vajzave më të mëdha. Ato që nga 5 vjeç e lart e shikojnë këtë lodër si projektim të vetes së tyre në të ardhmen. Por bëhet fjalë për një kukull, jo për diçka pas të cilës mund të afeksionohesh. Është ky motivi se përse kukullat “Barbie” pëlqehen kaq shumë në mënyrë të vazhdueshme. Me pak fjalë ky është sekreti për të bërë për vete zemrën e një konsumatori të vogël për të cilat industritë e prodhimit të tyre bëjnë çmos për t’i kënaqur. “Kërkimet tona tregojnë se si vajzat, nëse shohin kukulla më të mëdha, arrijnë të identifikohen më mirë”, shpjegon Lisa Harnisch, zëvendëspresidente e Toys ‘R’ Us që prezantoi pak ditë më parë në treg “Journey Girls”, kukullën plot  43,5 centimetra të gjatë. Pas saj mbështeten nëpër raftet e dyqaneve të lodrave një “ushtri” e tërë me emrat “Dollie & Me”, “Princess & Me”, “Karito Kids”, “Moxie Teens”, “American Girl”, të gjitha gjysmë metri të larta dhe në shitje nga 20 në 70 euro. “Me këto kukulla do të jetë më e lehtë të krijosh situata të jetës reale, sipër shembull të ulesh në tavolinë dhe të konsumosh një vakt së bashku. Me kukullat e vogla diçka e tillë nuk është e mundur të bëhet”, shpjegon Elaine Carovilla, drejtoreshë e “Disney Consumer Products”. Ekspertët e marketingut shpresojnë të mbushin atë boshllëk që krijohet kur fëmijët rriten dhe ndiejnë dëshirën për të imituar prindërit e tyre në veprimet e përditshme. Sipas studimeve të ndryshme, braktisja e kukullave të vogla në përmasa verifikohet që në moshën 7-vjeçare dhe që nga kjo moshë e më vonë vajzat nisin të preferojnë videolojërat, internetin dhe telefonat. Ndoshta sipas asaj që mendojnë “magjistarët” e industrive publicitare, është e mundur të kthesh sytë nga ajo që psikologët e quajnë “age compression” pra drejt diçkaje më njerëzore. Për më tepër edhe të leverdishëm nga pikëpamja ekonomike.

Postuar te Kuriozitet. Komentet te Vajzat dhe modelja "kukull" e tyre Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: