Dasma e Skënderbeut , si u kurorëzua heroi

Martesa ishte tërësisht politike, ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat.


Me artin e penës së tij, vite të shkuara, shkrimtari Sabri Godo në faqet e romanit të tij “Skënderbeu”, e përshkroi kështu dasmën e heroit tonë kombëtar:


“Në 23 prill 1451, Skënderbeu bëhej dhëndër i Gjergj Arianitit. Ai u martua me Donikën, që kishte vjet aq sa edhe këto prilli, 23, ndërsa vetë ishte 46 vjeç.
Në martesat shtetërore nuk luanin rol moshat dhe dëshirat. Ajo do të ishte një dasmë madhështore, sikur të mungonin tre djemtë e Arianitit, që gati u prishën me të atin për shkak të pajës. Në kontratën Muzakë Topia me pazarllëqe të rënda, Skënderbeu merrte toka në anën tjetër të Shkumbinit, para dhe ushqime të shumta.


Mungonin në dasmë Dukagjinët, ndërsa Hamzai, nipi i dashur flokëverdhë, rrinte i zymtë. Ai shihte të vinin nga kjo martesë një varg me djem siç ishte zakoni i Kastriotëve dhe të avullonin shpresat e tij për të trashëguar Principatën e Arbërisë. Por erdhi Proveditori i përgjithshëm i Venedikut, që solli në emër të Senatit një stoli të habitshme për nusen dhe dy palë rroba të purpurta për dhëndrin, erdhën ambasadorët e Napolit, të Vatikanit dhe Raguzës dhe mëritë e vogla kaluan në harresë.


Nusja e re dhe e lumtur e priti me faqet flakë burrin e saj, kalorësin e parë të Shqipërisë dhe netët e dasmës i kaluan si një vazhdim i avullit të verës, të muzikës dhe të dollive”.


Krushqitë e Kastriotëve


Një prej institucioneve të rëndësishme të feudalizmit ishte edhe martesa, e cila rregullohej nga një varg rregullash juridike dhe tradicionale. Përveç rëndësisë shoqërore, martesa i lidhte familjet fisnike në aleanca, koalicione dhe marrëdhënie të varësisë së shumëfishtë. Në martesat e përfaqësuesve të fisnikëve feudalë nuk kishin rëndësi dukuri të tilla si mosha, intelekti, formimi kulturor apo paraqitja e jashtme ose gjendja shëndetësore e bashkëshortëve të ardhshëm. Funksioni i parë i lidhjeve të tilla martesore ishte ai politik, i cili do të forconte pozitat e familjeve që lidheshin në këto krushqi.


Ndërkohë që në këtë kontekst u përfshi gjatë shekujve XIV-XV edhe familja e Kastriotëve. Ngritja e shpejtë e saj në fund të shekullit XIV, ku nga një familje me origjinë fshatare ajo u shndërrua në zotëruese të një prej principatave më të mëdha shqiptare (A. Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 25), bënë që: Gjon Kastrioti të krijonte lidhje të fuqishme martesore me familjet më të shquara feudale shqiptare. Ja se ç’shkruan në kronikën e tij historike bashkëkohësi i Skënderbeut, Princi Gjon Muzaka, për të tilla ngjarje: (Muzaka, Memorie, Tiranë, 1996, f. 44-45): “Dhe për më tepër ta dini që zoti Gjon Kastrioti i ati i Zot Skënderbeut, pati për grua Zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën bëri katër djem e pesë vajza. I pari u quajt Reposh, i dyti Stanish, i treti Kostandin dhe i katërti Gjergj.


Reposhi i lartpërmenduri ishte njeri fetar dhe shkoi në Malin e Sinait, u bë murg e ashtu vdiq. Bija e parë, Zonja Maria (Mara), u bë grua e Zot Stefan Cernojeviçit, e dyta Zonja Jella u bë grua e Gjon Muzakës (shënimi ynë), Zonja Angjelina qe martuar me Zot Vladan Arianit Komnenin, e katërta Zonja Vlajka qe martuar me Zot Balshën, e pesta Zonja Mamica qe martuar me Zot Muzak Topinë. Prej asaj të lartpërmendurës, së tretës, Zonjës Angjelinë dhe prej të përmendurit Zot Vladan Komnenit, u lind i poshtë shënuari Muzak Komneni, i thirrur nga populli i Angjelinës, që ishte nip i Skënderbeut. Prej tjetrës, motrës së katërt, Zonjës Vlajka të martuar me Zot Balshën u lindën Gjon e Gojko Balsha. E pesta Zonja Mamica u bë grua e Muzak Topisë, por që Zot Skënderbeu e ndau nga gruaja e parë që quhej Zanfina ose ndryshe Suina Muzaka dhe i dha Zonjën Mamicë, të motrën”.


Ndërkohë, duke plotësuar të dhënat e Gjon Muzakës në burime të tjera sqarojmë se e ëma e Skënderbeut, Vojsava, rridhte nga dera e Princit të Pollogut, me familje shqiptare e cila zotëronte rajonin që shtrihej prej Tetovës deri në Shkup. (Barleti, Histori e Skënderbeut). Duhet të theksojmë se Gjon Kastrioti martoi katër nga vajzat e tij si Marien, Jellën, Angjelinën dhe Vlajkën. Ai gjithashtu fejoi në mungesë edhe njërin prej djemve Kostandinin me Helena Topinë. Kjo fejesë nuk u realizua me martesë, sepse Kostandini u martua me një zonjë turke dhe nga kjo martesë lindi Hamza Kastrioti, njëri prej protagonistëve të luftës shqiptaro-turke të shekullit XV. Ndërsa për djalin tjetër të Gjonit dhe Vojsavës, Stanishin, që Fan Noli e rendit si fëmijën e madh të tyre, nuk kemi njoftim për martesën dhe familjen e tij.


Ndërsa, ashtu siç e përmendëm edhe më sipër, Reposh Kastrioti iu kushtua monakizmit (jetës së murgut) dhe vdiq në manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, Greqi. Varri i tij ndodhet atje edhe sot, ashtu siç pasqyron me fotografitë dhe shënimet e tij edhe studiuesi Sh. Nimani. (M. Zeqo, Mes Laokontit dhe Krishtit, Tiranë, 2000, f. 123) ose studiuesi sllav V. Petroviç (K. Frashëri, Studime për epokën e Skënderbeut, Aktet e Hilandarit, Tiranë, 1989, f. 438), i cili thekson se varri i Reposhit ndodhet brenda katedrales në murin verior të narteksit i pikturuar me subjekte kishtare.


Dy fëmijët e vegjël të familjes së madhe të Gjonit, Gjergji dhe Mamica, u martuan pas vdekjes së tij. Megjithëse akoma nuk dihet se përse Skënderbeu e prishi martesën midis Muzakë Topisë dhe Zanfina Muzakës, për ta martuar Muzakën në vitin 1445 me të motrën, Mamicën. Prishja e kësaj martese hamendësohet se i kushtoi rëndë Skënderbeut. Zanfina Muzaka u martua me Moisi Golemin (Moisi Komnen Arianitin), të cilin e shtyu kundër Skënderbeut. Veprimet dhe sjellja e Zanfinës e shtynë Moisiun edhe për shkaqe të tjera drejt tradhtisë në vitin 1455, pasojat e së cilës sollën disfatën në betejën e Beratit, ku gjeti vdekjen midis të tjerëve edhe Muzakë Topia. Ndërkohë që ky precedent solli edhe pakënaqësi tek Muzakajt, pasi Zanfina (Suina) ishte e bija e Despotit Gjin Muzaka dhe e motra e Gjon Muzakës, autorit të Kronikës së famshme. Ndërkohë, Gjin Muzaka ishte vëlla i Marie Muzakës, grua e parë e Gjergj Arianitit dhe nënë e Donika Kastriotit, gruas së ardhshme të Heroit. Gjin Muzaka ishte edhe një ndër pjesëmarrësit e Lidhjes së Lezhës dhe një prej bashkëluftëtarëve të Skënderbeut. Atëherë ky veprim i Skënderbeut mund të shpjegohet edhe me synimin e tij për të zgjeruar principatën e tij, duke përfshirë në të edhe principatat e tjera.


Në këtë kontekst, mund të ketë ndodhur edhe kjo ngjarje, e cila si shumë të tjera të ngjashme me të, sollën rebelimet ndaj Skënderbeut, të cilat historia jonë i quan me termin “Tradhtia feudale”. Të tilla raste ishin ato të Moisi Golemit dhe të nipërve të Skënderbeut si: Gjergj Stres Balshës, Hamza Kastriotit, Gjon dhe Gojko Balshës etj. Këto lidhje familjare, përveç njërës anë, atë të fuqizimit në formë aleance, sillnin edhe konflikte interesash, për shkak të pretendimeve mbi zotërimet brenda krushqive. Për sa kohë që praktika e dhënies së feudeve në formë paje gjatë martesave vazhdoi në shekujt XIV-XV, ajo u shoqërua edhe me konflikte të një natyre të tillë.


Raste të tilla në mënyrën më tipike ishin ato që kunati i Skënderbeut, Gjon Muzaka, i përshkruan kështu: “Dhe i lartpërmenduri Zot Skënderbeu qe i mençur dhe trim, i prirë për të bërë mirë dhe qe një Zot i madh ndër të gjithë pararendësit e tij. Pasi u bë kapiten i përgjithshëm i Zotërve të Shqipërisë e që në pak kohë synoi të zotëronte gjithë vendin. Vuri në pranga Zot Gjonin dhe Zot Gojkon e Balshajve… i mbajti në burg dhe u mori principatën e tyre, që shtrihej midis Krujës dhe Lezhës e që thirrej vendi i Misisë. I mori Moisi Komnenit principatën e tij, e cila ishte në Dibër. Ky Moisiu ishte njeri me zemër dhe trim dhe duke mos mundur ta durojë një dhunë të tillë, u arratis tek Sulltani. Dhe mbasi vdiq im atë, na mori edhe neve Tomonishten, domethënë Myzeqenë e Vogël dhe kështu bëri edhe me zotërit e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës”.




Dëshmitë e Barletit


“Sipas Barletit, Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej t’i zinte vendin”.


Edhe Gjergj Arianiti e mirëpriti këtë martesë, por edhe Skënderbeu ishte dakord për këtë fakt, sepse Gjergj Arianiti Komneni ishte i dëgjuar si askush tjetër për mbretërinë e tij të madhe dhe për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Gjithashtu, Donika ishte bërë e njohur që me kohë dhe mbahej në gojë për atë bukuri fort të rrallë. Paja iu la në dorë Gjergj Arianitit, i cili nga prika që i dha së bijës, i kënaqi të gjitha palët (Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1983, f. 382-384).


Martesa e Skënderbeut


Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi u shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato zotëronin. Si mbles, Skënderbeu dërgoi Gjin Muzakën, kunatin e Arianitit. Martesa ishte tërësisht politike, ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat. Ajo që na intereson, është fakti se kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 46-vjeçar dhe Donikës 23-vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës, i cili ndodhet 10 km në veri të Fierit. Këtë tezë e ka argumentuar qysh në vitin 1930 studiuesi italian, Lorenconi, i cili kur vizitoi këtë vit manastirin e pa të shkruar këtë fakt në një nga kodikët që ruheshin në bibliotekën e tij. Një burim tjetër për këtë fakt është edhe dëshmia e peshkopit Irene Banushi, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në Manastirin e Ardenicës. Në shënimet e tij për manastirin të botuara nga K. Beduli në librin monografik “Imzot Irene Banushi”, ai citon faktin se kur mbërriti në Ardenicë, gjeti te murgjit e manastirit të dhënat gojore se këtu ishte kurorëzuar Skënderbeu. Ky burim gojor dëshmon se fakti i martesës së Skënderbeut në Ardenicë është ruajtur gjallë nga murgjit dhe është transmetuar nga brezi në brez gjatë kohës nga viti 1451 deri në vitin 1967, kohë kur furia ateiste e drejtuar nga shteti shqiptar shkatërroi institucionet fetare dhe bashkë me to edhe një pjesë të kujtesës historike.


Çifti mbërriti në këtë manastir pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ai shoqërohej nga princat shqiptarë, njerëz të familjeve, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri.


Shpura udhëtoi nëpërmjet Rrugës së Muzakies në itinerarin Vlorë-Ardenicë, vetëm disa ditë pas dasmës në Kaninë.


Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 prill 1451, i drejtuar nga Peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apolonisë dhe i Ardenicës. Të nesërmen, Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare. Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikës së Gjergj Arianitit, i cili pas kësaj ngjarjeje shpejtoi të nënshkruante në qershor 1451 traktatin e aleancës me Alfonsin V të Napolit. Ja se ç’thuhet në një pasazh të tij: “Gjithashtu, të dyja palët kanë rënë në ujdi që qysh nga Berati, duke përfshirë Greqi e Myzeqe, deri tek një lumë që quhet Devoll (Seman), t’i jepen madhërisë së tij (Alfonsit) dhe vendi përtej Devollit t’i jepet Arianitit”, të cilin ai e kishte zotëruar edhe herë të tjera.


Donika


Andronika Gjergj Arianiti lindi rreth vitit 1428 (po të llogarisim se kur u martua më 1451 ishte 23 vjeç). Ajo ishte një ndër tetë vajzat që Gjergj Arianiti kishte me gruan e tij të parë Marie Muzakën (Dh. Shuteriqi, Arianitët, Studime për epokën e Skënderbeut II, Tiranë, 1989, f. 37-83). Ashtu siç e thotë edhe Barleti, ajo ishte një ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të Shqipërisë së shekullit XV. Ajo i përkiste një ndër familjeve më të fuqishme dhe më fisnike, duke qenë e bija e Gjergj Arianitit, njërit prej njerëzve më të shquar të fisnikërisë feudale shqiptare.


3 vjet pas martesës me Skënderbeun, Donika e gëzoi heroin me lindjen e djalit të vetëm të tyre, Gjonin e ri, i cili, sipas traditës, mori emrin e gjyshit. Në gravurat e kohës, ajo del si një femër simpatike, me tipare të spikatura të një zonje. Nuk dihet me saktësi roli që luajti ajo gjatë jetës bashkëshortore pranë Skënderbeut (1451-1468). Pas vdekjes së tij në 17 janar 1468, Donika u shpall regjente e të birit, Gjonit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut. E ndodhur në kushte të tilla në të cilat ajo nuk mund të ushtronte funksionin e saj, kur turqit kërcënonin në mënyrë më serioze shtetin shqiptar, Donika u largua së bashku me të birin në Itali. Në vitin 1468 suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, Mbret i Napolit, i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompensim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij.


Ardenica


Vetëm 10 km në veri të qytetit të Fierit, buzë rrugës nacionale, që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës, ngrihet Manastiri i Ardenicës me një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.


Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen e një objekti kulti të zakonshëm, fsheh në brendësi të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të futesh në labirintet e historisë së tij, aq më shumë dalin në dritë vlerat e tij, të cilat do t’i rendisim një e nga një në këtë shkrim.


Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës antike “Egnatia”, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Përreth manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra, të cilat të krijojnë mendimin se rreth tij ka pasur ndoshta një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit 1431-32, në nahijen e Myzeqesë, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë përreth manastirit.


Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konakët që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri i vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apolonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë, janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkëngjitet kambanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhet nga tri pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.


Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë. Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7.50 x 3.70 m.


Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapelës është mbuluar me harqe guri, pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.


Kastriotët e Italisë


Pas vdekjes së të atit, Gjoni 13-vjeçar dhe e ëma Donika, që siç e quan Gjon Muzaka, zonja Skënderbega (Gj. Muzaka, Memorie, f. 31) u larguan për në Napoli, duke shkuar tek Mbreti Ferdinand i Aragonës. Atje, Gjon Kastrioti u integrua në radhët e fisnikëve feudalë vendas, duke administruar pronat e veta dhe titullin e Dukës së Shën Pjetrit të Galantinës, dhuruar nga mbreti Ferdinand. Gjoni u martua me Dukeshën Erina Paleologa, duke lënë pesë fëmijë: Gjergjin (e ri), Kostandinin, Peshkop i Izernias, Ferrantin, Federikon, vdekur në Valencie të Spanjës dhe Marien (Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, Tiranë, 2002, f. 475). Nga kjo martesë rrjedhin Kastriotët e Italisë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Heroit tonë Kombëtar që jetojnë edhe sot në tokën Italiane.


Në vend të mbylljes


Legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në rajonin e Vlorës. Njëra prej tyre, e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit, thotë: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë” (Akademia e Shkencave, Epika Historike 1, Tiranë, 1983, f. 133). Ndërkohë që në Qishbardhë dhe Penkovë (Vlorë), ruhen katër toponime të tilla, si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut dëshmi të shekullit XV. Kujtesa popullore çuditërisht hesht vetëm për Ardenicën!? Atje ku u kurorëzua vërtet heroi!

About these ads
Postuar te Kuriozitet. Komentet "Off"
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: