Historia e Kosovës sipas Oliver Jens Schmitt

Historia e Kosovës jashtë shablloneve


Një histori e përshkruar sipas Dr.Oliver Jens Schmitt nga Skënderbeu e deri tek  “Gleichschaltung” i autonomisë.



Pingpong shkencor.
Para disa javësh në Prishtinë qëndroi Oliver Jens Schmitt, një historian zviceran, i cili është profesor në Universitetin e Vjenës. Ai ishte i ftuar nga organizatorët e Seminarit të Gjuhës, të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare, i cili për çdo vit mbahet në Prishtinë. Ndonëse për cilësinë e disa kumtesave që mbahen në këtë seminar mund të mos kemi ndonjë mendim entuziast, megjithatë seminari është një ngjarje me rëndësi të madhe kulturore, sepse bashkon shumicën e shkencëtarëve që merren me çështje të gjuhës, kulturës, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë. Prandaj, ftesa që organizatorët ia bënë Oliver Jens Schmitt-it ishte vërtet e qëlluar. Institucionet kulturore në Tiranë nuk i kanë bërë një ftesë të tillë, për fat të keq. Në Prishtinë Schmitt foli për mënyrën e shkrimit të historisë në Kosovë, për mangësitë e shumta dhe për shumë fusha që ende nuk janë trajtuar dhe lëvruar nga historianët shqiptarë. Kritika më e ashpër dhe gjithsesi e vërtetë që Schmitt ua bëri kolegëve të tij në Prishtinë ishte se shpeshherë trajtesat e tyre historike i kanë shkruar si përgjigje ndaj pamfleteve serbe dhe jo si përpjekje serioze shkencore. Me fjalë të tjera: Mes historianëve serbë dhe shqiptarë është luajtur një lloj pingpongu kuazishkencor me qëllim që argumentet përjashtuese të tjetrit të goditen stuhishëm. Natyrisht Schmitt kritikën e tij e formuloi me modestinë dhe kujdesin e njohur, që i karakterizon shumë zviceranë, sidomos ata të qarqeve akademike dhe publicistike.

Skënderbeu.
Oliver Jens Schmitt është autor i biografisë së parë kritike të Skënderbeut. Botimi i këtij libri në Tiranë kishte ngjallur debate mjaft të ashpra. Intelektualë senilë dhe baballarë të vetëshpallur të kombit pa e lexuar fare librin hodhën kritika të ashpra kundër autorit, duke e akuzuar se e kishte njollosur figurën e Skënderbeut, sepse kishte përmendur lidhjet e familjes së tij me sllavët dhe kishte shkruar se njëri nga motivet e luftës së Gjergj Kastriotit kundër osmanëve kishte qenë edhe hakmarrja për shkak se osmanët ia kishin vrarë të atin. Nuk ia vlen të merremi këtu me debatin shqiptar që u zhvillua lidhur me librin e Schmitt-it për Skënderbeun. Ka ende intelektualë shqiptarë bjerraditës dhe „aktivistë të çështjes kombëtare“ që vërtet besojnë se kur një historian apo publicist i huaj formulon ndonjë kritikë ndaj shqiptarëve, ai këtë e bën me „porosi“ të Beogradit. Nuk ia vlen të merremi këtu as me ata intelektualë provincialë të Prishtinës, të cilët kur Schmitt e mbajti ligjëratën shprehnin habi se historiani qenka „një djalë i ri“, se po „folka shumë mirë gjuhën shqipe“ etj. Jo pak historianë të Prishtinës preferuan ta bojkotonin ligjëratën e Schmitt-it. Njëri prej tyre deklaroi në media se nuk e kishte ndjekur ligjëratën për shkak se nuk dëshironte t’i jepte rëndësi autorit. Kritikat e tilla ndaj Schmitt-it e kanë shtyrë madje edhe historianin britanik Noel Malcolm të intervenojë dhe t’ia tërheqë vëmendjen opinionit shpesh injorant shqiptar se Schmitt është një historian serioz dhe njëri prej njohësve më të mirë të historisë së shqiptarëve. Krahas biografisë së Skënderbeut Schmitt ka shkruar dhe botuar në vitin 2008 një libër mbi historinë e Kosovës, vlera e të cilit është shumë e madhe. Gjatë ligjëratës së Schmitt-it në Prishtinë i vetmi që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve mbi rëndësinë e këtij libri ishte akademik Rexhep Ismajli, i cili është njëri prej shkencëtarëve të rrallë të Kosovës që jo vetëm i përcjell, por edhe i lexon botimet mbi çështjet shqiptare në botën perëndimore. Libri i Schmitt-it i dedikohet, në radhë të parë, opinionit të interesuar gjermanishtfolës, por do të ishte shumë me rëndësi që kjo vepër të përkthehej edhe në gjuhën shqipe, sepse është një analizë brilante e historisë, e paanshme dhe e shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, larg vokabularit të mërzitshëm shkencor (ose “fachchinesisch”, siç thuhet në gjermanisht, pra kinezishte për ekspertë).

Një trevë ballkanike.
Libri i profesor Schmitt-it për historinë e Kosovës mban këtë titull: “Kosovo – Kurze Geschichte einer zentralbalkansichen Landschaft” (në shqip: “Kosova – histori e shkurtër e një trevë qendrore ballkanike”). Autori që në hyrje të librit e shpjegon se nocioni “trevë qendrore ballkanike” mbështetet në një formulim të ngjashëm të historianit Edgar Hösch, i cili me këtë emërtim i përthekon, para së gjithash, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë Veriore. Në libër Kosova nuk trajtohet si zonë e izoluar, por si trevë e Ballkanit, e cila gjatë historisë ka pasur kufij të ndryshëm, fundja, siç e theksoi Schmitt edhe gjatë ligjëratës në Prishtinë, Kosova në kufijtë e tanishëm ekziston tek pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Librit i paraprinë një paraqitje e imazheve historike të serbëve dhe shqiptarëve mbi Kosovën, imazhe këto që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Grindja për atë se kush ka lindur i pari në Kosovë vazhdon të jetë pjesë e pandashme e konfliktit serbo-shqiptar. Kjo grindje në gjermanisht quhet “Streit um das Erstgeburtsrecht” (grindje për atë së kush ka lindur i pari në një vend) dhe është nocion i njohur për përshkrimin e konflikteve të ngjashme si ky në Kosovë. Siç u tha, kufijtë e tanishëm të Kosovës janë skicuar tek pas vitit 1945. Si zonë administrative Kosova u bë e njohur tek në vitin 1877 me krijimin e Vilajetit të Kosovës, i cili përfshinte pjesë të Maqedonisë, Serbisë dhe të Malit të Zi të sotëm. Qendër e Vilajetit fillimisht ishte Prishtina, më vonë Shkupi. Sipas profesor Schmitt kufiri i sotëm i Kosovës me Shqipërinë ishte caktuar në vitin 1913, duke pranuar interesat strategjike serbe.


Në fillim na ishte Dardania.
Perandoria Romake e pushtoi territorin e Kosovës së sotme tek në vitin 44 pas Krishtit (ose erës së re) dhe u takua me fise të ndryshme ilire, prej të cilëve më i njohuri ishte fisi i dardanëve. Gjeografët antikë dhe historianët i përshkruanin dardanët si barbarë: të pandershëm, të egër, por edhe të guximshëm dhe kryengritës. Perandoria Romake stacionoi një legjion në Shkupin e sotëm dhe filloi të rekrutojë dardanët për ushtrinë romake. Një njësi e tillë u vendos në Naissus (në Nishin e sotëm). Perandori romak Mark Aurel i përmend “plaçkitësit dardanë”. Bashkë me pushtimin romak filloi edhe kristianizimi i dardanëve; kjo ndodhte sidomos gjatë shërbimit në ushtrinë romake. Ai që përqafonte fenë e krishterë integrohej më lehtë në Perandori. Schmitt shkruan se për shkak të mungesës së burimeve periudha mes përfundimit të sundimit romak (rreth vitit 600) dhe integrimit të Kosovës në Perandorinë Bizantine (1018) është pothuaj e pakapshme. Për këtë periudhë nuk ka asnjë dëshmi të pranisë së sllavëve në Kosovë. Supozohet se para shekullit të 9-të në Kosovë nuk ka pasur ndonjë sistem të gjerë administrativ. Po ashtu, sipas Schmitt-it, duhet theksuar se Perandoria Bullgare, e cila shtrihej në territorin e Kosovës, në shekullin e 9-të nuk ka qenë sllave; ajo ishte themeluar nga protobullgarët, të cilët flisnin një gjuhë turke. Protobullgarët u sllavizuan tek në shekullin e 10-të. Bizanti e zaptoi rajonin e Kosovës në vitin 1018, kur tashmë ishte zhbërë tradita romake dhe gjuha greke tashmë s’ishte e njohur. Popullsia i përkiste fesë ortodokse, por jo traditës së saj bizantino-greke, por bullgaro-sllave. 
Për t’u mbrojtur nga sulmet sllave Bizanti vendosi garnizone ushtarake në Lipjan dhe Prizren. Kriza e Perandorisë Bizantine e detyroi atë të tërhiqet drejt jugut. Në vitet 1093-94 zhupani serb Vukan pushtoi Kështjellën e Lipjanit, por pas një kohe ai u detyrua të ikte drejt veriut. Në shekullin e 12-të serbët arritën të depërtojnë luginës së lumit Ibër dhe të pushtojnë Kështjellën e Zveçanit. Deri në fund të shekullit të 12-të serbët mbajtën veriun, ndërsa rrafshin e Kosovës e kontrollonin bizantinët. Pak a shumë sikur sot: serbët sundojnë veriun, në pjesën tjetër qeverisin autoritetet e Prishtinës. Tek në vitin 1190 serbët arritën të depërtonin deri te malet e Sharrit. Shkatërrimi i Bizantit i mundësoi serbëve që për 180 vjet të sundojnë në Kosovë.


Nën serbë.
Schmitt thekson se nga pikëpamja historike sundimi serb në Kosovë është shumë i shkurtër, prandaj ai në librin e tij këtë periudhë nuk e trajton si pushtim imperial. Të tilla konsiderohen pushtimet romake, bizantine dhe osmane. Për serbët pushtimi i Kosovës dhe Maqedonisë ishte zbulim i një bote të panjohur për ta. Schmitt shkruan se serbët e kanë parë për herë të parë kulturën qytetare bizantine tek pas pushtimit të rajoneve të Kosovës dhe Maqedonisë. Për kurorën serbe pushtimi i Kosovës ishte një shans i mirë për përparim ekonomik, sepse rajoni kishte fusha pjellore dhe miniera argjendi në Trepçë dhe Novobërdë. E njohur përtej rajonit në atë kohë ishte sidomos Novobërda (në gjermanisht: Neuberg, në italisht: Novomonte), e cila në atë kohë kishte një legjislacion të qytetit, gjë që ishte diçka e rrallë në Ballkan. Meqë serbët nuk kishin as kapital, as teknologji për të punuar në miniera, ata angazhuan tregtarë nga Dubrovniku dhe minatorë gjermanë nga Sllovakia e sotme. Schmitt shkruan se me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe me përfitimet që nxirrnin nga minierat mbretërit serbë arritën të financojnë ndërtimin e shumë objekteve fetare në Kosovë. Përmes këtyre ndërtimeve serbët e asaj kohe lanë më shumë gjurmë në Kosovë se sa bizantinët. Schmitt në trajtimin e kësaj periudhe bën një dallim të qartë mes dinjitarëve dhe mbretërve serbë nga njëra anë dhe popullsisë sllave në Kosovë në anën tjetër. Sipas tij nuk ekzistojnë burime mbi identitetin etnik të sllavëve të asaj kohe në Kosovë, pra nuk mund të thuhet se ata kanë qenë (vetëm) serbë. Me një fjalë: Elita ishte padyshim serbe, por kjo nuk mund të thuhet pa asnjë dyshim për popullsinë fshatare.


Rruga drejt Kosovës

Nën osmanë.
Grindjet mes prijësve serbë të asaj kohe e dobësuan perandorinë e tyre, duke e bërë të pafuqishme për të përballuar osmanët, të cilët po përparonin drejt Ballkanit. Ishin tri fisnikëri që arritën të kenë pushtet në Kosovë. Në jug ishte Car Llazari, i cili zotëronte edhe minierat në Novobërdë. Në veriperëndim, në Drenicën e sotme, sundonin të bijtë e Branko Mladenoviqit, Brankoviqët. Këto dy familje dominuan shekullin e fundit të shtetësisë serbe në Kosovë në Mesjetë, nënvizon Schmitt. Në Dukagjin (ose Metohi, siç quhej kjo pjesë e Kosovës nga sllavët) “u shfaq një fisnikëri tjetër, prejardhja etnike e së cilës (serbe, shqiptare, vllahe) është e paqartë: Balšici (shqip: Balshajt). Ambicia e tyre do ta hidhte Kosovën në greminë”, shkruan Schmitt. Zhvillimi i ngjarjeve në prag të pushtimit osman, gjithnjë sipas autorit, është si vijon: Gjergj Balsha II ishte në armiqësi me Mbretin e Bosnjës. Meqë vetë nuk ia merrte mendja të luftonte kundër tij, Balsha II i thirri në ndihmë trupat osmane, por e humbi betejën bashkë me to në vitin 1388. Pas kësaj disfate nga boshnjakët Sulltan Murati I u përbetua se do të marrë hak. Për të marshuar drejt Bosnjës atij i duhej të kalonte nëpër Kosovë. Për të penguar kalimin e osmanëve fisnikët serbë lidhën aleancë me Mbretin e Bosnjës Tvrtko I. Në qershor të vitit 1389 u bashkuan fisnikët serbë, boshnjakë dhe një fisnik shqiptar nga Shqipëria jugore. Përleshja që pasoi në histori njihet si Beteja e Kosovës. Schmitt shkruan se me gjithë pretendimin e historianëve shqiptarë se pjesëmarrës në Betejën e Kosovës ka qenë edhe Gjergj Balsha II, i cili prej po këtyre historianëve cilësohet si shqiptar, dihet se ai qëndroi në Kështjellën e tij detare në Ulqin, sepse kishte ngjallur zemërimin e të dyja palëve në luftë. Koalicioni serb, boshnjak dhe pjesërisht shqiptar, siç dihet, e humbi betejën. Shumica e fisnikëve serbë u bënë vasalë të osmanëve. Këtu e tutje osmanët dhe fisnikët serbë sundonin bashkë Kosovën. Integrimi i Kosovës në Perandorinë Osmane u vonua për disa vjet për shkak të disfatës së Sulltan Bajazitit I kundër sundimtarit të mongolëve Timur Lenkut në betejën afër Ankarasë më 1402. Derisa osmanët ishin të angazhuar në fronte të tjera pushtetin në Kosovë arriti ta stabilizonte despoti serb Stefan Lazareviq, por as ky nuk pranoi të hiqte dorë nga vasaliteti ndaj osmanëve. Pasardhësi i tij Gjuragj Brankoviq, e bija e të cilit ishte gruaja e Sulltan Muratit II, në vitin 1439 u dëbua jashtë vendit dhe territoret serbe iu bashkëngjitën Perandorisë Osmane. Brankoviq organizoi në vitin 1443 bashkë me prijësin e ushtrisë hungareze Gjon Huniadin dhe me fisnikë shqiptarë (mes tyre edhe me Skënderbeun) sulme të shtuara kundër osmanëve, kështu që ata u detyruan t’ia kthenin atij principatën vasale. Si princ ortodoks Brankoviqi mbante distancë ndaj katolikëve. Si vasal osman ai shpresonte se mund të evitonte si ndikimin perëndimor ashtu edhe dominimin osman. Për këtë shkak ai, sipas Schmitt, nuk mori pjesë në ofensivën e madhe kundër osmanëve të organizuar nga Huniadi dhe Skënderbeu. Në nëntor 1448, Murati II e mundi ushtrinë hungareze në Gazimestan, aty ku ishte zhvilluar Beteja e Kosovës në vitin 1389. Në luftën e vitit 1448, në Fushë-Kosovë nuk kishte arritur të merrte pjesë Skënderbeu, i cili gjatë rrugës ishte ngatërruar në konflikte të vogla në veri të Shqipërisë. Për dallim nga shumica e historianëve serbë, të cilët thonë se pushtimi i Kosovës nga osmanët ndodhi definitivisht në vitin 1389, Oliver Jens Schmitt mendon se tek pas Betejës së Dytë të Kosovës më 1448 u vulos përfundimisht fati i këtij rajoni. Despoti serb nuk e kishte përkrahur ushtrinë katolike dhe këtë e pagoi me humbjen e Kosovës (1455) dhe me fundosjen e gjithë principatës serbe. “Një pjesë e familjes së tij iku te Skënderbeu, i cili ishte i afërm me Brankoviqët. Një kundërthënie etnike mes serbëve dhe shqiptarëve nuk mund të konstatohet në elitën e Mesjetës – lidhjet e ngushta të fisnikërive serbe dhe shqiptare ortodokse e tregonin të kundërtën: Nëna e Skënderbeut ishte me gjasë nga dera e Brankoviqëve, dhe i biri i tij (i Skënderbeut) Ivani (Gjoni) u martua me Irena Brankoviqin”.


Integrimi përmes ushtrisë.
Integrimi në shoqërinë osmane i shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë filloi përmes inkuadrimit të të rinjve në ushtri. Ndonëse sulltanët në shekullin XV nuk kërkonin që ushtarët të ndërronin fenë, megjithatë jo pak prej tyre këtë e bënin. Si të krishterë ata jo vetëm që merrnin paga më të ulëta, por ishin të diskriminuar edhe në forma të tjera. Shumica e ushtarëve në Kosovë rekrutoheshin për njësitë e kalorësisë (këta ushtarë quheshin timariotë ose spahi). Një arsye tjetër për të ndërruar fenë ishin gjasat më të mëdha për të përparuar në karrierë. Deri në fillim të shekullit XVI këtë e kishin bërë shumica e timariotëve. Një metodë tjetër për integrimin e shqiptarëve ishte marrja peng/rekrutimi i dhunshëm i të rinjve (osmanisht: devsirme, shqip: haraç në gjak, gjermanisht: Knabenlese, serbisht: krvni danak). Pasi stacionoheshin nëpër kazerma të ushtrisë osmane të rinjtë s’kishin zgjidhje tjetër përveçse të kalonin në fenë islame. Prej tyre pastaj u krijua trupa elitare e ushtrisë, të ashtuquajturit jeniçerë. Kjo trupë përbëhej kryesisht prej boshnjakëve dhe shqiptarëve. Sipas Schmitt, rasti i jeniçerëve tregon se shqiptarët si në kohën e Perandorisë Romake (Imperium Romanum) edhe në Perandorinë Osmane morën detyrën e njëjtë: ata përbënin bërthamën e trupave elitare. Madje shqiptarët e Kosovës kanë qenë pjesë e trupave osmane, të cilat mes shekujve XVI dhe XVIII sulmuan Evropën e Mesme, për shembull gjatë rrethimit të dytë të Vjenës në vitin 1683. Sa i përket fesë: Schmitt thekson se pretendimi i disa historianëve shqiptarë se para islamizimit shqiptarët e Kosovës kanë qenë të gjithë katolikë nuk është korrekt: shqiptarët autoktonë, të cilët jetonin në Kosovë në Mesjetë, i përkisnin kryesisht besimit ortodoks. Një paradoks tjetër që Schmitt e përshkruan në librin e tij është rasti i fanëve, katolikë të ardhur në Kosovë nga Fani i Madh dhe Fani i Vogël. Në shekullin XIX ata u rekrutuan nga osmanët si polici ndihmëse. “Kështu malësorët shqipfolës katolikë i shërbyen Sulltanit besnikërisht edhe kundër shqiptarëve myslimanë, të cilët në vitin 1878 u rebeluan kundër Sulltanit”.


Disa fakte të tjera.
- Perandoria Osmane e bënte ndarjen territoriale të Kosovës sipas interesave të administratës së saj. Këtë e tregon shembulli i Vushtrrisë. Pas vitit 1541 ky qytet i takonte provincës Ofen (Buda, në Hungari). Më vonë Vushtrria iu kthye krahinës së Rumelisë.
- Një vështirësi gati e pakalueshme e osmanëve ishte pushtimi i zonave malore të banuara me shqiptarë. Një gjë e tillë ishte arritur sidomos në vitin 1466/67 pas vrasjeve masive dhe dëbimeve. Megjithatë, pas një kohe dhe në pamundësi të përballonin rezistencën e popullsisë lokale trupat osmane tërhiqeshin. Pikërisht në këto vise malore u krijua një traditë e administrimit dhe jetës larg shtetit. Në këtë kuadër duhet parë edhe të drejtën zakonore (Kanunin), i cili u përhap në shumë vise të banuara me shqiptarë. Sipas Schmitt, Kanuni është “shprehja më e qartë e distancës së madhe ndaj shtetit dhe institucioneve të tij”. Në Perandorinë Osmane vlente sheriati, pra e drejta fetare islame, e cila plotësohej nga e drejta perandorake e Sulltanit (kanun; nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën zakonore shqiptare). Se shteti osman nuk kishte arritur pas shumë e shumë deceniesh të etablojë sistemin e tij juridik në Kosovë tregon ky shembull, të cilin Schmitt e sjell në librin e tij: “Në vitin 1890 Sulltan Abdylhamiti e ngarkoi gjeneralin e tij komandues në Kosovë, Et’hem Pashën, për të zgjidhur një zënkë mes fiseve Gashi dhe Shala. Gjenerali mblodhi parinë shqiptare-myslimane nga Gjakova dhe Peja, si dhe krerët e fiseve të Junikut dhe Vokshit. Objekt i konfliktit ishte një mal i liruar nga tatimi, i cili i takonte Manastirit ortodoks të Deçanit. Banorët e fshatrave përreth gëzonin të drejtën që të prisnin dru në këtë mal. Por, në vitin 1716 banorët e fshatrave kishin filluar një ngatërresë me pjesëtarët e fisit Shala lidhur me kufizimin e saktë të pronësisë përkatëse të tokës. Në vitin 1870 shpërtheu një luftë e hapur, e cila kishte pushuar përkohësisht pas ndërmjetësimit të fiseve Berisha dhe Thaçi. 20 vjet më vonë konflikti shpërtheu sërish, kësaj radhe për shkak të vadave nga lumi i Bistricës për ujitjen e arave. Brenda një viti në fshatin Isniq (Shalë) u plagosën 38 burra dhe 25 u vranë, fshati Deçan kishte 43 të plagosur dhe 23 të vdekur. Në përgjithësi kjo fushatë hakmarrjeje brenda një viti ua mori jetën 128 viktimave”. Pra, gjeneral Et’hem Pasha më tepër ishte ndërmjetës sesa autoritet ekzekutiv i shtetit. Edhe në kapërcyell të shekullit XIX osmanët nuk ishin në gjendje të zbatonin monopolin e pushtetit as në zonat e ulëta, e lëre më në male.
- Gjatë sundimit osman Prizreni ishte ndër qytetet më të bukura dhe më të rëndësishme të Perandorisë. Prizreni po ashtu deri gati në fund të shekullit XIX ishte qendra e vetme vërtet urbane e Kosovës. Qyteti numëronte 28 xhami, prej të cilave e para ishte ndërtuar në vitin 1455.
- Gjatë sundimit osman Kosova ishte ndër rajonet më të trazuara. Në vitin 1831 në Bosnjë morën pushtetin myslimanët konservativë dhe pastaj ata u vërsulën në Kosovë, ku gjetën mbështetjen e myslimanëve shqiptarë, të cilët ishin kundërshtarë të reformave osmane. Së bashku myslimanët e Bosnjës dhe të Kosovës mposhtën një armatë të fuqishme osmane; në vitet 1831/32 trupat e Sulltanit sërish vendosën pushtetin e tyre. Kjo kryengritje, sipas Schmitt, tregon se “myslimanët e Kosovës ishin ndër armiqtë më të ashpër të çdo modernizimi të Perandorisë; (…) Kështu u krijua një bllok mysliman dhe armiqësor ndaj reformave në Ballkan kundër reformatorëve myslimanë në Stamboll”.


Hendeku mes kodrës dhe rrafshinës.
Gjatë sundimit osman dallimi më i madh në shoqërinë e Kosovës ishte ai mes atyre që banonin në kodra dhe të tjerëve që banonin në rrafshinë, kryesisht nëpër lokalitete, si Prizreni, Peja, Gjakova, Prishtina, Vushtrria, Gjilani. Perandoria i shihte viset kodrinore si zona të egra, si periferi të parëndësishme, ku burrëria, trimëria dhe mbajtja e armëve ishin pjesë e botëkuptimit themelor të banorëve. Një botë tjetër ishte rrafshina, ku punonin zejtarë, ku përdorej shkrimi, ku punonte administrata etj. “Në fazën e vonshme të sundimit osman në qytet dhe në fshat jetonte një shumicë shqiptaro-myslimane, e cila ishte e ndarë përmes përkatësisë së kulturës qytetare-osmane respektivisht fshatare shqipfolëse”, shkruan Schmitt. Në qytete u krijuan identitete të veçanta, siç është identiteti i turk-shqiptarit, i cili kishte një habitus (sjellje) osmane dhe kjo e dallonte atë nga shqiptarët që jetonin në fshatra.


Prej shafranit dhe orizit deri te Azem Bejta


Ekonomia
Rrethi vitit 1450, në ekonominë e Kosovës rëndësi më të madhe kishte prodhimi i verës sesa mbjellja e të lashtave. Në gjysmën e dytë të shekullit XVI në Kosovë për herë të parë erdhi orizi. Prej kulturave të veçanta që mbilleshin në Kosovë dalloheshin: liri, shafrani dhe krimbi i mëndafshit. Në vitin 1595, në qarkun që e përfshinte Gjykata e Prishtinës administrata tatimore osmane kishte regjistruar 150 mijë kafshë të vogla.


Kisha
Sidomos ditëve të fundit, në prag, gjatë dhe pas inaugurimit të patriarkut serb Irinej në Patrikanën e Pejës u dëgjuan fjalë të mëdha nga arsenali religjioz-patriotik-politik serb mbi Kosovën si “shpirtin e shpirtit të Serbisë”. Natyrisht që Kosova si trevë historike është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të identitetit, kulturës dhe historisë serbe. Por jo rrallë feja në Kosovë është keqpërdorur në interes të politikës ditore. Ky trend negativ vazhdon edhe sot. Në librin e tij Oliver Jens Schmitt tërheq vëmendjen te disa fakte të rëndësishme. Pas pushtimit osman kisha serbe në Kosovë u ndalua, por më vonë, në vitin 1557, sërish u lejua hapja e Patrikanës së Pejës. Njeriu që ndikoi në hapjen e saj ishte një serb i turqizuar, kryeveziri Mehmed Sokoloviq, i cili e emëroi patriark vëllanë e tij, Makarije, një murg nga Atosi (Greqia e sotme). Schmitt shkruan: “Mbështetja e ortodoksisë ishte tërësisht në interesin osman, sepse në perëndim të Kosovës gjendeshin territore malore të banuara me shumicë katolike shqipfolëse, të cilat shpeshherë me përkrahje nga Perëndimi ndërmerrnin kryengritje kundër osmanëve”. Sipas Schmitt, Patriarkati ortodoks në kohëra të caktuara ishte në shërbim të Perandorisë Osmane. Nga këndvështrimi nacional(ist) serb historia është shumë e thjeshtë: Serbët luftuan kundër osmanëve, shqiptarët bashkëpunuan me pushtuesit, duke bërë zullume ndaj sllavëve etj. Në vitet 1689 dhe 1737, sipas pikëpamjes serbe, patriarkët Arsenije III dhe Arsenije IV i prinë rezistencës kundër osmanëve. Reagimi osman ishte i ashpër dhe në vitin 1766 pasoi mbyllja e Patriarkatit të Pejës. Sa e madhe ishte urrejtja ndaj osmanëve tregon një përshkrim nga viti 1660 i shkrimtarit Evlija Çelebi, i cili kishte udhëtuar nëpër Perandori. Sipas tij, varri i Sulltan Muratit në Gazimestan ishte përherë i ndotur, sepse fshatarët e krishterë atje qëllimisht kryenin nevojën. Dhe kjo ndodhte gati 300 vjet pas Betejës së Kosovës.


Dyndje dhe gënjeshtra
Një ndër pikëpamjet më interesante të Schmitt-it në librin e tij është se deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX nuk mund të flitet për prani ekskluzive të serbëve në Kosovë. Sipas tij, shumë sllavishtfolës në Kosovë e shikonin Bullgarinë si pikë orientuese, jo Serbinë. Prandaj, shkruan Schmitt, për Kosovën paramoderne duhet të përdoret nocioni “sllavishtfolës”, i cili përfshinë serbët, bullgarët, vllahët, por edhe ndonjë shqiptar që mund të ketë folur sllavisht. Se jo të gjithë sllavishtfolësit në Kosovë ishin serbë e tregon një statistikë nga Prizreni e vitit 1903. Në atë vit në Sanxhakun e Prizrenit jetonin 17’232 të krishterë ortodoksë, të cilët e përqafonin Eksarhatin bullgar (zonë administrative kishtare). 22’550 të krishterë të tjerë ortodoksë të Kosovës, ndërkaq, përqafonin Patriarkatin e Konstantinopojës, kleri i të cilit në Kosovë ishte faktikisht nën kontrollin serb. Në shekullin VI nuk ka pasur serbë në Ballkan, por sllavë. Prania e tyre në Kosovë është evidente vetëm nga fundi i shekullit XII. Qendër e bashkësisë së tyre gjuhësore nuk ka qenë Kosova, por Rashka e sotme, pra rrethina e Novi- Pazarit. Kosova deri në fund të shekullit XII ka qenë pjesë e Bizantit dhe Perandorisë Bullgare. Sa u përket toponimeve sllave në Kosovë, Schmitt shkruan se ardhacakët (sllavët) pasi përzunë popullsinë e vjetër ballkanike në kodra në vend të toponimeve të harruara antike i pagëzuan vendbanimet me toponime sllave. Një ndër përrallat më të çuditshme të nacionalistëve serbë është edhe pretendimi se pas “Dyndjes së Madhe Serbe” të vitit 1690, në Kosovën e zbrazët erdhën shqiptarët nga veriu i Shqipërisë. Dyndja pasoi pasi, siç pretendon një pjesë e historiografisë serbe, patriarku Arsenije Cërnojeviq drejtoi një kryengritje të serbëve kundër osmanëve. Pas disfatës ai u priu “40 mijë familjeve serbe” në rrugë drejt Hungarisë jugore (Vojvodinës së sotme). Schmitt e quan këtë rrëfim manipulim të fakteve historike. E para: Patriarku Cërnojeviq në kohën e kryengritjes nuk ishte në Kosovë, por në Mal të Zi. Kur refugjatët mbërrin në Danub ai ishte në Beograd. Atje ai u vendos në krye të kolonës së refugjatëve dhe kaloi lumin; me atë rast nuk bëhej fjalë për 40 mijë familje, por për “40 mijë frymë”, siç e thekson edhe historiani gjerman Holm Sundhaussen. Schmitt shkruan: “Dyndja e Madhe nuk ka ndodhur ashtu siç u kujtohet serbëve. Në krye të rezistencës kundër osmanëve nuk qëndroi patriarku serb, por ipeshkvi katolik i Shkupit, shqiptari Pjetër Bogdani. Është e vështirë të përcaktohet se cila ka qenë përkatësia etnike e kryengritësve, por Prizreni, që ishte qendër e rezistencës, atëbotë kishte një shumicë shqiptare”. Në vitin 1737 pasoi kryengritja e radhës e popullsisë së krishterë të Kosovës kundër osmanëve, prijës i së cilës ishte patriarku Arsenie Jovanoviq IV. Qendra të kryengritjes ishin Prishtina dhe Vushtrria. Pas shtypjes së kryengritjes mijëra serbë dhe rreth katër mijë shqiptarë të fisit Kelmendi u arratisën në territorin e Habsburgut. Luftëtarët vullnetarë të fisit Kelmendi u vendosën në Vojvodinën e sotme, kryesisht në fshatrat Hrtkovci, Nikinci dhe Jarak. Ata tashmë janë sllavizuar. Nuk është rastësi që në vitin 1992, lideri i radikalëve serbë Vojislav Sheshel shkoi pikërisht në Hrtkovci dhe mbajti një fjalim nacionalist, ku u bëri thirrje kroatëve të këtij vendbanimi që të largoheshin. Dega e Partisë Radikale pastaj zhvilloi një fushatë agresive antikroate. Me gjasë disa prej këtyre kroatëve ishin pasardhës të fisit Kelmendi të ikur nga Kosova.


Miti
Miti i Kosovës është prodhim i shekullit XIX, atëherë kur serbët, më herët se shoqëritë e tjera të Ballkanit, nisën rrugëtimin drejt zgjimit kombëtar dhe luftën për shtetin e tyre. Paralelisht me dobësimin e Perandorisë Osmane dhe forcimin e ambicieve serbe për shtet në Ballkan u shtuan gjasat e ndryshimeve të mëdha. Shqiptarët në këtë proces u vonuan pafalshëm, ata pothuaj nuk mund të vendosnin nëse dëshironin pavarësi të plotë apo autonomi nën Sulltanin, të cilit në faza të caktuara i kishin shërbyer me besnikëri të pashoq. Në vitin 1889, Qeveria osmane lejoi hapjen e Konsullatës serbe në Prishtinë, e cila filloi të nxiste konflikte mes shqiptarëve me qëllim të destabilizimit të rajonit. Integrimi i Kosovës në Serbi, shkruan Schmitt, ka qenë i përgatitur mirë dhe gjatë nga Beogradi. Shkencëtarët serbë përpiluan sistematikisht epërsinë e interpretimit të historisë në raport me shqiptarët. Duke qenë se shqiptarët e Kosovës nuk kishin një elitë të arsimuar interpretimi serb paraqitej si mision civilizimi, pra opinionit ndërkombëtar i sugjerohej se në Kosovë Serbia synonte të rikthehej për të civilizuar një “popullsi barbare”. Për këtë u shpik toponimi “Stara Srbija” (Serbia e vjetër). Këtë terminologji, sipas Schmitt, Qeveria serbe e kishte shpikur vetë dhe për këtë flet edhe fakti se harta e parë me këtë toponim (“Stara Srbija”) u shtyp në vitin 1889 me para të buxhetit serb. Një rol të madh për përhapjen e interpretimit serb të historisë luajtën gjeografi Jovan Cvijiq, i cili hulumtimet e tij i botonte në gjuhën gjermane dhe frënge, si dhe aventurieri Spiridon Gopçeviq, i cili është autor i tezës së “arnautashëve”, pra, sipas tij, myslimanët shqiptarë ishin serbë të islamizuar dhe të albanizuar. Kulmin e poshtërimit të shqiptarëve, sipas Schmitt, pa dyshim e arrin pamfleti i ish-kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, botuar në Leipzig në vitin 1913, në të cilin ai i përshkruante shqiptarët si barbarë. Mendësia e Gjorgjeviqit ishte vetëm reflektim i disponimit racist të elitës së atëhershme serbe ndaj shqiptarëve. Në kapërcyell të shekullit XIX shqiptarët e Kosovës nuk kishin elitë intelektuale, prijësit e tyre rajonalë, siç shkruan Schmitt, nuk ishin në gjendje të bënin dallimet themelore të zhvillimeve politike.


Sërish nën Serbi
Si asnjë historian i huaj deri tani, Oliver Jens Schmitt e kritikon pa pardon politikën serbe ndaj shqiptarëve pas zaptimit të Kosovës nga trupat serbe në vitin 1912. Sipas tij, pushtimi i Kosovës nga serbët në vitin 1912 dhe brutaliteti i treguar kundër popullsisë civile ka shumë ngjashmëri me krimet serbe në fund të viteve ‘90. Brenda vitit 1912 forcat serbe thuhet të kenë vrarë 20 mijë deri në 25 mijë shqiptarë në Kosovë. Sundimtarë lokalë shpeshherë ishin kriminelët e pamëshirshëm dhe të ngjashëm me Arkanin, i cili në vitet ‘90 me bekim të regjimit të Slobodan Milosheviqit terrorizonte popullsinë shumicë të Kosovës. Derisa zyrtarët seriozë serbë nuk pranonin të vinin në Kosovë, qeveria dërgonte kriminelë, aventurierë, paramilitarë dhe nëpunës të korruptuar. Schmitt shkruan se përballë krimeve kundër popullsisë, korrupsionit dhe keqmenaxhimit ishte cinike kur zyrtarët e lartë serbë thoshin se integrimi i Kosovës ishte mision për civilizimin e shqiptarëve. Pas pushtimit të Kosovës elitat serbe orientuan ambiciet e tyre drejt përvetësimit edhe të Bosnjë-Hercegovinës dhe krijimin e një shteti të përbashkët për të gjithë serbët. Llogaria e Serbisë doli e gabuar. Pas vrasjes së pretendentit të fronit austro-hungarez në Sarajevë më 1914 trupat e Perandorisë austro-hungareze dhe ushtria gjermane bashkë me Bullgarinë mposhtën Serbinë. Ushtria serbe iku përmes Kosovës dhe Shqipërisë drejt Korfuzit. Trupat austriake, hungareze, gjermane dhe bullgare sollën ndryshime në Kosovë. Monarkia danubiane hapi shkolla shqipe, punësoi zyrtarë shqiptarë dhe ndërtoi infrastrukturën. Shqiptarët i pritën me entuziazëm trupat e Perandorisë austro-hungareze. Një mijë vullnetarë shqiptarë shërbyen në frontin austriak kundër Rusisë, ndërsa dy mijë të tjerë iu bashkuan trupave austro-hungareze në Shqipëri. Rezistencë kundër administratës austro-hungareze bënte sidomos popullsia e orientuar nga Serbia, por jo vetëm ajo. Schmitt shkruan: “Në veri (të Kosovës, v.j.) një kryengritës i ri i quajtur Azem Bejta dhe gruaja e tij Shote Galica bashkëpunonin me serbët lokalë kundër austriakëve dhe bashkë me prijësin e bandave çetnike Kosta Peçanac këshilloheshin për aksionet e përbashkëta. Në vjeshtë të vitit 1918, Azem Bejta arrestoi shumë ushtarë gjermanë dhe austro-hungarezë (të cilët kishin shërbyer në frontin e Maqedonisë). Kjo duhet të theksohet për shkak se ky çift (Azem Bejta dhe Shote Galica, v.j.) pas vitit 1918 karakterizoi kryengritjen kundër kthimit të administratës serbe. Në fund të tetorit 1918 njësitë serbe dhe franceze marshuan në Prishtinë”.


Koha e krimeve


Jugosllavia e parë
Sipas historianit gjerman Holm Sundhaussen pushtimi i Kosovës dhe i Maqedonisë së Vardarit paraqet një vendim tepër të gabuar të Serbisë. Schmitt i bashkohet këtij mendimi, duke shtuar se zhvillimet e mëvonshme në Kosovë flasin për vërtetësinë e këtij vlerësimi. Mes viteve 1912 dhe 1918 Serbia ishte në një gjendje të dehur nacionale. Vetëm shifrat mbi humbjet në njerëz flasin shumë: Në këtë periudhë Serbia humbi gati një milion (!) ushtarë. Në Kosovë dhe Maqedoni Serbia u shfaq si fuqi kolonialiste. Ndonëse aleatë me serbët në Luftën e Parë Botërore diplomatët britanikë paralajmëronin se politika pushtuese serbe do të kishte pasoja fatale. Por, zyrtarët serbë përgjigjeshin se edhe Britania kishte koloni dhe Serbia nuk e kishte ndërmend të përzihej, për shembull, në Indi. Schmitt shkruan se qëllim i Serbisë në Kosovë pas pushtimit të sërishëm më 1918 ishte ndryshimi i përbërjes etnike të Kosovës, me fjalë të tjera dëbimi i shqiptarëve. Nuk synohej integrimi i shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-kroato-sllovene (SKS). Nën sundimin e Mbretërisë së SKS-së liderët e atëhershëm të Kosovës të tubuar në partinë e Xhemijetit u gjendën para dy alternativave: Të luftonin me armë kundër pushtetit ose të bashkoheshin me pakicat e tjera dhe të angazhoheshin për realizimin e të drejtave të tyre. Liderët kosovarë, kryesisht dinjitarë fetarë dhe pasanikë, përqafuan alternativën e dytë dhe, në këtë mënyrë, pranuan pushtetin e ri. Në fillim të viteve të 20-a deputetët e Xhemijetit me votat e tyre e mbanin në pushtet qeverinë e kryeministrit serb Nikola Pashiq. Shpresat e tyre se do t’i realizonin të drejtat e komunitetit shqiptar në Kosovë nuk u përmbushën. Në vitin 1924 Xhemijeti iu bashkua opozitës kundër regjimit të Beogradit, i cili reagoi me brutalitet kundër politikanëve të Xhemijetit. Njëkohësisht në nivel të Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene u thellua konflikti mes kroatëve që synonin më shumë autonomi dhe serbëve që dëshironin të dominonin nga Sllovenia deri në Maqedoni. Në qershor 1928 në parlamentin e SKS-së në Beograd u vra lideri kroat Stjepan Radiq. Vrasës ishte deputeti malazez Punisha Raçiq, i cili në vitin 1920 ishte zgjedhur deputet i Tetovës si kandidat i përbashkët i Xhemijetit dhe Partisë Radikale të Nikola Pashiqit. Më vonë Raçiq ishte angazhuar nga Beogradi kundër shtypjes së rezistencës shqiptare në Kosovë. Paralelisht me Xhemijetin si përfaqësues të shqiptarëve u shfaqën edhe kaçakët, një lëvizje kryengritëse kundër terrorit serb. Pak a shumë ngjashëm sikur Xhemijeti edhe kaçakët kërkonin ndërprerjen e dhunës kundër shqiptarëve, dhënien fund të arbitraritetit të autoriteteve dhe hapjen e shkollave, të cilat i kishte mundësuar Perandoria austro-hungareze. Konflikti eskaloi kur në vitin 1920 Serbia i mori peng gratë dhe fëmijët e kaçakëve dhe i dërgoi në Serbi. Schmitt thekson se në këtë mënyrë politikanët serbë qëllimisht përdhosnin dinjitetin e kundërshtarëve të tyre shqiptarë. Gjatë konfliktit mes kaçakëve dhe pushtetit serb u shkatërruan 6 mijë shtëpi dhe 12.400 persona humbën jetën. Rreth 22 mijë njerëz u arrestuan. Lidhur me rolin e Shqipërisë në shekullin e 20-të ndaj konfliktit në Kosovë Schmitt nënvizon se ajo nuk ka luajtur rolin e fuqisë mbrojtëse të shqiptarëve të Kosovës. Një arsye për këtë abstenim të Shqipërisë Schmitt e sheh në faktin se “dy diktatorët më të rëndësishëm të Shqipërisë” Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha morën pushtetin me ndihmën jugosllave dhe si kundërshpërblim për këtë në fillim të sundimit të tyre urdhëruan vrasjen e politikanëve opozitarë kosovarë ose ekstradimin e tyre në Jugosllavi. Schmitt përmend rastin e vrasjes së Hasan Prishtinës dhe përndjekjen e Bajram Currit, i cili bëri vetëvrasje. Nga perspektiva e sotme duket irrituese se si në Kosovë disa aventurierë politikë ia festojnë ditëlindjen Enver Hoxhës dhe disa të tjerë e madhërojnë figurën e Ahmet Zogut pa asnjë shprehje të kritikës. Serbia gjeti po ashtu aleatë për dobësimin e Shqipërisë. Në vitin 1914 vendin e hodhi në krizë për interesa të Beogradit Esad Pashë Toptani, i cili më vonë do të vritej në Paris nga studenti Avni Rrustemi. Gjithashtu Serbia nxiti tendencat separatiste në mesin e katolikëve të Shqipërisë së veriut. Shembulli më i çuditshëm është kryengritja e vitit 1920 në Mirditë. Kryengritësi analfabet Gjon Marka Gjoni shpalli “Republikën e Mirditës” dhe me ndihmën e Mbretërisë Serbo-kroato-sllovene u përpoq të sigurojë njohjen e saj nga Lidhja e Kombeve, e cila ishte paraardhëse indirekte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). “Republika e Mirditës” u furnizua me armë dhe me ushtarë nga serbët. Disa nga ushtarët ishin rusë, pjesëtarë të të ashtuquajturave “Trupa të bardha” të ushtrisë së Vrangelit, emëruar sipas Pjotër Nikolajeviq Vrangel, një prijës i ushtrisë së bardhë antikomuniste në luftën civile ruse. Kryengritjen e bashkëpunëtorëve të serbëve në Mirditë e shtypi Bajram Curri me trupat e tij. Më 1924 vetë Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e serbëve, por më vonë ai u përpoq t’i ikë ndikimit serb dhe kërkoi mbështetje nga Italia. Italia fashiste e Benito Mussolinit ishte tepër e interesuar në nxitjen e revoltës shqiptare në Kosovë me qëllim të dobësimit të Serbisë/Jugosllavisë. Për këtë qëllim Mussolini kishte përkrahur edhe ustashët kroatë, të cilët pjesërisht vepronin nga Italia. Përveç ushtrimit të dhunës Serbia në Kosovë filloi edhe një program të kolonizimit me serbë. Në shumë rajone të Kosovës përbërja etnike u ndryshua dukshëm në favor të serbëve. Schmitt shkruan se plani i shkencëtarit serb Vasa Çubriloviq për dëbimin e shqiptarëve “të kujton metodat e politikës asgjësuese nacionalsocialiste në Evropën Lindore”, me fjalë të tjera strategjia serbe përmbante elemente të nazizmit të Hitlerit. Sipas Schmitt kjo politikë ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe mes viteve 1945 dhe 1966. Si arsye të racizmit serb ndaj shqiptarëve Schmitt e sheh injorancën e elitës intelektuale serbe, e cila shqiptarët i shihte si njerëz të rangut të ulët dhe kurrë nuk interesohej as për gjuhën, as për traditat, as për kulturën e tyre. Kush merrej me kulturën dhe traditën shqiptare jashtë strukturave shtetërore rrezikonte jetën e tij. Si shembull Schmitt përmend vrasjen e Shtjefën Gjeçovit dhe të albanologut kroat Milan Shuflaj (Sufflay), i cili në vitin 1933 ishte vrarë në Zagreb nga agjentët e shërbimit sekret serb. Kundër vrasjes së profesor Shuflajt atëbotë protestuan shkencëtari Albert Einstein dhe autori gjerman Heinrich Mann (vëllai i madh i Thomas Mann-it, njërit prej autorëve më të njohur gjerman të shekullit të 20-ë dhe fitues i çmimit “Nobel” për letërsi). Schmitt arrin në përfundimin se Kosova mes dy luftërave botërore ishte një koloni serbe: “Elita e Beogradit e dëshironte vendin, por jo edhe njerëzit që jetonin atje”.


Lufta e Dytë Botërore
Me pushtimin e Kosovës nga trupat gjermane, italiane dhe bullgare pas vitit 1941 ndryshuan rrethanat për shqiptarët e Kosovës. Po ashtu Beogradi nuk arriti të realizonte planin për dëbimin e shqiptarëve në Turqi. Tani nën presion u gjendën serbët. Jo pak prej tyre iu nënshtruan dhunës shqiptare. Kjo dhunë drejtohej në radhë të parë ndaj kolonëve, të cilët kishin fituar privilegje të mëdha nga Mbretëria Serbo-kroato-sllovene. Schmitt i përmend disa arsye pse shqiptarët e Kosovës nuk iu bashkuan masivisht lëvizjes partizane. Shoqëria kosovare nuk kishte klasë punëtore, e cila do të identifikohej me ideologjinë komuniste dhe retorikën e saj për barazi. Shqiptarët nuk ishin as sllavë, as miq të komunistëve. Rrjedhimisht për të forcuar pozitën e Kosovës dhe për të evituar rrezikun e mbetjes së vendit përsëri nën sundimin serb shumë politikanë shqiptarë të Kosovës bashkëpunuan me trupat italiane. Në nëntor të vitit 1943 në Tiranë u krijua qeveria vasale ndaj italianëve, në krye të së cilës erdhi një kosovar, Rexhep Mitrovica. Bashkëpunëtor tjetër i italianëve dhe gjermanëve ishte edhe Xhafer Deva. Sipas Schmitt shqiptarët e Kosovës paguan një çmim të lartë për qëndrimin e tyre joarmiqësor ndaj italianëve dhe gjermanëve. “Deri në vitet 90-të të shekullit 20-të ata në Britaninë e Madhe dhe në Francë konsideroheshin si ‘kolaboracionistë’ me Forcat e Boshtit (Gjermani dhe Itali, v.j.). (…) Por, shqiptarët e Kosovës nuk dëshironin një shtet fashist, një ideologji e cila përplasej në strukturat tradicionale shoqërore ashtu si komunizmi”, shkruan Schmitt.


Jugosllavia e dytë 
Siç u theksua, as Jugosllavia e dytë nuk ishte e gatshme që popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepte të drejta të merituara. Ndihmë nga Shqipëria nuk mund të pritej, sepse Partia Komuniste e Shqipërisë ishte një degë e komunistëve jugosllavë, ndikimi i të cilëve te Enver Hoxha ishte i madh deri në vitin 1948, kur diktatori shqiptar iu hodh në përqafim Stalinit për të shmangur dominimin jugosllav. Përveç përshkrimit të zhvillimeve të njohura siç ishte represioni i ministrit të Brendshëm, Aleksandar Rankoviq, Schmitt në librin e tij u kushton një rëndësi edhe ndryshimeve të mëdha që e përfshinë Kosovën pas Luftës së Dytë Botërore. Siç dihet, kthesa e parë serioze e politikës së Beogradit ndaj Kosovës ndodhi tek pas vitit 1966, pas rrëzimit të Rankoviqit. Njëra ndër përpjekjet e para të pushtetit për t’i orientuar shqiptarët nga Jugosllavia ishte ideja e krijimit të një lloj “šiptarska narodnost”, për të theksuar dallimin me shqiptarët e Shqipërisë. Kjo përpjekje dështoi shpejt. Shoqëria kosovare pas Luftës së Dytë Botërore ishte ende në nivelin postosman të zhvillimit, pra pothuaj e paprekur nga modernizmi. Kosova siç e njohim sot është prodhim i komunizmit jugosllav. Këtu duhet përmendur rrugët, shkollat, fakultetet, rrjetin elektrik, objektet komunale, sallat e sportit, termocentralet, fabrikat. Derisa shkalla e analfabetizmit në vitin 1948 në Kosovë ishte 62,5 për qind në vitin 1991, kjo shkallë zbriti në 11,9 për qind. Në vitin 1945, bibliotekat në Kosovë kishin një fond prej 6 mijë librash, më 1970 ky fond arriti në 500 mijë. Schmitt shkruan se Universiteti i Kosovës (më vonë i Prishtinës) simbolizonte emancipimin kulturor të shqiptarëve, por ai është kritik sa i përket cilësisë së mësimit. Kosova me decenie ka prodhuar një “proletariat akademik”, i cili kryesisht studionte histori dhe letërsi dhe nuk ishte i gatshëm të kryente punë tjetër përveç se në zyrë. Sipas autorit, mendësia dhe metodat e punës të jo pak intelektualëve në Prishtinë edhe sot janë të ndikuara nga modelet nacionaliste-staliniste të diktaturës së Enver Hoxhës dhe kjo, mes të tjerash, shihet edhe si pasojë e angazhimit të disa profesorëve nga Tirana, të cilët në vitet 70 ligjëronin në Universitetin e Kosovës. Me gjithë këto deformime mbase të pashmangshme zhvillimi i Kosovës ishte i pamohueshëm. Derisa në vitin 1920 shoqëria kosovare përfaqësohej nga bejlerët, luftëtarët dhe bajraktarët, në vitet 70 ajo përfaqësohej nga funksionarët e Lidhjes Komuniste, nga drejtorët e fabrikave dhe nga profesorët e Universitetit. Prej një elite postosmane tani Kosova kishte arritur të kishte një elitë nacionale. Schmitt e përshkruan me ton pesimist industrializimin e Kosovës. Shumë ndërmarrje u hapën shpejt e shpejt, pa planifikim të mirë, prandaj edhe dështimi i tyre ishte i programuar. Një ndër arsyet e dështimit mund të ketë qenë edhe një lloj dembelizmi i klasës punëtore kosovare. Schmitt përmend rastin e fabrikës së tekstilit “Kosovska” në Prishtinë, e cila kishte 1700 punëtorë, por mesatarisht për çdo ditë në punë mungonin 250 veta. Njëfarë përparimi u shënua në bujqësi. Si shembull për këtë mund të shërbejë numri i traktorëve: në vitin 1952 Kosova kishte 68 traktorë, në vitin 1971 ky numër arriti në 2231. Megjithatë, në vitin 1987 ekonomia e Kosovës mund të matej vetëm me atë të Bregut të Fildishtë në Afrikë. Përmasat e zhvillimit mund të shihen, megjithatë, në numrin e banorëve. Derisa në vitin 1961 asnjë qytet i Kosovës nuk kishte më shumë se 50 mijë banorë, në vitet 70 dhe 80 kjo gjendje ndryshoi. Njëkohësisht u rrit edhe nataliteti. Si shembull Schmitt përmend Istogun: Brenda 9 vjetëve (mes 1953 dhe 1961) numri i banorëve të kësaj komune u shtua për 346,2 për qind ose prej 597 persona në 2664. Në vitin 1957 në Kosovë nuk kishte asnjë televizor. Në vitin 1970, në 10 mijë banorë kishte vetëm 50 lidhje telefonike. Më 1965 filloi punën Aeroporti i Prishtinës (me tri fluturime në javë në vijën Prishtinë-Beograd). Dallimi mes fshatit dhe qytetit mbeti ende i madh, me gjithë urbanizimin e shpejtë. Nëpër qytete jetonte një shoqëri urbane e ndikuar nga kultura jugosllave, ndërsa në fshat ende mbijetonte bota post-osmane-fshatare. Schmitt shkruan se derisa në Drenicë një bir i një bujku me emrin Adem Jashari dëgjonte këngë kombëtare dhe serbët i njihte vetëm nga tradita e kryengritjes së paraardhësve të tij, në Prishtinë shqiptarët dhe serbët luanin bashkë basketboll. Zhvillimi më i madh përfshiu sektorin e shëndetësisë. Derisa në vitin 1945 Kosova kishte vetëm një stomatolog, më vonë numri i mjekëve të dhëmbëve u shumëfishua, po ashtu edhe i mjekëve të përgjithshëm dhe i specialistëve. Përmirësimi i kujdesit shëndetësor ndikoi dukshëm në uljen e vdekshmërisë së foshnjave.


Vizioni nga viti 1973 
Në vitin 1973 u botua një libër në Kosovë, i cili mbante titullin: “Kosova – dikur dhe tani”. Kjo vepër përmban edhe një vizion si do të duket Kosova në vitin 2000. Si e parashihnin ekspertët shqiptarë dhe serbë Kosovën në vitin 2000? Thuhej se Kosova do të kishte 2,1 deri në 2,3 milionë banorë, synohej ulja e natalitetit dhe e numrit të të punësuarve në bujqësi nga 51 për qind në 24. Urbanizimi do të arrinte 50 për qind, vetëm 35-40 për qind e banorëve do të jetonin në fshat. Kosova do të kishte 2300 kilometra rrugë moderne, mes tyre 300 kilometra autostradë. Parashikohej dhjetëfishimi i prodhimit të qymyrit në 32 milionë tonelata në vit dhe prodhimi i energjisë deri në 16 miliardë kilovatë në orë. Të gjithë banorët do të kishin qasje në ujë të pijshëm. Problemi i ujitjes në lindje të Kosovës do të zgjidhej përmes sistemit të “Ibër-Lepencit”, në sektorin e turizmit do të krijoheshin 30 mijë shtretër, prej tyre 15-16 mijë në qytete dhe 8 deri 13 mijë në Sharr, Rugovë dhe në Bjeshkët e Nemuna, do të ndërtoheshin 40 mijë banesa të reja dhe 180 deri në 200 ambulanca, numri i shtretërve në spitale do të rritej prej 3400 në 13.500, secila familje do të kishte nga një radio, çdo e dyta televizor. Në këtë eufori planifikimi pothuaj askush nuk mund të parashikonte, së paku jo publikisht, luftërat në Ballkan. Socializmi vërtet ka pasur iluzione të bukura, por vetëm iluzione!


Demonstratat e vitit 1981
Schmitt është kritik sa u përket demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Ai thotë se organizatorët ishin të ndikuar nga shërbimi sekret i Enver Hoxhës. Në prill të vitit 1980 Hoxha kishte ngarkuar shefin e ushtrisë, Veli Llakaj, të përgatiste një plan sulmi ndaj Jugosllavisë (operacioni “Shpërthimi”). Sipas Schmittit, shqiptarët e Kosovës paguan një çmim të lartë që pranuan të manipuloheshin nga elementë të tillë dhe të nxitnin kryengritje në Kosovë. Në këtë mënyrë u pengua ndryshimi i statusit të Kosovës konform Kushtetutës. Schmitt këtu më tepër përqafon argumentet e përfaqësuesve politikë shqiptarë të përfshirë në Lidhjen Komuniste. Prijësit e demonstratave të vitit 1981 kanë një mendim krejt tjetër. Sipas tyre, këto demonstrata i kanë hapur rrugë çlirimit të Kosovës. Ndoshta për këtë temë është herët të flitet, sepse ende nuk janë hapur shumë arkiva si në Tiranë ashtu edhe në Beograd.


“Gleichschaltung” i autonomisë
Në fund të librit të tij Schmitt merret edhe me heqjen e autonomisë së Kosovës në fillim të viteve 90 dhe me rezistencën paqësore të organizuar nga Ibrahim Rugova, të cilin pak a shumë e përshkruan si figurë tragjike, sepse politika e tij nuk gjeti mbështetje nga fuqitë perëndimore. Për heqjen e autonomisë së Kosovës Schmitt e përdor qëllimisht termin “Gleichschaltung”, që është një term nga koha e nazizmit dhe ishte krijuar në vitin 1933, kur në Gjermani Adolf Hitleri filloi procesin e unifikimit të jetës shoqërore dhe politike. Qëllim i këtij projekti ishte pezullimi i pluralizmit, kufizimi i lirisë dhe i personalitetit individual me qëllim të mobilizimit të masave. Çfarë ndodhi pastaj në Kosovë, në fund të viteve 90 dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri – dihet, mjaftojnë vetëm akronimet: LDK, UÇK, NATO, UNMIK, OSBE, BE, OKB, SHBA, etj. Schmitt e përshkruan këtë periudhë telegrafikisht. – Historiani zviceran Oliver Jens Schmitt ka shkruar një libër brilant mbi historinë e Kosovës. Analizimi i ngjarjeve, faktet e prezantuara dhe mprehtësia e gjykimit e bëjnë këtë vepër jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për opinionin gjermanofolës, të cilit i dedikohet në radhë të parë. Ky libër do të duhej të përkthehej edhe në gjuhën shqipe. Schmitt u lind në vitin 1973 në Basel të Zvicrës. Mes viteve 1993-2000 studioi bizantinistikën, neogreçizmin dhe historinë e Evropës Juglindore në Basel, Vjenë, Berlin dhe Mynih. Në vitin 2000 promovoi në Universitetin e Mynihut. Në vitet 2001-2004 ligjëroi në Institutin për Historinë e Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Mynihut. Që nga viti 2005 ai është profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe anëtar korrespondent i Akademisë Austriake të Shkencave. Përveç librit “Kosova – Histori e shkurtër e një trevë qendrore ballkanike” dhe biografisë së Skënderbeut, Schmitt ka shkruar edhe një studim me vlerë mbi marrëdhëniet e Arbërisë me Venedikun (“Das venezianische Albanien – 1392-1479, në shqip: Arbëria venedike – 1392-1479).


Shkruar nga Enver Robelli

About these ads
Postuar te Histori, KOSOVË, Studim. Komentet "Off"
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: