QKUK: Rrahet dr.Arsim Morina

Sot, në ora 10:10 në vendin e tij të punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është sulmuar dhe rrahur nga persona të panjohur, Prof.dr.Arsim Morina, Drejtor i Klinikës së Neurorkirurgjisë.  Në vendin e ngjarjes ka ardhur  edhe Policia e Kosovës, e cila po merret me rastin në fjalë. QKUK,  dënon  sulmin ndaj Prof. Morinës, duke u bërë thirrje organeve kompetente që sa më shpejtë t’i zbulojnë akterët e këtij sulmi dhe të njëjtit të  nxjerren para drejtësisë.

Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë ofrimit të shërbimeve shëndetësore, por pengojnë ato.  QKUK, përkundër vështirësive të mëdha me të cilat po  ballafaqohet bënë përpjeke maksimale që pacientëve tu ofrohet kujdesi i  duhur shëndetësor.  QKUK, kërkon nga gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë shumë të kujdesshëm dhe ta ndihmojnë stafin shëndetësor gjatë kryerjes së punës.
Postuar te KOSOVË, Mjekësi. Komentet te QKUK: Rrahet dr.Arsim Morina Janë të Mbyllura

Filloi Kongresi i Dytë i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës

Prishtinë, 01.10.2010
Organizuar nga Shoqata e Kardiologëve të Kosovës, me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë, filloi sot punën Kongresi i Dytë i Kardiologëve , gjegjësisht  kongresi i parë pas pranimit të kësaj shoqate në Shoqatën Evropiane të Kardiologëve. Në këtë kongres po marrin pjesë kryetari i sapozgjedhur i  Shoqatës Evropiane të Kardiologëve, Prof.dr. Panos Vardas, disa anëtarë të Bordit të SH.E. K. si dhe kryetarë të shoqatave nacionale të shteteve të regjionit: Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjës.
Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi duke përshëndetur pjesëmarrësit tha se peshë të veçantë këtij tubimi shkencor i ka dhënë prania e profesionistëve më eminent të kardiologjisë evropiane.  “Sëmundjet e zemrës janë shkaktarët më të shpeshtë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, si në botë ashtu edhe në Kosovë, andaj në këtë kontekst ulja e incidencës së sëmunjeve të zemrës është një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe kjo synohet të arrihet përmes programeve parandaluese, ngritjes së kuadrove profesionale, financimit më të mirë të shëndetësisë si dhe funksionalizimit të qëndrueshëm të kardiologjisë invazive e kardiokirurgjisë. Ky Kongres është rast i mirë për të mbështetë arritjet e këtyre qëllimeve strategjike të shëndetësisë kosovare, tha me këtë rast Ministri Bukoshi.
Dr. Irfan Daullxhiu, kryetar i Shoqatës së Kardiologëve të Kosvës tha se në këtë Kongres, në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Kardiologëve organizohet për herë të parë sesioni i përbashkët “joint session”në mes të kardiologëve kosovar dhe atyre evropianë, me temën” Pamjaftueshmëria akute e zemrës”. 
Gjatë punës dy ditore të Kongresit, nga kardiologët evropianë do të prezentohen të arriturat më të reja nga fusha e kardiologjisë. 
Postuar te KOSOVË. Komentet te Filloi Kongresi i Dytë i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës Janë të Mbyllura

Paris Hilton dhe i dashuri i saj shkelin Paparazzin dhe largohen!!

Hollywood – TopLajm nga hollywoodtv me 30 shtator 2010

Paris Hilton dhe i dashuri i saj shkelin Paparazzin dhe largohen

Shikoni sekondin e 28 për të parë se si goma e vetures shtyp këmbën e tij. Ngjarja ndodhi afër Restoranit BOA në Hollywood, Kaliforni SHBA.
Shiko videon:


http://www.youtube.com/v/Wcrc2VfsGgc?fs=1&hl=en_US

Postuar te Show-Biz. Komentet te Paris Hilton dhe i dashuri i saj shkelin Paparazzin dhe largohen!! Janë të Mbyllura

20 organizatat mafioze më të rrezikshme në botë



Historitë e tyre, si kanë lindur, kush i mbështet, mes tyre edhe “Sacra Corona Unita” 

Duke marrë shkas nga arrestimi i njërit prej kapove të organizatës mafioze “Sacra Corona Unita” në Vlorë, gazeta “Tirana Observer” boton sot 20 organizatat mafioze më të rrezikshme në të gjithë botën. Historitë e tyre, si kanë lindur, vrasjet që kanë bërë, buja e tyre si edhe kush i mbështet. Si mafia më e rrezikshme cilësohet organizata më famshme në botë “Cosa Nostra”. Për këtë organizatë janë shkuar libra, bërë filma hollivudianë, shkruar me qindra artikuj, duke e kthyer këtë organizatë mafiozë në një mit.
Në 20 grupet mafioze më të rrezikshme në botë është edhe “SACRA CORONA UNITA”.
Kjo nuk është e vetmja organizatë mafioze në Pulia të Italisë, por pa asnjë dyshim është më e rëndësishmja dhe më e madhja. Selinë qendrore e ka në Pulia. Fillimet e saj i ka në vitet ‘80 dhe sot është organizimi më i fuqishëm. Përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtarë, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Torontos. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies, për sa i përket territorit dhe aferave, por aktualisht paraqitet dhe vepron me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e kësaj mafieje është përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh. Ndërsa “COSA NOSTRA” italiane është themeluar në fillim të shekullit XVI në Sicili, megjithatë lindja e kësaj organizate i atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur amerikanët ndihmuan ringritjen e mafies në Sicili. Shumë bosë italo-amerikanë, të burgosur në ShBA (si Lucky Luciano e Vito Genovese, sa për të thënë ndonjë emër), u kontaktuan nga CIA dhe u lanë të lirë në mënyrë që t’i siguronin mbështetje në Itali aleatëve. Nddësa “COSA NOSTRA” amerikane u themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e parë. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime, dhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre e pati Mori, prefekti i Palermos gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Janë 5 familje në Amerikë që mbanin kontakte të ngushta me krerët në Itali: Familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino, ku dy të fundit marrin pjesën me të madhe të fitimeve. Në këtë top-listë gjenden edhe tre organizata të tjera mafioze italiane, si “Camorra”, “Ndrangeta” dhe “Stidda”, duke pohuar edhe njëherë se Italia, ose më saktë Siccilia është vendi më “prodhimtar” për lindjen e mafioëve. Në këtë listë nuk kishin si të mungonin edhe organizatat mafioze ruse apo edhe ato kineze që kohët e fundit janë bërë shumë të fuqishme. 


COSA NOSTRA” italiane

Është themeluar në fillim të shekullit XVI në Sicili, megjithatë lindja e kësaj organizate i atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur amerikanët ndihmuan ringritjen e mafies në Sicili. Shumë bosë italo-amerikanë, të burgosur në ShBA (si Lucky Luciano e Vito Genovese, sa për të thënë ndonjë emër), u kontaktuan nga CIA dhe u lanë të lirë në mënyrë që t’i siguronin mbështetje në Itali aleatëve. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siciliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano.


CAMORRA

Kjo organizatë është themeluar nga mesi shekullit XVI në Napoli. Fjala “Camorra” dikur kishte kuptimin e një takse që paguhej nga pronarët e lokaleve për të siguruar mbrojte. Këto të dhëna i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë më 1735. “La Camorra” aktualisht vepron në 111 vende (përfshirë këtu qytete dhe provinca). Struktura e saj është e ngjashme me atë të “Cosa Nostra”-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar. Fusha kryesore e veprimtarisë së saj është trafiku i drogës, falsifikimet, vënia e gjobave, trafiku i armëve, prostitucioni, rrëmbimet, etj. Shefat historikë të “Camorra”-s kanë qenë Karmine Alfieri dhe Rafaele Kutolo.




NDRANGHETA

Kjo organizatë e ka selinë në Kalabri. Përbëhet nga 144 organizime me 5600 anëtarë. Ajo e realizon kontrollin e saj në territorin kalabrez falë lidhjeve mafioze të quajtura “Ndrine”. Ka një strukturë të dukshme horizontale, ekzistojnë lidhje të ngushta midis grupeve të ndryshme, por nuk ka një qendër drejtuese rajonale apo provinciale. “Ndrangeta” ka kryer dy vrasje të ashtuquajtura të mëdha, në gusht të vitit 1991 vrau prokurorin Skopeliti dhe më pas ish-presidentin e hekurudhave të Italisë, Ludoviko Ligato, si dhe cilësohet me karakter të dukshëm antishtet. Shefi historik i “Ndrageta”-s është konsideruar De Stefano.


SACRA CORONA UNITA

Nuk është e vetmja organizatë mafioze në Pulia të Italisë, por pa asnjë dyshim është më e rëndësishmja dhe më e madhja. Selinë qendrore e ka në Pulia. Fillimet e saj i ka në vitet ‘80 dhe sot është organizimi më i fuqishëm. Përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtarë, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Torontos. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies, për sa i përket territorit dhe aferave, por aktualisht paraqitet dhe vepron me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e kësaj mafieje është përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh.


STIDDA

Organizata “Stidda” është themeluar në Sicili, por nuk ka asgjë të përbashkët me “Cosa Nostra”-n siciliane. Ngjason më shumë me “Sacra Corona Unita” me qendër në Pulia. Anëtarët e saj nuk janë vetëm italianë, por edhe shqiptarë, afrikanë dhe aziatikë. Madje janë të anëtarësuar edhe rusë. Merret kryesisht me trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, trafik armësh dhe deri diku me pastrim parash. Anëtarët e kësaj organizate kanë kryer disa vrasje, të cilat nuk kanë pasur bujën e vrasjeve të organizuara nga “Cosa Nostra”, “Camorra” apo “Sacra Corona Unita”. Është një organizim mjaft i ri dhe i veçantë i mafies italiane, për të mos thënë organizimi më i ri.


ORGANIZATSYA

Kjo organizatë, e cila vepron edhe sot, i ka fillimet që në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndahet në 3 nivele: Grupe të vogla të përbëra nga 10 deri në 15 persona, të pavarur në mënyrë direkte nga krerët e mafies, brigadat e mëdha që përbëhen nga 200 deri në 300 persona, të cilët drejtojnë grupet e vogla dhe të ashtuquajturit “vjedhësit e ligjit”, që janë rreth 150 veta. Ata kanë pushtet ekonomik dhe politik. Duke qenë se shumica janë avokatë, mjekë, inxhinierë dhe politikanë, ata janë të aftë të realizojnë projekte dhe operacione financiare me shifra stratosferike. Mafia ruse merret më shumë me trafik droge dhe armësh.


NEOMENKLATURNAJA

Interpretimi i fenomeneve mafioze në Rusi do të duhej vendosur në një kontekst më të gjerë analizash mbi të ashtuquajturën “Nomenklaturnaja privatizacija” (kjo do të thotë privatizim në shërbim të nomenklaturës), falë së cilës, eksponentë të nomenklaturës së lartë dhe të mesme të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik kanë arritur, në pjesën më të madhe, që gjatë viteve të tatëpjetës dhe rrëzimit të regjimit komunist (1986-1992) të shndërrohen në kapitalistë dhe pronarë të rinj, nëpërmjet një veprimtarie bashkëpunimi për përvetësimin e burimeve financiare, shpesh në bashkëpunim me mafien e organizuar edhe jashtë Rusisë.


“YAKUTSA”

Çdo bandë mafioze në Japoni quhet “Yakutsa”, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditën e saj spikasin rituale shumë të vjetra si shumë kohë para viteve ’90. Riti i Sakazukishiki-t, është ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri duke pirë sakë nga gota e kryetarit. Riti i Irezumi-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave. Riti tjetër i organizatës mafioze japonezë “Yakutsa” është Yubitsume, e cila ka të bëjë me prerjen e gjymtyrëve të ndryshme të trupit. Në të tre këto ceremoni protagonistët janë oyabun, (kapo), kobun, (vartësit).




“COSA NOSTRA” amerikane

U themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e parë. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime, dhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t’i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre e pati Mori, prefekti i Palermos gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Janë 5 familje në Amerikë që mbanin kontakte të ngushta me krerët në Itali: Familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino, ku dy të fundit marrin pjesën me të madhe të fitimeve.


“SOLNCEVO”
Është një organizatë mafioze ruso-aziatike, e cila funksionon kryesisht në Hungari, Republikën Çeke, Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, SHBA, Kosta Rika, Izrael, por edhe në shumë vende të tjera të Azisë së Jugut. Është një organizatë që për nga ashpërsia konkurron me “Cosa Nostra”-n dhe “Camorra”-n. Merret kryesisht me trafik armësh, qeniesh njerëzore dhe droge. Kriminaliteti ruso-aziatik është tashmë i specializuar në trafikun e heroinës që vjen nga “Trekëndëshi i Artë” (Birmani-Laos-Kamboxhia) dhe nga “Gjysmëhëna e Artë” (Pakistan-Afganistan-Iran) dhe për shpërndarjen vijuese në vendet e ish-BS-së, Evropës dhe SHBA-së.


“XXI SECOLO”
Është një organizatë mafioze ruso-aziatiko-italiane dhe ka lidhje të forta me mafien gjermane, amerikane, izraelite dhe qipriote. Kjo organizatë vazhdon të shtrijë praninë e saj ende jashtë kufijve të Federatës Ruse, madje edhe jashtë kufijve të vetë CSI-së, në tregun e ligjshëm dhe të zi të rajoneve të ndryshme të botës, Evropë Qendrore dhe Lindore (ku dominon bota e krimit), Evropë Perëndimore, SHBA, Afrikë, Amerikë Qendrore dhe Jugore, Lindje e Afërt dhe e Largët. Kriminaliteti i kësaj organizate është tashmë në gjendje të konkurrojë ose të bashkëpunojë në barazi të plotë me organizatat kriminale ndërkombëtare më të fuqishme.


“CERNOJ”
Është organizata mafioze ruse më e frikshme e gjithë Evropës. Ajo funksionon në Britaninë e Madhe, Zvicër, Izrael, Montekarlo e deri në SHBA. Trafiku i fëmijëve është specialiteti i kësaj organizate, por jo më pak janë edhe vrasjet dhe ekzekutimet makabre. Kjo mafie ruse merret me shitjen dhe blerjen e foshnjave dhe shërbimi i fshehtë gjerman thotë se ka të dhëna se organet e fëmijëve lypsarë të vrarë nga mafia ruse janë dërguar me
dokumente të falsifikuara në klinikat e vendeve perëndimore për t’u përdorur për transplant organesh. Ky është specialiteti, por jo më pak i rëndësishëm është trafiku i armëve dhe drogës.


“TRIAD”
Në shqip do të thotë treshe, është organizata më e fuqishme mafioze për trafikun e drogës. “Triad”-a kineze është marrë si shembull konkurrimi për mafien ruso-aziatike. Anëtarët e kësaj organizate kanë instaluar baza operative për trafikimin e heroinës në Hong Kong, Singapor dhe Bangkok. Fillesat e kësaj organizate mund të themi që janë më të lashtat në krahasim me të gjitha mafiet e tjera, ato datojnë që në vitin 1760. Por megjithëse kjo organizatë ka shekuj që është krijuar, veprimtaria e saj kriminale ka nisur në vitin 1911, kur është kryer edhe vrasja e parë nga anëtarët e saj. Është po aq e frikshme sa mafia perëndimore.


“CARTEL”
Është cilësuar si organizata më e fuqishme në trafikun e kokainës. Kjo organizatë mafioze është formuar në vitet 1970-1980 nga Madellin Cartell në Kololumbi. “Kartelet” kolumbiane janë rrjeti më i fuqishëm i transportit të kokainës jugamerikane, të destinuar për tregun evropian dhe atë të ish-Bashkimit Sovjetik, për të cilin SHBA shërben si pikë tranziti. Kohët e fundit është vënë re se me këtë organizatë të fuqishme mafioze ka lidhje edhe e ashtuquajtura mafie shqiptare. Por jo aq sa mafia ruso-aziatike. Ndërsa deri dje Kolumbia ishte prodhuesja numër një e substancave narkotike, tashmë po konkurrohet nga Rusia.


“IZMAJLOVO”
Në mafien ruse nuk mungojnë shembujt të lidhjes së ngushtë ndërmjet pushtetit politik dhe strukturave mafioze, të zbuluara nga hetimet ligjore. I tillë është rastin Aleksej Iljusenko, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, i akuzuar se ka favorizuar shoqërinë e naftës “Balkan Trading”. Do të mund të përmendej edhe lidhjet ndërmjet ish-zv.kryeministri Oleg Soskovec dhe ish-ministri i Sportit Samil Tarpisev me grupin kriminal “Izmajlovo” dhe me vëllezërit Cernoj (me të cilët Aleksandr Lebev kishte lidhje), lidhjet e Aleksandr Korzakov, ish-shef i Shërbimit të Sigurimit Presidencial, tashmë të cituarin Fondacioni Kombëtar i Sportit.


“MAZUTKINO”
Është një organizatë ruso-aziatike që merret kryesisht me trafikun e armëve, drogës, gurëve të çmuar dhe qenieve njerëzore. Rrjeti i saj është i shtrirë në Poloni, Austri, Gjermani, Lihtenshtein, Zvicër, Montekarlo, Itali, SHBA, etj. Nga faktorët konkurrues dhe frenues të mafies ruso-aziatike, si një nga protagonistët kryesor në tregun e heroinës është ekspansioni galopant i kultivimit të bimës së hashashit në vendet ish-sovjetike të Azisë Qendrore (vlerësohet se në këtë zonë, kryesisht në Uzbekistan, Taxhikistan dhe Kirgistan ka tre milionë hektarë të mbjella me hashash, që kontrollohet nga organizatat mafioze lokale).


FAMILJA E “MAFIES SË ZEZË”, SHBA
U krijua nga Demetrius Flenory dhe vëllai i tij, Terry. Kjo bandë e filloi aktivitetin e saj kriminal duke shitur doza të vogla kokaine në rrugët e Detroitit gjatë viteve ’80 dhe përfundimisht u zhvillua brenda gjithë vendit dhe jashtë SHBA-së. Investigimi dyvjeçar i federalëve konkluduan se anëtarësimi i saj është gjithëpërfshirës. Banda ka marr goditjen e saj më të madhe në vitin 2005, ku gjatë një aksioni të DEA (strukturë policore amerikane) u arrestuan 30 persona që dyshohej të ishin pjesë e “Familjes së Mafias së Zezë”, si dhe një sasi prej 9.5 kilogramë heroinë, dhe 10 milionë dollarë.


“MAFIA E ZEZË”, FILADELFIA
Në vitet 1980 disa të rinj të afërm me njëri-tjetrin krijojnë grupin “Mafia e të rinjve zezakë”. Ajo kontrollonte gangsterët xhamajkanë, të cilët kishin kontrollin e trafikut të kokainës në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njësoj si më të vjetrit, ata ishin tmerrësisht të dhunshëm dhe të mësuar me frikësimin e dëshmitarëve dhe vrasjeve. Lideri i saj, Aaron Jones ka vdekur në Pensilvani. Pjesa tjetër që ngeli e “Mafias së zezë” shpesh bashkëpunonte me mafian italiane të Filadelfias. Kryesisht mafiat amerikane kanë qenë të dhunshme dhe fusha kryesore ku vepronin ishte pikërisht trafiku i drogës.


MAFIA TURKE
Është quajtur si një organizatë kriminale shumë e fuqishme. Mafia turke ka pasur në kontroll një pjesë të madhe të trafikut të heroinës në të gjithë botën. Mafia turke disa herë ka qenë bashkëpunëtore me mafian ruse, dhe pak me mafian italian. Ashtu si organizatat simotra edhe mafia turke operonte më tepër në trafikimin e lëndëve narkotike, por edhe të “mishit të bardhë”, siç njihet në gjuhën e mafias. Madje sipas disa raporteve, vetëm tetë vjet më parë në Stamboll operonin nga organizata e mafies turke 200 gangsterë. Kontrolli i mafias turke arrinte deri në lindjen e mesme, dhe disa herë edhe deri në vendet aziatike.


“MAFIA IRLANDEZE”
Banda irlandeze është një nga organizatat më të vjetra kriminale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ka ekzistuar që nga fillimi i shekullit të 19 deri në ditët e sotme. Origjina e saj ishte në lagjen amerikanë të irlandezëve, dhe më pas banda irlandeze u përhap në të gjitha qytetet kryesore të Amerikës, duke përfshirë Boston, Neë Yorl, Çikago, Neë Orleans, Filadelfia dhe Atlantik Siti. Gjithashtu aktiviteti i saj ishte shtrirë edhe në Kanada e quajtur si banda e vdekjes së Montrealtit. Ajo ishte bota e krimit. Historia e mafies irlandeze përfshin edhe qytetet e Irlandës, Anglisë dhe Skocisë.

Postuar te Histori, Studim. Komentet te 20 organizatat mafioze më të rrezikshme në botë Janë të Mbyllura

Kur te shqetesohemi nga tumoret

Një grup kërkuesish anglezë kanë hartuar listën e tetë simptomave, që më shumë se të tjerat mund të shënojnë praninë e një tumori në organizëm

Një grup kërkuesish anglezë kanë hartuar listën e tetë simptomave, që më shumë se të tjerat mund të shënojnë praninë e një tumori në organizëm. Bëhet fjalë për:
– gjak në urinë
– anemi
– gjak në jashtëqitje
– kollë me gjak
– gjëndër ose kokërr në gjoks
– përtypje me vështirësi
– gjakderdhje kur je në menopauzë
– rezultati jo normal i një analize prostate
Sigurisht që janë dukuri të rralla dhe jo domosdoshmërish diktojnë probleme onkologjike, megjithatë, sipas asaj që thonë autorët, një në njëzet raste tregon se janë simptoma të një sëmundjeje të keqe tumorale dhe një arsye shumë e fuqishme për t’iu drejtuar menjëherë mjekut dhe për të bërë analizat e nevojshme.

Studimi

Autorët e këtyre analizave të hollësishme janë kërkuesit e “Keele University” dhe rezultatet e përfundimeve të tyre u shfaqën në revistën e mjekësisë së përgjithshme britanike “British Journal of General Practice”. Për të identifikuar tetë simptomat e cilësuara si të rrezikshme, ata kanë analizuar me kujdes 25 studime ndërkombëtare, duke vëzhguar mes shumë simptomave onkologjike ato që më shpesh ishin tregues të pranisë së një kanceri në organizëm. Mes të gjithave, izoluan ato që lidheshin me mundësinë që në 20 raste tregonin për një tumor, duke specifikuar edhe se për çfarë tipologjie pacientësh dhe për çfarë moshe rreziku është pak a shumë i ngjashëm.

Mosha të ndryshme, profile të ndryshme

Për më të rinjtë, nën 55 vjeç, dy janë anomalitë që hyjnë në kategorinë e “alarmit të kuq”: një gjëndër apo një masë në gji dhe kërkesa për një analizë prostate. Për meshkujt më shumë se 55 vjeç, vëmendje e madhe u kushtohet problemeve që lidhen me përtypjen, që mund të tregojnë një tumor në ezofag, ndërsa për gratë mbi 60, gjaku në urinë kërkon bërjen e analizave urgjente për të parë problemet me veshkat. Në të njëjtën mënyrë, shpjegojnë në një editorial në revistë, gjendja e një anemie të theksuar mund të jetë shenja e parë e një tumori në zorrë për të moshuarit, por që ka më pak mundësi të ndodhë me një 20-vjeçare.

Simptomat? Janë shumë…

“Royal College of General Practitioners” ka komentuar pozitivisht punën “që forcon nevojën për të inkurajuar pacientët për t’ju drejtuar menjëherë mjekut të familjes”. Por në të njëjtën kohë
“Cancer Research UK”, një nga organizatat më të njohura dhe më aktive kundër kancerit në Britani thotë se: “Ato që evidentohen nga studimi njihen tashmë si shenja të rëndësishme që tregojmë për kancerin, por janë rreth 200 forma tumorale që shkaktojnë simptoma të ndryshme. Kështu që çdo ndryshim i pazakontë apo i vazhdueshëm në trupin tuaj meriton të kontrollohet me kujdes”.

Mos harroni kontrollet

“Por këto shenja nuk duhet t’u ngjallin frikë, sepse mundësia për të qenë përballë një sëmundjeje onkologjike mbetet e reduktuar. Kjo, sepse më parë duhet folur me mjekun për të arritur te një diagnozë e qartë për ta përballuar sa më mirë sëmundjen nëse ajo ekziston”, ka komentuar Fiorenzo Corti, përgjegjës i komunikimit në Federatën Italiane të Mjekëve të Familjes. Në të njëjtën kohë, kujton Corti, është thelbësore të kryesh analiza parandaluese edhe në mungesë të shqetësimeve alarmante, t’u nënshtrohesh analizave periodike sipas moshës, si për shembull gjaku në feçe për të parë tumoret e zorrës së trashë, pap-testet për kancerin në qafën e mitrës, mamografinë për gjirin.

Rëndësia e mjekut të familjes

Është e rëndësishme të shkosh shpesh te mjeku i familjes: “Ata janë një pjesë e rëndësishme për shëndetin e pacientëve, në veçanti për parandalimin. Në Francë janë 60 mijë mjekë familje që zakonisht presin rreth 40 persona në ditë, pjesa më e madhe të moshuar. Ne na takon t’u kushtojmë vëmendje maksimale simptomave dhe faktorëve të rrezikut, duke përshkruar analizat e nevojshme”, tregojnë kërkuesit. Pacientëve u takon të ndjekin rregullat e parandalimit, si ngrënia e shëndetshme, lëvizjet, mospirja e duhanit apo alkoolit. Po ashtu duhet të vëzhgojnë trupin sa herë që mund të vënë re ndryshime të pazakonta. Në këtë aspekt gratë janë më të ndjeshme dhe më të kujdesshme, ndërsa mosha më e rrezikuar, që rrallë i drejtohet mjekut për shqetësimet që ka, është ajo e adoleshentëve.

Ndërgjegjësimi

Është reduktuar ndjeshëm vdekshmëria nga tumoret në Europë. Sipas llogaritjeve të fundit, kjo shifër është 10 për qind më e ulët në dhjetë vitet e fundit. Sigurisht që merita për këtë u takon stileve më të mira të jetesës, kurave më të mira dhe kontrolleve parandaluese. Por, shifrat mbeten alarmante në Europën Lindore dhe Rusi, ku vërehen ende vonesa të “rënda”. Po ashtu regjistrohen rritje shqetësuese në shumë vende të tjera, sidomos mes grave, që kanë adaptuar zakone kryesisht mashkullore, si alkooli dhe duhani. Më në përgjithësi ekspertët bëjnë me dije se si në vendet në zhvillim mundësitë e mbijetesës janë në rritje falë parandalimeve dhe kontrolleve për kapjen herët të sëmundjes, gjithashtu dhe për meritë në hapat e bërë përpara për trajtimet antikancer. Duke komentuar të dhënat, mjekët saktësojnë se: “Kontrollet dhe diagnoza e hershme kanë kontribuar në reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri në qafën e mitrës dhe ai i gjirit, por në rastin e dytë shumë u detyrohet përmirësimit të kurave. Terapitë e fundit kanë luajtur një rol vendimtar në uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri i testikujve dhe leucemive”.
Postuar te Mjekësi, Studim. Komentet te Kur te shqetesohemi nga tumoret Janë të Mbyllura

Kontinenti i vjeter ne ekstreme

Suedia, në një farë mënyre ka parathënë me rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare një tendencë gjithnjë e më në rritje në Europë. Dhe kjo nuk është as e para herë. Për dhjetëvjeçarë me radhë, Suedia ka qenë avangard i një mënyre të re të përcaktimit të modelit miks të tregtisë së lirë dhe solidaritetit shoqëror, që u shndërrua më pas në një nga idealet europiane.
Në zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji, votuesit suedezë iu bashkuan fqinjëve të tyre më pak të suksesshëm të Bashkimit Europian, duke i kthyer kurrizin politikës tradicionale, asaj politike, që ishte shndërruar në avokate dhe mbështetëse të një tregtie edhe më të lirë dhe një solidariteti shumë më të madh mes njerëzve. Tashmë edhe suedezët që konsideroheshin si solidë në zgjedhjet dhe vendimmarrjet e tyre politike kanë futur me votën e tyre në Parlament disa politikanë që janë të fiksuar me perceptimin e gjoja humbjes së një identiteti kombëtar, që janë mbi të gjitha të inatosur ndaj emigrantëve të shumtë që kanë ardhur dhe vijnë prej vitesh në këtë vend dhe që, sipas tyre, janë duke i humbur vlerat vendit dhe traditës së tij. Në këtë mënyrë kemi edhe mbërritjen e një politike të re në Europë.
Një dhjetëvjeçar më parë, politika ekstremiste dënohej me protesta dhe kundërshti nga njerëzit e pushtetarët. Por sot përfaqësuesit e kësaj politike janë shndërruar në një forcë të vërtetë politike që përfaqësohet në parlamentet e shumë vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian dhe madje ka filluar që të sjellë edhe ndryshime në mënyrën se si flasin dhe veprojnë partitë e tjera. Binomi i politikës mes së djathtës kristian-demokrate dhe të majtës social-demokrate, me një hapësirë të vogël në mes për partitë liberale klasike, tashmë ka marrë fund në Suedi. Rajoni më demokratik në botë, grupimi i 46 shteteve në Këshillin e Europës, po sjell tani në jetë një politikë centrifugale.
Asnjë parti e vetme apo formacion politik nuk po mundet që të fitojë kontrollin e shtetit dhe të qeverisë. Pra asnjë parti nuk arrin më që përmes programit të saj politik të marrë shumicën e votuesve. Edhe në Britaninë e Madhe, që është një vend tradicionalisht dypartiak, u desh një koalicion që të vendoste konservatorët në pushtet. Belgjika dhe Holanda ende nuk kanë formuar qeveri edhe disa muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe jo për shkak se rezultati nuk arriti që të siguronte qeveri që mund të formoheshin me një parti të vetme. Europa e pas Luftës së Dytë Botërore kishte një armik dhe një mik të madh që mundësonte edhe qëllimin unik politik. Social dhe kristian-demokratët ishin të bashkuar kundër Moskës dhe partive të së majtës komuniste. Shtetet e Bashkuara bën aleancë me të djathtën dhe të majtën e moderuar për të krijuar NATO-n, për të mbështetur shtypjen e nacionalizmit edhe përmes krijimit të Bashkimit Europian dhe shmangien e ekonomive proteksioniste në favor të tregtisë së hapur dhe tregjeve konkurruese. Tani Europa nuk përballet më me një kërcënim të përbashkët, pavarësisht përpjekjeve të së djathtës islamofobe për t’i paraqitur myslimanët si një forcë e huaj pushtuese që duhet të kundërshtohet. Edhe vetë amerikanët nuk janë më frymëzues. Recesioni dhe kriza bankare fajësohen për shumë probleme, me të cilat po përballet edhe sot e kësaj dite Europa. Edhe qeveritë e djathta janë kundër mënyrës korporative të ekonomisë dhe kundër lakmisë së segmenteve të caktuara të pushtetit.
Në këto kushte, pa një armik të përbashkët politika europiane e ka humbur objektivin. Politika e komunitetit është duke zëvendësuar politikën e shoqërisë. Komunitete të reja janë duke u formuar në të gjithë Europën.
Suedia tani duhet që të bashkëjetojë me një parti nacionaliste, demokratët suedezë, me 20 anëtarë në Parlament. Pavarësisht emrit të bukur, demokratët suedezë janë antiemigracionit dhe antimyslimanëve dhe bëjnë thirrje për zgjidhje të rrepta të krizës sociale në vend. Papunësia në Suedi është në masën 9% pas 4 viteve në qeveri të koalicionit të qendrës së djathtë të drejtuar nga Fredrik Reinfeld. Por shkalla e lartë e papunësisë nuk i bëri suedezët që të ktheheshin nga e majta. Social-demokratët suedezë ndërkohë kanë përjetuar dhe po përjetojnë situatën më të rëndë në shumë dhjetëvjeçarë, me një rënie të mbështetjes në masën 30%. Në një shekull nuk kishte qëlluar asnjëherë që të humbitnin dy mandate zgjedhore njëri pas tjetrit.
Debatet e ndezura në gjirin e social-demokratëve ishin tipike për debatet e së majtës europiane. Liderët e partisë gjatë fushatës, edhe pse nuk ishin të bindur, mendonin se njerëzit vazhdonin që t’i besonin dhe dëgjonin, por në fakt ata u dëgjuan dhe u besuan nga një numër gjithnjë e më i vogël votuesish. Tradicionalisht partia ka qenë një kundërshtare e qartë dhe e hapur e komunizmit dhe pro biznesit, por as kjo nuk mundësoi sukses. Partia më pas bëri aleancë me të majtën ekstreme, të gjelbrit, duke dalë me parullën për uljen e taksave dhe për rritjen e shpenzimeve publike. Ajo platformë thuajse u refuzua tërësisht nga votuesit. Dështimi i partive të qendrës është shpejtuar edhe nga sistemi europian elektoral bazuar në filozofinë e përfaqësimit proporcional, që daton në shekullin e 19. Sipas kësaj filozofie, edhe partitë e vogla mund të fitojnë vende në Parlament. Kjo mënyrë aktualisht po parandalon lindjen dhe shfaqjen e lidershipëve koherentë në Europë. Çdo grup, apo lëvizje mund të krijojë një parti dhe të ketë elektoratin e vet. Zgjedhjet e fundit të organizuara nën këtë sistem kanë parë shtim të numrit të partive nacionaliste e antiemigracion dhe futje të tyre në parlamentet kombëtare. Disa parti të këtij lloji, si ajo me emrin Jobbik, që e quan veten “Lëvizja për një Hungari më të Mirë” është antisemite. E djathta nacionaliste në Europën Lindore kërkon që të “luajë” me Holokaustin, duke krahasuar krimet e komunizmit europian me zhdukjen e hebrenjve nga nazizmi në kampet e përqendrimit.
Mbështetja e votuesve për të djathtën ekstreme në Europë nuk mund të karakterizohet dhe të quhet më si një fenomen i kufizuar me përhapje, por të kufizuar. Edhe vetë Suedia, një ndër vendet më demokratike në botë, aktualisht është një nga tokat më pjellore të kultivimit të nacionalizmit dhe politikës ekstremiste. Rezultatet e fundit të zgjedhjeve në Europë për sa u përket përqindjeve të fituara nga partitë nacionaliste janë: 11.9% në Francë (Fronti Nacional), 8.3% në Itali (Lega e Veriut), 15.5% në Holandë (Partia e Lirisë), në Zvicër 28.9% (Partia Popullore Zvicerane), 16.7% në Hungari (Jobikk) dhe 22.9% në Norvegji (Partia e Progresit). Ka gjithashtu parti të ekstremit të djathtë edhe në Belgjikë, Letoni, Sllovaki e Slloveni. Pjesa më e madhe e këtyre partive kanë parë rritje të elektoratit të tyre këta dhjetë vitet e fundit, madje një pjesë e mirë e tyre nuk kanë ekzistuar dekadën e mëparshme. Rënia e vendeve të Parlamentit në duart e ekstremistëve përfaqëson “ndryshimin” më të madh në politikën europiane që nga zhdukja e komunizmit 20 vjet të shkuara. Rritja e numrit dhe fuqisë së këtyre partive dikur të vogla ka bërë që partitë e mëdha të mos kenë më mundësinë që të qeverisin me shumica të pastra, që do të thotë se këto parti janë të detyruara që të qeverisin në koalicion me partitë e ekstremit të djathtë. Një situatë e tillë i ka dhënë fund edhe besimit të madh që kanë pasur partitë e mëdha për fitoret e tyre pas Luftës së Dytë Botërore. Këto parti të reja nuk mund të çohen dot në karantinë. Në Francë, Presidenti Sarkozi, që është në kërkim të një nxitjeje populiste, për shkak të rënies së ndjeshme të “sharmit” të tij tek elektorati, ka nisur një fushatë të dënueshme për përjashtimin nga Franca të popullsisë rome. Por ky veprim bëri që edhe mbështetësit më të afërt të Presidentit të tronditeshin nga serioziteti i madh me të cilin Presidenti po kryente deportimet.
Social-demokratët gjermanë, një parti tradicionale e qëndresës së majtë janë duke e akuzuar Merkelin për dështim në politikën e integrimit të emigrantëve. Edhe në Britani, koalicioni i ri qeverisës, që nuk është as racist dhe as ekstremist, ka krijuar një legjislacion shumë të pafavorshëm për emigrantët. Rënia e fuqisë së partive qeverisëse ka minuar të gjithë projektin europian. Europa, pas një dhjetëvjeçari të shpenzuar për të vënë në jetë Kushtetutën e saj, nuk ka asnjë përgjigje në lidhje me shpërbërjen e ngadaltë të partive politike. Projekti i ndërtimit të një Europe të Bashkuar kërkon parti që komandojnë me një shumicë, ndërkohë kjo shumicë po bëhet gjithnjë e më e rrallë.
Ajo për të cilën Europa ka nevojë është një lidership i besuar që të arrijë të bashkojë të gjitha komunitetet nën një vizion të cilit nuk mund t’i thuash “jo”.
Postuar te Bota, POLITIKË, RAJONI. Komentet te Kontinenti i vjeter ne ekstreme Janë të Mbyllura

Pafajsia e humbur

Djemve u ndryshon zëri në moshën 11-vjeçare, vajzave u zhvillohet gjoksi kur mbushin 8 vjeçe. Përse në pjesën më të madhe të botës puberteti po shfaqet gjithnjë e më herët? Një grup shkencëtarësh danezë po përpiqen të gjejnë përgjigjen

Në dhjetor të 2003-shit, gazeta e Kopenhagës “MetroXpress” publikoi një artikull kushtuar vështirësive të “Sank Anne gymnasium”, liceu i kantos i kryeqytetit danez i famshëm në të gjithë botën. Për herë të parë, që nga themelimi i saj më 1924-n, kori i shkollës nuk arrinte të gjente mjaftueshëm djem 12 – 13-vjeçarë për t’i dërguar në turneun e saj vjetor në Shtetet e Bashkuara. Udhëtimi do t’i jepte fund formimit muzikor të djemve, të cilët ishin përzgjedhur që në moshën 8-vjeçare. Problemi ishte i thjeshtë, por i pakapërcyeshëm: në krahasim me të kaluarën, zërat e djemve ndryshonin më herët se ç’duhej. Kori kishte nevojë për soprano, por sopranot po bëheshin tenorë.

Kjo histori tërhoqi vëmendjen e profesor Niels Skakkebaek, që në atë kohë drejtonte departamentin e rritjes dhe riprodhimit në spitalin universitar të Kopenhagës.

Për Skakkebaek ky ishte një rast i madh. Ekipi i tij, që përbëhej nga pediatër endokrinologë, specialistë për gjëndrat dhe hormonet, kishte vënë re një rritje të jashtëzakonshme të numrit të fëmijëve me shenja të parakohshme të pubertetit. Historia e korit koincidonte me atë që studiuesit po vërenin, në veçanti rritja e vazhdueshme e numrit të vajzave që po u zhvillohej shumë herët gjoksi, në disa raste që në moshën 6-vjeçare. Studiuesit donin të dinin nëse kishte një lidhje mes asaj që shihnin në klinikë dhe asaj që po ndodhte në shkollën e korit. Në vitin 1997 studiuesit kishin vënë re një zhvillim të parakohshëm të pubertetit në Shtetet e Bashkuara dhe tani kërkonin të dinin nëse kjo tendencë ishte përhapur edhe në Europë.

Departamenti i Skakkebaek, i themeluar para 20 vjetësh, zë dy kate të spitalit universitar të Kopenhagës. Në krahasim me repartin pedriatik, që ndodhet në anën tjetër të korridorit, është një oaz qetësie. Në një sallë mbledhjesh, një grup shkencëtarësh diskutojnë rreth një studimi të ri për spermën mashkullore. Në dhomën përballë, një fëmijë që po merr pjesë në një projekt studimi, është i shtrirë mbi një shtrat dhe po i bëhen disa analiza gjaku.

Skakkebaek, që sot është 60 vjeç, ia ka lënë vendin Anders Juul, një endokrinologu me flokë të rëna. “Mendonim se puberteti i parakohshëm ishte një problem amerikan dhe se kishte të bënte me stilin e jetesës përtej oqeanit: hormonet e përdorura për prodhimin e mishit, obezitetin, njerëzit që kalojnë shumë kohë përpara televizorit ose internetit. I ripërsëritëm studimet që kishim bërë në vitin 1991, për të parë se si fenomeni po shfaqet edhe te ne”.

Gjatë dy shekujve të fundit, në Perëndim fillimi i moshës së pubertetit është spostuar prapa. Në korin e “Lipsia”-s drejtuar nga JS Bach në fillim të viteve 1700, mosha mesatare e ndryshimit të zërit që karakterizon pubertetin mashkullor, ishte rreth të tetëmbëdhjetave. Në mes të shekullit XVIII-XIX, mosha mesatare e ardhjes së menstruacioneve të para të vajzave, në Shtetet e Bashkuara dhe Europën Veriore, ishte ulur nga 17 deri në 14 vjeç. Ndërsa mosha mesatare e martesave rritej, mosha e pjekurisë seksuale zvogëlohej. Kjo tendencë, që në pamje të parë mund të duket një kontradiktë evolutive, ka një logjikë: qeniet njerëzore riprodhohen kur gëzojnë shëndet të plotë. Me ndryshimin e ushqimit dhe kujdesit shëndetësor, mosha e pubertetit ishte ulur. Që nga viti 1950 e në vazhdim tendenca ishte stabilizuar. Në vitin 1950, një pediatër britanik, doktor James Tanner, përdori një sistem për të zbuluar pesë fazat e pubertetit te djemtë dhe vajzat. Duke u bazuar te 20 vjet studime të kryera te një institut fëmijësh në Herdforshire, Tanner arriti në përfundimin se mosha mesatare e zhvillimit të gjoksit, si rregull shenja e parë e pubertetit për vajzat, ishte 11 vjeçe e gjysmë. Te djemtë puberteti shfaqej me trashjen e zërit dhe fillonte rreth moshës 11 vjeç e dy muaj. Mënyra e Tanner u bë pikë referimi për të gjithë studiuesit në botë.

Në vitin 1997, një grup studiuesish amerikanë publikoi një studim të kryer te 17 mijë vajza, që shfaqte një devijim të papritur në moshën e pubertetit. Autorja, profesoresha Marcia Herman-Giddens, kishte zbuluar se mosha mesatare e pubertetit te vajzat e bardha ishte ulur nga 9, në 7 vjeçe. Mes afro-amerikaneve tendenca ndryshonte: vajzat e arrinin pubertetin në moshën 8-vjeçare. Disa të tjera sapo kishin mbushur 6 vjeç, një vit pasi fillonin shkollën. Rezultatet ishin kontradiktore. Kishte probleme metodologjike: vajzat i ishin drejtuar një klinike mjekësore, por për shkencëtarët nuk ishin “kavje të rëndësishme”. Studiuesit nuk i kishin ekzaminuar vajzat ashtu siç duhej, thjesht ishin bazuar te pamja e jashtme e zhvillimit të gjoksit. Nuk u kishin bërë analiza mjekësore. Shumë vajza ishin obeze dhe dukej sikur e kishin gjoksin të zhvilluar. Në vitin 2002, një studim i dytë dha rezultate të ngjashme: gjoksi fillonte të zhvillohej një ose dy vite më herët në krahasim me moshën e treguar nga studiuesi Tanner. Nëse gjoksi zhvillohej i pari, nuk kishte dyshim që vajzave u kishin ardhur edhe menstruacionet. Sipas Herman-Giddens, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkalla e Tanner duhej riparë edhe një herë me kujdes.

Këto zbulime tronditën botën e endokrinologjisë dhe i hapën rrugë një vale të re studimesh. Kështu, kur Skakkebaek lexoi artikullin e “MetroXpress” kontaktoi menjëherë shkollën e muzikës së Kopenhagës. Me shumë kënaqësi ai dhe stafi i tij zbuluan se shkolla kishte fshehur në mënyrë të paskrupullt gjatësinë dhe peshën e fëmijëve. Zërat e tyre dëgjoheshin çdo javë, në mënyrë që të gjendej se ku fshihej gabimi. Prindërit dhe fëmijët pranuan se të dhënat ishin përdorur për skupe shkencore dhe rezultatet u publikuan në vitin 2006.

“Zbuluam se në harkun kohor të dhjetë viteve, zërat e fëmijëve ndryshonin pothuajse katër muaj më herët”, shpjegon Juul në zyrën e tij, i rrethuar nga një mori dokumentesh dhe revistash mjekësore. “Sa më shumë që djemtë i afroheshin moshës 8-vjeçare, aq më shumë u ndryshonte edhe zëri”.

Një doktoreshë tjetër e departamentit, Lise Aksglaede, filloi të studionte moshën e zhvillimit të gjoksit te vajzat daneze. Ajo arriti të bindte prindërit dhe mësuesit që në studimin e saj të merrnin pjesë rreth një mijë vajza. Rezultatet e publikuara në maj të 2009-s janë të parat në llojin e tyre në Europë dhe tregojnë se në 15 vjet mosha e zhvillimit të gjoksit në Danimarkë, është ulur me një vit, nga 10.8 që ka qenë më 1991-shin, ka arritur në 9.8 më 2006-n. Po ashtu edhe menstruacionet e para shfaqen tre muaj më herët.

“Do të kishte qenë shumë domethënëse të zbuloje se në një hark kaq të shkurtër kohor ‘fluksi i parë i menstruacioneve’ vjen tre muaj më herët”, thotë Aksglaede. “Por fakti që gjoksi fillon të zhvillohet një vit më herët, është një ndryshim shumë i rëndësishëm. Mendoj se po ndodh diçka në të gjithë popullsinë. Mos vallë pas 15 vjetësh vajzave do t’u rritet gjoksi dy vjet më herët se zakonisht? Ky është një fenomen shumë alarmues, sepse nuk e dimë nga se shkaktohet”.

Në janar të 2010-s departamenti publikoi një studim tjetër për vajzat daneze. Në atë studim tregohej se në 15 vjet mosha e pubertetit ishte ulur me tre muaj e gjysmë, duke konfirmuar rezultatet e studimit të bërë te djemtë e korit. Në Kinë, një studim i vitit të kaluar ka nxjerrë në dritë moshën mesatare më të ulët të regjistruar ndonjëherë për zhvillimin e gjoksit, 9.2 vjeçe. Disa studime holandeze dhe italiane kanë shfaqur ngjashmëri me zbulimet e studiuesve danezë për meshkujt.

Të bashkëjetosh me testosteronin

Fjala pubertet vjen nga latinishtja “pubertate”, që do të thotë moshë e pjekurisë. Në të kaluarën puberteti (procesi i pjekurisë seksuale) dhe adoleshenca (procesi i zhvillimit psikologjik) koincidonin me njëri-tjetrin. Sot nuk është më kështu. Mospërputhja mes pjekurisë fizike dhe psikologjike nuk ka qenë kurrë kaq e madhe.

Doktor Richard Stangope, një pediatër i famshëm endokrinolog britanik, që ka punuar për 24 vjet në “Great Ormond street hospital for children”, thekson se ky ndryshim paraqet një sfidë dramatike. Ai mendon se fëmijët me një pubertet të parakohshëm shkojnë kundër një seksualizmi të parakohshëm dhe janë shumë fëmijërorë për të përballuar pasojat. Janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të abuzimeve seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënive të parakohshme. “Zhvillimi seksual i fëmijëve nis shumë herët”, shpjegon Stanhope. “Fizikisht janë gati për riprodhim seksual, por mendërisht janë totalisht të papërgatitur”.

Studimet tregojnë se adoleshentët me një pubertet të parakohshëm janë më të ekspozuar ndaj sjelljeve të rrezikshme, si për shembull marrja e substancave narkotike, konsumimi i tepërt i alkoolit dhe kryerja e krimeve. Një rritje e parakohshme e testosteronit mund t’i bëjë agresivë djemtë. “Të gjithë e dimë se është e vështirë të mësosh të bashkëjetosh me testosteronin”, thotë Stanhope, duke përplasur mbi tryezë stilolapsin. “Nëse rritja e testosteronit nuk koincidon me moshën fiziologjike normale, problemi është edhe më i madh”.

Një studim i publikuar më 2010-n në “Australian and New Zealand Journal of Criminology” thekson se edhe vajzat që futen para kohe në moshën e pubertetit shfaqin shenja agresiviteti. Në Britaninë e Madhe, debati i kohëve të fundit për seksualitetin e tepruar të të rinjve e ka larguar vëmendjen nga lajmi i hidhur që fëmijët sot piqen para kohe seksualisht. Të ngrihesh kundër firmave që prodhojnë reçipeta me mbushje për vajzat e vogla shtatëvjeçare, kjo është krejtësisht normale, megjithatë vetëm kjo nuk do të mjaftonte për t’i futur në shina vogëlushet, të cilat nuk kanë asnjë faj për këtë. Problemi është se si do t’ia bëjmë për të përballuar faktin që në moshën shtatëvjeçare disa vajzave fillon t’u rritet gjoksi.

Sipas “Cancer research”, një vajze që i vijnë menstruacionet një vit më vonë në krahasim me bashkëmoshataret e saja, është pesë herë më pak e rrezikuar që të zhvillojë kancer në gji. “Mund të jetë një lidhje domethënëse edhe me tumorin në vezore”, thotë Stanhope. “Sa më shpejt t’i vijnë menstruacionet një vajze, aq më shumë është e ekspozuar ndaj estrogjenit dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për tumoret që varen nga estrogjeni. Rritet rreziku i tumorit në gji dhe në vezore, po ashtu shtohet edhe rreziku për të pasur probleme kardiovaskulare”.

Vajzat që hyjnë para kohe në moshën e pubertetit janë të prirura të zhvillojnë diabetin e tipit 2. Një studiues norvegjez, që ka ndjekur 61 mijë femra për 37 vjet me radhë, tregon se ato që janë zhvilluar 10 ose 11 vjeçe, kanë një shkallë vdekshmërie 10 për qind më të lartë në krahasim me vajzat që u kanë ardhur menstruacionet katër vjet më vonë.

Rreziqet për meshkujt janë më pak të dukshme. Stanhope i fton kolegët studiues të studiojnë lidhjet e mundshme mes pubertetit të parakohshëm të djemve dhe tumorit në prostatë. Veç të tjerash, studiuesja është e shqetësuar për vuajtjen psikologjike të djemve: puberteti i parakohshëm nuk është ende normal dhe gjithçka që largon fëmijët nga bashkëmoshatarët e tyre, shpjegon ajo, ua bën jetën më të vështirë.

Hayley Smith, që është 14 vjeçe, e di mirë se për çfarë bëhet fjalë. Gjoksi filloi t’i rritej kur ishte pesë vjeçe. Një vit më vonë i erdhën menstruacionet. Çdo muaj i duhej të duronte shqetësimet e periodave, kishte ndryshime të humorit, dhembje koke dhe gjakrrjedhje, ndërkohë që mësonte të shkruante dhe të lexonte. Çdo muaj mungonte në shkollë tri ose katër ditë.

Vajzat rriten shumë gjatë kohës kur u vijnë menstruacionet e para (për djemtë, pesha dhe gjatësia rriten në fazën finale të pubertetit). Prandaj, në moshën gjashtëvjeçare Hayley ishte më e gjatë se shoqet e saj të klasës. Uniforma e shkollës i rrinte ngjitur pas trupit. Numrin e këmbës e kishte 35. Edhe pse shkolla dhe shoqet e shokët e klasës e mbështesnin, disa fëmijë të tjerë e bezdisnin jashtëzakonisht. Si të mos mjaftonte kjo, Hayley ishte viktimë e armiqësisë së disa prindërve, të cilët i frikësoheshin asaj vajze me trup adoleshenteje. “U thoshin fëmijëve të mos luanin me mua”, tregon Hayley. “Unë vuaja. Doja të isha si miqtë e mi dhe ndihesha e përjashtuar. Kishte raste që nuk doja të shkoja në shkollë”.

Fati i Hayley ishte se e ëma, një punonjëse e shërbimit shëndetësor, një grua zonjë dhe shumë e përgatitur, e kuptoi menjëherë se për çfarë bëhej fjalë. I bleu vajzës një libër me figura për t’i treguar se çfarë po ndodhte me trupin e saj, bisedoi me prindërit e fëmijëve që e përçmonin, ua bëri të ditur situatën mësuesve dhe luftoi për të pasur një diagnozë nga mjekët, të cilët nuk u besonin syve. “Ka qenë një periudhë e tmerrshme”, thotë e ëma e Hayley. “Kishte shumë injorancë rreth e rrotull. Hayley trajtohej sikur të ishte monstër. Nuk ka pasur një fëmijëri si gjithë të tjerët”. Mamasë së Hayley iu desh të përballej me shumë paragjykime në familje: një i afërm hidhte hipoteza se zhvillimi i parakohshëm i vajzës ishte shkaktuar nga abuzimet seksuale.
Postuar te Mjekësi, SHKENCË, Studim. Komentet te Pafajsia e humbur Janë të Mbyllura
Këtë e pëlqejnë %d blogues: