Vokalisti i bandit NRG BAND- Besnik Qaka interpreton kengen So Beautiful.

Besnik Qaka eshte nje prej kengetarve me melankolik ne Kosove, madje cilesohet edhe si zeri me i bukur mashkullor ne vendin tone.

Qaka ka nxjerr ne youtube kengen e zhanrit R&B te titulluar So Beautiful, interpretuar prej Sonique.
Me kete, vokalisiti i NRG Band edhe nje here deshmon aftesit e tij ne kendim (madje krahasur kete kenge prej origjinalit do keni veshtirsi identifikimi).
Postuar te Show-Biz. Komentet te Vokalisti i bandit NRG BAND- Besnik Qaka interpreton kengen So Beautiful. Janë të Mbyllura

Sting: "Fëmijëve të mi u them se suksesi nuk është sinonim i lumturisë”

Ish-lideri i grupit “Police” mbushi dje 59 vjeç dhe momentalisht ndodhet në një turne 4 ditor. “Publiku të ndjek, nëse nuk e zhgënjen”

Dje mbushi plot 59 vjeç. “Nuk do të ketë asnjë festë për ditëlindjen time”, thotë Sting, ndërsa qëndron ulur në një kolltuk të rehatshëm, para se të dalë në skenë. “Dua të jap një koncert madhështor. Biletat u shitën për një javë, ndërkohë që janë shitur 50 kopje të diskut. Goxha arritje, apo jo?”. Sting e ka nisur turneun e tij në Europë për të publikuar albumin e ri, ku do të riinterpretojë këngët klasike të grupit “Police” dhe të karrierës së tij solistike.
Është më e vështirë ndërthurja me orkestrën? Kërkon më shumë disiplinë? 
Disiplina është një fjalë që më pëlqen. Në fillim orkestra ishe si diçka abstrakte. Kishim frikë se nuk do të mund të sinkronizoheshim ashtu siç duhej me njëri-tjetrin. Tani gjithçka po shkon ashtu siç duhet. Unë kam pasur fatin e mirë të bashkëpunoj me një bandë profesioniste. Sa kompozitorë të zotë kanë pasur shansin të luajnë me një orkestër simfonike për një vit të tërë? Jo shumë. Do të isha një i çmendur nëse nuk do ta quaja veten me fat.

Fluturime të shpeshta, orare të mbingarkuara me punë, ndryshime klimatike… Si ja bëni që jeni kaq në formë? 
Kujdesem shumë për veten. Ha pak, vizitohem te mjeku dhe nuk bëj budallallëqe. Motoja ime është disiplina. Nuk dua të heq dorë nga linjat që kam: bark të sheshtë, një fytyrë të cilën e njohin të gjithë dhe që ka filluar edhe mua të më pëlqejë.
A është e vështirë për një legjendë të muzikës pop të marrë vendime të guximshme, pa rrezikuar që të mos u pëlqejë të tjerëve? 
Që kur grupi u nda, i kam marrë vendimet pa u vënë shumë në siklet. Publiku të ndjek nëse nuk e zhgënjen. Mund të më kishte braktisur kur u largova nga grupi, por nuk e bëri. Vazhdon të më ndjekë rregullisht.
Ribashkimi i grupit “Police”, dy albume me muzikë antike dhe tani një turne me këngë të vjetra. Mos vallë keni filluar të dembeloseni paksa si kompozitor? 
Unë dembel? Ky po që është sakrilegj! Sa më shumë që kalon mosha, aq më i vështirë bëhet krijimi: ke më shumë përgjegjësi, je i vetëdijshëm dhe ke një nivel të lartë autokritike. Kur je i ri, siç janë fëmijët e mi, shkruan instinktivisht, pretendon që gjithçka që bën të jetë e mirë. Konkretisht e shoh veten të pasqyruar tek entuziazmi i Joe (që tani është në turne me bandën e tij, “Fiction Plane”), në frymëzimin e rrebeshtë të Coco-s (në nëntor do të publikojë albumin “The Constant”, me emrin “I Blame Coco”). Me plakjen ky proces rrallohet, por cilësia përmirësohet.
E keni dëgjuar diskun e vajzës suaj? Është e ashpër, thotë se nuk e miraton stilin tuaj të jetës…
Është fantastik, një pop i vërtetë. Më pëlqejnë ndërthurjet e ëmbla të kitarës. Ndoshta nuk i pëlqej, por unë jam babai i saj dhe për mua të dy fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë në botë. Gjithçka e ka vendosur vetë, nuk ka ndjekur asnjë nga këshillat që i dhashë. Tani gazetat përpiqen t’i atribuojnë imazhin e “punk”, të vajzës rebele. Kjo nuk është e vërtetë. Ajo është shumë e dashur dhe e përkushtuar.
Fëmijët tuaj i janë futur botës së spektaklit. Çfarë ndjesie ju jep juve dhe bashkëshortes suaj kjo gjë? 
Tashmë jemi mësuar. Nuk na bën shumë përshtypje. Pavarësisht se jemi përpjekur shumë t’i mbajmë jashtë “show”-t të biznesit, janë zhytur brenda deri në fyt. Dy janë bërë muzikantë, dy aktorë dhe një regjisor. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpresoj që Giacomo, më i vogli, të bëhet avokat. Joe-s dhe Coco-s u kam thënë gjithmonë: nëse doni të bëni muzikë, në fillim duhet të mendoni për kënaqësinë tuaj. Mos u nisni me idenë se do të bëheni të famshëm dhe do të fitoni shumë para. Përqendrohuni tek ajo çka muzika i dhuron shpirtit tuaj, sepse në të kundërt, rreziku për të përfunduar keq është tepër i lartë. Jemi krenarë për Coco-n. Duam që ajo të jetë e lumtur. E dimë se suksesi dhe lumturia nuk ecin në të njëjtin drejtim.
Për më tepër, industria e muzikës nuk lundron në ujëra aq të pastra…
Janë vite të vështira për muzikën pop. Duket se më e mira i përket së kaluarës. Është një krizë idesh. Por a nuk është e njëjta që po përjetojmë në nivel filozofik, fetar dhe politik?
Klasifikimet janë siguri e talenteve të reja, ndërkohë që shitjet kanë filluar të bien…
Spektakli amerikan “X-Factor” përdor stereotipat e muzikës pop për të krijuar shpresa të rreme. Për një të ri nuk ka asgjë më të dëmshme se sa të cilësohet si Sting-u i ri, Elton John-i i ri ose Beyoncé e re. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë prej këtyre talenteve të thotë që unë jam vetvetja dhe si i tillë dua të lë gjumë në botën e muzikës. Kush janë ata që i gjykojnë këto talente? Fjalët që u thonë nuk janë të vërteta. Muzika është diçka krejt tjetër. Unë në televizor shoh vetëm futboll.
Vendimi për të dhënë koncert në Uzbekistan, një vend ku të drejtat e njeriut shkelen, ka ndezur shumë debate. Kryeartikullshkruesit anglezë janë nxitur edhe nga një fotografi që ju shfaq në një sfilatë mode krah përkrah me Gulnara Karimova-n, vajzën e një presidenti të akuzuar, mes të tjerave, edhe për shfrytëzim në punë të minorenëve. Nuk keni menduar që kjo gjë mund të përbaltë historinë tuaj të gjatë të të qenit aktivist? 
Është e vërtetë, Uzbekistani është një vend që i shkel të drejtat e njeriut. Por nuk më rezulton të jetë subjekt i një embargoje kulturore, si Afrika e Jugut. Nëse do të ndodhte kjo gjë, shoqëria uzbeke do të bëhej më paranojake, më agresive ndaj nesh. Arti, gazetaria, sipërmarrja, qarkullimi i ideve të reja (dhe unë besoj në fuqinë e muzikës), janë të gjitha gjëra që u bëjnë mirë vendeve me regjim totalitar. Ndërsa për sa i përket Karimova-s, mesa duket do të jetë ajo që do ta qeverisë vendin një ditë, dhe të jeni të bindur se është më e ndjeshme se i ati ndaj kulturës. Atëherë pse jo? Përse të mos i lëmë dyert e hapura?
Në të ardhme do të luani sërish muzikë të vjetër?
Kam në mendje një spektakël teatror të bazuar te “The Soul Cages” (albumi i vitit 1991, i shkruar pas vdekjes së babait). Së fundmi ka shpërthyer mentaliteti që muzika duhet të jetë e lirë. Kështu që është më mirë të eksplorohen territore të reja, sepse ndoshta vitin tjetër do të hedh në treg një disk të ri.
Postuar te Show-Biz. Komentet te Sting: "Fëmijëve të mi u them se suksesi nuk është sinonim i lumturisë” Janë të Mbyllura

Ka ilaq për menstruacione

Simptomat shfaqen me ndryshime të humorit, depresion, acarim, lodhje, shpërqendrim etj. Femrat që vuajnë nga këto simptoma janë tepër të rrezikuara

Gruaja është krijesa më e durueshme në botë. Në këtë rast nuk e kemi fjalën për dëshirat e shumta nga të cilat duhet të heqë dorë për shkak të punës dhe familjes, por për dhimbjet e padurueshme të menstruacioneve që duhet të durojë çdo muaj. Dhimbje të cilat janë të shpeshta dhe të bezdisshme, si gjatë ditëve të ciklit ashtu edhe para ardhjes së menstruacioneve. Shpesh kemi dëgjuar të flitet për sindromën premenstruale, e cila sjell një sërë shqetësimesh fizike dhe psikike që zakonisht zhduken me ardhjen e ciklit menstrual.

Simptomat shfaqen me ndryshime të humorit, depresion, acarim, kriza të qarash dhe dhimbje nga më të ndryshmet. Megjithatë, femrat që vuajnë nga këto simptoma mund të rrezikojnë seriozisht si jetën shoqërore ashtu edhe atë në çift. Por nga se varen të gjitha këto shqetësime dhe cilat janë kurat efikase për të gjetur pak qetësi? Në fakt, janë të ndryshme. 20 vjetët e fundit sindroma premenstruale është bërë një kategori e veçantë diagnostikimi. Është një patologji mes kufirit të gjinekologjisë dhe psikiatrisë, vetëm se dhimbjet janë më të ndryshme: depresion, gjendje ankthi, vështirësi për t’u përqendruar, acarim, dhimbje koke dhe barku, pagjumësi, ndryshime të masës trupore, dhimbje gjoksi, prerje e oreksit. Në këtë gjendje të shpeshta janë edhe çrregullimet në sjellje, ku parësor është agresiviteti, gjë që ndikon në pasjen e një aktiviteti të përditshëm normal. Për shembull legjislacioni britanik i merr parasysh rrethanat në rast se gruaja kryen një krim, ndërkohë që rezulton të jetë e prekur nga sindroma premenstruale.

Por a mund të konsiderohet kjo një sëmundje? Më shumë se një sëmundje është një sindormë. Kjo do të thotë shumë për llojin e ndërhyrjeve terapeutike që do të merren. Ka mbi 40 vjet që specialistët përpiqen ta kurojmë këtë “sëmundje”, por ende nuk kanë gjetur barnat e duhura. Kura që duhet ndjekur varet nga shqetësimet që ka një grua. Zakonisht përdoren kura farmakologjike, të cilat nuk funksionojnë, por që ndryshojnë të ushqyerin dhe stilin e jetës.
A mund të lehtësohen simptomat e sindromës premenstruale në tavolinë? Sigurisht. Gjatë atyre ditëve kritike do të ishte shmangia e ushqimeve të kripura, të konservuara, pijeve alkoolike, substancave ngacmuese dhe përdorimi sa më shumë i frutave, zarzavateve, ushqimeve me bazë bulmetin dhe peshkun. Gjithashtu, duhet pasur kujdes me zilen e mëngjesit, pasi gjatë periudhës premenstruale është shumë acaruese. Një faktor tjetër që nuk duhet harruar është gjumi. Gjatë ciklit menstrual femrat duhet të flenë 7 deri në 8 orë gjumë në ditë. Kur patologjia nuk “korrigjohet duke” kontrolluar orët e gjumit, atëherë duhen përdorur terapitë farmakologjike e ndonjëherë edhe ilaçet që jep psikologu.
Edhe aktiviteti fizik ndihmon që të ndiheni mirë gjatë atyre ditëve. Ka nga ata që i sugjerojnë femrat të bëjnë joga, pasi i ndihmon në uljen e tensioneve fizike. Me kalimin e viteve sindroma premenstruale përmirësohet. Me shfaqjen e menopauzës këto shqetësime fillojnë të zhduken, për shkak të rolit shumë të rëndësishëm që kanë hormonet femërore. Gjithsesi, në disa raste marrja e pilulave mund të ketë efekte pozitive deri në lehtësim, por edhe mund ta përkeqësojë situatën.
Cilat janë kurat farmakologjike më efikase? Natyrisht anti-inflamatorët, që lehtësojnë dhimbjet. Në disa raste mund të ketë efekte të dobishme edhe marrja e magnezit. Te disa persona ky element është me pakicë dhe mund të ndihmojë në pakësimin e dhimbjeve. Në 10 për qind të rasteve jep efekt.
Shpesh femrat vrapojnë te barnat nën dorë për të lehtësuar këto lloj dhimbjesh. Por cilat janë këshillat që japin specialistët?
Nga pikëpamja mjekësore, është e udhës të flisni me një doktor dhe më pas ai t’ju këshillojë një kurë.
A i ndihmon femrat fakti që të mbajnë një ditar ku mund të shkruajnë simptomat çdo muaj? Sigurisht. Kjo gjë sugjerohet shpesh edhe nga mjekët për të krijuar një ide më të detajuar mbi situatën në fjalë.
Postuar te Mjekësi, Studim. Komentet te Ka ilaq për menstruacione Janë të Mbyllura

Paqja ne Ceceni eshte diktatur



Katër vjet nga vrasja e Ana Politkovskaja, në Republikën e Kaukazit dhuna dhe shtypja vazhdojnë. Tani është bërë edhe më e rrezikshme të denoncosh poshtërsitë e Presidentit Kadyrov dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngjarjet e fundit nga një vend i cili vazhdon të jetë nën pushtetin rus e ku mbizotëron terrorizmi
Zyrtarisht lufta ka përfunduar, madje nuk ekziston më fare. Jeta duket sikur rrjedh normalisht. Pothuajse, sepse gjendja në Çeçeni vazhdon të jetë e tensionuar. “Studentët e mi ëndërrojnë të bëhen anëtarë të shërbimit special të Kadyrov: pasanikë, të fortë, të fuqishëm dhe të pushtetshëm. Dhuna është rrënjosur thellë në mentalitetin e çeçenëve”, pëshpërit Amina, një profesoreshë e re. Arsyeja gjendet vetëm disa kilometra larg.
Shkolla e Amina-s ndodhet dy hapa larg stadiumit “Tarek”, skuadra vendase, aktualisht në mes të klasifikimit në kampionatin rus, i cili u rikonstruktua i gjithi në 9 maj të 2004-s, pasi u shkatërrua i gjithi për shkak të një eksplozivi të vendosur në tribunë, ku humbi jetën edhe Presidenti i Republikës, Akhmad Kadyrov, babai i Ramzan-it. Që nga ai moment Putin vendosi t’ia linte gjithçka të birit, një tip arrogant të cilit i pëlqen shumë vetja, aq sa të lë përshtypjen sikur personaliteti është jashtëzakonisht i ngjashëm me atë stalinian. Në vitin 2007, Putin e uli në kolltukun e tij, që ka qenë e të atit, me qëllim që t’i jepte fund konfliktit çeçen.

Duket si një lojë fjalësh, por në fakt nuk është kështu. “Strategjia e Moskës ishte e qartë: që çeçenët të eliminonin njëri-tjetrin”, shpjegon Dick Marty, një nga anëtarët e raportit të Këshillit të Europës mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kaukazin e Veriut. Në këtë mision Kadyrov ka qenë mjaft i dobishëm, madje problemi ishte se i kapërceu pak kufijtë.

Numri i personave që kanë humbur jetën në Çeçeni nga viti 2000 deri në luftën e dytë çeçene (1999-2000) është pothuajse pesë mijë vetë. Në atë kohë Putin fliste për fundin e “operacioneve antiterroriste” në Çeçeni. Gjendja ishte tepër e tensionuar: rrëmbeheshin njerëz, sepse mbronin të drejtat e tyre, kërkonin të vërtetën, ose sepse dukeshin si terroristë islamikë (ndonjëherë mjaftonte mjekra e gjatë) dhe asnjë nga përgjegjësit nuk u vu para drejtësisë, edhe pse familjarët e viktimave kanë ngritur qindra padi kundër fajtorëve. Kush protestonte, arrestohej, ndëshkohej ose vritej, si Ana Politkovskaja, e cila para katër vjetësh u gjet pa jetë në shtëpinë e saj në Moskë.
Tani që operacionet antiterroriste kanë përfunduar, jo vetëm që rrëmbimet vazhdojnë, por numri i tyre është rritur jashtëzakonisht. Në maj të 2009-s u sekuestrua dhe u vra Natalia Estemirova, paladine e të drejtave të njeriut dhe anëtare e OJQ-së “Memorial”, u vranë aktivistët Zarema Saudoulayeva dhe Alik Djabrailov etj. “Që prej kohës kur u vra Natalia, edhe qendra jonë në Gronzy e ka të vështirë të ecë përpara”, shpjegon Aleksandër Cherkasov, nga OJQ-ja “Memorial”. “Jemi në dijeni të shumë episodeve. Është e qartë se rrëmbimet vazhdojnë dhe presioni shtohet, por informacionet janë të pakta dhe mungojnë statistikat, sepse njerëzit nuk denoncojnë më raste në polici. Ata u tremben paditjeve. Gjëja më e keqe është të jetosh me frikë”.
Një situatë që ndihet edhe jashtë Kaukazit. Omar Israilov, një ish-ushtar çeçen që thoshte i bindur se kishte parë Kadyro-in në rolin e torturuesit, u vra në Vjenë, më 19 janar të 2009-s. Më 28 mars të vitit 2009 në Dubai u vra me armë zjarri Sulim Yamadayev, një komandant i ushtrisë, hero i Rusisë dhe lider i klanit të vetëm çeçen që ishte në gjendje të përballej me Dadyrov-in. Vrasësi i tij i dyshimtë, avokati Adam Delimkhanov, është mik i ngushtë i Presidentit. Në shtator të 2008-s u vra në Moskë një njeri tjetër i fortë i klanit Yamadayev, deputeti Ruslan. Sipas shërbimeve franceze ekziston një grup vrasësish çeçenë me shërbim në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Paralelisht me dhunën e shtetit rriten edhe veprat e terrorizmit, brenda e jashtë republikës. Që nga një janari e deri në mes të shtatorit, ministri i Brendshëm rus, Rachid Nourgaliev, ka numëruar “498 krime terrorizmi në të gjithë Kaukazin e Veriut”, një tendencë e cila nga Çeçenia është përhapur në Lindje të Daghestan-it dhe në Perëndim të Inguscezia-s. Në këtë magmë dhune, “mbretëria” e Kadyrov është bërë ferri i Kaukazit, gjë që krijon më pak shqetësim për Moskën, por vetëm përkohësisht, sepse nëse në Inguscezia dhe sidomos në Daghestan atentatet janë çështja kryesore e ditës, në Çeçeni ende nuk ka paqe. “Që prej 2009-s, në Çeçeni mund të numërohen mijëra sulme, përfshi këtu rrëmbimet, vrasjet dhe aktet e terrorizmit”, lexohet në raportin e Dick Marty-t, i prezantuar në fund të qershorit. Rasti i fundit i dhunës është shënuar në fund të gushtit: rebelët sulmuan policinë në Tsentoroi, fshati i lindjes së Presidentit. Në këtë përleshje mbetën të vrarë 12 militantë dhe humbën jetën pesë policë. Kadyrov ofroi 10 milionë rubla, 326 dollarë shpërblim për atë që kishte informacion mbi autorët e sulmit.
“Kadyrov është i pathyeshëm. Duket sikur askush nuk mund ta kritikojë. Por cila është pika e tij e dobët? Kremlini i ka dhënë të gjithë pushtetin e mundshëm, megjithatë sulmet ende vazhdojnë. Duhet një presion i fortë nga Perëndimi për ta vënë në vështirësi”, analizon Andrei Soldatov, gazetar i “Novaja Gazeta”, gazeta e Politkovskaja. Kadyrov e lidh gjithçka me Kuranin. Dyqanet mund të shesin alkool vetëm dy orë në ditë, poligamia vlerësohet nga Presidenti dhe kujdestarët e zellshëm të moralit matin gjatësinë e perçeve dhe kontrollojnë se si vishet veli, i detyrueshëm në të gjitha vendet publike. Motoja e Kadyrov-it është: “Një grua duhet të konsiderohet si pronë e një burri”. Natalia Estemirova në 2008-n u përjashtua nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, sepse refuzoi të përdorte perçe në vendet publike, më pas u vra.
Ëndrra ka “shijen” e turizmit. Pasi ndryshoi pamjen e kryeqytetit, Kadyrov dëshiron të bëjë investime në malet Kaukaz. “Kemi malet më të sigurta të Rusisë”, thotë krenar Presidenti. Nga Moska dhe investitorët privatë pritet të vijnë 500 milionë euro investime. “Në asnjë vend tjetër të botës nuk kam parë male kaq të bukura”, thotë biznesmeni Rouslan Baissarov. Të tjerë si Soldatov, kolegu i Politkovskaja-s, shtrojnë pyetjen: “E kush do të guxonte të shkonte me pushime në një vend ku çdo javë ndodhin sulme terroriste?”.

Postuar te Bota. Komentet te Paqja ne Ceceni eshte diktatur Janë të Mbyllura

Nenat sexy

Janë seksi, padyshim të bukura dhe moskokëçarëse. Zbulojnë shpatullat, nxjerrin gjoksin, kërthizën dhe këmbët. Janë padyshim protagonistet e një brezi të ri, të një tendence të re, e pagëzuar me emrin “10 vjet më të reja”
Janë seksi, padyshim të bukura dhe moskokëçarëse. Zbulojnë shpatullat, nxjerrin gjoksin, kërthizën dhe këmbët. Veshin bluza më shumë se të hapura, minifunde të shkurtra, ku mund të dallohen qartë zhartieret dhe në fund nuk harrojnë takat e larta e të holla. Bëjnë shoping së bashku me fëmijët, në dyqanet që janë për të rinjtë dhe ndonjëherë blejnë rroba ekstravagante dhe të së njëjtës masë sa fëmijët e tyre. Janë ato që kanë ndryshuar thënien e vjetër nga: “Mosha që ke është ajo që ti ndien”, në: “Mosha që ke varet nga mënyra se si vishesh”. Janë padyshim protagonistet e një brezi të ri, të një tendence të re, e pagëzuar me emrin “10 vjet më të reja”. Gra që tregojnë dhjetë vjet më pak, vishen, jetojnë dhe sillen padyshim pa komplekse. Në të vërtetë ka kohë që të gjithë po i vëzhgojnë këto 40-vjeçare të mrekullueshme, të cilat duken si 30, por mungonte vetëm emri për të pagëzuar këtë gjeneratë të re.



Mirëpo edhe për këtë kanë menduar tabloidët anglezë, duke marrë shkas nga lajmi se industria e veshjeve në Britaninë e Madhe ka kaluar për herë të parë një miliard sterlina xhiro (rreth 400 milionë euro), ku padyshim në krye qëndrojnë blerjet e grave. Një sondazh vërtet domethënës, që nxjerr në pah një cilësi. Sot, 25 për qind e grave me moshë nga 43 deri në 53 vjeç, besojnë në shprehjen: “Për mua është e rëndësishme mënyra se si vishem”. E të mos harrojmë se vetëm 5 vjet më parë përqindja ishte 15. Moralistët mund ta përcaktojnë si mendjemadhësi, ndërsa psikologët flasin mbi një dëshirë për të jetuar dhe ide të rinisë së përjetshme. Udhëheqësi i këtij revolucioni të vogël është një gjeneratë fotomodelesh, aktoresh, këngëtaresh, të cilat e kanë kaluar paksa moshën, por që ndihen akoma në qendër të vëmendjes, si për shembull: Linda Evangelista 45 vjeç, Elle Macpherson 47, Madonna 52, Sharon Stone 53. Gra të mrekullueshme padyshim, por statistikat tregojnë se nuk është e nevojshme të jesh një yll i show-biznesit për të qenë pjesë e klubit “10 vjet më të reja”, siç tregon edhe numri i madh i palestrave në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka më shumë “qendra fitnesi” sesa pabe, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale estetike që aty kanë arritur një xhiro prej 225 milionë sterlinash në vit. “Janë në formë falë vrapit dhe gjimnastikës, të kujdesshme për dietat dhe nëse është e nevojshme nuk hezitojnë të shkojnë te kirurgu plastik”, shkruhet në “Daily Mirror”. Padyshim që prezantojnë një elitë. Janë gra të shtresave të mesme ose të larta, që kanë bërë karrierë në punë, që kanë fituar pavarësi ekonomike dhe kanë lekë për të shpenzuar për veten. Por mbi të gjitha, janë një pikë referimi për të gjitha gratë e brezit të tyre. “Jemi 40 vjeç dhe ndihemi të formë të shkëlqyer, me pak fjalë jemi të mrekullueshme”, thonë ato. As “shtëpiake”, as “të dëshpëruara”, citojnë të mrekullueshmin serial televiziv, “Shtëpiake të dëshpëruara”. Janë padyshim ato me një luk dhe një pamje 10 vjet më të vogël se mosha e tyre në pasaportë.

Mosha nuk ka rëndësi

“Në fillim të gjithë më mëshironin. ‘E shkreta’, thoshin shoqet e mia. Edhe pse mendimi im nuk përputhej me të tyrin, them se kam qenë me fat”. Në moshë 41-vjeçare, një zonjë solli në jetë dy binjake, të cilat sot janë rritur dhe shkojnë në kopsht. Teknikisht, kjo zonjë futet te kategoria e “nënave të vonuara”, ose te gratë që janë bërë nëna pas të dyzetave. Në fakt, nuk është e vetmja që ka vendosur të lindë në këtë moshë. Numri i këtyre grave ka arritur në 28 mijë, pra duke e krahasuar me 20 vjet më parë është dyfishuar. Në Europë, Italia është shteti i parë ku “nëna 40-vjeçare” gjenden me shumicë. Më pas vjen Franca e Britania e Madhe me 3 për qind dhe Gjermania me 4 për qind. Në Itali, mosha mesatare e grave që sjellin në jetë fëmijën e parë është 31, në Shtetet e Bashkuara 27, në Francë 21, ndërsa në Spanjë dhe Gjermani 30. Të dhënat tregojnë se me çfarë ritmesh është zhvilluar shoqëria jonë. Dikur, gratë që arrinin këtë moshë ishin bërë gjyshe, ndërsa sot ndërrojnë pelenat e të vegjëlve të tyre dhe u japin për të pirë. “Femrat dëshirojnë të afirmohen në të gjitha aspektet e jetës. Nëse vjen në jetë një fëmijë, ato duhet të heqin dorë nga shumë dëshira dhe mbi të gjitha karriera”, shpjegon një psikologe. Një lindje në moshën 40-vjeçare është si një fitore pas një ndeshjeje shumë të lodhshme. “Nënat e sotme dëshirojnë të lindin pas të 40-ave, sepse mund t‘i përkushtohen më shumë fëmijës, duke qenë se e kanë kaluar moshën për të bërë karrierë, ose sepse më parë nuk kanë gjetur një baba të përshtatshëm”, vazhdon më tej ajo.
Por, vendimi për të lindur në moshë të madhe ka pasojat e veta. “Bashkëshortin me të cilin jetoj sot e njoha kur ishte 37 vjeç. Kur vendosëm të bashkëjetonim ishim të dy 39 vjeç dhe vendosëm të sillnim në jetë një fëmijë. Për një vit me radhë provuam me mënyrën natyrore, por meqë kjo metodë nuk po jepte rezultate vendosëm t‘u drejtoheshim specialistëve. Nuk kishim probleme steriliteti, na nevojitej thjesht një ‘ndihmë”. Iu nënshtruam analizave dhe kontrolleve të imtësishme. Dua të kujtoj se disa prej analizave ishin vërtet të rënda, si nga ana psikologjike, ashtu dhe ajo fizike”, tregon një nënë 41-vjeçare.

Veshja

Por pavarësisht se kur bëhen nëna, gratë e sotme kanë shumë dëshirë të ngjajnë shumë vite më të reja në moshë. Për këtë stili i veshjes i ndihmon shumë. Elegante, bukuroshe me taka të larta dhe minifunde. Janë këto nënat e reja që duken si vajza beqare në kërkim që vishen kështu për të tërhequr vëmendjen. Por jo, ato dëshirojnë të jenë bukuroshe dhe ta mbajnë veten më shumë se kurrë, sepse fakti se kanë një dy apo tre fëmijë nuk u bën gjë tjetër veçse u shton gëzimin në jetët e tyre.
Postuar te Kulturë, Show-Biz. Komentet te Nenat sexy Janë të Mbyllura

Epoka e re virtuale

Deri pak vite më parë, ata që sulmonin sajtet e ndryshme të internetit të kompjuterëve të bankave, apo kompanive të fuqishme ishin adoleshentët e talentuar në kërkim të famës. Kështu ka ndodhur shpesh që sajte të vizituara nga miliona njerëz  ndryshoheshin përmes figurave dhe mesazheve të futura në mënyrë pirate. Mesazhet mund të kishin një temë të caktuar, apo mund të ishin edhe thjesht sharje dhe ofendime pa ndonjë bazë. Vetëm së fundi, sulmet informatike janë shndërruar në një biznes prej të cilit mund të sigurosh miliona dollarë për shkak të lidhjes së tyre gjithnjë e më të ngushtë me krimin e organizuar. Prej kohës kemi hyrë në epokën e mashtrimeve informatike, ose siç quhet në zhargon “fishing”, të vjedhjeve gjithnjë e më të sofistikuara për të shtënë në dorë prona, pasuri e para të të tjerëve. Së fundi, po asistojmë në një kalim “cilësor” të këtyre veprimtarive kibernetike të paligjshme që është shumë alarmant. Ata që lëshojnë viruset. “krimbat”, që futen në postën elektronike personale e që vjedhin nuk janë më djem të vegjël apo adoleshentë në kërkim të famës. Sot të dyshuarit kryesorë për sulme të tilla janë vetë shërbimet sekrete, shtetet e qeveritë e vendeve të ndryshme.

Ka media të caktuara që kanë nisur të flasin hapur për një luftë të vërtetë kibernetike, madje jo më larg se duke filluar që nga muaji i kaluar, kur sajtet e institucioneve qeveritare dhe tregtare të Koresë së Jugut u goditën nga një valë e paprecedentë sulmesh që supozohej se vinin nga Koreja e Veriut. Por akti më i rëndë, ai që do të konsiderohet si pika e vërtetë e kthesës në këtë luftë gjithnjë e më të sofistikuar dhe të pamëshirshme është  sulmi i tri ditëve më parë ndaj rrjetit gjithnjë e më të famshëm social “Twitter”. Në këtë sulm u përfshinë miliona vetë dhe ai u konsiderua një sulm i vërtetë që nuk ka të bëjë fare me krimin kompjuterik tradicional. Sipas një supozimi të mbështetur në fakte, që po gjen mbështetje gjithnjë e më të madhe tek ekspertët e sigurisë informatike, “Twitter”, “Facebook” dhe rrjete të tjera sociale janë bërë të famshme dhe të preferuara jo për faktin e thjeshtë të kalimit të kohës dhe të gjetjes së shoqërive të reja, por mbi të gjitha sepse ato janë shndërruar në megafonë të vërtetë të qëndrimeve opozitare dhe të zgjidhjeve alternative. Si rrjedhim ata që sulmuan “Twitter”-in nuk e bënë këtë kundër një fuqie ekonomike gjithnjë në rritje, por ndaj një mjeti që përçon zërin e së vërtetës. Shefi i sigurisë së “Facebook” ka konfirmuar që pjesa më e madhe e sulmeve u bë ndaj një blogu gjeorgjian “Cyxymu” që kritikon qeverinë ruse, sidomos tani në përvjetorin e parë të luftës në Kaukaz. Sipas tij, ndoshta sulmi është bërë nga hakersa të zakonshëm, por urdhri ka ardhur nga Kremlini. Sulme të tilla kanë bërë që shumë qeveri të mendojnë për më të keqen dhe të përgatiten për të mos u zënë në befasi. Kjo pasi ata që kanë bllokuar dhe sulmuar një sajt të fuqishëm si “Twitter” , në një të nesërme mund të sulmojnë edhe sajte të tjera më të rëndësishme. Drejtori  i Shërbimeve Sekrete Amerikane, Mike McConnell, në administratën e Bushit, një vit më parë paralajmëronte që hakersat mund të shndërrohen në një kërcënim ekuivalent me atë të një bombe bërthamore kjo për sa u përket rezervave monetare të Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, do të mjaftonte një sulm i suksesshëm ndaj një banke të vetme amerikane për të krijuar një valë goditëse me rezonancë në të gjitha sferat e ekonomisë botërore, madje me pasoja më të rënda se ato të 11 shtatorit. Në një artikull të fundit të së përditshmes amerikane “New York Times” skenari i mësipërm krahasohej me revolucionin që solli bomba bërthamore 64 vjet më parë. Ajo ishte një shpikje që ndryshoi përgjithmonë konceptin për luftën dhe paqen. Pyetja që duhet të bëjmë sot është: cili është përcaktimi i luftës informatike? Ku qëndron kufiri mes mbrojtjes dhe sulmit?
E ndërkohë ka nisur gara për mbrojtjen nga sulme të tilla. Sipas burimeve të brendshme të Pentagonit, trupat amerikane kanë qenë disa herë protagoniste të luftërave kibernetike në tokë të huaj. Ndër to mund të përmendim ndërhyrjet informatike që janë kryer në Irak për lehtësimin e kapjes së agjentëve të Al-Kaedës, apo në Iran për monitorimin e situatës së programit bërthamor. Në të dyja rastet bëhet fjalë për iniciativa të shkëputura e të kryera vetëm me autorizimin personal të ish-presidentit amerikan, Bush, pak para se të linte Shtëpinë e Bardhë. Tashmë detyrën për të formuluar një strategji të mirëfilltë dhe të plotë për luftën informatike e ka administrata e Obamës. Në fund të qershorit, sekretari i ri i Mbrojtjes, Robert Gate, ka krijuar një forcë të posaçme komando për mbrojtjen e rrjeteve informatike ushtarake dhe për zhvillimin e masave mbrojtëse dhe atyre kundërsulmuese. Hipotezat e ndryshme parashikojnë mundësinë e trupave amerikane për t’u futur në kompjuterët e kriminelëve informatikë në Rusi apo Kinë dhe për të shkatërruar rrjetet e posaçme prej të cilave nisen sulmet informatike, të tilla si ky i fundit që “gjunjëzoi” “Twitter”-in. Një tjetër ide, që për hir të së vërtetës është pak kontradiktore, është ajo e prodhimit të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara të cilëve mund t’u bashkëngjitet një mekanizëm “i heshtur”  që do të aktivizohet me komandë për të neutralizuar kompjuterin “armik”. Qeveria amerikane, ndërkohë ka nisur që të grumbullojë gjithë të rinjtë e të rejat e talentuar në fushën e informatikës për t’i inkuadruar në një “luftë” të ardhshme në pozicionet e rojeve, apo sulmuesve kibernetikë.  Por sipas disa ekspertëve, pavarësisht asaj çka thuhet, përgatitja e Amerikës për një realitet të tillë, lë shumë për të dëshiruar. “Në qeveri ka shumë njerëz që flasin dhe shkruajnë për sigurinë, por që në fakt dinë shumë pak për atë çka po ndodh me të vërtetë”, ka deklaruar së fundi Alan Paller, drejtori i kërkimeve në institutin “Sans”. Obama ka premtuar prej kohësh krijimin e postit të një shefi të përgjithshëm e të gjithëpushtetshëm të sigurisë informatike që do të ketë pushtetin dhe fuqinë e koordinimit të veprimeve kundër sulmeve informatike. Ndjesia që u krijohet shumë analistëve është se në këtë fushë të caktuar, fronti i veprimit  po spostohet bindshëm gjithnjë e më në lindje. Pikërisht nga kjo pjesë e planetit vijnë jo vetëm sulmet më të fuqishme dhe më të shumta ndaj sajteve të ndryshme në Perëndim, por edhe shembujt më të mrekullueshëm e të arritur të mbrojtjes nga sulmet. Në vitin 2007, rrjeti i internetit në Estoni, që është një vend avangardë për sa i përket fushës së informatikës, u dorëzua para një serie sulmesh të koordinuara që çuan në bllokim të të gjitha sajteve qeveritare. Edhe në këtë rast, dyshohet që sulmi vinte nga Rusia fqinje. Që nga ai moment, në kryeqytetin e vendit, Tallin, me bekimin e NATO-s  është krijuar një qendër e posaçme për mbrojtjen nga sulmet informatike.
Postuar te SHKENCË, Studim, Teknologji. Komentet te Epoka e re virtuale Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: