Evropianëve nuk u lejohet hyrja në Evropë

Çështja e heqjes së vizave për Kosovën është çështja e radhës që Parlamenti Evropian duhet të merret dhe është shumë e dhimbshme që kosovarët tani mbesin të vetmit pa mundësi për të udhëtuar në Evropë, ka deklaruar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunacek.


“Është shumë e dhimbshme që kosovarët tani mbesin të vetmit në Evropë pa mundësi për të udhëtuar në Evropë.
Personalisht jam duke ushtruar një trysni të paparë tek Komisioni Evropian dhe të Këshilli Evropian në mënyrë që të bëhen hapa përparues në drejtim të heqjes së vizave edhe për Kosovën”, ka thënë Lunacek për radion gjermane “Deutschlandfunk”.


Ajo citohet të ketë thënë se është e padrejtë që dy milionë njerëz, shumica e tyre të rinj, të ndihen të burgosur në shtetin e tyre, që është shteti më i ri në botë, derisa qytetarët e vendeve fqinje mund të lëvizin të lirë.


Sipas saj, derisa të ndodh heqja e vizave për Kosovën duhet patjetër që të ketë lehtësim të regjimit të vizave, sidomos për studentët e Kosovës.
Në këtë drejtim duhet të bëjë më shumë Bashkimi Evropian, ndërsa kjo është kërkesë edhe e Parlamentit Evropian, ka deklaruar Lunacek.


Me 8 gusht të këtij viti Parlamenti Evropian përmes një rezolute lidhur me rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian e ka bërë të qartë se Komisioni Evropian duhet t’i japë Kosovës udhërrëfyesin për heqjen e vizave.


Ky do të jetë hapi i parë drejt heqjes së vizave. Ndërkaq, aktualisht Qeveria e Kosovës është duke bërë një regjistër civil me të cilin do të sqarohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me identitetin personal të banorëve të Kosovës.


Gjithashtu, Qeveria e Kosovës është duke punuar në procesin teknik për fillimin dhënies së pasaportave biometrike. /Rtk

Postuar te KOSOVË. Komentet te Evropianëve nuk u lejohet hyrja në Evropë Janë të Mbyllura

ManUtd me mbi 3 milion fansa

Manchester United  tashmë ka mbledhur më shumë se 3 milionë fansa në Facebook prej se është lansuar, duke i bërë Djajtë e Kuq ekipin më të ndjekur Anglez në këtë faqe sociale, bën të ditur Sportingintelligence.com.


Fansat e United që e ndjekin klubin në Facebook vazhdojnë të shtohet, me rreth 500 mijë anëtarë të rinj që vendosin t’i bashkohen radhës së përcjellësve çdo muaj.


“Kjo edhe njëherë nxjerr në pah bazën e gjerë globale të fansave. Nëse shikojmë shtrirjen e fansave tonë, do të shohim se ata janë gjithkund, nga Stretford deri në Singapor, Santiago, duke treguar fuqinë joshëse të United”, ka thënë zëdhënësi i klubi.

Postuar te SPORT. Komentet te ManUtd me mbi 3 milion fansa Janë të Mbyllura

Edona Llalloshi fejohet

Edona Llalloshi është një këngëtare shumë e pëlqyer në Kosovë por edhe në Shqipëri. Ajo çdo vit gjatë sezonit veror performon “live” në një nga lokalet në Durrës, e shoqëruar gjithmonë nga i ati Rahmani, të cilin e ka edhe menaxher. 


Edona para disa viteve ka qenë e martuar me një biznesmen kosovar i cili jetonte dhe punonte në Zvicër.
Lajmi për martesën e saj atë kohë ishte përcjellë nga të gjitha mediat kosovare, pasi këngëtarja pati realizuar një dasëm glamuroze e përcjellë me kamera dhe e trasmetuar drejtpërdrejtë edhe në disa televizione në Prishtinë. Por, një vit më vonë erdhi dhe lajmi për ndarjen nga biznesmeni, pasi kjo martesë ishte një dështim për këngëtaren, derisa kishte pasur mosmarveshje në çift dhe e gjitha përfundoi në divorc.


“Kam kalur 12 muaj që as armikut nuk do ia dëshiroja”, ka theksuar atë kohë këngëtarja në prononcim për mediat. 


Që nga ajo kohë Edona nuk është prononcuar asnjëherë për shkaqet që dërguan këngëtaren drejt divorcit, por ka theksuar se ka qenë një nga gabimet më të mëdha që ka bërë ajo në jetë. Aktiviteti i saj nuk ndaloi aspak, pasi ajo përkushtohet më shumë në muzikë duke realizuar disa albume muzikore dhe duke performuar nëpër koncerte e mbrëmje të ndryshme. Kanë kaluar katër vite që nga dështimi në martesën e parë dhe ja ku vijnë lajme pozitive për jetën private të Edona Llalloshit. 


Këngëtarja përsëri është fejuar dhe ka gjetur njeriun e zemrës me të cilin pritet dhe të kurorëzojë lidhjen e saj. Nuk dihen akoma detaje se si janë njohur Edona dhe i zgjedhuri i saj por në javët në vazhdim do t’u japim më shumë informacion. Gjithashtu në një intervistë për mediat në Kosovë, Edona ka treguar për karrierën e saj si këngëtare, si dhe vilën e re që ajo ka blerë në një qytezë të re që është ndërtuar në Prishtinë. 

Postuar te Show-Biz. Komentet te Edona Llalloshi fejohet Janë të Mbyllura

Ismail Kadare dhe çmimi "Nobel"

Foto: Murdo MacLeod

U bënë vite tanimë që ai është ndër kandidatët kryesorë, por këtë vit duket se është më afër çmimit. 


Fare pak ditë na ndajnë nga shpallja e fituesit të çmimit prestigjioz “Nobel” për letërsinë. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, është sërish ndër më të lakuarit për këtë çmim, madje, kësaj here nga kontinenti europian, rivali i tij i vetëm thuhet të jetë suedezi Tomas Transtromer. 



Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për “thashethemet” e zakonshme, por për burime brenda Akademisë Suedeze. Sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Peter Englund, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Karl Ritter dhe Bjoern H. Amland të ‘The Associated Press’, deklaroi se fituesi i çmimit “Nobel” për letërsinë të këtij viti tashmë është zgjedhur dhe shpallja do të bëhet ditën e enjte, më 7 tetor 2010. 


Paneli i përzgjedhjes së çmimit ka qenë kritikuar për shkak se shumica e fituesve kanë qenë nga Europa. Por në qoftë se ky panel do të shihte jashtë Europës këtë vit, kandidatët më të favorizuar do të ishin: poeti Ko Un i Koresë së Jugut, Assia Djebar nga Algjeria ose shkrimtari izraelit Amos Oz. Ndërsa nga shkrimtarët amerikanë: Philip Roth, Joyce Carol Oates, Thomas Pynchon ose Don DeLillo. “Ismail Kadare i Shqipërisë ose Tomas Transtromes i Suedisë, janë favoritët nëse juria zgjedh një tjetër shkrimtar europian”, është shprehur Peter Englund. 


Çmimi ‘Nobel’, i krijuar nga industrialisti suedez, Alfred Nobel, u dha për herë të parë në vitin 1901, pesë vjet pas vdekjes së tij. Çmimi ‘Nobel’ përfshin 10 milionë kronorë suedezë, (afërsisht $1.5 milionë) një diplomë dhe një medalje ari.

Postuar te Arsim, Kulturë. Komentet te Ismail Kadare dhe çmimi "Nobel" Janë të Mbyllura

Audrey Hepburn, ëndrra e të gjitha femrave!

Syzet e saj super të mëdha u kopjuan për vite me radhë dhe vazhdojnë të kopjohen edhe sot. Veshjet sa të thjeshta, aq edhe moderne, pantallonat e ngushta, fustani pas trupit me bel, janë bërë për thjeshtësinë e tyre modelet më të kërkuara në botë


T‘i ngjash vetëm pak, sot më shumë se dje është ëndrra e të gjitha femrave.
Edhe 100 mijë eurot e paguara për një fustan shumë të thjeshtë, pa vezullimin shkëlqyes të diamanteve e zbukurimeve, por firmato “Givenchy” tregojnë se si miti i elegancës nuk mund të ketë çmim dhe më shumë akoma se asnjë aktore tjetër nuk është bërë ikonë e stilit dhe e klasit sa ajo. 


Fustani i zi i Audrey Hepburn, i veshur në filmin “Mëngjes te Tiffany”, ka hyrë në librin Gines: për asnjë fustan tjetër të krijuar për një film nuk është paguar kurrë më parë një shifër kaq e lartë. Edhe sot, gjashtëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, miti i Audrey Hepburn dhe i elegancës së saj, të rinovuar nga publikimi i fundit i librave “Audrey Hepburn, fotografi dhe kujtime të një jete pune dhe fame” dhe “Audrey Hepburn”, jo vetëm nuk “shuhet”, por është më aktuale dhe më moderne se kurrë. 


Ai fustan në veçanti ndryshoi përgjithmonë idenë e shikut, duke u futur në imazhin tonë si perceptimi i stilit. Ishte viti 1961 dhe ai film shënoi “hyjnizimin” e një miqësie të ngushtë: atë mes Audrey Hepburn dhe Hubert de Givenchy, miqësi e cila kishte filluar që me filmin “Sabrina” në vitin 1954, kur stilisti francez dizajnoi të gjitha veshjet e protagonistes, duke e shndërruar në simbolin e elegancës dhe finesës. 


Deri në atë kohë, ideja e të bërit për vete publikun me elegancën dhe bukurinë e pashterueshme i ishte besuar Marilyn Monroe dhe Jane Mansfield. Por më pas erdhi ajo, Audrey Hepburn, me një “dobësi” drithëruese, plot klas, por mbi të gjitha një bukuri moderne: sy të mëdhenj dhe buzëqeshje të mrekullueshme. Vetëm ta admiroje, kjo ishte gjithçka që duhej të bëje. 


Të gjithë u “dashuruan” menjëherë me të. Femrat e cilësuan si modele që duhej imituar (përveçse admiruar), ndërsa burrat ngelën të habitur nga sjellja, freskia dhe spontaniteti i saj. Ndoshta nuk e kishte menduar kurrë, por Audrey Hepburn “prezantoi” epokën e re, ku gratë duhej të ishin më pak të vuajtura, më pak zonja dhe më shumë vajza. Për të feminiliteti dhe luksi i vërtetë ishte opsion i thjeshtësisë: të kesh pak është më mirë. Ishte viti 1954, kur mes saj dhe stilistit parisien lindi “dashuria” me shikim të parë. 


Ai e quajti “një dhuratë e rënë nga qielli”, ndërsa ajo i besonte me sy mbyllur gjithçka djaloshit të ri, por njëkohësisht stilist i madh që nuk do t‘ia nxirrte kurrë në pah dobësinë e theksuar dhe defektet. Në çdo veshje të saj do të mundohej të tregonte pak nga personaliteti. Kuptoheshin në gjithçka që bënin. Ndoshta jo pa të drejtë Audrey kishte filluar të shihej si modelja ideale për t’u imituar nga gratë. 


Pas filmit “Pushime romane”, mijëra gra të reja kishin filluar të mbushnin sallonet e parukerive, duke kërkuar prerjen e flokëve njëlloj si “Princesha Ana”: të shkurtra pothuajse si djalë. Po ashtu thuhej me entuziazëm se eleganca se si kombinonte këpucët e sheshta ishte “mënyra më seksi për të hequr takat”. Syzet e saj super të mëdha u kopjuan për vite me radhë dhe vazhdojnë të kopjohen edhe sot, ndërsa veshjet, sa të thjeshta aq edhe moderne, pantallonat e ngushta, fustani pas trupit me bel u bënë me thjeshtësinë e tyre, modelet më të kërkuara në botë. Gjithashtu dhe pantallonat treçerekëshe, këmishat e bardha, palltot poshtë gjurit, bluzat e marinarit, apo e ashtuquajtura “veshja Sabrina” (pas filmit me të njëjtin emër) e dizajnuar për të lënë zbuluar shpatullat, por për të mbuluar pjesët e dobëta të trupit. 


Shumë nuse donin të stamponin menynë e drekës së dasmës në një shall mëndafshi të dekoruar me motive lulesh, siç bëri Audrey Hepburn, kur në vitin 1954, përpara 25 të ftuarve, shkoi në Le Ferrar, një kishë gotike në Burgenstock, Zvicër. Vetëm një muaj pas daljes së filmit “Pushime romane” në shtator të vitit 1953, revista prestigjioze amerikane “Time” i kishte kushtuar foton kryesore të kopertinës, ku shkruante me të mëdha se e kishte zili “formulën” e suksesit të saj: 


“Audrey Hepburn nuk përshtatet me asnjë stereotip dhe asnjë stereotip nuk i përshtatet asaj” 


Pastaj erdhën me radhë të gjitha kopertinat e tjera, e në veçanti ajo e “Vogue”, që e hapte revistën me shkrimin: “Stili i Audrey ka pushtuar botën”. Që nga viti 1957, plot katër vjet para “Mëngjes te Tiffany”, Hepburn u përfshi në listën e dhjetë grave më elegante në botë të stiluar nga “New York Dress Insitute” dhe që atëherë nuk doli më nga klasifikimi. Sigurisht artistja e madhe do të ishte bërë një “ikonë e stilit” edhe pa ndihmën dhe veshjet e bukura të stilistit Givenchy. Kjo, sepse ajo kishte diçka që nuk mund të blihej: kishte klasin e lindur. Përkrah saj, ose më mirë para saj, Marilyn Monroe, që konsiderohej si gruaja më e bukur në botë, shkoi deri aty sa tha:


 “Ndihem si një hipopotam i veshur me rrecka”. 


Dobësinë dhe trupin e saj e kishte trashëguar që kur kishte qenë fëmijë, ku shpesh i duhej të rrinte pa ngrënë në zinë e bukës që kishte pllakosur Holandën e pushtuar nga nazistët. Kur studionte balet në Londër ëndërronte të bëhej një balerinë e famshme, sepse kishte një fizik për t‘u admiruar, ishte e gjatë 1 metër e 70 cm dhe peshonte 40 kilogramë. Fakti që u bë një ikonë e modës dhe e bukurisë (pa ndjekur kurrë asnjë model), ishte fare e rastësishme, sipas djalit Shon, që tregon se tek ajo asgjë nuk ishte e “studiuar”. “Gjithçka varej nga fakti që ishte e dobët dhe sportive. Njihte çdo gjë të bukur e negative në trupin e saj. Mësoi të vishej nga nevoja që kur ishte e varfër”. 


Ajo dukej e bukur edhe kur vishte pantallonat e thjeshta lino. Në vitet e fundit të jetës, kur u emërua ambasadore e UNICEF-it dhe ku i dedikoi gjithë vitet i kishin ngelur, duke ndihmuar fëmijët në shtetet më të varfra dhe luftoi kundër urisë në botë, sidomos në Somali. Që nga interpretimi i saj i parë në rolin e një stjuardese në vitin 1948 dhe në 1989-n, në filmin e regjisorit Spielberg, ka rrezatuar një shkëlqim dhe elegancë, e cila i buronte nga brenda shpirtit.

Postuar te Histori, Kulturë, Show-Biz. Komentet te Audrey Hepburn, ëndrra e të gjitha femrave! Janë të Mbyllura

“Red” tani, më pas “Looper” – tha Bruce Willis


“Red” është filmi i fundit ku Bruce Willis do të interpretojë përkrah një kasti të mrekullueshëm aktorësh, si Helen Mirren, Morgan Freeman dhe John Malkovich


“Red”, retired and extremely dangerous, d.m.th. pensionistë, por shumë të rrezikshëm. Një grup veteranësh, me eksperiencë dhe aftësi të jashtëzakonshme, Bruce Willis, Morgan Freeman, John Malkovich dhe Helen Mirren, janë katër agjentë të CIA-s të dalë në pension, por të thirrur për të vepruar, kur një kartel i dhunshëm vendos t’i nxjerrë jashtë loje. “Red”, i drejtuar nga Robert Schwentke, marrë nga novela me të njëjtën titull e Warren Ellis, pritet të dalë në SHBA më 15 tetor të këtij viti. 

Ja se çfarë tregon një nga protagonistët kryesorë, Bruce Willis, 55-vjeçari që duket si një 20-vjeçar për t’u pasur zili. “Në ndryshim nga të tjerët, personazhi im nuk është komik. Ai përballet me një sërë problemesh”, pranon aktori. “U riktheva në rolin e të fortit, falë muajve të tërë stërvitjeje dhe ushqimeve të shëndetshme. Problemi i vetëm ishte heqja dorë nga ëmbëlsirat, të cilat janë të preferuarat e mia. Megjithatë rezultatet duken në film”.





















Bruce, ju në vitet e fundit keni luajtur shumë filma komikë të përzier me aksion. Zgjedhja juaj?
Filmat aksion janë në modë në Hollivud. Publikut i pëlqejnë shumë, aq më tepër nëse përzihen me nota komike. Por unë nuk dua të merrem vetëm me këto zhanre. Në pranverë do të xhiroj një film fantastikoshkencor, “Looper”, mbi temën e makinës së kohës, me një djalosh që takon vetveten pas 35 vjetësh.
Të pëlqen akoma të eksperimentosh? 
Më shumë se kurrë. U kam thënë agjentëve të mi të kërkojnë filma të çdo lloj tipi.
E ndien presionin e moshës?
Jo, por nuk kam dëshirë të luaj shumë filma aksion, edhe pse e di që pikërisht me ata fitohet më shumë. Publiku përbëhet nga të rinj që shkojnë në kinema në javën e parë të daljes së filmit. Vajza ime, 17 vjeçe, shkon të shohë të gjithë filmat që dalin, sepse ata janë filmat që të rinjtë duan të shohin. Hollivudi ka ndryshuar, është gjithmonë në kërkim të 20-vjeçarit të ri që mund të bëhet i famshëm, i cili e çon publikun të shohë të njëjtin film pesë herë radhazi. Nuk është e lehtë të ndërtosh një yll kinemaje.
Sheh të tillë rrotull?
Christian Bale apo Daniel Craig…
Helen Mirren ju ka cilësuar si një lider, me muskuj, por me zemër të butë. Jeni dakord?
Kam frikë se po. Nuk jam në gjendje t’i bëj keq një mize. Vajzat e mia nuk i kam trembur kurrë, as duke ngritur zërin. Qeshin me mua për këtë fakt. Unë jam i dhunshëm vetëm në kinema.
Çfarë raporti ke me vajzat tani që janë të rritura?
Nëse kam qenë me fat si aktor, jam akoma më shumë si baba. Unë vazhdoj të flas dhe të dal me to si përherë. Suksesi për mua qëndron në faktin se ato më tregojnë gjërat e tyre. Njoh baballarë që nuk kanë asnjë lloj raporti me fëmijët. Kjo është vërtet e dhimbshme.
Duke menduar për karrierën tuaj si aktor, cili është filmi që ke më shumë për zemër?
Më vjen të them të gjithë. Secilin prej tyre e kam zgjedhur për një arsye të veçantë, jo sa për të thënë. Por disave u kam kushtuar më shumë vëmendje se të tjerëve, kjo jo për ndonjë arsye specifike.
Me të vërtetë nuk ke asnjë film për zemër? 
E mirë po ju them disa: “Pulp fixtion”, “Die hard”, “Twelve Monkeys”. Pastaj edhe “Red”, filmi i fundit, për të cilin më duhet të pranoj se më pëlqen vërtet shumë.
Si arrin të jesh gjithmonë në formë? 
Jam i ri në shpirt, pastaj kam trashëguar edhe një lëkurë fantastike nga ime më. Nuk e di se si dukem “nga jashtë”, por në mendjen time nuk e ndiej veten më shumë se 28 vjeç. Nuk e besoj që jam 55! Por në të vërtetë kanë kaluar thuajse 30 vjet nga “Moonlighting”?
Çdo të thotë për ju të aktrosh? 
Lidhet me emrin e Daniel Day-Lewis. Është ai, pastaj janë gjithë të tjerët. Është më i miri i të gjitha kohërave.
Çfarë ju bën të mos jeni i lumtur?
Thuajse asgjë. Jam gjithmonë i lumtur. Mërzitem vetëm kur rri shumë kohë larg shtëpisë. Por gruaja ime më shoqëron gjithmonë, kështu që edhe kjo situatë kalohet lehtë. Vite më parë isha në një tjetër gjendje mendore: nuk e kisha menduar kurrë të martohesha sërish, e se do të isha i lumtur kaq sa jam tani. Kush e di, ndoshta pas disa vitesh do të jem akoma edhe më shumë.
Pse çfarë ndodhi?
Nuk e di, përndryshe do të shkoja në ndonjë televizion dhe do t’u thosha të gjithëve recetën për të qenë të lumtur. Mendoj se u kushtova më shumë kujdes gjërave që më rrethonin. Dhe pikërisht në atë moment takova gruan time.
Si është të punosh me një kast aktorësh kaq të mëdhenj? 
Me John Malkovich jemi miq të vjetër. Por edhe me të tjerët u miqësova shumë shpejt. U bëmë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Në punën tonë je me fat, sepse ke mundësi të punosh me njerëz kaq të mëdhenj, që të tjerët i shohin vetëm në ëndërr.
Merreni akoma me muzikë?
Jo, kam dalë në pension në këtë drejtim. Në ndonjë rast të veçantë i bie ende kitarës, ndërsa nga të kënduarit kam hequr dorë.



‘Red’ Trailer HD

http://www.youtube.com/v/Hidis7YVqBQ?fs=1&hl=en_US&rel=0

Postuar te Kinematografi, Show-Biz. Komentet te “Red” tani, më pas “Looper” – tha Bruce Willis Janë të Mbyllura

MENOPAUZA!

Afshe nxehtësie, djersitje gjatë natës, siklete, dhimbje trupi, emocione të pakontrolluara. Mosha e dytë e femrave nuk kalohet aq lehtë. Në këtë periudhë, gratë përballen me shumë vështirësi psikologjike dhe emocionale


Menopauza është një ngjarje fiziologjike që te femra i korrespondon fundit të ciklit menstrual dhe moshës së pjellorisë.
Në menopauzë përfundon edhe aktiviteti i vezoreve. Ato nuk prodhojnë më vezë dhe estrogjene (hormonet femërore). Kjo lloj gjendje shkakton një sërë ndryshimesh te femrat. Ato variojnë sipas personit dhe mund të jenë pak a shumë të dukshme. Por jo të gjitha shenjat e shfaqura në trupin e femrës lidhen me menopauzën. Ndikojnë dhe faktorë të tjerë, siç është familja dhe gjendja sociale. Menopauza është një proces natyror, i cili herët ose vonë shfaqet në jetën e çdo gruaje. Në pjesën më të madhe të rasteve ky fenomen mbështillet me mister dhe frikë. Ka shumë femra që vetëm po ta mendojnë tmerrohen. Arsyeja? Sepse kanë dëgjuar për shqetësime fizike që lidhen me këtë periudhë dhe i tremb ideja që mund t’i vuajnë këto efekte shqetësuese. Menopauza shoqërohet me afshe nxehtësie, djersitje gjatë natës, siklete, dhimbje trupi, emocione të pakontrolluara. Mosha e dytë e femrave nuk kalohet aq lehtë. Në këtë periudhë gratë përballen me shumë vështirësi psikologjike dhe emocionale. Por cilat janë të rejat e fundit që lidhen me lehtësimin e simptomave dhe pasojat e menopauzës? Disa specialistë tregojnë se cilat janë pjesët e trupit te femra, që preken më shumë nga “fenomeni menopauzë”. “Deri në menopauzë trupi mbrohet nga ‘mburoja’ hormonale. 


Estrogjeni, progesteroni dhe androgjeni janë hormone që varen nga funksioni gonade (gjëndër seksuale) dhe ai mbiveshkor, të cilat veprojnë jo vetëm mbi hormonet riprodhuese, por në të gjithë organizmin femëror, skeletin, sistemin kardiovaskular, aparatin tretës, trurin. Kur funksioni gonade ndërpritet, trupi fillon të bëhet si i meshkujve, duke grumbulluar dhjamë në bark”, shpjegon një specialist. Ajo që i shqetëson më shumë ekspertët nuk është dhjami që formohet në bark, por komplikacionet e shumta që sjell menopauza. Mjekësia mendonte se e kishte zgjidhur problemin duke i zëvendësuar hormonet natyrore me ato të sintezës që organizimi nuk i prodhon më. Para pesë vitesh, një studim amerikan tregoi se terapia hormonale zëvendësuese nuk e mbron sistemin kardiovaskular, madje rrit rrezikun për një tumor të gjirit dhe patologjive kardiake. Ato që i tremben më shumë kësaj periudhe janë femrat në moshë të re. Një fakt kurioz është se kjo fazë e jetës është frikësuese vetëm në kulturën perëndimore. Në kulturat e tjera, që nuk i kushtohet një rëndësi kaq e madhe bukurisë dhe tërheqjes, menopauza nuk konsiderohet si “fillimi i fundit”, por është pikërisht shenja e një statusi social të maturuar. Për shembull, në Indi gratë që kanë arritur në periudhën e menopauzës, mund të dalin për të biseduar dhe për të pirë me burrat. Nuk duhet të mbajnë më perçe dhe të qëndrojnë të veçuara. Në Etiopi, një gruaje që është në menopauzë i lejohet të ecë në tokën e shenjtë dhe të marrë pjesë në rituale të tjera.
Menopauza është një moment ndryshimi mjaft i rëndësishëm në jetën e grave, duke u bërë shpesh një periudhë e thellë reflektimi. Gjithashtu nuk duhen lënë pas dore edhe ndjesitë që krijon në trup: për shembull afshet e nxehtësisë nuk janë sajime psikosomatike, siç besohej dikur, por simptoma të vërteta. 


Megjithatë, feminiliteti i një gruaje nuk venitet pas kësaj periudhe, e gjithashtu as nuk pakësohet nga ajo lloj karikature histerike dhe shkatërruese që mendohej se e përfaqësonte për shumë kohë. Për shembull, është provuar se depresioni, të cilit i janë nënshtruar disa femra, nuk ka ndodhur për shkak të ndryshimeve fiziologjike, por për probleme të tjera, që tërhiqen zvarrë gjatë gjithë jetës, ose janë tipike të moshës së dytë: mosmarrëveshjet në marrëdhënien bashkëshortore, keqkuptimet me fëmijët, prindërit, fëmijët që braktisin shtëpinë për t’u martuar, ose që shkojnë për të jetuar diku larg. Është e qartë se sa më shumë një grua të vlerësojë pozitivisht veten dhe jetën e saj, aq më lehtë do ta përballojë periudhën e lidhur me menopauzën. Natyrisht mund të shfaqen pak më tepër simptomat e origjinës fiziologjike, për shembull siç ndodh ekzaktësisht për dhimbjet e bezdisshme menstruale ose sindromën premenstruale. Është shumë e nevojshme të bëhet një ndarje mes atyre që hyjnë në menopauzë në mënyrë natyrore dhe atyre që hyjnë rastësisht, duke vijuar më pas me ndërhyrjet kirurgjikale, ekografitë, radioterapitë ose kimioterapitë. Duke e thjeshtuar në maksimum, menopauza është fundi total i menstruacioneve. Ky është një moment transformimi që mund të zgjasë nga 10 deri në 15 vjet, periudhë gjatë së cilës sistemi riprodhues femëror ndryshon gradualisht.


Në terma biologjikë, menopauza i referohet shfaqjes së ciklit të fundit që paraprihet nga premenopauza. Në këtë fazë cikli është i çrregullt për një kohë të gjatë. Pas kësaj periudhe vijon edhe çasti kritik që tregon 10-15 vitet ku vezoret ndalojnë gradualisht së prodhuari vezë dhe sasi të mëdha hormonesh. Nuk ekziston një mënyrë për të parashikuar ekzaktësisht se kur do të fillojë “makthi” i madh: ndoshta disa faktorë mund të ndikojnë mbi këtë gjendje, por studiuesit nuk janë ende të qartë, ashtu siç nuk dinë me saktësi se kur kanë hyrë në periudhën e menopauzës nënat e tyre. Ajo që duket më e mundshmja është se e gjithë kjo nxitet nga gjene individuale. Ndonjëherë mund të shfaqet një menopauzë e parakohshme para të 35-ve, ose e vonuar, pas të 52-ve. Për një diagnozë më të saktë është e këshillueshme t’i drejtoheni specialistit.


Pranimi i plotë i ndryshimeve të dukshme që trupi i femrës pëson me menopauzën mund të jetë i vlefshëm për t’iu afruar kësaj periudhe të jetës me më pak shqetësim. Mbi të gjitha duhet të bindemi se menopauza nuk është një sëmundje, e gjithashtu as një krizë, por një kalim natyror biologjik, thjesht një nga të shumtit që ndodhin në jetën e një gruaje. “Ky është një ndryshim si shumë të tjerë. Varet se sa të afta janë ta përballojnë këtë periudhë”, thotë një specialist.

Postuar te Mjekësi. Komentet te MENOPAUZA! Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: