QKUK: Rrahet dr.Arsim Morina

Sot, në ora 10:10 në vendin e tij të punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është sulmuar dhe rrahur nga persona të panjohur, Prof.dr.Arsim Morina, Drejtor i Klinikës së Neurorkirurgjisë.  Në vendin e ngjarjes ka ardhur  edhe Policia e Kosovës, e cila po merret me rastin në fjalë. QKUK,  dënon  sulmin ndaj Prof. Morinës, duke u bërë thirrje organeve kompetente që sa më shpejtë t’i zbulojnë akterët e këtij sulmi dhe të njëjtit të  nxjerren para drejtësisë.

Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë ofrimit të shërbimeve shëndetësore, por pengojnë ato.  QKUK, përkundër vështirësive të mëdha me të cilat po  ballafaqohet bënë përpjeke maksimale që pacientëve tu ofrohet kujdesi i  duhur shëndetësor.  QKUK, kërkon nga gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë shumë të kujdesshëm dhe ta ndihmojnë stafin shëndetësor gjatë kryerjes së punës.
Postuar te KOSOVË, Mjekësi. Komentet "Off"

Kur te shqetesohemi nga tumoret

Një grup kërkuesish anglezë kanë hartuar listën e tetë simptomave, që më shumë se të tjerat mund të shënojnë praninë e një tumori në organizëm

Një grup kërkuesish anglezë kanë hartuar listën e tetë simptomave, që më shumë se të tjerat mund të shënojnë praninë e një tumori në organizëm. Bëhet fjalë për:
- gjak në urinë
- anemi
- gjak në jashtëqitje
- kollë me gjak
- gjëndër ose kokërr në gjoks
- përtypje me vështirësi
- gjakderdhje kur je në menopauzë
- rezultati jo normal i një analize prostate
Sigurisht që janë dukuri të rralla dhe jo domosdoshmërish diktojnë probleme onkologjike, megjithatë, sipas asaj që thonë autorët, një në njëzet raste tregon se janë simptoma të një sëmundjeje të keqe tumorale dhe një arsye shumë e fuqishme për t’iu drejtuar menjëherë mjekut dhe për të bërë analizat e nevojshme.

Studimi

Autorët e këtyre analizave të hollësishme janë kërkuesit e “Keele University” dhe rezultatet e përfundimeve të tyre u shfaqën në revistën e mjekësisë së përgjithshme britanike “British Journal of General Practice”. Për të identifikuar tetë simptomat e cilësuara si të rrezikshme, ata kanë analizuar me kujdes 25 studime ndërkombëtare, duke vëzhguar mes shumë simptomave onkologjike ato që më shpesh ishin tregues të pranisë së një kanceri në organizëm. Mes të gjithave, izoluan ato që lidheshin me mundësinë që në 20 raste tregonin për një tumor, duke specifikuar edhe se për çfarë tipologjie pacientësh dhe për çfarë moshe rreziku është pak a shumë i ngjashëm.

Mosha të ndryshme, profile të ndryshme

Për më të rinjtë, nën 55 vjeç, dy janë anomalitë që hyjnë në kategorinë e “alarmit të kuq”: një gjëndër apo një masë në gji dhe kërkesa për një analizë prostate. Për meshkujt më shumë se 55 vjeç, vëmendje e madhe u kushtohet problemeve që lidhen me përtypjen, që mund të tregojnë një tumor në ezofag, ndërsa për gratë mbi 60, gjaku në urinë kërkon bërjen e analizave urgjente për të parë problemet me veshkat. Në të njëjtën mënyrë, shpjegojnë në një editorial në revistë, gjendja e një anemie të theksuar mund të jetë shenja e parë e një tumori në zorrë për të moshuarit, por që ka më pak mundësi të ndodhë me një 20-vjeçare.

Simptomat? Janë shumë…

“Royal College of General Practitioners” ka komentuar pozitivisht punën “që forcon nevojën për të inkurajuar pacientët për t’ju drejtuar menjëherë mjekut të familjes”. Por në të njëjtën kohë
“Cancer Research UK”, një nga organizatat më të njohura dhe më aktive kundër kancerit në Britani thotë se: “Ato që evidentohen nga studimi njihen tashmë si shenja të rëndësishme që tregojmë për kancerin, por janë rreth 200 forma tumorale që shkaktojnë simptoma të ndryshme. Kështu që çdo ndryshim i pazakontë apo i vazhdueshëm në trupin tuaj meriton të kontrollohet me kujdes”.

Mos harroni kontrollet

“Por këto shenja nuk duhet t’u ngjallin frikë, sepse mundësia për të qenë përballë një sëmundjeje onkologjike mbetet e reduktuar. Kjo, sepse më parë duhet folur me mjekun për të arritur te një diagnozë e qartë për ta përballuar sa më mirë sëmundjen nëse ajo ekziston”, ka komentuar Fiorenzo Corti, përgjegjës i komunikimit në Federatën Italiane të Mjekëve të Familjes. Në të njëjtën kohë, kujton Corti, është thelbësore të kryesh analiza parandaluese edhe në mungesë të shqetësimeve alarmante, t’u nënshtrohesh analizave periodike sipas moshës, si për shembull gjaku në feçe për të parë tumoret e zorrës së trashë, pap-testet për kancerin në qafën e mitrës, mamografinë për gjirin.

Rëndësia e mjekut të familjes

Është e rëndësishme të shkosh shpesh te mjeku i familjes: “Ata janë një pjesë e rëndësishme për shëndetin e pacientëve, në veçanti për parandalimin. Në Francë janë 60 mijë mjekë familje që zakonisht presin rreth 40 persona në ditë, pjesa më e madhe të moshuar. Ne na takon t’u kushtojmë vëmendje maksimale simptomave dhe faktorëve të rrezikut, duke përshkruar analizat e nevojshme”, tregojnë kërkuesit. Pacientëve u takon të ndjekin rregullat e parandalimit, si ngrënia e shëndetshme, lëvizjet, mospirja e duhanit apo alkoolit. Po ashtu duhet të vëzhgojnë trupin sa herë që mund të vënë re ndryshime të pazakonta. Në këtë aspekt gratë janë më të ndjeshme dhe më të kujdesshme, ndërsa mosha më e rrezikuar, që rrallë i drejtohet mjekut për shqetësimet që ka, është ajo e adoleshentëve.

Ndërgjegjësimi

Është reduktuar ndjeshëm vdekshmëria nga tumoret në Europë. Sipas llogaritjeve të fundit, kjo shifër është 10 për qind më e ulët në dhjetë vitet e fundit. Sigurisht që merita për këtë u takon stileve më të mira të jetesës, kurave më të mira dhe kontrolleve parandaluese. Por, shifrat mbeten alarmante në Europën Lindore dhe Rusi, ku vërehen ende vonesa të “rënda”. Po ashtu regjistrohen rritje shqetësuese në shumë vende të tjera, sidomos mes grave, që kanë adaptuar zakone kryesisht mashkullore, si alkooli dhe duhani. Më në përgjithësi ekspertët bëjnë me dije se si në vendet në zhvillim mundësitë e mbijetesës janë në rritje falë parandalimeve dhe kontrolleve për kapjen herët të sëmundjes, gjithashtu dhe për meritë në hapat e bërë përpara për trajtimet antikancer. Duke komentuar të dhënat, mjekët saktësojnë se: “Kontrollet dhe diagnoza e hershme kanë kontribuar në reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri në qafën e mitrës dhe ai i gjirit, por në rastin e dytë shumë u detyrohet përmirësimit të kurave. Terapitë e fundit kanë luajtur një rol vendimtar në uljen e numrit të vdekjeve nga kanceri i testikujve dhe leucemive”.
Postuar te Mjekësi, Studim. Komentet "Off"

Pafajsia e humbur

Djemve u ndryshon zëri në moshën 11-vjeçare, vajzave u zhvillohet gjoksi kur mbushin 8 vjeçe. Përse në pjesën më të madhe të botës puberteti po shfaqet gjithnjë e më herët? Një grup shkencëtarësh danezë po përpiqen të gjejnë përgjigjen

Në dhjetor të 2003-shit, gazeta e Kopenhagës “MetroXpress” publikoi një artikull kushtuar vështirësive të “Sank Anne gymnasium”, liceu i kantos i kryeqytetit danez i famshëm në të gjithë botën. Për herë të parë, që nga themelimi i saj më 1924-n, kori i shkollës nuk arrinte të gjente mjaftueshëm djem 12 – 13-vjeçarë për t’i dërguar në turneun e saj vjetor në Shtetet e Bashkuara. Udhëtimi do t’i jepte fund formimit muzikor të djemve, të cilët ishin përzgjedhur që në moshën 8-vjeçare. Problemi ishte i thjeshtë, por i pakapërcyeshëm: në krahasim me të kaluarën, zërat e djemve ndryshonin më herët se ç’duhej. Kori kishte nevojë për soprano, por sopranot po bëheshin tenorë.

Kjo histori tërhoqi vëmendjen e profesor Niels Skakkebaek, që në atë kohë drejtonte departamentin e rritjes dhe riprodhimit në spitalin universitar të Kopenhagës.

Për Skakkebaek ky ishte një rast i madh. Ekipi i tij, që përbëhej nga pediatër endokrinologë, specialistë për gjëndrat dhe hormonet, kishte vënë re një rritje të jashtëzakonshme të numrit të fëmijëve me shenja të parakohshme të pubertetit. Historia e korit koincidonte me atë që studiuesit po vërenin, në veçanti rritja e vazhdueshme e numrit të vajzave që po u zhvillohej shumë herët gjoksi, në disa raste që në moshën 6-vjeçare. Studiuesit donin të dinin nëse kishte një lidhje mes asaj që shihnin në klinikë dhe asaj që po ndodhte në shkollën e korit. Në vitin 1997 studiuesit kishin vënë re një zhvillim të parakohshëm të pubertetit në Shtetet e Bashkuara dhe tani kërkonin të dinin nëse kjo tendencë ishte përhapur edhe në Europë.

Departamenti i Skakkebaek, i themeluar para 20 vjetësh, zë dy kate të spitalit universitar të Kopenhagës. Në krahasim me repartin pedriatik, që ndodhet në anën tjetër të korridorit, është një oaz qetësie. Në një sallë mbledhjesh, një grup shkencëtarësh diskutojnë rreth një studimi të ri për spermën mashkullore. Në dhomën përballë, një fëmijë që po merr pjesë në një projekt studimi, është i shtrirë mbi një shtrat dhe po i bëhen disa analiza gjaku.

Skakkebaek, që sot është 60 vjeç, ia ka lënë vendin Anders Juul, një endokrinologu me flokë të rëna. “Mendonim se puberteti i parakohshëm ishte një problem amerikan dhe se kishte të bënte me stilin e jetesës përtej oqeanit: hormonet e përdorura për prodhimin e mishit, obezitetin, njerëzit që kalojnë shumë kohë përpara televizorit ose internetit. I ripërsëritëm studimet që kishim bërë në vitin 1991, për të parë se si fenomeni po shfaqet edhe te ne”.

Gjatë dy shekujve të fundit, në Perëndim fillimi i moshës së pubertetit është spostuar prapa. Në korin e “Lipsia”-s drejtuar nga JS Bach në fillim të viteve 1700, mosha mesatare e ndryshimit të zërit që karakterizon pubertetin mashkullor, ishte rreth të tetëmbëdhjetave. Në mes të shekullit XVIII-XIX, mosha mesatare e ardhjes së menstruacioneve të para të vajzave, në Shtetet e Bashkuara dhe Europën Veriore, ishte ulur nga 17 deri në 14 vjeç. Ndërsa mosha mesatare e martesave rritej, mosha e pjekurisë seksuale zvogëlohej. Kjo tendencë, që në pamje të parë mund të duket një kontradiktë evolutive, ka një logjikë: qeniet njerëzore riprodhohen kur gëzojnë shëndet të plotë. Me ndryshimin e ushqimit dhe kujdesit shëndetësor, mosha e pubertetit ishte ulur. Që nga viti 1950 e në vazhdim tendenca ishte stabilizuar. Në vitin 1950, një pediatër britanik, doktor James Tanner, përdori një sistem për të zbuluar pesë fazat e pubertetit te djemtë dhe vajzat. Duke u bazuar te 20 vjet studime të kryera te një institut fëmijësh në Herdforshire, Tanner arriti në përfundimin se mosha mesatare e zhvillimit të gjoksit, si rregull shenja e parë e pubertetit për vajzat, ishte 11 vjeçe e gjysmë. Te djemtë puberteti shfaqej me trashjen e zërit dhe fillonte rreth moshës 11 vjeç e dy muaj. Mënyra e Tanner u bë pikë referimi për të gjithë studiuesit në botë.

Në vitin 1997, një grup studiuesish amerikanë publikoi një studim të kryer te 17 mijë vajza, që shfaqte një devijim të papritur në moshën e pubertetit. Autorja, profesoresha Marcia Herman-Giddens, kishte zbuluar se mosha mesatare e pubertetit te vajzat e bardha ishte ulur nga 9, në 7 vjeçe. Mes afro-amerikaneve tendenca ndryshonte: vajzat e arrinin pubertetin në moshën 8-vjeçare. Disa të tjera sapo kishin mbushur 6 vjeç, një vit pasi fillonin shkollën. Rezultatet ishin kontradiktore. Kishte probleme metodologjike: vajzat i ishin drejtuar një klinike mjekësore, por për shkencëtarët nuk ishin “kavje të rëndësishme”. Studiuesit nuk i kishin ekzaminuar vajzat ashtu siç duhej, thjesht ishin bazuar te pamja e jashtme e zhvillimit të gjoksit. Nuk u kishin bërë analiza mjekësore. Shumë vajza ishin obeze dhe dukej sikur e kishin gjoksin të zhvilluar. Në vitin 2002, një studim i dytë dha rezultate të ngjashme: gjoksi fillonte të zhvillohej një ose dy vite më herët në krahasim me moshën e treguar nga studiuesi Tanner. Nëse gjoksi zhvillohej i pari, nuk kishte dyshim që vajzave u kishin ardhur edhe menstruacionet. Sipas Herman-Giddens, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkalla e Tanner duhej riparë edhe një herë me kujdes.

Këto zbulime tronditën botën e endokrinologjisë dhe i hapën rrugë një vale të re studimesh. Kështu, kur Skakkebaek lexoi artikullin e “MetroXpress” kontaktoi menjëherë shkollën e muzikës së Kopenhagës. Me shumë kënaqësi ai dhe stafi i tij zbuluan se shkolla kishte fshehur në mënyrë të paskrupullt gjatësinë dhe peshën e fëmijëve. Zërat e tyre dëgjoheshin çdo javë, në mënyrë që të gjendej se ku fshihej gabimi. Prindërit dhe fëmijët pranuan se të dhënat ishin përdorur për skupe shkencore dhe rezultatet u publikuan në vitin 2006.

“Zbuluam se në harkun kohor të dhjetë viteve, zërat e fëmijëve ndryshonin pothuajse katër muaj më herët”, shpjegon Juul në zyrën e tij, i rrethuar nga një mori dokumentesh dhe revistash mjekësore. “Sa më shumë që djemtë i afroheshin moshës 8-vjeçare, aq më shumë u ndryshonte edhe zëri”.

Një doktoreshë tjetër e departamentit, Lise Aksglaede, filloi të studionte moshën e zhvillimit të gjoksit te vajzat daneze. Ajo arriti të bindte prindërit dhe mësuesit që në studimin e saj të merrnin pjesë rreth një mijë vajza. Rezultatet e publikuara në maj të 2009-s janë të parat në llojin e tyre në Europë dhe tregojnë se në 15 vjet mosha e zhvillimit të gjoksit në Danimarkë, është ulur me një vit, nga 10.8 që ka qenë më 1991-shin, ka arritur në 9.8 më 2006-n. Po ashtu edhe menstruacionet e para shfaqen tre muaj më herët.

“Do të kishte qenë shumë domethënëse të zbuloje se në një hark kaq të shkurtër kohor ‘fluksi i parë i menstruacioneve’ vjen tre muaj më herët”, thotë Aksglaede. “Por fakti që gjoksi fillon të zhvillohet një vit më herët, është një ndryshim shumë i rëndësishëm. Mendoj se po ndodh diçka në të gjithë popullsinë. Mos vallë pas 15 vjetësh vajzave do t’u rritet gjoksi dy vjet më herët se zakonisht? Ky është një fenomen shumë alarmues, sepse nuk e dimë nga se shkaktohet”.

Në janar të 2010-s departamenti publikoi një studim tjetër për vajzat daneze. Në atë studim tregohej se në 15 vjet mosha e pubertetit ishte ulur me tre muaj e gjysmë, duke konfirmuar rezultatet e studimit të bërë te djemtë e korit. Në Kinë, një studim i vitit të kaluar ka nxjerrë në dritë moshën mesatare më të ulët të regjistruar ndonjëherë për zhvillimin e gjoksit, 9.2 vjeçe. Disa studime holandeze dhe italiane kanë shfaqur ngjashmëri me zbulimet e studiuesve danezë për meshkujt.


Të bashkëjetosh me testosteronin

Fjala pubertet vjen nga latinishtja “pubertate”, që do të thotë moshë e pjekurisë. Në të kaluarën puberteti (procesi i pjekurisë seksuale) dhe adoleshenca (procesi i zhvillimit psikologjik) koincidonin me njëri-tjetrin. Sot nuk është më kështu. Mospërputhja mes pjekurisë fizike dhe psikologjike nuk ka qenë kurrë kaq e madhe.

Doktor Richard Stangope, një pediatër i famshëm endokrinolog britanik, që ka punuar për 24 vjet në “Great Ormond street hospital for children”, thekson se ky ndryshim paraqet një sfidë dramatike. Ai mendon se fëmijët me një pubertet të parakohshëm shkojnë kundër një seksualizmi të parakohshëm dhe janë shumë fëmijërorë për të përballuar pasojat. Janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të abuzimeve seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënive të parakohshme. “Zhvillimi seksual i fëmijëve nis shumë herët”, shpjegon Stanhope. “Fizikisht janë gati për riprodhim seksual, por mendërisht janë totalisht të papërgatitur”.

Studimet tregojnë se adoleshentët me një pubertet të parakohshëm janë më të ekspozuar ndaj sjelljeve të rrezikshme, si për shembull marrja e substancave narkotike, konsumimi i tepërt i alkoolit dhe kryerja e krimeve. Një rritje e parakohshme e testosteronit mund t’i bëjë agresivë djemtë. “Të gjithë e dimë se është e vështirë të mësosh të bashkëjetosh me testosteronin”, thotë Stanhope, duke përplasur mbi tryezë stilolapsin. “Nëse rritja e testosteronit nuk koincidon me moshën fiziologjike normale, problemi është edhe më i madh”.

Një studim i publikuar më 2010-n në “Australian and New Zealand Journal of Criminology” thekson se edhe vajzat që futen para kohe në moshën e pubertetit shfaqin shenja agresiviteti. Në Britaninë e Madhe, debati i kohëve të fundit për seksualitetin e tepruar të të rinjve e ka larguar vëmendjen nga lajmi i hidhur që fëmijët sot piqen para kohe seksualisht. Të ngrihesh kundër firmave që prodhojnë reçipeta me mbushje për vajzat e vogla shtatëvjeçare, kjo është krejtësisht normale, megjithatë vetëm kjo nuk do të mjaftonte për t’i futur në shina vogëlushet, të cilat nuk kanë asnjë faj për këtë. Problemi është se si do t’ia bëjmë për të përballuar faktin që në moshën shtatëvjeçare disa vajzave fillon t’u rritet gjoksi.

Sipas “Cancer research”, një vajze që i vijnë menstruacionet një vit më vonë në krahasim me bashkëmoshataret e saja, është pesë herë më pak e rrezikuar që të zhvillojë kancer në gji. “Mund të jetë një lidhje domethënëse edhe me tumorin në vezore”, thotë Stanhope. “Sa më shpejt t’i vijnë menstruacionet një vajze, aq më shumë është e ekspozuar ndaj estrogjenit dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për tumoret që varen nga estrogjeni. Rritet rreziku i tumorit në gji dhe në vezore, po ashtu shtohet edhe rreziku për të pasur probleme kardiovaskulare”.

Vajzat që hyjnë para kohe në moshën e pubertetit janë të prirura të zhvillojnë diabetin e tipit 2. Një studiues norvegjez, që ka ndjekur 61 mijë femra për 37 vjet me radhë, tregon se ato që janë zhvilluar 10 ose 11 vjeçe, kanë një shkallë vdekshmërie 10 për qind më të lartë në krahasim me vajzat që u kanë ardhur menstruacionet katër vjet më vonë.

Rreziqet për meshkujt janë më pak të dukshme. Stanhope i fton kolegët studiues të studiojnë lidhjet e mundshme mes pubertetit të parakohshëm të djemve dhe tumorit në prostatë. Veç të tjerash, studiuesja është e shqetësuar për vuajtjen psikologjike të djemve: puberteti i parakohshëm nuk është ende normal dhe gjithçka që largon fëmijët nga bashkëmoshatarët e tyre, shpjegon ajo, ua bën jetën më të vështirë.

Hayley Smith, që është 14 vjeçe, e di mirë se për çfarë bëhet fjalë. Gjoksi filloi t’i rritej kur ishte pesë vjeçe. Një vit më vonë i erdhën menstruacionet. Çdo muaj i duhej të duronte shqetësimet e periodave, kishte ndryshime të humorit, dhembje koke dhe gjakrrjedhje, ndërkohë që mësonte të shkruante dhe të lexonte. Çdo muaj mungonte në shkollë tri ose katër ditë.

Vajzat rriten shumë gjatë kohës kur u vijnë menstruacionet e para (për djemtë, pesha dhe gjatësia rriten në fazën finale të pubertetit). Prandaj, në moshën gjashtëvjeçare Hayley ishte më e gjatë se shoqet e saj të klasës. Uniforma e shkollës i rrinte ngjitur pas trupit. Numrin e këmbës e kishte 35. Edhe pse shkolla dhe shoqet e shokët e klasës e mbështesnin, disa fëmijë të tjerë e bezdisnin jashtëzakonisht. Si të mos mjaftonte kjo, Hayley ishte viktimë e armiqësisë së disa prindërve, të cilët i frikësoheshin asaj vajze me trup adoleshenteje. “U thoshin fëmijëve të mos luanin me mua”, tregon Hayley. “Unë vuaja. Doja të isha si miqtë e mi dhe ndihesha e përjashtuar. Kishte raste që nuk doja të shkoja në shkollë”.

Fati i Hayley ishte se e ëma, një punonjëse e shërbimit shëndetësor, një grua zonjë dhe shumë e përgatitur, e kuptoi menjëherë se për çfarë bëhej fjalë. I bleu vajzës një libër me figura për t’i treguar se çfarë po ndodhte me trupin e saj, bisedoi me prindërit e fëmijëve që e përçmonin, ua bëri të ditur situatën mësuesve dhe luftoi për të pasur një diagnozë nga mjekët, të cilët nuk u besonin syve. “Ka qenë një periudhë e tmerrshme”, thotë e ëma e Hayley. “Kishte shumë injorancë rreth e rrotull. Hayley trajtohej sikur të ishte monstër. Nuk ka pasur një fëmijëri si gjithë të tjerët”. Mamasë së Hayley iu desh të përballej me shumë paragjykime në familje: një i afërm hidhte hipoteza se zhvillimi i parakohshëm i vajzës ishte shkaktuar nga abuzimet seksuale.
Postuar te Mjekësi, SHKENCË, Studim. Komentet "Off"

Çka dini për sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale?

Çka dini për sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale?

Çka janë sëmundjet me bartjen seksuale?
Janë sëmundje ngjitëse që barten me anë të marrëdhënieve seksuale të pa mbrojtura (pa përdorur kondomë)

Kush i shkakton këto sëmundje?
Sëmundjet qe barten përmes marrëdhënieve seksuale shkaktohen nga mikroorganizma të ndryshëm si parazitët, bakteriet dhe virusët.

Si përhapen këto sëmundje?
Këto sëmundje përhapen prej një personi tek tjetri përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura d.m.th.  pa përdorim të prezervativëve (kondomave), por disa sëmundje siç janë morrat e turpshme mund të përcillen edhe përmes rrobave, ndërresave, mjeteve të tualetit etj.

Çka shkaktojnë këto sëmundje?
Disa persona mund të jenë të infektuar vite me radhë dhe të mos kenë kurrfarë shqetësimi, ndërsa tek disa të tjerë infeksionet përcillen me shqetësime dhe komplikime nga më të ndryshmet.
Cilat janë sëmundjet më të shpeshta që barten përmes marrëdhënieve seksuale?
Deri më tani janë të njohura rreth 20 lloj sëmundjesh por më të shpeshtat janë
Infeksioni me morra të turpshme, klamidia, gonorrea, lythat dhe herpesi gjenital, sifilizi, hepatiti B ndërsa më i rrezikshmi dhe vdekjeprurësi është HIV virusi.


 Gonorrea
Është një sëmundje që bartet me marrëdhënie seksuale të pambrojtura, por që mund të shërohet nëse trajtohet në mënyre të drejtë.
Shenjat tek femrat
Zakonisht nuk kanë asnjë simptomë ose mund të kenë sekrecione vaginale (tesha të bardha) pak më të shtuara se normalisht, me erë të keqe, ngjyrë të gjelbër ose të verdhë (qelb)
Shenjat tek meshkujt
Meshkujt që janë të infektuar me gonorre mund të fillojnë 2 deri 14 dite pas kontaktit seksual të kenë sekrecion të gjelbër (si qelb). Mund të shoqërohet me djegie gjatë urinimit ose urinim të shpeshtë me sasi të pakët.
Çka të ndërmarrim?
Vizitoni mjekun dhe nënshtrojuni ekzaminimeve te mjeku, pasi gonorrea shkakton komplikime tek të dy gjinitë.

Trikomona
Infeksioni me Thrichomonas Vaginalis është më i shpeshti që i atakon të dy gjinitë, por më shpesh femrat se sa meshkujt.
Shenjat tek femrat
Vagina e pezmatuar me sekrecion të shtuar në ngjyrë qumështi, si shkumë dhe me erë jo të zakonshme.
Uretra (kanali nëpër të cilin kalon urina) gjithashtu mund të infektohet duke u shoqëruar me ndjenja të djegies gjatë urinimit.
Shenjat tek meshkujt
Tek meshkujt simptomat janë më pak të shprehura.
Mund të kenë shtim të sekrecionit, kryesisht në mëngjes, maja e penisit dhe lëkura përreth uretres mund të jenë të irrituar
Mund të shoqërohet me djegie gjatë urinimit
Si të veprohet?
Vizitoni mjekun për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshëm pasi edhe trikomona shkakton komplikacione tek dy gjinitë.
Morrat e turpshme
Morrat e turpshme përcillen përmes marrëdhënieve seksuale. Shenjat e infeksionit manifestohen brenda 3, 4 deri 18 ditë pas kontaktit intim me personin e infektuar, por ato mund të përcillen edhe përmes rrobave, shtrojave, mjeteve të tualetit etj.
Shenjat?
Kruarje të mëdha, sidomos në mbrëmje dhe natën
Si te veprohet?
Vizitoni mjekun për trajtim dhe këshillim

HIV/AIDS
AIDS/SIDA bën pjesë në sëmundjet që barten përmes marrëdhënieve seksuale. E shkakton virusi i HIV-it. Ky virus sulmon dhe shkatërron imunitetin e sistemit tonë.
HIV-i (virusi që shkakton SIDA-n) bartet përmes gjakut, spermës dhe sekrecioneve vaginale.
Infeksioni bartet prej një personi tek tjetri, gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, përmes shiringave (tek përdoruesit e drogave) si dhe përmes transfuzionit të gjakut.

Shenjat:
Lodhje, plogështi, ethe me kohëzgjatje mbi një muaj, jashtëqitje të shpeshta, humbje të peshës trupore mbi 10% të peshës së tërësishme për një periudhë të shkurtër kohore dhe ndryshime në lëkure.
Si te veprojmë?
Mos merrni guximin që të keni marrëdhënie seksuale të pambrojtura d.m.th. aplikoni seks të sigurt me përdorim të rregullt të kondomit gjatë marrëdhënieve seksuale.
Mos përdorni droga (apo nëse përdorni atëherë përdorni shiringa sterile). Nëse mendoni se keni ndonjërin prej simptomave atëherë vizitoni mjekun dhe nënshtrojuni testit HIV.

Kandida (myku)
Infeksioni nga Kandida nuk është shume i rrezikshëm. Shumë njerëz mund të kenë vite me radhë pa e ditur se kanë infeksion.
Infeksioni i Kandides shfaqet tek femrat në periudha të ndryshme të ciklit menstrual, gjatë shtatzënësisë, kur ato janë nën stres dhe lodhje të vazhdueshme si dhe ato që vuajnë nga sëmundja e sheqerit apo njerëzit që përdorin një kohë të gjatë antibiotik.
Infeksioni bartet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura (pa përdorim të kondomit)
Shenjat tek femrat
Shtim të sekrecionit vaginal (teshat e bardha) të cilat duken si qumësht apo ndonjëherë edhe si gjizë
Skuqje dhe kruarje të vaginës
Shenjat tek meshkujt
Skuqje e majës së penisit
Kruarje
Si te veprojmë?
Vizitoni mjekun për analiza dhe për trajtim të sëmundjes.

Klamidia
Është infeksion i shpeshtë sidomos tek femrat.
Femrat e infektuara me klamidia shpesh nuk kane asnjë shenjë të infeksionit çka nënkupton se femrat mund të jenë me vite të tera të infektuara me disa shqetësime te vogla.
Shenjat tek femrat
Shtimi i sekrecionit vaginal më shumë se normalisht.
Dhimbje gjatë urinimit.
Gjakderdhje të vogla në mes të ciklit menstrual, dhimbje gjatë kontaktit seksual.
Dhimbje barku
Shenjat tek meshkujt
Shtimi i sekrecionit nga penisi pas një ose disa javëve nga një kontakt seksual i pambrojtur.
Sasia e sekrecionit mund të mos jetë shumë i madhë, por nëse keni edhe një pike sekrecion të ujshëm në mëngjes duhet të mendoni për një infeksion të mundshëm me klamidia.
Urinimi mund të jetë i përcjellur me djegie.
Çka të ndërrmarim?
Vizitoni mjekun dhe nënshtrojuni ekzaminimeve të mjekut, pasi klamidia shkakton komplikime tek dy gjinitë.

Hepatiti B
Hepatiti B është një sëmundje infektive e rrezikshme. Ajo shkaktohet nga virusët e hepatitit B që prek qelizat e melçisë duke shkaktuar inflamacion të tyre. Në popull hepatitis B njihet si sarillëku (apo verdhëza)
Si mund të infektohemi?
Ky virus mund të përcillet nga një person tek tjetri pasi virusi qëndron në lëngjet trupore të njeriut siç janë gjaku, pështyma, sperma, sekrecionet vaginale, etj.
Infeksioni mund të merret në disa mënyra siç janë:
Kontakti seksual, personi mund të infektohet kur organet gjenitale të një personi janë në kontakt me organet gjenitale ose me sekrecionet e një personi të infektuar. Kontaktet seksuale gjatë menstruacioneve e rrisin mundësinë e infektimit me ketë virus.
Kontakti me gjakun, përdoruesit e drogave intravenozë që shkëmbejnë shiringat në mes tyre kanë gjasa shumë të larta të infektohen përmes gjakut si dhe punëtorët shëndetësor që kanë kontakt me gjakun e personave që janë të infektuar.
Gjatë lindjes nëse nena është e infektuar me hepatit B, virusi mund të kaloj tek fëmija gjatë lindjes dhe e infekton atë.
Shenjat tek dy gjinitë
Te disa persona infeksioni mund të kaloj pa u kuptuar vetëm me disa shenja të lehta të infeksionit, ndërsa pak prej tyre mund të ankohen nga disa simptoma siç janë lodhje e madhe, mungesë e fuqisë, ndjenja e vjelljes, dhimbje barku, dhimbje kyçesh, temperaturë, të bardhat e syve dhe lëkura bëhen të verdha si dhe urina merr ngjyrë kafe të errët.
Shenjat e sëmundjes shfaqen 2-6 muaj nga data e infektimit.
Si te veproni?
Vizitoni mjekun për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshme pasi hepatiti B mund të shkaktojnë komplikacione tek të dy gjinitë.

Sifilizi
Është sëmundje që bartet me marrëdhënie seksuale të pambrojtura dhe është shumë serioze, por që mund të mjekohet plotësisht nëse trajtimi fillohet në kohë.
Shenjat tek dy gjinitë
Zakonisht paraqiten 2-12 javë pas marrëdhënie seksuale të pambrojtura me personin e infektuar. Zonat e prekura mund të jenë penisi ose vagina, dëmtimi i lëkurës (në formë të një dregëze) mund të arrijë 1 centimetër e trashë dhe pa dhëmbje. Zakonisht shfaqet në organet gjenitale të mashkullit apo femrës (rallë herë mund të paraqitet një dregëz e tillë edhe në buzë, gishta, anus ose në gojë). Nganjëherë është vështirë të shihet dëmtimi sepse ai mund të fshihet thellë në vaginë. Edhe po të mos trajtohet ai kalon vetë brenda dy javëve mirëpo kjo nuk d.m.th se sëmundja është shëruar. Pas shumë javësh ose muajsh nga zhdukja e dëmtimit, sëmundja mund të kaloj në fazën e dytë, në të cilën bakteria e sifilizit ka kaluar nëpërmjet gjakut në terë trupin.
Në fazën e dytë ju mund të keni këto simptoma,
Një skuqje në forme të puçrrave, veçanërisht në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve, por nuk përjashtohen edhe vendet e tjera.
Simptoma të ngjashme me gripin, si dhimbje koke, dhimbje fyti, lodhje, temperaturë.
Formimi i formacioneve të vogla si lytha pran organeve gjenitale.
Kujdes!!
Nëse ju shfaqen puçrra të çuditshme në trup, disa ditë ose javë pas shfaqjes së ndonjë dregëze në organet gjenitale atëherë vizitoni mjekun për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshme pasi sifilizi shkakton komplikacione tek të dy gjinitë.

Cilat janë shqetësimet më të shpeshta prej infeksioneve që barten përmes marrëdhënieve seksuale?
Personat e infektuar me ndonjërën prej shkaktarëve të këtyre sëmundjeve mund të kenë,
Sekrecion jo të zakonshëm nga vagina, penisi, që mund të ketë përmbajtjen e qelbit ose jo. Femrat zakonisht kane shtim të sekrecionit vaginal (tesha të bardha) që mund të ketë përmbajtje ujore të tejdukshme, të bardhë, të verdhë, të gjelbër dhe me erë.
Kruarje, irritime, dhimbje gjatë ose pas urinimit ose ndjenjën e urinimit të shpeshte.
Formacione si lytha, puçrra të vogla ose vraga në penis dhe vaginë.
Kruarje të/ose përreth organeve gjenitale
Dhimbje të testikujve ose zonën përreth tyre
Dhimbje barku
Rrjedhje të vogla gjaku pas kontaktit seksual ose gjakderdhje të paktën nga organet në mes të ciklit menstrual.



MOS MË HARRO



Sëmundjet ngjitëse që barten përmes marrëdhënieve seksuale (që në gjuhën mjekësore quhen sëmundje  seksualisht të transmetueshme apo sëmundje me bartje seksuale) janë një problem që shpesh herë për arsye të ndryshme mbahen të fshehta apo nuk vihen re fare.
Çdo njeri mund të infektohet në qoftë se vendos të ketë marrëdhënie seksuale të pambrojtura (mos përdorim të prezervativëve/kondomëve).
Sëmundjet që barten me marrëdhënie seksuale mund të jenë të ndryshme prej atyre më të lehta që nuk shkaktojnë shqetësime të mëdha deri tek ato që mund të shkaktojnë probleme serioze nëse nuk trajtohen me kohë. Për fat të mirë shumica e këtyre sëmundjeve ka shërim të plote nëse ato trajtohen me kohe, por disa prej tyre mund të jenë edhe vdekjeprurëse si HIV/AIDS.

Çdo njeri është i interesuar për mirëqenien e tij dhe për një jetë seksuale sa më të shëndetshme.


UNFPA Office in Kosovo
Kosova Health Foundation
In partnership with Ministry of Health and National Institute of Public Health of Kosova
Postuar te Mjekësi. Komentet "Off"

Fillon nesër Java e të ushyerit me qumësht të gjirit

Ky aktivitet i organizuar nga UNICEF-i-Zyra në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë zgjat prej 1 deri më 8 tetor ka për qëllim sensibilimin dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e të ushqyerit me qumësht të gjirit
Prishtinë, 30. 09. 2010
Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, fillon nesër shënimin e Javës së të ushqyerit me qumësht të gjirit në Kosovë.
Për të shënuar Javën e të ushqyerit me qumësht të gjirit, që do të zgjasë prej 1 deri më 8 tetor 2010, nesër do të organizohet një vizitë në Spitalin e Ferizajt, në Repartin për Gjinekologji dhe Obstetrikë, ndërsa në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, z. Johannes Wedenig, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë si dhe përfaqësues dhe aktivistë të programeve për arritjen e synimeve zhvillimore të Mijëvjeçarit.

Qëllimi i shënimit të Javës për të ushqyerit me qumësht gjiri është sensibilimi dhe ngritja e vetëdijes për rëndësinë e të ushqyerit më qumësht të gjirit.
Për këtë qëllim, nesër në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin e Ferizajt orën 10:00 do të mbahet edhe një konferenca për media.

Postuar te KOSOVË, Mjekësi, Ushqim. Komentet "Off"

Përkdhele fëmiun, bëhet më i fortë!

Dashuria e nënës është një armë shumë e rëndësishme për t’u rritur të shëndetshëm dhe për të përballuar tensionet e përditshme, për të pasur më shumë siguri në vetvete, për të qenë më pak të depresionuar dhe armiqësorë. Lidhja e dashurisë fillon që në bark të nënës. Por kujdes, mos adaptoni një stil të gabuar jetese, sepse kjo mund t’ju shkatërrojë gjithçka.


iStockphoto/Thinkstock

Tension, ankth, nevrikosje, ndryshime të humorit. Të gjithë këta elementë përmblidhen me një fjalë të vetme: stres. Sot stresi është një nga problemet parësorë, që prek shtatë në dhjetë persona. Ky të paktën është përfundimi i një studimi të fundit të universitetit “La Sapienza” të Romës kundër stresit. Prej kohësh shkenca po bën qindra studime për të kuptuar se cila është mënyra më e mirë për ta luftuar këtë fenomen. “Finnish forest research institute of Metla” në Finlandë thekson se stresi luftohet me një shëtitje në fshat ose mal.

Mos u çudisni. Merita është e ambientit të gjelbër, i vetmi që është në gjendje të ulë tensionin, të rregullojë humorin, të reduktojë inatin dhe agresivitetin, duke i bërë njerëzit më të lumtur. Efektet pozitive ndikojnë edhe në sistemin imunitar: rritet sasia dhe aktiviteti i qelizave të ashtuquajtura “natural killer”, pra qelizat që janë të afta të vrasin qelizat kanceroze, pa llogaritur pastaj të mirat ndaj zemrës dhe muskujve.
Një studim i ri, i publikuar te “Journal of Epidemiology and Community Health”, i është rikthyer edhe një herë temës së stresit, duke përfshirë në këtë mes edhe nënat. Sipas studiuesve, aftësia për t’i rezistuar stresit në moshë të madhe është e lidhur ngushtë me sasinë e dashurisë që një individ merr në muajt e parë të jetës. Me fjalë të tjera, përkëdheljet janë një armë shumë e rëndësishme mbrojtjeje, në mënyrë që kur të rritemi të jemi të aftë t’u rezistojmë tensioneve të përditshme, për të pasur më shumë siguri në vetvete dhe për të qenë më pak të depresionuar dhe armiqësorë.
Për të arritur te këto përfundime, një studiuese nga universiteti “Duke” në Karolinën e Veriut ka përzgjedhur 482 foshnja dhe i ka ndjekur gjatë rritjes deri sa kanë mbushur 34 vjeç. Psikologët kanë përcaktuar shkallën e dashurisë amësore kur fëmija ishte vetëm tetë muajsh. Pas disa vitesh, me po ata pyetësorë matën nivelin e shëndetit psikologjik të këtyre fëmijëve, tashmë të rritur. Nga studimi u vu re se fëmijët që kanë marrë më shumë përkëdhelje nga nënat kur kanë qenë të vegjël, janë bërë adultë të fortë, të aftë për të përballuar stresin e përditshëm. Këta persona shfaqnin nivele të ankthit shtatë herë më pak se bashkëmoshatarët e tyre, nënat e të cilëve nuk u kishin falur aq shumë dashuri. Pra, dashuria e nënës është një burim jetësor për t’u rritur të fortë dhe për ta përballuar jetën.
“Një marrëdhënie e mirë me nënën është shumë e rëndësishme për rritjen e një fëmije të shëndetshëm, mjafton që lidhja të fillojë kur foshnja është ende në bark. Një sjellje e ëmbël dhe miqësore e bën fëmijën më pak të ndjeshëm, e forcon dhe e çliron nga ankthi që shpesh herë shkakton stres”, pohon një psikiatre.
Në këtë rast i jepet të drejtë “epigjenetikës”: jo të gjitha karakteret e trashëguara nga prindërit varen nga ADN-ja. Për këtë arsye është e rëndësishme që periudha e shtatzënisë të kalohet në qetësi dhe lumturi. “Efektet e dobishme te fëmija nuk përfshijnë vetëm shëndetin psikologjik, por edhe atë fizik. Disa studime të kohëve të fundit sugjerojnë se një marrëdhënie e mirë me prindërit gjatë muajve të parë të jetës e mbron fëmijën nga diabeti dhe alergjitë”, thotë psikiatrja.
Duhet theksuar se përkëdheljet e nënës duhet të jenë të vazhdueshme, jo vetëm kur fëmija rritet. “Sot marrim mijëra stimuj, prandaj jemi edhe më të dobët ndaj abuzimeve, duhanit, alkoolit, ushqehemi keq, vuajmë nga pagjumësia. Të gjithë këta faktorë ndikojnë në stresimin e trupit. Kështu, një nënë që i është përkushtuar me mish e me shpirt foshnjës së saj, mund ta fitojë lehtësisht këtë betejë”, shton psikiatrja.
Sinjalet e një fëmije jo të lumtur janë të dukshme: fëmija është i lodhur, i heshtur, nuk ha shumë, nuk përfshihet në mënyrë spontane në lojë me fëmijët e tjerë, nuk luan, nuk pyet, nuk qesh, flet shumë pak. Nëse keni një fëmijë të turpshëm ose të mbyllur që nuk qesh ose ndërvepron shumë, kjo nuk do të thotë që ai nuk është i lumtur. Të qenit i turpshëm është ndryshe nga të qenit i mërzitur, por duhet shumë kujdes për t’i dalluar këto sinjale. Duhet të jeni të vëmendshëm për të dalluar ndryshimet madhore në sjelljen e tij. Kur fëmija izolohet ose është i frikësuar, kjo mund të jetë një shenjë që ai ka probleme dhe ju duhet t’i kushtoni vëmendje.
Studiuesit kanë identifikuar nëntë sinjale të lindura që fëmijët përdorin për të komunikuar ndjesitë e tyre. Prindërit mund t’i kuptojnë lehtë këto sinjale. Sinjalet negative që shfaqen te një fëmijë jo i lumtur janë stresi, zemërimi dhe frika. Shumica e prindërve e kuptojnë se një fëmijë që mërzitet lehtësisht dhe është i frikësuar, nuk është i lumtur, por kërkimet më të fundit shprehen se shumica e prindërve nuk e kuptojnë se një fëmijë i zemëruar është duke shprehur trishtim. Pavarësisht moshës, zemërimi është thjesht një shfaqje e dukshme e stresit.
Çdo fëmijë ka një mënyrë për të treguar se po kalon një periudhë të vështirë. Shumë fëmijë mund të shfaqin kapitje ose shpërthime të çastit, ndërsa të tjerët mund të bëhen “të ngjitshëm”.

Postuar te Kulturë, Mjekësi, Studim. Komentet "Off"

Mbrojtja nga alergjite

Shumë persona vuajnë nga ndonjë intolerancë lidhur me ushqimet, detergjentet, metalet, kafshët. Ja cila është mënyra për të zbuluar se çfarë na bën keq dhe se si mund të veprojmë në të tilla raste

Në një darkë mund të ftosh shumë persona dhe kjo është normale, apo jo? Megjithatë ka gjasa që mbrëmja mes miqsh të kthehet në një melodramë, sepse të gjithë vuajnë nga një intolerancë: dikush është alergjik ndaj peshkut, dikush tjetër nga vera, një tjetër ndaj qumështit, e kështu me radhë. Mos u çudisni nga ky fakt. Sipas të dhënave të fundit të epidemiologëve, llogaritet që 20-25 për qind e popullsisë vuan nga ndonjë formë e alergjisë ose intolerancës. Por si mund ta kuptojmë që një ushqim na bën keq dhe duhet ta shmangim?

Kur ushqimi është armik

Alergji ushqimore, intolerancë apo dhembje barku? Në këtë pikë krijohet shumë konfuzion. Shumë persona në fakt ia atribuojnë një alergjie simptomat që nuk arrijnë t’i shpjegojnë në tjetër mënyrë. Megjithatë, alergjikët e vërtetë janë relativisht të paktë në numër: 2-4 për qind e fëmijëve dhe rreth 2 për qind e të rriturve. Ushqimet e para që krijojnë alergji janë veza, qumështi, peshku, kikirikët, gocat e detit, lajthitë, soja dhe gruri. Ndonjëherë substancat përbërëse mund të mos jenë të deklaruara mbi artikullin e prodhuar dhe kështu është e vështirë për t’u shmangur. Për shembull, ëmbëlsirat mund të përmbajnë susam, kikirik, lajthi ose bajame. Disa proteina mund të përdoren si përbërës shtesë në disa produkte të ndryshme. Në këtë rast, kujdes të veçantë duhet të tregojnë personat që vuajnë nga alergjitë respiratore: për ta, probabiliteti për të qenë “viktima” të ushqimit është më i madh se mesatarja. Për shembull, kush është alergjik ndaj pjalmit të luleve, nuk mund të konsumojë as pjepër dhe as banane; kush reagon ndaj mështeknës, nuk mund ta durojë peshkun.
Për ta diagnostikuar më saktë një alergji ushqimore, kur nuk ka simptoma të rënda si shoku anafilaktik, duhet identifikuar ushqimi, ose një sërë ushqimesh të dyshuara që eliminohen nga dieta, për t’i rikthyer sërish më pas një nga një. Më vonë kërkohet një konfirmim përmes testeve të lëkurës. Për të diagnostikuar alergjitë ushqimore, nevojitet një ekspert i kësaj fushe. Rreziku qëndron në faktin se këto lloj alergjish mund të klasifikohen si alergji të patologjive të ndryshme, si intolerancë ndaj disa ushqimeve, por edhe çrregullime gastrointestinale, si sindroma e zorrës së ngacmuar, ose psikosomatike. Alergologët e universitetit të “Wurzburg” në Gjermani kanë kryer një studim te 400 pacientë që konsideroheshin alergjikë. Pas rezultateve të analizave ata zbuluan se vetëm gjysma e tyre vuante nga një lloj alergjie. Ushqimet e zgjedhura ishin kryesisht fruta ose zarzavate, arra dhe grurë. Pacientët e marrë në studim shfaqnin simptoma të ndryshme, nga urtikaria tek edema, e çrregullime gastrointestinale.
“Shpesh herë intolerancat ushqimore ngatërrohen me alergjitë. Intolerancat nuk e përfshijnë sistemin imunitar, por i detyrohen mungesës së një enzime (të bashkëlindur ose të mësuar) që arrin ta shndërrojë një molekulë në një tjetër, dhe gjithmonë janë më pak të rrezikshme”, shpjegon një studiues. Intolerancat më të përhapura janë ato ndaj laktozës, sheqerit të qumështit, glutenit, disa konservuesve dhe shtesave ushqimore si sulfitet që janë të pranishme te vera dhe pijet e tjera alkoolike. Prej disa vjetësh për verërat në shishe është bërë e detyrueshme që të publikohet prania e sulfiteve në etiketë, sepse mund të japin reaksione të rrezikshme të tipit astmatik, ose kardiovaskulare me ulje të presionit.
“Për fat të keq, intolerancat kanë filluar të jenë shumë në modë, por janë të pakta ato që mund të diagnostikohen në mënyrë rigoroze”, thotë një alergologe. “‘Moda’ e intolerancës është tepër e rrezikshme, sidomos për subjektet që janë vërtet alergjikë. Nëse në një shkollë ka fëmijë që janë alergjinë ndaj qumështit dhe vezës, është e lehtë t’i dallosh; por nëse ka të tjerë që pohojnë se kanë bërë testin dhe thonë se janë intolerantë ndaj domates, fasuleve, spinaqit, rrezikojnë të mënjanojnë personat të cilët vuajnë vërtet nga alergjia, duke vënë në rrezik shëndetin e tyre”.

Kur rreziku gjendet në ajër

Numri i patologjive respiratore vazhdon të rritet, gjë që përbën edhe pjesën më të madhe të alergjive. “Në vitin 2020, 50 për qind e fëmijëve do të vuajnë nga rrufa alergjike”, thotë një alergolog. “Tani kemi arritur në 25 për qind dhe tendenca e rritjes është e lartë më shumë për rrufën, sesa për astmën”. Papastërtitë, tymi, ndotja apo grimcat e pluhurave në shtëpi mund të jenë shqetësime serioze për alergjinë. Mjekët rekomandojnë kujdes ndaj alergjive të tilla, pasi ato mund të çojnë në astmë, në bllokim të sistemit të frymëmarrjes e ndonjëherë edhe në humbje jete. Teshtimat e shpeshta, shenjat e kuqe në lëkurë në formë hartash, kruajtjet e tyre të padurueshme dhe rëndim të frymëmarrjes: këto janë shenjat e një personi alergjik. Nuk rekomandohet qëndrimi në ambiente të hapura. Pluhurat e shtëpisë duhet të merren me pecetë të lagur; duhen shmangur vendet e pluhurosura ose e ecura në rrugë. Kur shenjat e alergjisë rëndohen, pacienti duhet t’i drejtohet menjëherë mjekut specialist. Për fat të mirë, alergjitë respiratore mund të diagnostikohen me një lloj sigurie përmes testeve të lëkurës, për shembull “patch test”, që konsiston në vendosjen e substancave të dyshuara në një zonë të caktuar të lëkurës, në mënyrë që të shihet reaksioni. Pastaj rezultatet konfirmohen me analizat e gjakut, të cilat kërkojë antikorpe të veçanta. Në vijim të diagnozës është i mundur vaksinimi, sidomos në rastet kur simptomat janë të rënda dhe ndikojnë në cilësinë e jetesës.
“Vaksinat kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe ka pothuajse për të gjitha llojet e alergjive respiratore”, shpjegon alergologu. I vetmi problem është se terapia është shumë e kushtueshme, arrin deri në 300 euro në vit. Një shifër kjo që nuk mund të përballohet nga të gjithë njerëzit.

Ujë dhe jo sapun

Mes detergjenteve, kremrave, fondatinës dhe parfumeve, një grua (por edhe një burrë) vendos çdo mëngjes në trup qindra substanca. Këtyre u shtohen edhe përbërësit që kanë mbetur në bizhuteri dhe rroba. Ky është një “sulm i heshtur” që e ngacmon lëkurën çdo ditë dhe e bën atë të reagojë në mënyrë të pazakontë, me kruarje, skuqje, ënjtje dhe shfaqjen e disa pikave të vogla të kuqe. Sipas të dhënave të një shoqërie dermatologjie, 40 për qind e dermatitëve jo profesionalë u detyrohen produkteve kozmetike, në 29 për qind të rasteve aksesorëve metalikë, në 14 për qind të rasteve ilaçeve dhe në 9 për qind rrobave. Pacientët me këto patologji paraqiten shpesh te dermatologët. Në pjesën më të madhe të rasteve përgjegjëse janë produktet për lëkurën (kremrat hidratues, kundër rrudhave, detergjentet e ndryshëm, locionet e djersës), të ndjekur më pas nga parfumet dhe produktet për flokët.

Postuar te Mjekësi, SHKENCË, Studim. Komentet "Off"

Ushqim i shijshem dhe pa kalori

Disa alternativa për të shijuar ushqimet që sado të përpiqemi e kemi të pamundur t’u rezistojmë: aperitivë, salca të ndryshme, akullore, pica, makarona, lëngje frutash. Këshilla për të kënaqur oreksin tuaj  
Nuk është e nevojshme të hiqni dorë nga një pije me gaz, ose nga një drekë e shijshme vetëm nga frika se mos merrni më shumë kalori seç duhet. Për të kënaqur veten dhe për të mos e rënduar veten, mjafton të dini se çfarë të zgjidhni. Ja disa këshilla të vlefshme.


Kokoshkat, në vend të patatinave

Zakonisht kur nuhasim aromën e kokoshkave e kemi të pamundur t’i rezistojmë. Por nëse dëshironi që t’i shijoni, provoni t’i përgatisni në shtëpi (duhet shumë pak punë) në mënyrë që të shmangni ato të konservuarat dhe të mos e ekzagjeroni me kripën. Janë të freskëta, të shijshme dhe përmbajnë shumë fibra. Për sa u përket kokoshkave, përmbajnë në total 60 kalori, kundrejt 150 kalorive që përmbajnë 30 gramë patatina. Patatinat janë të pasura me yndyrë, ndaj është një arsye më shumë për të mos e tepruar.

Fibra në mëngjes

Për të favorizuar rregullsinë intestinale në mëngjes, nuk mund të hiqni dore nga kornflekset. Por mos harroni, është më mirë të zgjidhni kornflekset me krunde se ato “muesli”, një përzierje drithërash me fara vajore dhe fruta të thata. Do të ishte mirë që qumështit t’i shtonit fruta të freskëta sipas dëshirës dhe të përdorni një lloj qumështi pak të yndyrshëm për ta filluar ditën në mënyrë sa më të shëndetshme. Kornflekset “muesli” mund të jenë natyrale dhe të shijshme, por përmbajnë shumë yndyrë. Përdoren më tepër për t’i dhënë shije kosit të thartë dhe të hollë.

Ëmbëlsirat: jepuni fund racioneve të mëdha, por jo kënaqësisë së shijimit

Nuk është e nevojshme të hiqni dorë nga akullorja, por do të ishte më mirë të zgjidhnit ëmbëlsirat me sherbet, kosin e ngrirë dhe kremrat e lehta. Për t’u kuptuar më mirë: shmangni ëmbëlsirat e tipit “NY Cookies” (ëmbëlsirat njujorkeze) ose ato që janë të bëra me miell dhe fruta të thata, të sheqerosura, copëza çokollate me qumësht e kështu me radhë. Shumë ëmbëltore dhe supermarkete ofrojnë akullore pa sheqer dhe yndryrna të shtuara, ose që janë bërë vetëm me qumësht të skremuar, pa u shtuar pana dhe vezë. Këto lloj ëmbëlsirash janë të shijshme dhe nuk të bëjnë të ndihesh në faj.

Picë po, por si?

Pica është një pjatë që përfshihet në shumë dieta. Bëhet fjalë për një vakt të plotë dhe jo shumë kalorik. Por duhet t’i kushtoni shumë rëndësi mënyrës së gatimit. Zgjidhja ideale do të ishte një picë “Margarita”, duke i shtuar zarzavate të prera hollë, si kunguj, speca dhe spinaq. Nëse i hidhni shumë mocarelë dhe përbërës të tjerë, si djathë gorgonzola, pana, salsiçe, sallam pikant, si aciditeti ashtu edhe kaloritë rriten për një minutë. Duke e tepruar me përbërësit, mund të arrini padashur te 720 kaloritë për një të tretën e picës.

E dini se çfarë pini?

Ka shumë persona që nuk i shijojnë frutat, prandaj zgjedhin t’i shtrydhin, duke i marrë në formën e lëngut. Nuk ka shumë rëndësi mënyra sesi merren, sepse këto lloj lëngjesh janë të pasura me vitamina, antioksidues dhe minerale. Asaj që duhet t’i kushtoni rëndësi është sasia e frutave që përmban një lëng: nëse janë pije të konservuara, zgjidhni ato ku shkruhet “100 për qind natyrore”. Të tjerat janë plot sheqer dhe kalori të panevojshme.

Disa lloje salcash mund të konsumohen, por të gjitha është e pamundur

Majonezë, salcë djathi, apo salcë jeshile? Asnjërën. Arsyeja? Janë të konservuara. Nëse e keni të vështirë të hiqni dorë nga salcat, zgjidhja e vetme në këtë rast do të ishte përgatitja vetë. Mund të zgjidhni “purenë” tipike të kuzhinës së Lindjes së Mesme, e cila përmban limon, vaj, hudhër, kripë dhe “tahina” (salcë susami, që gjendet edhe nëpër supermarketet e mëdha). Kjo lloj salce është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur. Shoqërohet me zarzavate të freskëta, si karota dhe selinoja, ose mund të lyhet buka me të. Është burim hekuri, vitamine C, proteinash dhe fibrash. Ndër të tjera përmban gjysmën e kalorive të një salce me djathë.

Ushqime të gatshme, por të shëndetshme

Nuk është e thënë t’i përjashtoni totalisht nga jeta juaj ushqimet e gatshme që blihen në supermarkete. E rëndësishme është të zgjidhni ato që përmbajnë zarzavate, pak yndyrna, jo shumë salca, pak kripë, në mënyrë që të shijohen dhe të mos jenë shumë për vështira për t’u tretur. Shmangni të skuqurat dhe zgjidhni kryesisht ato që janë të pjekura në zgarë ose në tigan dhe të thara në tym.

Makaronat e shijshme

A mund të heqim dorë nga makaronat? E pamundur. Edhe këtu, si me picën, vlen i njëjti rregull: t’u kushtojmë rëndësi përbërësve. Një salcë e mirë, e shëndetshme dhe e lehtë për t’u përgatitur, ju ndihmon të mos merrni shumë kalori dhe të shijoni deri në fund ushqimin tuaj të preferuar. Asortimentet e tepërta mund ta dyfishojnë sasinë e kalorive.

Prodhimet e detit

Karkalecat janë një alternativë e shëndetshme dhe shumë e shijshme për t’ua bashkangjitur ushqimeve të tjera. Mund të gatuhen në tigan ose në zgarë. Kanë më pak kalori, yndyrë dhe kripë.


Aperitivët

Përse duhet të hiqni dorë nga një festë e bukur me mikeshat? E rëndësishme është të mos e teproni. Për të ruajtur linjat, por edhe për të mos i bërë keq shëndetit, shmangni pijet alkoolike. Mos pini pije alkoolike kur e keni stomakun bosh, sepse thithen më shpejt nga organizmi. Nëse nuk pini alkool, atëherë shijoni një lëng domateje. Është shumë i shijshëm.
Postuar te Kuriozitet, Mjekësi, Ushqim. Komentet "Off"

Masazha ilaq


Fuqizojnë përgjigjet ndaj sistemit imunitar dhe ulin hormonet e stresit që qarkullojnë në organizëm

Lajme të mira për ata që i adhurojnë masazhet: që sot keni më shumë arsye për të qëndruar shtrirë mbi një krevat të rehatshëm, sepse sipas një studimi të Departamentit të Psikiatrisë së Neuroshkencave, të spitalit “Cedar’s Sinai” në Los Anxhelos, masazhet nuk janë vetëm qetësues, por kanë efekte të vërteta pozitive biologjike. Dy janë ndër më të rëndësishmit: ulin sasinë e hormoneve të stresit që qarkullojnë në trup dhe fuqizojnë përgjigjet e sistemit imunitar, duke na mbrojtur nga infeksionet dhe sëmundjet e ndryshme.

 

 Masazhi suedez

Shumë persona, për t’u ndier mirë, preferojnë masazhin me djersitje në palestër. Nuk do mend që po bëjnë diçka vërtet të mirë për shëndetin e tyre. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e mbledhura nga Mark Rapaport, koordinatori i studimit, i cili e kreu studimin e tij te 29 vullnetarë të shëndetshëm: disa prej tyre, iu nënshtruan për 45 minuta masazhit suedez, ndërkohë që 45 persona të tjerë iu nënshtruan masazhit të thjeshtë, thjesht sa për t’u qetësuar. Masazhi suedez është shumë i përhapur në Europë. Është shumë i thjeshtë për t’u bërë. I ngjan një masazhi të thjeshtë: personi i shtrirë mbi një krevat fërkohet me vaj. Kjo mënyrë duhet të garantojë efekt çlodhës dhe tonifikues (për këtë arsye shpeshherë propozohet edhe parandalimi i celulitit). Për t’i kuptuar më mirë efektet e vërteta të këtij lloj masazhi në organizëm, Rapaport u vuri vullnetarëve disa flutura në damarë për t’u marrë më lehtë gjak. Pas vendosjes së fluturës, pjesëmarrësit pushuan për gjysmë ore; më pas u morën disa kampionë gjaku, një dhe pesë minuta para masazhit. E njëjta gjë u përsërit në fund të masazhit, pas 1, 5, 10, 15, 30 dhe 60 minutave.

Efektet pozitive

Rezultatet e analizave të gjakut, të publikuara në tetor në “Journal of Alternative and Complementary Medicine” vërtetuan se masazhi nuk të bën të ndihesh mirë në përgjithësi, por mund të të bëjë vërtet mirë. Pra është tepër i shëndetshëm. Në fakt, edhe një masazh i thjeshtë, ka efekte çudibërëse dhe që janë më se të dukshme. “Masazhi suedez e ka rritur numrin dhe përqindjen e linfociteve në qarkullin, qelizat e sistemit imunitar që na mbrojnë nga infeksionet dhe sëmundjet e ndryshme”, shpjegon Rapaport. “Veç të tjerash ul në mënyrë drastike nivelin e një hormoni që është i përfshirë në sjelljet agresive dhe që shkakton rritje të hormonit të stresit, kortizolin. Vetë kortizoli, pastaj fillon dalëngadalë të pakësohet”. Pra, 45 minuta relaks i bëjnë mirë të gjithë organizmit. “Kohët e fundit masazhet janë bërë shumë popullore. Është llogaritur që një në dhjetë persona bën të pakën një masazh në vit”, thotë specialisti amerikan. “Shumë persona thonë se iu nënshtrohen masazheve sepse janë pjesë e rëndësishme e një stili të shëndetshëm jetese. Sot kemi shumë prova që është me të vërtetë kështu, sepse masazhi shkakton ndryshime fiziologjike të vërteta dhe të dukshme, me efekte tepër pozitive, mbi mirëqenien dhe shëndetin”, përfundon Rapaport.
Përgjithësisht qëllimi i masazhit suedez është ai i arritjes së një ekuilibri mes mendjes e trupit dhe zgjidhjes së mundshme të problemeve organike, duke i dhënë mundësi energjisë që të qarkullojë lirshëm në organizëm. Ai ndihmon në eliminimin e toksinave të akumuluara në trupin tonë dhe rrit vitalitetin e trupit. Përveç mirëqenies, masazhi suedez është përdorur për të zvogëluar dhe eliminuar shumë lloje dhembjesh, nga të cilat rrjedhin depresioni dhe ankthi.
Suedezët e parë e kombinonin masazhin me doza speciale vaji ose me substanca të esencave të gjalpit, që merreshin shpesh nga rrënjët, shkopinjtë dhe gurët. Masazhi realizohet mbi një trup, i cili është i gjithi i rrëshqitshëm nga vaji aromatik. Në fakt masazhatori arrin në disa pika sipas një procesi të paracaktuar dhe e bën kryesisht te gishtat dhe duart, por edhe në kurriz, e pjesë të tjera të trupit. Pikat që mund të stimulohen në këtë rast janë rreth 250.
Pjesa finale e masazhit konsiston në pastrimin e trupit nga vajrat e përdorura gjatë terapisë. Ndërkohë elemente të tjera i shtohen herë pas here kësaj terapie, e kushtëzuar pa as më të voglin dyshim edhe me gjendjen në të cilën është duke kaluar pacienti, që i nënshtrohet kësaj terapie.
Ndër të tjera masazhi suedez mund të përdoret edhe si një terapi e relaksit ose për të zgjidhur një sërë shqetësimesh. Për të arritur një efekt maksimal të mjekësisë suedeze kërkohet patjetër një përshkrim ku përfshihet gjithashtu edhe një dietë me një model të qartë teraupetik, duke ndryshuar jo vetëm stilin e jetesës, por edhe përdorimin e disa barnave të ndryshme, me bazë kryesisht bimore.
Mes terapive të ndryshme për përdorim të jashtëm, është gjithashtu edhe “cupping” (kupat e vjetra, për të cilat është shumë e famshme aktorja hollivudiane Gwyneth Paltrow), masazhi me gurë ose me guaska, dhe përdorimi i kompresave të ngrohta. Sipas testeve të ndryshme, të gjitha këto praktika, nëse përdoren të gjitha bashkë, çojnë drejt një ripërtëritje totale të trupit të njeriut.
Postuar te Mjekësi. Komentet "Off"

Shtatë notat na ndihmojnë që të rritemi të shëndetshëm

Sipas studiuesve të shkencave, muzika i ndihmon të vegjlit të komunikojnë, nxit të mësuarin kur janë fëmijë dhe ndihmon të arrijnë më shpejt moshën madhore. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për një këngë rrep të Eminemit, apo një simfoni të Bethovenit. Mjafton të shihni reagimet e një foshnje të sapolindur, për të kuptuar se ekziston një lidhje e padukshme mes njeriut dhe ritmit. Ja si zhvillohet ajo me kalimin e viteve

Ekziston një lidhje e fortë dhe ende misterioze që lidh muzikën me shpirtin dhe mendimet e njeriut. Përse vallë muzika mund të na shqetësojë ose të na qetësojë, të na shtyjë drejt një agresiviteti apo të na nxisë drejt një dashurie? Në ç’mënyrë muzika mund të ketë efekte terapeutike dhe të qëndrojë përkrah terapive psikiatrike të suksesshme? Vetëm prej pak vitesh shkenca, veçanërisht neuroshkenca, i është dedikuar kuptimit të fenomeneve që lidhen me dëgjimin e muzikës. Pikërisht zbulimet e fundit tregojnë se muzika dhe shkenca kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Sensi i të sapolindurve për muzikën

Fëmijët lindin me një prirje muzikore, pra kanë një ndjenjë të lindur. Disa orë pas lindjes janë në gjendje të njohin tingujt,

ndërkohë që muzika klasike aktivizon disa hapësira të kores dëgjimore në hemisferën e djathtë. Sensi i të sapolindurve për muzikën bëhet i dukshëm që në ditët e para të jetës, të qarat e tyre shprehen me të bërtitura dhe tingujt që riprodhojnë, sipas disa ekspertëve, janë njësoj si ato që dëgjonin kur ishin brenda barkut të nënës. Foshnjat janë të prirura ta thithin ngadalë muzikën. Ato nxjerrin tinguj dhe në këtë mënyrë komunikojnë me nënën dhe njerëzit e tjerë që i rrethojnë. Këtë fenomen psiko-biologët e quajnë “muzikalitet komunikues”.

Ndihmë për t’u rritur

Komunikimi i parë i bebes me nënën ndodh përmes një lloj këndimi, një melodi e vjetër dhe misterioze, por që është e njëjtë për të gjitha kulturat e botës. Nëna dhe fëmija lidhen me njëri-tjetrin përmes këtyre dueteve muzikore, të cilat e përgatisin trurin e bebes të ndjekë ritmet dhe gjuhën e së ëmës. E megjithatë kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Sipas psikologes Maya Gratier dhe psikiatres Gisele Apter-Danon, femrat e prekura nga çrregullimet e personalitetit ose depresioni, “mungojnë” në takimin muzikor me të vegjlit e tyre, nuk arrijnë të lidhen me ta dhe kjo gjë mund të ndikojë negativisht te fëmija kur të rritet.
Femrat e depresionuara u ofrojnë bebeve një meny muzikore më të larmishme, por zëri i tyre nuk është shprehës, ka ton të ulët, është pa ritëm dhe pa ngjyra. Por pavarësisht kësaj, foshnjat kanë shumë burime dhe kërkojnë ndihmë për t’u lidhur me persona të tjerë, të cilët dinë ta përmbushin këtë bashkëbisedim me këngë, që është jetësor për zhvillimin e tyre.

Të mësosh një gjuhë? Është më e lehtë me muzikë

Sipas disa studimeve, dëgjimi i muzikës nuk ju bën të zgjuar, ndërkohë që të krijuarit muzikë po. T’i biesh një vegle muzikore ndihmon në përmirësimin e lëvizjeve të trupit, arrin të dallosh më mirë notat dhe të njohësh sinjalet zanore nga zhurma; përmirëson aftësitë gramatikore (si muzika, ashtu edhe gjuha kanë një sintaksë të tyren), mësimin e gjuhëve dhe kuptimin e domethënies së fjalëve; arrin të ndash një pyetje nga një urdhër. Krijimi i muzikës zhvillon koren dëgjimore dhe zonat cerebrale të përfshira në kontrollin e lëvizjeve. Gjithashtu muzika ndihmon fëmijët që kanë probleme me gjuhën që të përmirësojnë performancën e tyre. Dëgjimi pasiv nuk zhvillon ndonjë funksion, është njësoj si të shikosh atletikë në televizor, por që vë muskuj.

Muzika në kohën e njeriut të Neandertalit

Muzika i ka rrënjët e thella. Nuk dihet ende se kur një paraardhës i yni ka kënduar melodinë e parë të historisë dhe ka prodhuar tingujt e parë, duke goditur gurët ose shkopinjtë. Por ne dimë se kur janë shpikur instrumentet e para muzikore. Më i vjetri daton para 40 mijë vjetësh. Është një flaut i bërë me kockën e një grabitqari. Muzika ka një domethënie të madhe sociale dhe kulturore. Që nga lashtësia e ka shoqëruar njeriun në ritet e shenjta, beteja e luftëra të ndryshme. Po ashtu, muzika ndihmon shamanët, të cilët komunikojnë me botën shpirtërore.

Muzika ndez “fitilin” e emocioneve

Muzika dëgjohet me veshë, por i flet shpirtit. Të gjithëve u ka ndodhur të mallëngjehen ndërsa dëgjojnë një melodi të trishtuar, të ndërhyjnë në një këngë dashurie, ose të nxehen me fqinjin që bën të dridhet pallati me muzikën e tij “heavy metal”, me volumin e ngritur deri në qiell. Përse-në na e shpjegojnë neuroshkencëtarët. Muzika nxit disa zona të ndryshme të trurit, madje është si “baruti” që ndez shumë hapësira, përfshi edhe ato përgjegjëse për emocionet, kujtesën, kontrollin motor dhe gjuhën. Asnjë stimul tjetër në botë nuk arrin ta aktivizojë trurin në këtë mënyrë. Një këngë mund të provokojë emocionin e puthjes së parë, ose kënaqësinë e një udhëtimi në një vend të largët. Muzika na nxit të kërcejmë, të këndojmë, të ndihemi mirë. Ajo është njësoj si çokollata dhe seksi.

Të shërohesh me shtatë notat

Muzika të shëron shpirtin dhe trupin. Këtë nuk e thonë vetëm poetët. Personat me Alzhajmer arrijnë të fiksojnë shpejt tekstet e këngëve. Përmes muzikës mund t’i ndihmosh të marrin informacione praktike, të vlefshme për aktivitetet e përditshme. Edhe pacientët e prekur nga iktusi (damllaja), kur dëgjonin dy orë muzikë në ditë, shfaqin rezultate të mira në testet e gjuhës dhe ishin më pak të trishtuar. Dëgjimi i muzikës para një ndërhyrjeje kirurgjikale ul ankthin e pacientëve. Pacientët që vuanin nga sëmundjet e rënda respiratore, kur i nënshtroheshin një testi muzikor, pas tetë javësh shfaqnin shenja përmirësimi.
Duke shfrytëzuar efektin e muzikës, në qendrat e rehabilitimit disa shkencëtarë po përpiqen të gjejnë terapi muzikore për të trajtuar shqetësimet e ndryshme si depresionin dhe ankthin, të shkaktuara këto nga stresi.
Postuar te Mjekësi. Komentet "Off"
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: