Çka dini për sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale?

Çka dini për sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale?

Çka janë sëmundjet me bartjen seksuale?
Janë sëmundje ngjitëse që barten me anë të marrëdhënieve seksuale të pa mbrojtura (pa përdorur kondomë)

Kush i shkakton këto sëmundje?
Sëmundjet qe barten përmes marrëdhënieve seksuale shkaktohen nga mikroorganizma të ndryshëm si parazitët, bakteriet dhe virusët.

Si përhapen këto sëmundje?
Këto sëmundje përhapen prej një personi tek tjetri përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura d.m.th.  pa përdorim të prezervativëve (kondomave), por disa sëmundje siç janë morrat e turpshme mund të përcillen edhe përmes rrobave, ndërresave, mjeteve të tualetit etj.

Çka shkaktojnë këto sëmundje?
Disa persona mund të jenë të infektuar vite me radhë dhe të mos kenë kurrfarë shqetësimi, ndërsa tek disa të tjerë infeksionet përcillen me shqetësime dhe komplikime nga më të ndryshmet.
Cilat janë sëmundjet më të shpeshta që barten përmes marrëdhënieve seksuale?
Deri më tani janë të njohura rreth 20 lloj sëmundjesh por më të shpeshtat janë
Infeksioni me morra të turpshme, klamidia, gonorrea, lythat dhe herpesi gjenital, sifilizi, hepatiti B ndërsa më i rrezikshmi dhe vdekjeprurësi është HIV virusi.


 Gonorrea
Është një sëmundje që bartet me marrëdhënie seksuale të pambrojtura, por që mund të shërohet nëse trajtohet në mënyre të drejtë.
Shenjat tek femrat
Zakonisht nuk kanë asnjë simptomë ose mund të kenë sekrecione vaginale (tesha të bardha) pak më të shtuara se normalisht, me erë të keqe, ngjyrë të gjelbër ose të verdhë (qelb)
Shenjat tek meshkujt
Meshkujt që janë të infektuar me gonorre mund të fillojnë 2 deri 14 dite pas kontaktit seksual të kenë sekrecion të gjelbër (si qelb). Mund të shoqërohet me djegie gjatë urinimit ose urinim të shpeshtë me sasi të pakët.
Çka të ndërmarrim?
Vizitoni mjekun dhe nënshtrojuni ekzaminimeve te mjeku, pasi gonorrea shkakton komplikime tek të dy gjinitë.

Trikomona
Infeksioni me Thrichomonas Vaginalis është më i shpeshti që i atakon të dy gjinitë, por më shpesh femrat se sa meshkujt.
Shenjat tek femrat
Vagina e pezmatuar me sekrecion të shtuar në ngjyrë qumështi, si shkumë dhe me erë jo të zakonshme.
Uretra (kanali nëpër të cilin kalon urina) gjithashtu mund të infektohet duke u shoqëruar me ndjenja të djegies gjatë urinimit.
Shenjat tek meshkujt
Tek meshkujt simptomat janë më pak të shprehura.
Mund të kenë shtim të sekrecionit, kryesisht në mëngjes, maja e penisit dhe lëkura përreth uretres mund të jenë të irrituar
Mund të shoqërohet me djegie gjatë urinimit
Si të veprohet?
Vizitoni mjekun për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshëm pasi edhe trikomona shkakton komplikacione tek dy gjinitë.
Morrat e turpshme
Morrat e turpshme përcillen përmes marrëdhënieve seksuale. Shenjat e infeksionit manifestohen brenda 3, 4 deri 18 ditë pas kontaktit intim me personin e infektuar, por ato mund të përcillen edhe përmes rrobave, shtrojave, mjeteve të tualetit etj.
Shenjat?
Kruarje të mëdha, sidomos në mbrëmje dhe natën
Si te veprohet?
Vizitoni mjekun për trajtim dhe këshillim

HIV/AIDS
AIDS/SIDA bën pjesë në sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale. E shkakton virusi i HIV-it. Ky virus sulmon dhe shkatërron imunitetin e sistemit tonë.
HIV-i (virusi që shkakton SIDA-n) bartet përmes gjakut, spermës dhe sekrecioneve vaginale.
Infeksioni bartet prej një personi tek tjetri, gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, përmes shiringave (tek përdoruesit e drogave) si dhe përmes transfuzionit të gjakut.

Shenjat:
Lodhje, plogështi, ethe me kohëzgjatje mbi një muaj, jashtëqitje të shpeshta, humbje të peshës trupore mbi 10% të peshës së tërësishme për një periudhë të shkurtër kohore dhe ndryshime në lëkure.
Si te veprojmë?
Mos merrni guximin që të keni marrëdhënie seksuale të pambrojtura d.m.th. aplikoni seks të sigurt me përdorim të rregullt të kondomit gjatë marrëdhënieve seksuale.
Mos përdorni droga (apo nëse përdorni atëherë përdorni shiringa sterile). Nëse mendoni se keni ndonjërin prej simptomave atëherë vizitoni mjekun dhe nënshtrojuni testit HIV.

Kandida (myku)
Infeksioni nga Kandida nuk është shume i rrezikshëm. Shumë njerëz mund të kenë vite me radhë pa e ditur se kanë infeksion.
Infeksioni i Kandides shfaqet tek femrat në periudha të ndryshme të ciklit menstrual, gjatë shtatzënësisë, kur ato janë nën stres dhe lodhje të vazhdueshme si dhe ato që vuajnë nga sëmundja e sheqerit apo njerëzit që përdorin një kohë të gjatë antibiotik.
Infeksioni bartet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura (pa përdorim të kondomit)
Shenjat tek femrat
Shtim të sekrecionit vaginal (teshat e bardha) të cilat duken si qumësht apo ndonjëherë edhe si gjizë
Skuqje dhe kruarje të vaginës
Shenjat tek meshkujt
Skuqje e majës së penisit
Kruarje
Si te veprojmë?
Vizitoni mjekun për analiza dhe për trajtim të sëmundjes.

Klamidia
Është infeksion i shpeshtë sidomos tek femrat.
Femrat e infektuara me klamidia shpesh nuk kane asnjë shenjë të infeksionit çka nënkupton se femrat mund të jenë me vite të tera të infektuara me disa shqetësime te vogla.
Shenjat tek femrat
Shtimi i sekrecionit vaginal më shumë se normalisht.
Dhimbje gjatë urinimit.
Gjakderdhje të vogla në mes të ciklit menstrual, dhimbje gjatë kontaktit seksual.
Dhimbje barku
Shenjat tek meshkujt
Shtimi i sekrecionit nga penisi pas një ose disa javëve nga një kontakt seksual i pambrojtur.
Sasia e sekrecionit mund të mos jetë shumë i madhë, por nëse keni edhe një pike sekrecion të ujshëm në mëngjes duhet të mendoni për një infeksion të mundshëm me klamidia.
Urinimi mund të jetë i përcjellur me djegie.
Çka të ndërrmarim?
Vizitoni mjekun dhe nënshtrojuni ekzaminimeve të mjekut, pasi klamidia shkakton komplikime tek dy gjinitë.

Hepatiti B
Hepatiti B është një sëmundje infektive e rrezikshme. Ajo shkaktohet nga virusët e hepatitit B që prek qelizat e melçisë duke shkaktuar inflamacion të tyre. Në popull hepatitis B njihet si sarillëku (apo verdhëza)
Si mund të infektohemi?
Ky virus mund të përcillet nga një person tek tjetri pasi virusi qëndron në lëngjet trupore të njeriut siç janë gjaku, pështyma, sperma, sekrecionet vaginale, etj.
Infeksioni mund të merret në disa mënyra siç janë:
Kontakti seksual, personi mund të infektohet kur organet gjenitale të një personi janë në kontakt me organet gjenitale ose me sekrecionet e një personi të infektuar. Kontaktet seksuale gjatë menstruacioneve e rrisin mundësinë e infektimit me ketë virus.
Kontakti me gjakun, përdoruesit e drogave intravenozë që shkëmbejnë shiringat në mes tyre kanë gjasa shumë të larta të infektohen përmes gjakut si dhe punëtorët shëndetësor që kanë kontakt me gjakun e personave që janë të infektuar.
Gjatë lindjes nëse nena është e infektuar me hepatit B, virusi mund të kaloj tek fëmija gjatë lindjes dhe e infekton atë.
Shenjat tek dy gjinitë
Te disa persona infeksioni mund të kaloj pa u kuptuar vetëm me disa shenja të lehta të infeksionit, ndërsa pak prej tyre mund të ankohen nga disa simptoma siç janë lodhje e madhe, mungesë e fuqisë, ndjenja e vjelljes, dhimbje barku, dhimbje kyçesh, temperaturë, të bardhat e syve dhe lëkura bëhen të verdha si dhe urina merr ngjyrë kafe të errët.
Shenjat e sëmundjes shfaqen 2-6 muaj nga data e infektimit.
Si te veproni?
Vizitoni mjekun për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshme pasi hepatiti B mund të shkaktojnë komplikacione tek të dy gjinitë.

Sifilizi
Është sëmundje që bartet me marrëdhënie seksuale të pambrojtura dhe është shumë serioze, por që mund të mjekohet plotësisht nëse trajtimi fillohet në kohë.
Shenjat tek dy gjinitë
Zakonisht paraqiten 2-12 javë pas marrëdhënie seksuale të pambrojtura me personin e infektuar. Zonat e prekura mund të jenë penisi ose vagina, dëmtimi i lëkurës (në formë të një dregëze) mund të arrijë 1 centimetër e trashë dhe pa dhëmbje. Zakonisht shfaqet në organet gjenitale të mashkullit apo femrës (rallë herë mund të paraqitet një dregëz e tillë edhe në buzë, gishta, anus ose në gojë). Nganjëherë është vështirë të shihet dëmtimi sepse ai mund të fshihet thellë në vaginë. Edhe po të mos trajtohet ai kalon vetë brenda dy javëve mirëpo kjo nuk d.m.th se sëmundja është shëruar. Pas shumë javësh ose muajsh nga zhdukja e dëmtimit, sëmundja mund të kaloj në fazën e dytë, në të cilën bakteria e sifilizit ka kaluar nëpërmjet gjakut në terë trupin.
Në fazën e dytë ju mund të keni këto simptoma,
Një skuqje në forme të puçrrave, veçanërisht në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve, por nuk përjashtohen edhe vendet e tjera.
Simptoma të ngjashme me gripin, si dhimbje koke, dhimbje fyti, lodhje, temperaturë.
Formimi i formacioneve të vogla si lytha pran organeve gjenitale.
Kujdes!!
Nëse ju shfaqen puçrra të çuditshme në trup, disa ditë ose javë pas shfaqjes së ndonjë dregëze në organet gjenitale atëherë vizitoni mjekun për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshme pasi sifilizi shkakton komplikacione tek të dy gjinitë.

Cilat janë shqetësimet më të shpeshta prej infeksioneve që barten përmes marrëdhënieve seksuale?
Personat e infektuar me ndonjërën prej shkaktarëve të këtyre sëmundjeve mund të kenë,
Sekrecion jo të zakonshëm nga vagina, penisi, që mund të ketë përmbajtjen e qelbit ose jo. Femrat zakonisht kane shtim të sekrecionit vaginal (tesha të bardha) që mund të ketë përmbajtje ujore të tejdukshme, të bardhë, të verdhë, të gjelbër dhe me erë.
Kruarje, irritime, dhimbje gjatë ose pas urinimit ose ndjenjën e urinimit të shpeshte.
Formacione si lytha, puçrra të vogla ose vraga në penis dhe vaginë.
Kruarje të/ose përreth organeve gjenitale
Dhimbje të testikujve ose zonën përreth tyre
Dhimbje barku
Rrjedhje të vogla gjaku pas kontaktit seksual ose gjakderdhje të paktën nga organet në mes të ciklit menstrual.



MOS MË HARRO



Sëmundjet ngjitëse që barten përmes marrëdhënieve seksuale (që në gjuhën mjekësore quhen sëmundje  seksualisht të transmetueshme apo sëmundje me bartje seksuale) janë një problem që shpesh herë për arsye të ndryshme mbahen të fshehta apo nuk vihen re fare.
Çdo njeri mund të infektohet në qoftë se vendos të ketë marrëdhënie seksuale të pambrojtura (mos përdorim të prezervativëve/kondomëve).
Sëmundjet që barten me marrëdhënie seksuale mund të jenë të ndryshme prej atyre më të lehta që nuk shkaktojnë shqetësime të mëdha deri tek ato që mund të shkaktojnë probleme serioze nëse nuk trajtohen me kohë. Për fat të mirë shumica e këtyre sëmundjeve ka shërim të plote nëse ato trajtohen me kohe, por disa prej tyre mund të jenë edhe vdekjeprurëse si HIV/AIDS.

Çdo njeri është i interesuar për mirëqenien e tij dhe për një jetë seksuale sa më të shëndetshme.


UNFPA Office in Kosovo
Kosova Health Foundation
In partnership with Ministry of Health and National Institute of Public Health of Kosova
Postuar te Mjekësi. Komentet te Çka dini për sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale? Janë të Mbyllura