Maqedonia nuk kthen pergjigje per varrezat masive

Ministria e Drejtësisë në Shkup po zvarrit përgjigjen për autoritetet e Kosovës lidhur me nisjen e hetimeve mbi ekzistencën e një varri masiv në Maqedoni, ku dyshohet se ndodhen kosovarë të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.

Nga kjo ministri akoma nuk është dhënë asnjë përgjigje, pas kërkesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, e cila qe prej muajit maj të këtij viti kishte kërkuar sqarime dhe nisjen e hetimeve të përbashkëta lidhur me dyshimet për varrin masiv.

Një zyrtar i kësaj ministrie ka bërë të ditur se po shqyrtohet akoma kërkesa e Prishtinës zyrtare, por përgjegjës është ministri 73 vjeçar Manevski, i cili siç bëhet e ditur po e zvarrit qëllimisht çështjen e hetimit.

Javën e kaluar edhe sajti në internet “Balkan Insight” ka shkruar se hetimet për ekzistencen për varrin masiv janë ndërprerë për shkak të mungesës së përgjigjes nga Shkupi.

Sipas “Balkan Insight”, rreth 18 kosovarë të vrarë gjatë luftës së vitit 1999 sipas pohimeve të Prishtinës zyrtare janë të varrosur në një varr masiv që më pas ishte betonuar në varrezat e qytetit në lagjen Butel të Shkupit.

Postuar te KOSOVË, RAJONI. Komentet te Maqedonia nuk kthen pergjigje per varrezat masive Janë të Mbyllura